LIVE UPDATES

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës! Kuvendi vendos të enjten

➤ Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve ka miratuar këtë të hënë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për arrestimin e Sali Berishës. ➤Pas një seance që zgjati më shumë se katër orë, me 6 vota pro dhe asnjë kundër Këshilli i Mandateve i dha dritën jeshile SPAK për arrestimin e Berishës. Pro arrestimit votoi dhe Enkelejd Alibeaj, i cili ishte i vetmi deputet opozitar në mbledhje➤ Tashmë relacioni i mbledhjes së sotme do ti jepet Kuvendit në seancë plenare dhe ky i fundit do të vendosë për fatin e Sali Berishës. ➤ Ndërkohë që po të enjten Partia Demokratike ka paralajmëruar protesta. ➤ Ndërkohë që brenda zhvillohej seanca, mbështetës të Partisë Demokratike protestuan jashtë Kryesisë së Kuvendit. ➤Dhjetëra demokratë u bashkuan në protestën e thirrur nga Sali Berisha, i cili e cilëson si antikushtetuese kërkesën e SPAK ndaj tij. ➤ Në protestë u pa dhe vajza e Sali Berishës, Argita Malltezi. ➤Nga ana tjetër grupi i PD dhe këtë të hënë nuk ishte i bashkuar pasi deputetët që mbështesin Gazment Bardhin nuk morën pjesë. ➤Protestuesit ndezën tymuese dhe gjuajtën me vezë selinë e Kryesisë së Kuvendit. ➤ Protesta e demokratëve u mbyll pas fjalës së Berishës, i cili paralajmëroi protesta të tjera. ➤ Seanca u shoqërua me debate të forta mes akuzës dhe përfaqësuesve ligjorë të Sali Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, por dhe mes Enkelejd Alibeajt dhe avokatëve të liderit demokrat.

17 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Përfundon mbledhja e Këshillit të Mandateve, Gjokutaj: Fati kësaj radhe që transmetimi ishte live

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Genc Gjokutaj

TIRANË- Avokatët e Sali Berishës, Genc GjokutaJ dhe Sokol Mëngjesi kanë lënë Kuvendin e Shqipërisë pas një seance që zgjati për katër orë ku Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi arrestimin e Sali Berishës në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateteve. Për mediat, jashtë Kuvendit Gjokutaj tha se kjo seancë shërbeu sipas tij për të provuar shkeljet e SPAK. 

Genc Gjokutaj: Fati kësaj radhe është që transmetimi qe Live. Ju e ndoqët të gjithë seancën, patë edhe qëndrimin e anëtarëve të Komisionit, veçanërisht zotin Çuçi. Kjo seancë na shërbeu për të denoncuar veprimet e SPAK, që janë të atij lloji që do të ndikojnë në një vendimarrje. Rasti është që duhet të hiqen dhe ato masa që janë marrë në mënyrë të kundraligjshme dhe jo të rëndohet pozita jashtë çdo procedure, ligji, për më tepër çështja është në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të marrë një vemdim.

Prej katër orësh këtë të hënë prokurorët e Posaçëm Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai kërkuan nga Kuvendi dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës. Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion pasiv" në dosjen e kompleksit "Partizani". Më herët është arrestuar dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili më vonë la burgun dhe ndodhet nën masën e sigurisë "Arrest shtëpie"./ZËRI

1 VITE ME PARE

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Arben Kraja

TIRANË- Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin e Berishës. Me 6 vota pro dhe asnjë kundër deputetët socialistë dhe Enkelejd Alibeaj, i vetmi përfaqësues i opizItës në sallë i dhanë dritën jeshile organit të akuzës për arrestimin e kreut të PD. Relacioni pritet ti kalohet Kuvendit në seancë plenare, e cila do të mbahet të enjten. Pas kësaj, Sali Berisha është pa imunitetit ndërsa prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai do të dorëzojnë në Gjykatën e Posaçme kërkesën për arrestimin e kryedemokratit. Do të jetë GJKKO ajo që do të vendosë nëse Sali Berisha do të shkojë në burg apo do ti jepet masa kufizuese e "Arrestit të shtëpisë". 

Seanca e së enjtes pritet të mos jetë e qetë pasi opozita ka paralajmëruar protestë jashtë Kuvendit. Me deputetët e përjashtuar që do të jenë në sallë pasi skadon afati i dënimit, seanca e së enjtes pritet të dominohet nga debate dhe përplasje mes palëve. 

Raporti i hartuar këtë të hënë nga deputetët anëtarë të Këshillit të Mandateve pritet ti dorëzohet Kryetares së Kuvendit deri të mërkurën në ortën 14:00. Relatore të raportit Këshilli i Mandateve vendosi që të jetë deputetja socialiste Klotilda Bushka. 

