Shaip Kamberi siguron mandatin në parlamentin serb: Lugina e Preshevës do bashkëpunim me Kosovën

SERBI- Shaip Kamberi, udhëheqës i Partisë për Veprim Demokratik, ka fituar edhe një mandat tjetër të përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.
Kamberi ka marrë 11.500 vota, e të cilat janë të mjaftueshme për mandatin e ri në Kuvendin e Serbisë.
Ndërkohë, Alternativa Demokratike Shqiptare e Shqiprim Arifit mori vetëm 1,250 vota. Në këto zgjedhje, shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë arritur të krijojnë një koalicion të përbashkët, në mënyrë që të maksimalizonin rezultatin e tyre.
“Faleminderit të gjithëve, një fitore e madhe e këtij koalicioni, nuk e ka domethënien veç të një mandati, e ka domethënien te e ardhmja politike, mesazhi i dërguar sot është i qartë, ’Lugina e Preshevës do bashkëpunim me Kosovën jo konfrontim, Lugina e Preshevës do rezistencë, jo dorëzim”, ka thënë Kamberi pas fitores.
“Sa herë që hyja në ring, të paktën gjysma e audiencës ishte aq e ekzaltuar për të më parë të vrarë. Ata brohoritnin, bërtisnin dhe shkelmonin për çdo grusht me të cilin më godiste një kundërshtar. Aq shumë saqë u bënë histerikë kur i zhgënjeva ato ëndrra dhe shpresa (Muhamed Ali)”, vijon postimin e tij Kamberi.
Partitë shqiptare hynë në garë me dy lista të ndara: “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon-Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”.
Të drejtë vote kishin 112 mijë votues nga Kosova, përfshirë shqiptarët e Luginës dhe serbët e Kosovës. Për herë të katërt, Kamberi do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin serb./ZËRI
Zgjedhjet parlamentare në Serbi forcojnë pushtetin e Vuçiç

SERBI- Sipas të dhënave të instituteve zgjedhore, zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Serbi kanë përfunduar me një fitore të ndjeshme të partisë së Aleksandar Vuçiçit, Partia Progresive Serbe, SNS. Pas numërimit të më shumë se 90% të votave, Instituti i Beogradti Cesid dhe Ipsos kanë nxjerrë me 46% të votave Partinë Progresive Serbe, SNS si forca kryesore zgjedhore.
SNS merr 128 vende nga 250 vende në parlament duke arritur kështu shumicën absolute në parlamentin e ri serb. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës duhet të krijojë lehtësi për presidentin serb, partia e të cilit shtoi me 2 pikë rezultatin. Në natën zgjedhore, Vuçiç foli para përkrahësve të tij për "fitore të qartë, të padiskutueshme dhe bindëse". "Tani është koha ta çojmë përpara vendin tonë, që Serbia të përparojë."
Zgjedhjet u errësuan nga akuzat e opozitës për manipulime, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Vuçiç vendosi për zgjedhje të parakohshme parlamentare 17 muaj pas zgjedhjeve të fundit. Megjithëse presidenti serb përcakton gati çdo gjë në politikën e vendit, ai duket se u frikësua, shkruan dpa: kjo pas dy sulmeve amok në Maj me 18 të vdekur dhe një lëvizjeje spontane proteste, që kërkonte fundin e sundimit të tij.
Po ashtu Aleksandar Vuçiç ndodhet nën presion edhe për shkak të moszgjidhjes ende të problemit të Kosovës, normalizimi i marrëdhënieve me të cilën është ende larg. Vuçiq, i cili ka negociuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar nënshkrimin e ujdive të ndryshme.
Akuzat e opozitës
Opozita liberale, e cila pas sulmeve amok krijoi alencën zgjedhore "Serbia kundër dhunës" arriti një rezultat të mirë. Sipas rezultateve të deritanishme ajo arriti 24% të votave dhe me 65 mandate renditet forca e dytë. Ajo kishte shpresa që në zgjedhjet lokale të arrinte një ndërrim pushteti në kryeqytetin Beograd. Natën e së dielës u shënua një situatë pati.
As partia SNS dhe as opozita liberale, SPN nuk kanë shumicën në këshillin bashkiak që zgjedh kryetarin. Rol të rëndësishëm luan partia e populistit të djathtë dhe mjekut, Branimir Nestorovic, që me 5% të votave hyri në këshillin bashkiak.
Zgjedhjet për Beogradin u shenjuan nga akuza për manipulime kundër partisë qeverisëse. "Sot kemi qenë dëshmitarë të një dhune zgjedhore të pashembullt", tha drejtuesi i opozitës, Miroslav Aleksiç. "Sipas të dhënave tona në Beograd janë dhënë 40.000 dokumente identifikimi njerëzve që nuk jetojnë këtu."
Mediat serbe kishin raportuar për autobusë me njerëz të ardhur nga pjesa serbe e Bosnje-Hercegovinës që janë dërguar në Arenën e Beogradit për të votuar. Presidenti Vuçiç, i cili qeveris në funksione të ndryshme nga viti 2012 akuzohet për stil autoritar drejtimi dhe i përdor herë pas here zgjedhjet e parakohshme për të siguruar besnikërinë e funksionarëve dhe përkrahësve të tij./DW
Opozita serbe kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd

KOSOVË- Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive Serbe (SNS) ka marrë 21.000 vota më shumë se lista e tyre në zgjedhjet në Beograd.
“Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal”, tha koalicioni.
Nga ky koalicion po ashtu kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”. Më herët, SNS hodhi poshtë akuzat se ka ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviç, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Alleksandar Shapiq, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.
Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ishte 57.65 për qind. Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor deri më tani janë numëruar votat për zgjedhjet parlamentare në pothuajse 35 qendra të votimit.
Sipas rezultateve paraprake, lista zgjedhore “Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 50.42 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkaq lista “Serbia kundër dhunës” ka fituar 19.25 për qind. E treta është lista “Ivica Daçiç – kryeministër i Serbisë” me 7.19 për qind të votave.
Në vendin e katërt është lista “Shpresë për Serbinë” me 4.45 për qind të votave, pasuar nga “Ne – Zëri i popullit” me 4.06 për qind.
Ndërkaq, “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, sipas rezultateve preliminare, ka fituar 0.79 për qind të votave. Kjo listë pritet të fitojë një ulëse në Parlamentin serb.
Në këto zgjedhje, banorët serbë të Kosovës kanë udhëtuar drejt Serbisë për të votuar. Kjo pasi votimet nuk janë lejuar të mbahen në territorin e Kosovës, krahasuar me vitet më parë.
Ata kanë mundur të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë - në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që shteti i Serbisë t’i bëjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbajtje të zgjedhjeve, por Beogradi zyrtar nuk ka vepruar ashtu, meqë nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka grumbulluar votat. Ato vota, më pas, janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Zgjedhjet e 17 dhjetorit ishin të pestat të organizuara në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.
Zgjedhjet janë nxitur prej zemërimit në rritje të publikut për të shtënat masive të këtij viti dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për proces të ri zgjedhor.
Dy sulmet me të shtëna masive të majit maj, që kanë lënë të vdekur 18 persona, përfshirë nëntë nxënës dhe adoleshentë, kanë rezultuar me protesta në rrugë me javë të tëra. /REL