LIVE UPDATES

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e ulët e shqiptarëve në votime

➤Sot më 17 dhjetor 2023 mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato lokale në Serbi. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë dalë të përçarë në zgjedhje, me 2 lista; “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi. ➤Serbët e komunave veriore të Kosovës nuk janë lejuar nga qeveria e Kosovës që të votojnë në vendbanimet e tyre, prandaj ata janë detyruar që të udhëtojnë me autobusë drejt Serbisë. Prishtina nuk i lejoi të votojnë në vendbanime, pasi i këroi Serbisë të marrë leje për diçka të tillë. Beogradi nuk mori leje dhe për pasojë serbët janë transportuar drejt qendrave të votimit në territorin serb. ➤Presidenti i vendit Aleksandër Vuçiç, pasi ka votuar, tha se pret në këto zgjedhje një fitore absolute të partisë së tij. Ai tha se vetëm kështu, Serbia do të mund të bëjë përpara. ➤Kryetari i komunës së Preshevës, pasi ka votuar, deklaroi se përçarja mes shqiptarëve në zgjedhje është bërë nga lidershipi shqiptar. ➤Shaip Kamberi, që drejton listën 'Beteja politike e shqiptarëve vazhdon" tha se Tirana dhe Prishtina nuk kanë faj për përcarjen e shqiptarëve në Luginë, në lidhje me zgjedhjet serbe. Ai iu bëri thirrje shqiptarëve që të dalin të votojnë, duke thënë se ka besim se shqiptarët do e kenë përfaqësuesin e tyre në parlamentin serb. ➤Mediat e Kosovës raportojnë se ka pasur pjesëmarrje të ulët të shqiptarëve në zgjedhjet e Serbisë. Deri në orën 14:00, vetëm 8 përqind e shqiptarëve dolën në votime. ➤Policia e Kosovës lajmëroi se ka marrë masa shtesë në pikat kufitare, për shkak se shumë mjete kanë udhëtuar nga Kosova në drejtim të Serbisë. Sot, në pikat kufitare në Jarinjë, Dheu i Bardhë, Bërnjak, Merdarë, Muçibabë, u krijua trafik. ➤Kryetarja e Komunitetit të Helsinkit, Sonja Biserko deklaroi gjatë një interviste se Perëndimi nuk e ka falur Serbinë dhe nuk do e tolerojë atë. ➤Këshilltarja politike e Albin Kurtit për Preshevën, Ardita Sinani, tha se shqiptarët e Luginës duhet të votojnë masivisht në zgjedhjet serbe.

4 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Zgjedhjet serbe/ Prishtina: Qytetarët e Luginës të votojnë masivisht

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Ardita Sinani

KOSOVË- Ish-kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani iu ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës që të dalin e të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi, që po mbahen këtë të diel. Sinani, e cila është këshilltare politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, tha se pret rezultate të mira

“Është ditë e veçantë, ftoj të gjithë qytetarët e Luginës që masivisht të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, për të deleguar njerëzit e duhur, cilësor, të cilët mbrojnë interesat e qytetarëve të Luginës. Njerëz të rreshtuar drejt për t’i mbrojtur qytetarët e Luginës. Ftoj të gjithë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, tha Sinani.

Ajo nuk iu është përgjigjur akuzave të kryetarit të komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, që ka akuzuar edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se po bën ndarje në Luginën e Preshevës. “Deklaratat e thëna janë të pavërteta. Por, sot është festë, s’kemi të drejtë të merremi me komente të tilla, nuk na lejon etika. Ftojmë qytetarët masivisht të votojnë për deputetë cilësorë e të rreshtuar drejt për t’i mbrojtur interesat kombëtare dhe qytetarët e Luginës pa dallim. Përqindja deri pak më përpara ishte e ulët. Por, në Preshevë është praktikë që deri në ora 1 përqindja të jetë e ulët, e më pas të ketë numër më të madh të votuesve. Presim rezultate konkrete e shumë të mira”, ka thënë Sinani.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare ku shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po garojnë me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. /ZËRI/

1 VITE ME PARE

Biserko: Banjska nuk u fal, Perëndimi s’do e tolerojë Serbinë

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Sonja Biserko

SERBI - Presidenti Aleksandër Vuçiç dominoi gjatë dhe në fund të fushatës parazgjedhore, para zgjedhjeve në Serbi. Këto zgjedhje e kanë humbur legjitimitetin e tyre demokratik, sepse nuk janë as të drejta dhe as të ndershme. Shuma të mëdha parash u shpërndanë për pensionistët, studentët, fëmijët. Vuçiç e mbylli fushatën e tij me një intervistë për Sputnik, që është edhe një lloj mesazhi për Perëndimin, thotë Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit, në një intervistë për portalin ‘Aktuale’.

