Flakët përfshijnë fushën e mbetjeve në Vlorë, Dredha: Do i mbulojmë me dhe

VLORË- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka bërë një prononcim për mediat nga fusha e mbetjeve që sërish ka marrë flakë. Dredha tha se plani për të trajtuar mbetjet përfshin mbulimin e tyre me dhe, duke theksuar se kjo është një masë e përkohshme. Po ashtu, shtoi se kjo situatë do marrë zgjidhje pasi javën e ardhshme do të vihet në punë landfilli i Sherishtës.
“Ka filluar zjarri që mbrëmë, rreth orës 9. Është menaxhuar deri në orën 23.00, por ka pasur një erë që vazhdon edhe sot. Të gjithë janë në terren. Nuk ka prezencë zjarri, më shumë ka tym. Do mundohemi që brenda pak orëve t'i shuajmë flakët. Nuk ka rrezik banesash. Këto mbetje nga këtu nuk do të largohen fillimisht do të mbulohen me dhe dhe më pas do të nisë projekti me KFë që është kapsulimi. Do të bëhet ecopark. Kjo është faza e dytë. Fillimisht do të vëmë në punë Sherishtën dhe brenda kësaj jave, fundi i kësaj jave nisim me hedhjen e mbetjeve në landfildin e Sherishtës. Do të merren masa dhe për landfildin këtu dhe atë në Orikum. Sezoni që do të vijë nuk do të na gjejë më as në Orikum e as këtu të jenë të përdorshme,”-tha Ermal Dredha.
Vlora u përball me të njëjtën situatë edhe më 25 korrik. Në kulmin e sezonit turistik, flakët përfshinë fushën e mbetjeve ku si pasojë e djegies së tyre, tymi i madh në formë reje u përhap në të gjithë qytetin, duke krijuar shqetësime tek pushuesit./ZËRI
Përfshihet sërish nga zjarri fusha e mbetjeve në Vlorë! Shefi i zjarrëfikësve: E vetmja mënyrë është mbulimi me dhe

VLORË-Fusha e mbetjeve në Vlorë është përfshirë sërish nga zjarri mbrëmjen e djeshme (23 mars). Zjarri vijon ende sot, me flakët të cilat janë përhapur nga era e fortë, ndërsa janë në rrezik edhe disa banesa që ndodhen aty pranë.
Tymi ka mbuluar të gjithë zonën, gjë që është shumë e rrrezikshme nisur dhe nga fakti që bëhet fjalë për një landfill me mbetje. Zjarrëfiksit dhe punonjës së bashkisë janë në terren për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre. Luan Kapaj, shef i zjarrëfikësve në Vlorë, thotë se zjarri u mbajt nën kontroll gjatë natës por në mëngjes u përhap i ndihmuar dhe nga era e fortë.
"Shërbimi zjarrfikës ka gjithë natën për izolimin e zjarrit dhe e ka mbajtur nën kontroll që të mos përhapej në të gjithë fushën por në mëngjes shpejtësia e erës përhapi flakët në veri, duke rrezikuar banesat. Për momentin situata është nën kontroll dhe po përpiqemi ta mbajmë nën kontroll për të mos u përhapur më tej. E vetmja mënyrë është mbulimi me dhe dhe lagia përsipër me ujë që të mos riaktivizohet vatra e zjarrit,"- u shpreh Kapaj.
Kjo nuk është hera e parë që fusha në Vlorë përfshihet nga zjarri. Banorët e Vlorës shohin si shpresë të vetme për situatën, vënien në funksion të Lanfillit te Sherishtës./ZËRI