Vrasja e Egli Progës/ Ministri Hoxha: Këmbanë alarmi për shoqërinë, u manipuluan faktet

TIRANË-Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha komentoi edhe rastin e vrasjes së Egli Progës në Pogradec, duke thënë se është një kambanë alarmi për shoqërinë. Hoxha u shpreh se ngjarja u kthye në krizë dhe u hodh baltë mbo Policinë, duke hedhur poshtë akuzat e familjarëve të të ndjerit.
"Rasti i Pogradecit, kjo është kambana më e madhe e alarmit për shoqërinë shqiptare sesi një ngjarje kthehet në një krizë. U manipuluan të gjitha faktet, u hodh baltë mbi policinë, u shndërrua nga një ngjarje në një krizë. Unë jam ministër i Brendshëm, veprimet e policisë ishin të qarta në përputhje me ligjin. Policia e Shtetit atë ditë ishte në detyrë dhe do të jetë në detyre”, tha ministri.
Policia fillimisht e raportoi ngjarjen si aksidentale, me pretendimin se Proga kishte ndërruar jetë, pasi ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete. Gjykata ka lënë në burg autorin, Denis Meçe dhe dha masën “detyrim paraqitje” për Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç. Familja e Progës ka kërkuar drejtësi./ZËRI
Noka-ministrit: Mund të kishte kandiduar dhe Durim Bami për drejtor policie, mos mbaj barrën e atyre që kanë qenë para

TIRANË- Është shoqëruar me debate raportimi i ministrit Ervin Hoxha, në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ku deputetët e opozitës i kërkuan llogari për gjendjen e kriminalitetit në vend. Flamur Noka, u shpreh se Durim Bami mund të kishte kandiduar për drejtor policie, duke iu referuar precedentit të Hajrulla Xhivinit, i cili dorëzoi dokumentet edhe pse ishte në kërkim.
“Mund të kishte kandiduar edhe Durim Bami dhe ju do ta kishit futur për kandidim për drejtues të Policisë së Shtetit. Hajrulla Xhivini është një nga 15 kandidatët për drejtor të Policisë. Hajrulla Xhivini është në kërkim. Mund të kishte kandiduar edhe Durim Bami dhe ju do ta kishit futur për kandidim në konkurrencë”.
Noka i kërkoi ministrit të brendshëm, që të mos mbajë barrën e paraardhësve të tij në radhët e policisë së shtetit.
“Sot ke marrë përsipër shumë gjëra mos mbaj barrën e atyre që kanë qenë përpara. Zoti ministër mos përsipër të tjerat, por po ke këllqe të nxjerrësh nga bataku këtë polici ta pastrosh ndryshe fatin e këtyre të tjerëve do kesh, madje edhe më keq se po merr përsipër edhe faturat e të tjerëve. Objektivi juaj duhet të ishte qaja për nxjerrjen nga bataku të policisë së shtetit dhe jo të mbroni çdo pisllëk e aferë të paraardhësve tuaj që e kanë bërë këtë policinë më të inkriminuar që ka Europa”, u shpreh Noka, ndërsa nuk i kurseu akuzat.
“Parandalimi sot në punë e policisë është term i harruar që duhet ta kishte detyrën kryesore. Prej vitesh policia është shndërruar ën institut statistikash. Edhe zbulimi nuk është meritë të zbulosh një pensionist që vrau një tjetër në azil. Zbulueshmëria ka të bëjë me ngjarje që lidhen me krimin e organziuara jo me krimin në familje. Është shndërruar dhe në institut dezinformomi dhe falsifikimi… uroj të kini vullnet ti vini fre kësaj. Është turp.
Gjithë këto banda e organizata kriminale kanë vepruar të gjitha të lidhura rreth kryeministrit e qeverisë suaj dhe me bekimin e ministrave parardhës tuaj. Killera serialë që drekonin me qeveritarë me ministra e kryeministrin, natën vrisnin për hesape bandash. Ky është realiteti sot në Shqipëri. Çfarë do të flasësh për policinë kur ke të gjithë krerët e organizatave kriminale që u zbuluan nga partnerët, u dekonspiruan dhe asnjë nuk u arrestua. Ke Xibrakën që policia e dekonspiroi operacionin e partnerëve tanë gjermanë. A ka tradhti më të madhe. Ndaj mos merrni përsipër”, tha Noka përpara se të largohej nga Komisioni.
Gara për kreun e Policisë së Shtetit, kush janë 4 kandidatët e skualifikuar deri tani nga gara