Biserko thekson se perceptimi i Perëndimit është se Vuçiç mund ta realizojë atë që ka premtuar, që është nënshkrimi i planit evropian për Kosovën. Ajo thekson se po bëhen përpjekjet e fundit për të realizuar ripushtimin e Malit të Zi, me ndryshimet e pritshme të rrethanave ndërkombëtare. Biserko thekson se regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi shërben për të dëshmuar rrejshëm se serbët janë populli shumicë në Mal të Zi, gjë që çon në serbizimin e identitetit malazez.

Gazetari: A mendoni se Perëndimi, veçanërisht Ambasada e SHBA-së në Beograd, është tepër e butë ndaj Aleksandër Vuçiçit, të cilit duket se i lejohet të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të rajonit, si dhe bashkëpunimi i hapur me regjimin në Moskë?

Biserko: Perceptimi perëndimor për presidentin Vuçiç, veçanërisht ai i SHBA-së, është se ai mund të realizojë atë që ka premtuar, që është kryesisht zbatimi i planit gjermano-francez për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ngjarja në Banjskë në veri të Kosovës ishte një lloj alarmi për komunitetin ndërkombëtar perëndimor, sepse u bë e qartë se Beogradi nuk kishte hequr dorë nga planet e tij për ndarjen e Kosovës. Meqenëse deri më tani nuk ka pasur raport zyrtar për atë ngjarje, përveç mohimit të Beogradit se ka marrë pjesë në të, reagimi i shpejtë i NATO-s, SHBA-së dhe BE-së tregon se nuk do të lejohet përshkallëzimi dhe destabilizimi i Ballkanit.

Kjo e theu besimin te presidenti Vuçiç. Një nga kushtet për anëtarësimin e Serbisë në BE është ende vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, gjë që nuk është as në njoftimin se Beogradi mund ta bëjë këtë. Është tregues se Vuçiç ka shkuar në Pekin për takimin e “Rrugës së Mëndafshit” dhe jo në Tiranë, ku u mbajt samiti i Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e të gjithë liderëve europianë. Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor ishte tema kryesore, e cila padyshim nuk është prioritet për presidentin Vuçiç. Duhet pasur parasysh se Beogradi po i vonon të gjitha premtimet, duke pritur një ndryshim në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që bën tifo qartë për Trump. Beogradi pret që përveç Rusisë dhe më pas administratës së re amerikane, perspektivat për realizimin e një “bote serbe” të jenë mjaft reale.

Gazetari: Çfarë lajmi tjetër na pret në Kosovë?

Biserko: Fakti që përforcimet e KFOR-it u dërguan menjëherë në Kosovë tregon se Perëndimi është i gatshëm ta mbrojë Kosovën dhe të parandalojë çdo ndërhyrje nga Serbia. Megjithatë, shqiptarët kanë frikë se mund të ketë më shumë surpriza nga Beogradi. Në rrethanat aktuale gjeostrategjike, siguria është bërë prioritet për Perëndimin dhe në këtë kuptim do të parandalohet çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës. Kjo është një vijë e kuqe dhe çdo përpjekje e Beogradit për të ndjekur aventura të reja, nuk do të tolerohet. Banjska nuk u fal, por Serbisë nuk iu vendos asnjë sanksion.

Gazetari: A mund të thuhet se Mali i Zi është në rrugën evropiane, nëse në krye të Kuvendit është i ashtuquajturi “Duka çetnik”, person që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës?

Biserko: Tre vjet më parë, Mali i Zi ishte, si të thuash, në derën e BE-së. Është një vend i vogël, një sistem i vogël, i cili do të integrohej në sistemin e BE-së pa probleme të mëdha. Fatkeqësisht, ai hap që bëri Mali i Zi tani është penguar dhe po rrëshqet drejt një modeli që e kthen Malin e Zi në një shtet fisnor. Mali i Zi, i përshkruar joformalisht në të kaluarën si një 'lider' për BP, po përballet me tensione serioze politike brenda vendit. Megjithatë, siç u theksua, presidenti dhe kryeministri kanë profile mbresëlënëse politike për perspektivë evropiane. Komisioni arrin në përfundimin se qeveria e re duhet të përqendrojë vëmendjen e saj në zbatimin e reformave kyçe të vonuara në lidhje me Bashkimin Evropian. Ky vlerësim optimist i Malit të Zi tregon se BE-ja ose nuk ka një pasqyrë të mirë ose po monitoron qeverinë e re dhe e drejton atë të vazhdojë rrugën evropiane. 