Prej katër orësh këtë të hënë prokurorët e Posaçëm Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai kërkuan nga Kuvendi dhënien e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës. Ky i fundit akuzohet për "Korrupsion pasiv" në dosjen e kompleksit "Partizani". Më herët është arrestuar dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili më vonë la burgun dhe ndodhet nën masën e sigurisë "Arrest shtëpie"./ZËRI

1 VITE ME PARE

SPAK kërkon arrestimin e kreut të PD/ Alibeaj përplaset me avokatët e Berishës

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Pamje nga Kuvendi

TIRANË- Vijon të jetë e tensionuar situata në Kuvendin e Shqipërisë ku prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkojnë heqjen e imunitetit për kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha. Por, përplasjet nuk po zhvillohen vetëm mes organit të akuzës dhe avokatëve të Berishës, por dhe mes përfaqësuesit të vetëm të opozitës në Këshillin e Mandateve, Enkelejd Alibeaj dhe mbrojtjes së Sali Berishës. Alibeaj, i cili është pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës gjatë fjalës së tij u shpreh se do të ishte më e udhës që Sali Berisha të dorëzonte mandatin duke mos përfituar nga imuniteti, për këtë pyeti nëse është këshilluar nga avokatët. Këta të fundit, konkretisht Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj u shpreh se ata nuk janë këshilltarë politik por juridik dhe se Sali Berisha i ka mërrë i vetëm vendimet. Në debat u përfshi dhe Kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Debatet:

Enkelejd Alibeaj: Lëvizja më e mirë politike do të ishte ajo e daljes publikisht dhe lënies me vullnet të mandatit. Nuk po iu këshilloj as juve dhe përfaqësuesve politikë se çfarë sjellje do të mbajë. Ka një kod sjelljeje ky Parlament që do të thotë se deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti. Kjo do të ishte një këshillë që ndoshta ia kishit dhenë.

Sokol Mëngjesi: Ne jemi kontraktuar nga Berisha si profesionist dhe nuk jemi këshilltar politik. Për hir të së vërtetës, jo vetëm nuk jemi përfaqësues politik por edhe nuk kuptojmë mirë nga politika. Qëndrimet i ka mbajtur vetë zt.Berisha dhe do të keni mundësi ta pyesni në seancë.

Genc Gjokutaj: Që të pretendosh se zt.Berisha ka përfituar në këtë rast, aspak! Ai është trajtuar në kundërshtim me ligjin si i tillë. Berisha nuk ka qenë i favorizuar këto kohë qoftë me vulën, me siglën. Kjo është tentativa e fundit. Kjo është një e vërtetë e madhe. Nuk është se është braktisur procesi si i tillë por në momentin kur praktikat janë të tilla, nuk përfillet Parlamentit, Gjykata Kushtetuese dhe bëhet sikur dëgjohet.

Lindita Nikolla: Jeni profesionist dhe vini e bëni këtu politikë.

Genc Gjokutaj: Këtu nuk mund të jemi në gjykatë. Lëre të nxjerrë dufin thotë populli. Çmimin e fjalët e keni ngritur shumë. Keni ardhur në emër të kryeministrit këtu dhe s’doni të na lini të flasim?!

Lindita Nikolla: Dufin shfryni në një vend tjetër.

Enkelejd Alibeaj: Nuk mund të përdoren këtu argumente mbi meritën e çështjes. Diçka tjetër duhet të mbrojë për aq sa është e mundur ky këshill. Kohë më parë, ishin ulur aty avokatët e ish-ministrit Tahiri, i cili qahej për instrumentim të procesit të tij. Akoma më rëndë rasti i Ahmetajt. Në ka një gjë është; a ka përdorim politik të Prokurorisë në një çështje të procedimit penal? Pavarësisht qëndrimit që mund të mbajë një deputet i mazhorancës apo jo do të ishte i vështirë nëse ka përdorim politik. Ka një parametër që nuk gabon, dobiostandardi. Keni arritur juve të gjeni një rast analog, ku për njërin rast të jetë kërkuar dhënia e autorizimit dhe për rastin tjetër, për fakte të ngjashme, SPAK-u të mos e ketë bërë këtë gjë.

Genc Gjokutaj: Në parim, pyetja juaj ka lidhje me referencat ndaj praktikave të mëparshme. Kjo çështje ndryshon edhe nga emri i personit dhe nga fabula e ngjarjes. Nuk kemi të dytë çështje që shihen sot që kanë të bëjnë me tendera, PPP. Rasti i Tahirit të nënës dhe Berishës së njerkës, ku jepet masa. Kjo mospërfillje e Kuvendit e ka çuar SPAK-un dhe GJKKO në mina procedurale. Mund të thoni se kemi ndryshuar mendje, por nuk është kështu. Prandaj, thashë prisni Kushtetuesen sepse është organi i specializuar. Dhe sikur ju të vendosni dhe të vendosë Gjykata Kushtetuese, leje që ka mbivendosje kompetencash që nuk është etike dhe serioze për një shtet, në fund do të zbatohet ai vendim. Nëse formalisht doni të lani duart me këtë histori dhe të thoni e vendos kushtetuesja, mendoj që keni kaq integritet të mos mendoni kështu.