TIRANË- Komisioni për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, ka shkualifikuar nga gara 4 prej 15 kandidatëve që kanë shprehur interes. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se 4 kandidatët e skualifikuar janë: Sami Rasha, Shemsi Premçi, Ibrahim Disha e Hajrulla Xhivini. Ky i fundit është një person i shpallur në kërkim nga policia.
Ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës, hodhën akuza se gara për drejtorin e ri të policisë së shtetit është e paracaktuar, dhe se fituesi është përzgjedhur kohë më parë.
Vetë ministri Hoxha, tha se brenda kësaj jave ai do ti propozojë emrin e drejtuesit të ri të policisë së shtetit, kreut të qeverisë Edi Rama.
“Unë ju bëra me dije procedurën, në dijeninë time janë skualifikuar 4 kandidatë. Procedura do të vazhdojë në ditët në vijim. I është dërguar agjencive të zbatimit të ligjit shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës. Priten përgjigjet dhe në bazë të përgjigjeve komisioni do vlerësojë kandidatin dhe më vonë do vijojë intervistimin. Brenda kësaj javë ministri i Brendshëm do ti propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin i cili do të jetë i aftë për ta fituar këtë gara”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Ministri tha se është i pakënaqur me rezultatet e deritanishme të policisë, por theksoi se policia që ai ka gjetur kur mori detyrën, është e konsoliduar dhe profesionale.
“Nuk jam i kënaqur me rezultatet e deritanishme të policisë, por policia është na lartësinë e detyrës dhe do të përmirësohet në ditët në vijim. Kam gjetur një polici të konsoliduar e profesionale”, tha ministri.
Hoxha foli dhe për ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë verës, ku tha se kanë ndodhur 12 vrasje dhe janë zbardhur 10 prej tyre. Ministri foli edhe për vrasjen e Egli Progës në Pogradec.
“Në 2024 janë regjistruar 28 vrajse nga 35 që kishte në 2023. Unë insistoj tju informoj për secilën ngjarje. Ngjarja e Fierit për motive të dobëta autori i arrestuar. Tropojë për motive të dobëta, autori i arrestuar. Ngjarja e Memaliajt, përçon te ne një alarm këmbane një vrasje që ndodhi në qytet. E gjithë policia është angazhuar në zbardhjen e plotë të saj. Autori ende i pa arrestuar. Tiranë 8 gusht 2024, në azilin e të moshuarve dyshohet se e ka goditur në kushte konflikti janë arrestuar dhe Pogradec, 3 shtetas të arrestur për pengimin e së të vërtetës. Veprimtaria e Policisë në këtë vendngjarje është brenda standardeve. Edhe ju tentuat ta manipuloni këtë situatë. Velipojë në një debat të momentit krijohet një konflikt, të arrestuar 2 shtetas në kërkim 2 të tjerë. Vijmë te ngjarja tjetër në Memaliaj për motive të dobta, janë arrestuar 4 persona dhe ngjarja është e zbardhur plotësisht", tha Hoxha./ZËRI
Gara për drejtorin e ri të policisë, Hoxha: Brenda javës do i dërgoj Ramës propozimin, janë skualifikuar 4 prej kandidatëve

TIRANË- Ministri i brendshëm Ervin Hoxha, është duke raportuar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ku tha se brenda kësaj jave, ai do ti dërgojë kryeministrit Edi Rama emrin e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit. Deri tani nga lista me 15 kandidatë janë skualifikuar 4 kandidatë që sipas Hoxhës nuk përmbushnin kriteret. Për kandidatët e tjerë, Hoxha tha se është kërkuar informacion në lidhje me pastërtinë e figurës. Hoxha nuk dha emra se cilët prej 15 kandidatëve janë skualifikuar nga ngjarja. Ndërkohë që deputetët e opozitës hodhën akuza se konkursi për drejtorin e ri të policisë së shtetit është një farsë, dhe se emri është i paracaktuar.
“Unë ju bëra me dije procedurën që do të ndiqet për zgjedhjen e drejtuesve të rinj, në dijeninë time janë skualifikuar 4 kandidatë. Procedura do të vazhdojë në ditët në vijim. I është dërguar agjencive të zbatimit të ligjit shkresë për konfirmimin e pastërtisë së figurës. Priten përgjigjet dhe në bazë të përgjigjeve komisioni do vlerësojë kandidatin dhe më vonë do vijojë intervistimin. Brenda kësaj javë ministri i Brendshëm do ti propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin i cili do të jetë i aftë për ta fituar këtë gara”, tha ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Ndërkohë që më herët, deputeti Ervin Salianji, ironizoi procesin, ku në garë për postin e drejtorit të policisë së shtetit, është dhe një person i shpallur në kërkim si Hajrulla Xhivini. /ZËRI
Hajrulla Xhivini aplikoi për kryepolic, Salianji-Hoxhës: Thirreni për intervistë që të paktën ta arrestoni