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare ku shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po garojnë me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. /ZËRI/

1 VITE ME PARE

Serbët e Kosovës nisen me autobusë për të votuar në Serbi

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Autobuse me serbet e veriut qe nisen drejt Serbise

SERBI – Serbët e Kosovës janë nisur për në Beograd dhe në rajone të tjera të Serbisë, për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Autobusët me punëtorë, kryesisht atyre që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, do të nisen pjesë-pjesë drejt shtetit serb.

Mediat raportojnë se në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë, Jarinjë dhe në Bërnjak është krijuar radhë e gjatë automjetesh. Komuniteti serb në Kosovë voton kryesisht në rajonet e Kurshumlisë, Rashkës, Tutinit dhe të Vranjës, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi që të hapë vendvotime për ta në territorin e Kosovës. Kështu, komuniteti serb në zonat veriore është grumbulluar, njësoj si në zgjedhjet parlamentare e presidenciale serbe, që u mbajtën në 3 prill 2022.

Edhe mediat lokale serbe në Kosovë raportojnë se pritet që së paku 20 autobusë të nisen drejt Serbisë vetëm nga komuna e Zubin Potokut. Një banor serb i quajtur Milinko Dobriç tha për Kosova Online se i vjen keq që për të votuar duhet të shkojë deri në Serbi, pasi autoritetet e Kosovës nuk e lejuan të votojë në Zubin Potok. “Më vjen shumë keq që nuk votoj dot në Zubin Potok, por duhet të shkoj në Serbi. Unë kam jetuar 40 vite në Zubin Potok. Jemi të detyruar që sa herë ka zgjedhje, të ikim në Serbi për votime”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi nga Beogradi që të nisë kërkesë për organizim të zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës dhe jo që OSBE të jetë ndërmjetësuese. Por, Serbia nuk pranoi të veprojë në këtë mënyrë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë se Kurti po insiston që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, që në komunat veriore të mbahen zgjedhje.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia ka organizuar edhe në komunitetin serb në Kosovë kanë qenë ata të 21 qershorit 2020.

Në ato zgjedhje, OSBE monitoroi zgjedhjet. Votat u numëruan në rajone të Serbisë. Serbia sot po mban zgjedhje parlamentare dhe lokale, ku të drejtën e votës e kanë rreth 6.5 milionë banorë.

Voton Vuçiç: Pres fitore absolute

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka votuar në zgjedhjet parlamentare e lokale serbe, duke thënë se pret një fitore absolute. Kreu i shtetit serb tha se Serbinë e presin shumë sfida në të ardhmen.

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Voton Vucic

“Pres një pjesëmarrje të lartë dhe një fitore vendimtare për koalicionin, ku bën pjesë edhe Partia Progresive Serbe. Uroj në fitore, që Serbia të vijojë rrugën e reformave dhe sukseseve”, tha Vuçiç.

Voton kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi

Kryetari i komunës së Preshevës Shqiprim Arifi ka votuar në zgjedhjet serbe. Arifi kryeson listën “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”.

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Voton Shqiprim Arifi

Për shkak të ndarjes së shqiptarëve në dy lista, ekziston rreziku që të mos nxjerrin asnjë deputet në parlamentin e Serbisë. Lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi’ udhëhiqet nga Shaip Kamberi. Arifi deklaroi pas votimit se shqiptarët mund të mos nxjerrin deputet në Kuvendin e Serbisë, për shkak të përçarjes.

“Është fatkeqësi që ne e shohim sot, kemi kaluar tani mbi tre orë që janë hapur vendvotimet edhe ajo të cilën edhe e kam paralajmëruar edhe më herët, që shqiptarët qysh në 2022 kanë bojkotuar (zgjedhjet), sepse kemi qenë të përçarë. Po duket qe sivjet edhe një herë më shumë po duket që po bojkotojnë përçarjen tonë të cilën e kemi me dy lista në zgjedhje. Është një fatkeqësi siç po e shihni dhe ju vet nuk ka kurrfarë grumbullimi, kështu është edhe në 38 vendvotimet tjera”, tha Arifi. Sipas tij, fajtor për përçarjen është lidershipi shqiptar. 

Voton Shaip Kamberi: Nuk ka faj Tirana e Prishtina pse shqiptarët dalin në zgjedhje me 2 lista

Shqip Kamberi, që drejton listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, ka hedhur votën e tij në zgjedhjet serbe. Kamberi me anë të një postimi në Facebook, iu ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Preshevë të votojnë. “Ftoj Shqiptarët e Luginës së Preshevës të shfrytëzojnë masivisht të drejtën e tyre të votës dhe të sigurojnë përfaqësim parlamentar”, ka shkruar Kamberi.