Lindita Nikolla: Ju mendoni vetëm për të dhënë përgjigje

Genc Gjokutaj: Nuk kam ardhur këtu të dëgjoj këshilla. Kjo çështje është unike. Nuk ka lindur mbi bazë provash dhe faktesh./ZËRI

1 VITE ME PARE

Mbyllet pas një ore protesta për Berishën: Ja data e tubimit të radhës

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Sali Berisha

TIRANË- Është mbyllur pas rreth një ore protesta e organizuar nga mbështetësit e PD-së në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, ku po diskutohet në lidhje me autorizimin për autorizimin e SPAK për arrestimin e Sali Berishës. Protesta e radhës e demokratëve pritet të jetë përpara Kuvendit, dhe para Gykatës së Lartë në datën 27 Dhjetor. Në këtë ditë Gjykata do të duhet të shprehet për fatin e ‘vulës’ së Partisë Demokratike.

“Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do qëndrojmë. Ne do fitojmë! E enjtja që vjen, të gjithë përpara parlamentit monist”, u shpreh mes të tjerave Berisha.

PJESË NGA FJALA E BERISHËS:

Më 27 dhjetor, çdo demokrat përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tone. Ç’po ndodh sot në parlament? Sot në parlament, në komision po votojnë ligjin, i cili ndalon hetimin e Edi Ramës. Jo, Edi Rama, i bindur të jesh ti se nuk ka ligj që do na pengojë ne pa hetuar vjedhjet tuaja, pa hetuar vjedhjet që i ke bërë shqiptarëve.

Çfarë ndodh? E thërrasin gazetarin, e rrëmbejnë, e fusin njëlloj si dikur në labirintet e sigurimit, e terrorizojnë, tregime si në romanet e Kafkës kam dëgjuar nga gazetarët e tjerë. Po pse? Se ai ka emrin e Edi Ramës në ato regjistrime, në ato lidhje me krimin që ai ka denoncuar, dalin dy emra, Taulant Balla dhe Edi Rama. Dhe ata kanë tmerr se do publikohen.

Ne do mbrojmë gazetarët. Ne u themi skapistëve, hiqni dorë mjeranë se ne kemi përmbysur policinë sekrete më të egër të botës dhe nuk u kemi për asgjë. Ju garantoj se do bëheni përgjegjës për çdo shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës dhe se do trajtoheni njëlloj si falanga krimi të kreut të Meduzës, të kryehajdutit të Shqipërisë, Edi Rama.

Me Edi Ramën kemi hesape të rënda për të larë. Edi Rama është sjellë ndaj nesh, ndaj jush njëlloj si nazistët në kampet e përqendrimit me hebrenjtë. Ata hebrenjve u hiqnin emrat dhe u jepnin nga një numër dhe ditë,javë, muaj atë thërriteshin me numra. Harronin emrat e tyre.

Por ne e garantojmë Edi Ramën se do e paguajë shumë shtrenjtë ata që ka bërë dhe përpiqet të bëjë me identitetin tonë. Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë.

Ne do qëndrojmë. Ne do fitojmë! E enjtja që vjen, të gjithë përpara parlamentit monist.

E mbyllim sot fitimtarë këtë takim historik, të betuar për të mos iu ndarë më gjer ditën e fitores. Unë ju ftoj ju ditën e enjte dhe çdo të enjte, përpara parlamentit, për pluralizmin, për demokracinë. Çdo qytetari shqiptar, që do sado pak këtë vend, i bëj thirrje të ndalet për një moment.

Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria, sesa të humbasë 35 përqind të djemve dhe vajzave në 10 vite? Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria sesa vota e shqiptarëve të numërohet nga bandat dhe të blihet nga Edi Rama? Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria sesa të rikthehen burgosjet dhe proceset politike?

Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria sesa gazetarët të rrëmbehen si njëlloj dikur Sigurimi i Shtetit, vetëm e vetëm për të mbrojtur faqen e zezë të Edi Ramës dhe Taulant Ballës? Çfarë prisni ju të pësojë më shumë Shqipëria sesa deputetëve të opozitës t’u mohohet çdo e drejtë në parlament?

Çfarë prisni të pësojë më shumë Shqipëria sesa të vidhet vetëm në një aferë 1 miliard euro dhe vjedhësit të amnistohen dhe as të mos guxojnë t’u përmendin emrin? Çfarë duhet të presim ne, të mbesim një vend në shfarosje, në zhdukje, një një kohë kur kemi pasuritë më përrallore.

Zgjohuni miqtë e mi sepse e keqja, sepse diktaturë nuk do asgjë tjetër, veçse heshtjen tuaj.  Mos u mashtroni nga propaganda e tyre. Propaganda e tyre ka vetëm një qëllim. Konsolidimin e pushtetit të krimit në këtë vend. Një thirrje kam për të rinjtë e këtij vendi: merrni përsipër misionin historik. Urdhëroni ju si luftëtarë lirie, t’i dalim zot sot Shqipërisë.

Nuk është çështja e një individi, është çështja e çdo shqiptari.

Mos harroni se ky njeri që vret sa askush tjetër shpresën e shqiptarëve, por ata që nuk kanë ëndërr, nuk kanë të ardhme. Dhe ne nuk e meritojmë kurrë një gjë të tillë.

U bëj thirrje medieve, interesi publik duhet të jetë nordi, parimi themelor i juaji. Bëni gjithçka për t’u ngritur mbi censurën që ju imponojnë. Bëni gjithçka për të mbrojtur njëri-tjetrin sepse secili prej jush mund të jetë një Elton Qyno nesër. Sepse secili prej jush mund të jetë një gazetar apo gazetare që paketon valixhet dhe ikën. Ndaj dhe zgjohuni.