TIRANË- Ka nisur me debate mbledhja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku po raporton ministri i brendshëm Ervin Hoxha, në lidhje me situatën e kriminalitetit në vend, dhe rritjen e numrit të vrasjev. Teksa Hoxha foli për një gjeneratë të re në drejtimin e policisë së shtetit, deputeti Ervin Salianji, hodhu akuza se fituesit janë të paracaktuar. Ndërkohë që deputeti demokrat foli dhe për kandidatin Hajrulla Xhivini, që aplikoi për postin e drejtuesit të policisë, edhe pse është një person i shpallur në kërkim. Me humor Salianji i rekomandoi ministrin që ta ftonin Xhivinin për ta intervistuar, në mënyrë që të mund ta arressionin.
Salianji: Në situatën e vështirë që ju ka futur kryetari i partisë…për ruajtjen që i bëni... Tani kam disa pyetje. Këtu nuk vihet me qejf, nuk është ‘party’. Nga ato që lexoi ministri, e vërtetë ishte fjalia kur tha që nuk jam i kënaqur me punën e Taulant Ballës, Bledi Çuçit, e gjithë Shqipëria është e pakënaqur. Më vjen mirë që e konfirmon. Vetëm ministri i ri e thotë. Ju që jeni deputetë, ça mbroni këtu? Meqenëse është i pakënaqur, te dekonspirimi i operacioneve, te përfshirja e krerëve të shtetit të krimi. Do jepni pagesa apo oriz dhe miell. Do keni kapacitetin që të rrisni pagat?
Se dakord që jeni i pakënaqur dhe më vjen mirë. Thatë në një deklaratë publike, të kundërtën e asaj që thatë ky. Ka një ligj dhe nuk quhet kupolë, por është kupolë mafie. Sa e kanë plotësuar prej punonjësve një urdhër të ministrit të Brendshëm të tregonin a kishin përdorur aplikacionin Sky?
Thatë që do ketë gjeneratë të re drejtuesish, po ju i keni përcaktuar? Sa herë vjen një ministër sjell nga një ligj të ri. Keni thënë të vërtetën, ligji gjasme me aplikacion. Të sjell nga karagjizoz tiktoku, i ke njerëz në kërkim aplikantët për drejtor policie. Thirreni të japë intervistë të arrestoni se jeni bërë gaz i botës. Ku e dini që do të ketë një gjeneratë të re kur aplikimet ende nuk janë verifikuar. Me komisionin që keni ju, e dimë që i keni të caktuar.
Hajrulla Xhivini, është një nga kandidatët që kanë dorëzuar aplikimet për t’u bërë drejtues të Policisë së Shtetit, edhe pse është një nperson në kërkim. ZËRI ka zbuluar disa video që Xhivini i hedh në rrjetin social “TikTok”, ku kërkon ndihmën e qytetarëve që të zgjidhet ai drejtues i parë i Policisë së Shtetit. Edhe pse në fakt, rezulton një person me precedent penalë, pasi më datën 7 korrik të këtij viti ai u arrestua nga Policia e Tiranës pasi ka shantazhuar kreun e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushin. Por ky nuk është problemi i tij më i madh!
Ai gjithashtu ka bërë veprime të turpshme para Gjykatës së Lartë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Sokol Sadushit. Videon, e ka publikuar në rrjetet sociale. Ndaj, për të është caktuar masa e “arrestit në shtëpi”, pasi akuzohet për kryerjen e veprave penale “kanosja për shkak të detyrës” dhe “prishje e qetësisë publike”. Aktualisht, ai është në kërkim edhe pse vetë pretendon që është në Milano./ZËRI
Rritja e numrit të vrasjeve, ministri Hoxha: Jam i pakënaqur me punën e policisë, por kam vetem 50 ditë në detyrë

TIRANË- Ministri i brendshëm Ervin Hoxha, është duke dhënë llogari përpara deputetëve në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, në lidhje me gjendjen e kriminalitetit në vend, si dhe rritjen e numrit të vrasjeve, veçanërisht gjatë muajve të verës. Vetë Hoxha tha se ishte i pakënaqur me rezultatet e policisë së shtetit, megjithëse ka ende 50 ditë në detyrë.
“Nuk jam i kënaqur me rezultatet e deritanishme të policisë, por policia është në lartësinë e detyrës dhe do të përmirësohet në ditët në vijim. Kam gjetur një polici të konsoliduar e profesionale. Kam 50 ditë në detyrë.
Rendi e siguria në vend në parametra shumë të mirë dhe krahasimin e bëjmë me vende e BE. Shqipëria edhe këtë vit ka pasur rritje të numrit të turistëve.
E vërtetë që në gusht kishim një rritje të vrasjeve në krahasim me muajt e tjetër, por në statistikat e 8 mujorit, jemi pothuajse në të njëjta parametra sigurie me vitin e kaluar”, u shpreh Hoxha, ndërkohë që nuk munguan debatet mes anëtarëve të Komisionit.
Nasip Naço dhe Asllan Dogjani hodhën akuza në drejtim të tyre, ndërkohë që ministri foli dhe për ndryshimet në drejtimin e policisë së shtetit, kur tha se do të përzgjidhet një gjeneratë e re.
Nasip Naço: Nëse Jeni në garë me njëri tjetrin nuk ka procedurë, jeni në garë nuk ka. Të vazhdojë ministri pastaj
Asllan Dogjani: Ka procedurë
Nasip Naco: Mos bërtit se nuk kam frikë
Asllan Dogjani: Raportin e ka dërguar 10 minuta përpara
Nasip Naco: E kuptoj që keni probleme me njëri tjetrin, por nuk ua zgjidh dot. Të flasë ministri pastaj ke të drejtën e fjalës. Nuk ka raport.
Asllan Dogjani: Më jap fjalën për procedurë, mos bëj protagonistin