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Shaip Kamberi

Ai ka thënë përpara mediave se Tirana dhe Prishtina nuk kanë faj që shqiptarët në Luginë dalin me dy lista për zgjedhjet. Kamberi u shpreh optimist se do të arrijë votat e mjaftueshme, për të qenë deputet në parlamentin e Serbisë. 

Pjesëmarrje e ulët e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Mediat e Kosovës bëjnë me dije se në zgjedhjet e Serbisë, pak shqiptarë kanë dalë të votojnë. Deri në orën 14:00, në Preshevë kanë votuar vetëm 8 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ), Alban Mehmeti ka thënë për KosovaPress se numri i qytetarëve që e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës është mbi 3 mijë e 500. “Në Preshevë, deri në orën 14:00, kanë votuar 3.587 qytetarë ose 8 për qind”, tha ai. Të drejtën e votës në Preshevë e kanë 43 mijë e 500 qytetarë, në gjithsej 38 qendra votimi.

Policia e Kosovës, masa shtesë në pikat kufitare

Policia e Kosovës ka lajmëruar se ka angazhuar personel shtesë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për të menaxhuar fluksin e madh të krijuar, si rezultat i zgjedhjeve që po mbahen në Serbi. Serbët e Kosovës kanë udhëtuar në mënyrë të organizuar nga veriu i Kosovës drejt Serbisë, për të votuar. Madje, edhe në Gjilan ka pasur mjete transporti, për qytetarët e Luginës së Preshevës, që dhe ata të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Pike kufitare mes Kosoves dhe Serbise

“Zgjedhjet që po mbahen sot në Serbi, kanë bërë që disa qytetarë të Republikës së Kosovës të udhëtojnë drejt Serbisë, andaj me qëllim që të sigurohet një qarkullim i lirë i qytetarëve të cilët udhëtojnë për në Serbi, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e duhura, në mënyrë që liria e lëvizjes të jetë e garantuar. Po ashtu, policia edhe në pikat e kalimit kufitar ka ndërmarrë hapa konkret, përfshirë edhe shtimin e personelit policorë, për të përballuar më shumë kalime kufitare se ditëve të tjera. Për shkak të fluksit të qytetarëve dhe procedurave kufitare, ka ndikuar në krijimin e disa pritjeve të kalimit kufitar në disa pikë kalime kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, ku për të shmangur këto pritje, Policia e Kosovës ka angazhuar personel shtesë, në mënyrë që të kemi një menaxhim sa më efikas të kufijve shtetëror, ashtu siç parashihet edhe me MIK, (menaxhimi i integruar i kufirit)”, lajmëron Policia e Kosovës. Sot, në pikat kufitare Jarinje, Dheu i Bardhë, Bërnjak, Merdar e Muçibabë u krijua trafik.

Sot në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare ku shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit po garojnë me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Sot mbahen zgjedhjet në Serbi, shqiptarët dalin të përçarë me dy lista

Zgjedhjet në Serbi! Votojnë Kamberi dhe Arifi. Pjesëmarrje e
Zgjedhjet ne Serbi

SERBI- Serbia mban sot zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të marrin pjesë me dy lista, pasi nuk kanë mundur që të sheshojnë diferencat mes tyre.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

Komisioni Republikan Zgjedhor (KRZ) i Serbisë ka njoftuar se në zgjedhje të drejtë vote kanë 6 milionë e 500 mijë e 666 qytetarë. Kryetari i KRZ-së, Vladimir Dimitrijeviç tha se zgjedhjet do të monitorohen nga një numër rekord i vëzhguesve vendas dhe të huaj.

“5587 vëzhgues do të monitorojnë ciklin zgjedhor për deputetë. Këto janë nëntë shoqata vendase, 25 organizata ndërkombëtare dhe vende të huaja”, tha kreu i KRZ-së.

Kur bëhet fjalë për vëzhguesit e huaj, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut ka rreth 255.

“Është edhe Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore, pastaj Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, Parlamenti Evropian, pastaj ambasadat e Norvegjisë, Zvicrës, Holandës e shumë të tjera”, njofton KRZ.

Të gjithë vëzhguesit do të kenë mundësi të japin komentet e tyre për të gjitha parregullsitë e vërejtura në procesverbalet e vëzhgimit të zgjedhjeve sipas vendvotimeve. Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen pak më shumë se një vit e gjysmë pas zgjedhjeve të mëparshme parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme parlamentare që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.

/Zëri 

Poll

MOS HUMB