Do u rikujtoj këtu një moment. Më 20 shkurt të vitit 1991, mbi 100 mijë vetë po vinin nga Qyteti Studenti. Te dera e TVSH shtetëror të Ramiz Salisë kishin dalë dhjetëra punonjës të solidarizuar me protestuesit, të solidarizuar me luftëtarët e lirisë.

Edhe ju sot u takon misioni historik që të bëni gjithçka për të inkurajuar dhe mbështetur një lëvizje që do përmbysë në mënyrë të pashmangshme diktaturën. Pra, e mbyllim sot fitimtarë këtë takim historik, të betuar për të mos iu ndarë më gjer ditën e fitores.

Të betuar se do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile ndaj këtij regjimi. Të betuar, çdo mjet të mosbindjes civile, nuk ka më, nuk ka forcë që na ndal më. Ne jemi dhe do mbetemi luftëtarë të lirisë gjer ditën e fitores së plotë. E largimit, e përmbysjes së këtij regjimi që po shfaros shqiptarët.

1 VITE ME PARE

Pse ia faturoni Berishës ndryshimin e destinacionit për ish-Partizanin? Kraja: Pyetje pa lidhje…

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Genc Gjokutaj dhe Arben Kraja

TIRANË- Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet në lidhje me autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Sali Berishës, avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj e pyeti prokurorin e SPAK Arben Kraja, se pse i atrubohet ish-kryeministrit ndryshimi i destinacionit për ish-kompleksin Partizani. Në fakt ky vendim është firmosur nga kryebashkiaku i Tiranës asokohe, Edi Rama. Kraja refuzoi që të përgjej në lidhje me këtë pyetje.

Gjokutaj: Të nderuar zotërinj prokurorë, në kërkesën tuaj i atribuoni zotit Berisha ndryshimin e destinacionit, nga klub sportive në shesh banimi. Si element thoni ju i veprës penale të korrupsionit, ku e mbështesni këtë.

Kraja: Pyetja nuk ka lidhje me atë që po diskutohet këtu, ne kemi përcjellë një kërkesë krejt tjetër këtu. Kjo mund të diskutohet një Gjykatë.

Gjokutaj: Unë edhe këtu jam avokati, nëse edhe për këtë ne nuk mund të bëjmë pyetje dhe debat… Problemi është shumë thelbësor, unë nuk po i referohem fashikullit të hetimit. Ku do e bëjmë ne debatin në një vend tjetër. Kjo është një gënjeshtër. Ju thoni po ju arrestojmë dhe nuk ju përmendim as emrin. Janë koshientë që nga dita e parë se si e kanë nisur këtë procedurë.

Ndërkohë që avokati tjetër i Berishës, Sokol Mëngjesi kërkoi nga Kraja prova pse po merret ashpërsimi i masës për Berishën, nëse ai ka tentuar të prishë hetimet apo të largohet jashtë vendit. Prokurori u përgjigj se kërkesa e ndryshimit të masës së sigurisë u bë pasi personi nën hetim nuk zbatoi vendimet e gjykatës.

Sokol Mëngjesi: Me sa kuptova prokurori nuk do të përgjigjet për sa i përket fakteve, pasi ka sjellë vendime gjykate. Pyetja ime konsiston për masat e sigurisë. A keni prova konkrete për ndryshimin e masës së sigurisë, se Berisha ka tentuar të largohet jashtë vendit?

Kraja: Personi në hetim nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës për t’u paraqitur përpara oficerit të policisë gjyqësore.

Avokati Mëngjesi: A keni prova konkrete t’ja paraqisni këtij këshilli që zoti Berisha të ketë ndërmarrë veprime për të prishur provat

Kraja: Është e njëjta përgjigje që dhashë dhe më parë.

1 VITE ME PARE

'Çfarë mase do kërkoni për Berishën?'/ Kraja i përgjigjet Alibeajt: Edhe burg, edhe 'arrest shtëpie', vendos GJKKO

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Arben Kraja dhe Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Prokurori i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja tha se ende nuk e ka vendosur se cilën masë sigurie do të kërkojë para trupës gjykuese për ish-kryeministrin Sali Berisha. Në fjalën e tij në Komisionin e Mandateve, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj pyeti Arben Krajën, ndërsa ky i fundit u përgjigj se do kërkojnë dy masa të ndryshme.

PJESË NGA SEANCA: 

Alibeaj: Keni paraqitur një kërkesë, doja të dija tani prej jush cilat janë opsionet që keni ndërmend përderisa keni ardhur në parlament?

Kraja: Arrest me burg dhe arrest në shtëpi janë dy masa të ndryshme. Kemi kërkuar leje për ashpërstimin e masës së sigurimit. Kemi kërkuar leje për të dyja, pastaj në varësi të vendimarrjes së Gjykatës do kërkojmë njërën prej tyre. Pastaj se çfarë bën gjykata është një histori tjetër...

1 VITE ME PARE

Alibeaj bashkon votat me socialistët, rrëzohet kërkesa e avokatit të Berishës

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin

TIRANË- Ka nisur me debate mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet në lidhje me autorizimin e SPAK për arrestimin e Sali Berishës. Avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi pezullimin e kësaj mbledhje, me pretendimin se çështja është depozituar në Kushtetuese. Mirëpo për kryetaren e Këshillit të Mandateve, Lindita Nikolla, në këtë rast nuk ka asnjë përplasje institucionale. Votat me socialistët i bashkoi dhe deputeti i vetëm i opozitës në mbledhje, Enkelejd Alibeaj. 

DEBATET:

Gjokutaj: Kemi një kërkesë paraprake. Jemi vënë në dijeni të kërkesës që SPAK ka paraqitur pranë jush. Sikurse ne do të provojmë me provat që kemi, në momentin që zhvillohet kjo seancë dëgjimi, në Kushtetuese është depozituar kërkesa në 14 dhjetor nga ⅕ e deputetëve për interpretimin e nenit 73/2 të Kushtetutës, përsa i takon çështjes së heqjes apo kufizimit të imunitetit të deputetit në çdo kohë, pa e kërkuar dhe pa e marrë paraprakisht autorizimin e Kuvendit. Kjo çështje ka filluar në muajin tetor dhe masa e detyrimit për paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit janë marrë me kërkesë të SPAK drejtuar direkt GJKKO-së. Ne kërkojmë pezullimin e kësaj seance.

Nikolla: Nuk mund të pezullojmë një seancë pa dëgjuar kërkuesit që janë prokurorët e SPAK

Alibeaj: Duke qenë se është kërkesë paraprake është e udhës që të shqyrtohen të gjitha pikat. Unë kam një pyetje për avokatin, kuptoj që ju kërkoni të pezullohet ose shtyhet seanca këtu, duke qenë se keni depozituar kërkesë në kushtetuese. Sipas opinionit tuaj, kërkesa që është depozituar në Kushtetuese, i përket vendimeve të marra nga gjykata më parë, apo këtij rast specifik?

Gjokutaj: Mos ti bjemë njëri gozhdës tjetri patkoit, ne kemi dy muaj që kërkojmë të vijmë këtu, sepse prokurorët kërkojnë që të riparojnë një gabim që kanë bërë vetë.

Çuçi: Nuk ka asnjë bazë për të kërkuar këtë pezullim, ju e shprehët vetë që është në vullnetin tonë për ta bërë këtë gjë. Unë po shoh kërkesën tuaj që keni bërë në Kushtetuese, ku ju kërkoni pezullimin e masave të sigurisë. Ju mund ti kishit kërkuar Kushtetueses këtë që po na kërkoni ne, për të kërkuar pezullimin e procedurave parlamentare. Nuk shoh asnjë arsye që ne të mos e vazhdojmë këtë mbledhje.

Bushka: Në respekt të procedurës, kërkesa do të duhej që të trajtohej në një normë kushtetuese ose ligjore, ne vetëm pak ditë më parë pranuam vendimin e Kushtetueses për pezullimin e procedurave parlamentare për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë. Por deri para nisjes së mbledhjes Kushtetuesja nuk është shprehur për kërkesën tuaj. 

Enkelejd Alibeaj: Bazuar në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Parlamentit, do të kishte bazë një kërkesë për ta pezulluar deri në pritje të vendimit të Kushtetueses nëse do të kishte një kërkesë për pezullim. Kushtetuesja në këto procedura është e epërme, edhe mbi Kuvendin. Deri më sot nuk ka një vendim të Kushtetueses për të pezulluar këtë procedurë parlamentare për dhënien e autorizimit.

Kërkesa e Gjokutajt kalon në votim, në mesin e atyre që votojnë kundër saj është dhe deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

'Nxehet' situata, mbështetësit e Berishës ndezin flakadanë

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Pamje nga protesta

TIRANË- 'Nxehet' situata tek protesta, mbështetësit e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndezin flakadanë. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga ZËRI, demokratët kanë ndezur flakadanët.

PAMJE NGA PROTESTA: 

 

1 VITE ME PARE

Kush mungon sot në protestën e opozitës

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Sali Berisha

TIRANË- Ka nisur përpara Kryesisë së Kuvendit protesta e njoftuar nga opozita. Në këtë protestë është vënë re mungesa e Kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, Kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Ish-kryeministri Sali Berisha pranoi se ata që do ta mbështesin sot përmes një proteste janë të paktët, duke e cilësuar një grup modest dhe duke bërë thirrje që në të ardhmen ata të jenë më shumë ashtu sikur nisi beteja e opozitës para 2005-ës. Gjithashtu vajza e ish-kryeministrit, Argita Berisha është shfaqur sot në Kryesinë e Kuvendit për të protestuar.

Ndërkohë ka nisur mbledhja në Këshillin e Mandatave, që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për t'i hequr mandatin deputetit Sali Berisha që ti hapet rrugë masës së arrestit ndaj tij. Berisha nuk është paraqitur në mbledhje, por ka dërguar avokatët e tij.

/ZËRI

1 VITE ME PARE

Protesta/ Mbështetësit e Berishës qëllojnë me vezë, punonjëset e Kuvendit i shohin nga dritarja

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Pamje nga Kryesia

TIRANË- Mbështetësit e Partisë Demokratike të mbledhur sot tek Kuvendi i Shqipërisë kanë gjuajtur me vezë godinën e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë.

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Godina qëllohet me vezë

Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga ZËRI, protestuesit në shenjë revolte kanë qëlluar me vezë, ndërsa nga brenda e gjitha po ndiqet nga punonjëset.

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Pamje nga brenda Kryesisë

Madje njëra prej tyre ka dalë në dritare për të parë protestën që po zhvillohet nga Partia Demokratike./ZËRI

1 VITE ME PARE

Gjokutaj përplaset me Alibeajn: Ke detyrim të më dëgjosh, pastaj merru me telefonin

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Genc Gjokutaj

TIRANË- Ka nisur seanca në Këshillin e Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Sali Berishës. Seanca ka nisur me fjalën e avokatit mbrojtës të Berishës, Genc Gjokutaj, i cili e ka konsideruar të paligjshëm vendimin e SPAK, për të kërkuar për ish-kryeministrin një masë sigurie detyrim paraqitje për liderin e demokratëve.

Gjokutaj kërkoi pezullimin e mbledhjes së sotme në Këshillin e Mandateve, ndërkohë që u përplas dhe me deputetin Enkelejd Alibeaj, i cili kërkoi që Gjokutaj të ndalej shkurtimisht te parashtrimi në Këshillin e Mandateve. 

“Kini detyrimin që të më dëgjoni, pastaj zoti Alibeaj le të merret me telefonin”, u shpreh Gjokutaj.

“Kërkoj sot që ju të shtyni këtë seancë, pasi çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, dhe vendimi i saj prevalon mbi të gjitha kërkesat e tjera. SPAK në rastin e parë nuk ju është drejtuar ju, dhe tashmë ju drejtohet ju që rrjedh nga një masë që ju nuk e keni autorizuar”, tha më tej Gjokutaj.

Të pranishëm në mbledhje janë dhe prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, ndërkohë që nga deputetët e PD është i pranishëm vetëm Enkelejd Alibeaj.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Avokati i Berishës hyn në Kryesi, me vete ‘karrocën’ me dosje

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Gjokutaj duke hyre ne Kryesi

TIRANË- Avokatët e Sali Berishës kanë mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku diskutohet sot mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit. Genc Gjokutaj, do të jetë ai që do të bëjë mbrojtjen e Berishës, në një kohë që vetë ish-kryeministri ka zgjedhur që të mos jetë i pranishëm në mbledhjen e sotme.

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestiminKëshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin

Vetë Berisha e cilësoi antiligjore rrugën e ndjekur nga SPAK, duke nënvizuar se Kuvendi do të shqyrtoje një kërkesë bazuar në anti-kushtetueshmëri.

“Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit. Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij.

Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë. Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie.

Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.

Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare.

Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament”, tha Berisha.

Ish-kryeministri pranoi se ata që do ta mbështesin sot përmes një protestë janë të paktë, duke e cilësuar një grup modest, duke bërë thirrje që në të ardhmen ata të jenë më shumë ashtu asikur nisi beteja e opozitës para 2005-ës.

/ZËRI

1 VITE ME PARE

Turma e pret me brohoritje/ Berisha i bashkohet protestës tek Kuvendi

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vendosur që t'i bashkohet protestës tek Kuvendi i Shqipërisë. Siç edhe duket nga pamjet e mëposhtme, të siguruara nga ZËRI, mbështetës të Partisë Demokratike janë mbledhur para Kuvendit dhe e kanë pritur me brohoritje numrin një të demokratëve.

“Berisha, Berisha,”- dëgjohet turma duke bërtitur.

Ndërkohë që demokrati i ka përshëndetur me 2 gishtat lart./ZËRI

1 VITE ME PARE

Berisha refuzon të përballet me prokurorët e SPAK në Këshillin e Mandateve: Janë laro

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Sali Berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar që të shkojë dhe të përballet me prokurorët e SPAK, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet kërkesa për arrestimin e tij.

Përmes një deklarate të bërë nga selia blu, Berisha tha se nuk do të ishte i pranishëm, për shkak se sipas tij në proces është shkelur Kushtetuta. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha tha se protesta e sotme në ambientet e jashtme të Kryesisë, është e para e një stine protestash që do të ndërmarrë opozita. Berisha i quajti laro prokurorët e SPAK.

Sali Berisha:

Jam sot këtu për të shpallur fillimin e betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, sheshet e saj, në çdo skaj të këtij vendi.

PD është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb sundimit të Edi Ramës, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.

Sot, çdo demokrat i vërtetë ndjehet një luftëtar i lirisë. I betuar për të bërë gjithçka për shembjen e narkodiktaturës, për shembjen e regjimit, i cili u grabit votën shqiptarëve.

Për shembjen e regjimit, i cili u kontrollon vullnetin shqiptarëve.

Për shembjen e regjimit, i cili vjedh ata sa kurrë ndonjëherë në historinë e tyre.

Për shembjen e regjimit, i cili asgjësoi parlamentin pluralist, duke iu mohuar përfaqësuesve të opozitës, të drejtat kushtetuese.

Për shembjen e regjimit më armiqësor në rrafshin e identitetit kombëtar që shqiptarët kanë pasur në historinë e tyre.

Sot të dhënat e regjistrimit të fundit, që po e manipulon përditë Edi Rama, janë jo më shumë se 1,5 milionë banorë.

Nëse ne vazhdojmë me Edi Ramën, ne do firmosim symbyllas shfarosjen tonë.

Sot, njëlloj si në diktaturë, dikur hetuesia speciale e Sigurimit të Shtetit, larot e Edi Ramës, prokurorë mercenarë, paraqitën në Komisionin e Mandateve të parlamentit, pasi kanë kryer puçin kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Edi Ramës, pasi kanë shkelur me dy këmbë nenin 73 dhe 38 të Kushtetutës së vendit, ata sot paraqiten si gardë pretoriane mbi parlamentin, mbi Kushtetutën, për të kërkuar jo vendosjen e masave siç e kërkon Kushtetuta, por për të kërkuar legjitimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e këtij vendi, jo se ka ndryshuar gjë, se në akuzë janë zero, po se unë kundërshtova këtë vendim si një element të puçit të shtetit brenda shtetit, të Edi Ramës, marrjen e pushtetit të parlamentit nëpërmjet mercenarëve në gjykata dhe prokurori.

Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat e tyre me urdhër politik Kushtetutën e vendit. Gjë të cilën nuk mund ta bëjë kurrë asnjë njeri në Shqipëri, as presidenti, as kryeministër, atë mund ta bëjë vetëm parlamenti dhe sovrani popull në referendum.

Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi i kanë hequr parlamentit kompetencën kushtetuese për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së deputetit, siç bënë ata me heqjen e lirisë Sali Berishës për largimin jashtë shtetit.

Sot pra, ata shkojnë si përfaqësues të Edi Ramës, mbi Kushtetutën, mbi parlamentin, poshtërojnë në këtë mënyrë institucionin qendror të një republike parlamentare, de facto sot një narkorepublikë apo republikë e bandës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Me qëllim, për t’i dhënë një zgjidhje ligjore, që është e pamundur në këtë narkorepublikë, grupi parlamentar iu adresua Gjykatës Kushtetuese jo për Sali Berishën, por iu adresua Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur pushtetin e parlamentit.

Imuniteti i deputetit është mbrojtje për parlamentin dhe funksionimit të tij.

Grupi parlamentar iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për t’i treguar vendin atyre që mund të mendojnë të rrëmbejnë një pushtet që nuk e kanë.

Në këto rrethana, Edi Rama dhe larot e tij, vrapuan drejt parlamentit për t’i kërkuar zëvendësimin e masave antikushtetuese që kanë dhënë ndaj meje me masa më të rënda, arrestin me burg ose arrest shtëpie.

Ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie.

Ndaj dhe unë sot nuk mund të ndodhesha kurrë në atë komision, të pranoja një poshtërim publik të tillë të institucionit, që me Kushtetutë është institucioni qendror i republikës parlamentare.

Sot ne nisim betejën në rrugë, e transpozojmë atë nga parlamenti në rrugë. Do vazhdojmë në parlament.

Çdo shqiptar duhet të ndalet në një moment, të shtrojë pyetjen: beson ai apo jo se vota e lirë është jetike, që qytetarët të gëzojnë liritë dhe të drejtat që shteti ligjor të funksionojë.

Çdo qytetar që i beson votës duhet të shtrojë pyetjen: a ka votë të lirë me Edi Ramën?

Çdo qytetar duhet t’i thërrasë vetes, në rast se nuk do të pajtohet me një diktaturë, të ngrihemi.

Sot do të jemi një grup fare modest, por do jemi luftëtarët e parë në rrugë, luftëtarë lirie.

Ju rikujtoj shqiptarëve se në vitin 1997, kur armiqtë e egër që erdhën me rebelim komunist në pushtet, menduan se na shfarosën, filluam betejën me 30 vetë në oborrin e selisë sonë dhe i mundëm ata në zgjedhjet parlamentare, të cilat i vodhën.

Po kësaj here, jetën e japim, votën nuk e japim.

Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar të mendojë për veten, për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e fëmijëve, për të ardhmen e këtij vendi. Ne jemi në betejë pa kthim!

 

1 VITE ME PARE

Protesta për Berishën, 700 policë rreth godinës së Kryesisë së Kuvendit

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Pamje nga masat e policise

TIRANË- Rreth 700 efektivë policie janë angazhuar për protestën e sotme, që do të mbajnë mbështetës të Sali Berishës në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, pak para se të nisë mbledhja e Këshillit të Mandateve.

Në mbledhje do të diskutohet kërkesa e SPAK për Kuvendin, që të autorizojë arrestimin e Berishës.

Punonjësit e policisë janë shpërndarë në të gjithë perimetrin e godinës, ku gjatë ditës së sotme do të jenë të pranishëm edhe prokurorët e SPAK, që kanë kërkuar arrestimin e ish-kryeministrit. Prokurorët që kanë në dorë dosjen e Berishës janë Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.


SPAK kërkoi shtrëngimin e masës së sigurisë për Sali Berishën, për shkak se ai nuk ka pranuar që të paraqitet përpara oficeres së policisë gjyqësore. Edhe këtë të hënë ai duhet të paraqitej në ambientet e SPAK, gjë që ka refuzuar që ta bëjë. Tashëm Prokuroria e Posaçme ka kërkuar një masë më të ashpër ndaj tij.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, Bardhi, Salianji dhe Korreshi nuk shkojnë! Alibeaj dhe Bardeli…

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Keshilli i mandateve

TIRANË- Në orën 12 pritet që të nisë mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet në lidhje me kërkesën e SPAK, që Kuvendi të autorizojë arrestimin e Sali Berishës.

5 deputetët e opozitës që janë pjesë e Këshillit të Mandateve kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me praninë në mbledhjen e sotme. Gazment Bardhi, Saimir Korreshi dhe Ervin Salianji kanë deklaruar se do të mungojnë në mbledhjen e ditës së sotme.

Ndërkohë që Enkelejd Alibeaj dhe Greta Bardeli pritet që të jenë të pranishëm në këtë mbledhje. Pak para se të nisë seanca në Kuvend, mbështetësit e Berishës do të protestojnë përpara ambienteve të Kryesisë.

Burime bëjnë me dije për Zërin se protesta e sotme pritet që të ketë masa të shtuara sigurie, ku rreth 700 efektivë do të sigurojnë godinën e Kryesisë, ku do të jenë të pranishëm dhe prokurorët e SPAK që kërkojnë arrestimin e Berishës.

Vetë Berisha nuk ka bërë me dije nëse do të jetë i pranishëm në mbledhje, për t’u përballur me prokurorët, të cilët ka zgjedhur që ti akuzojë në çdo dalje të tij publike.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Këshilli i Mandateve mblidhet sot për Berishën, jashtë protestojnë mbështetësit e PD

Këshilli i Mandateve miraton kërkesën e SPAK për arrestimin
Sali Berisha duke folur per gazetaret

TIRANË- Dita e sotme (e hënë 18 Dhjetor) do të jetë një prej më të rëndësishmeve në historinë politike të Sali Berishës, ku Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin pritet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. SPAK i ka kërkuar Kuvendit autorizimin për arrestimin e Sali Berishës, që në kushtet e moshës së tij do të jetë arrest shtëpie, dhe jo arrest me burg, nën akuzën e korrupsionit, pasi dyshohet se ka ndryshuar ligje dhe ka urdhëruar ish-vartësit në favor të interesave të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Këshilli mblidhet në orën 12:00

Mbledhja e Këshillit të Mandateve do të bëhet në Kryesinë e Kuvendit në orën 12:00, ndërsa nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë Sali Berisha, nëse do të jetë vetë apo jo i pranishëm në këtë mbledhje për t’u përballur me prokurorët e SPAK që kërkojnë arrestimin e tij, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai. I pyetur gjatë gjithë kësaj jave, Berisha është shprehur se këtë vendim do ta konsultonte me avokatët e tij. 

Kush janë anëtarët e Këshillit të Mandateve, dhe çfarë qëndrimi do të mbajë Enkelejd Alibeaj?

Këshilli ka numër të barabartë të anëtarëve të mazhorancës dhe të opozitës, ndërsa drejtohet nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla. Anëtarë të tjerë nga PS janë: Arben Pëllumbi, Bledi Çuçi, Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka. Ndërkohë që 3 fraksionet e PD-së ndajnë 5 anëtarët e tjerë.

Konkretisht, Gazmend Bardhi, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi janë së bashku, Greta Bardelli është nga grupimi i Rithemelimit dhe Enkelejd Alibeaj është anëtar nga grupimi i Lulzim Bashës. Asnjë prej tyre nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë nëse do të jenë të pranishëm në mbledhjen e nesërme, që i hapte rrugën dhe kuorumit të nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes.

Me interes pritet qëndrimi që do të mbajë Enkelejd Alibeaj, një prej njerëzve më të besuar të Lulzim Bashës, kundërshtarit më të madh të Berishës brenda partisë. Vetë Basha ka përsëritur në ditët e fundit thirrjen e tij që deputetët të heqin dorë nga imuniteti, përmes një deklarate, përpara se të marrin mandatin.

Brenda mbledhje, jashtë protestë

Pak minuta përpara se Këshilli për Mandatet do të mblidhet për Sali Berishën, mbështetësit e demokratëve do të protestojnë përpara godinës së Kryesisë, për të treguar forcën sa i takon vendimin të SPAK për arrestimin e liderit të tyre historik. Pjesëmarrja në këtë protestë pritet të jetë e rëndësishme për të dyja palët, veçanërisht për Berishën që ka deklaruar se nuk do të tërhiqet edhe nëse do t’i duhet që ta drejtojë opozitën nga qelia e burgut.

Këshilli i Mandateve ka dy javë kohë që të përpilojë një raport për arrestimin apo jo të Berishës, dhe më pas vendimi final kalon për miratim në Kuvend, ku vet ëish-kryeministri ka deklaruar se do të bjerë dakord me çdo vendim të marrë ndaj tij. Por a do të jetë edhe ky një vendim i marrë mes kaosit, tymit dhe zjarrit në Kuvend? Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB