Kuvendi ratifikoi marrëveshjen Shqipëri-Itali/ Meloni: Falënderojmë popullin shqiptar për bashkëpunimin

ITALI- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka shprehur falenderimet dhe mirënjohjen ndaj kryeministrit Edi Rama dhe popullit shqiptar për bashkëpunimin, pasi Kuvendi ratifikoi marrëveshjen për emigrantët. Reagimin e parë ajo e ka bërë përmes një postimi në rrjete sociale.
“Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë kundër imigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Falenderojmë kryeministrin Edi Rama, institucionet dhe popullin shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimin”, ka shkruar Meloni.
Më datë 6 nëntor 2023, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen, për të ndërtuar në Shqipëri dy qendra për të strehuar emigrantët. Sipas marrëveshjes, porti i zbarkimit të emigrantëve do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal që do të mbajë qendra në Shqipëri do të jetë 3000 emigrantë të huaj në muaj./Zëri.ai
FOTOT/ Zhupa-Kumbaro debat në oborrin e Kuvendit, Idrizi, Bardhi e Tabaku së bashku

TIRANË- Seanca plenare e kësaj të enjteje ashtu si tashmë është bërë 'zakon' u mbyll për 7 minuta, mes bilbilave, zhurmuesve dhe tensionit në sallë. Tensioni në sallë u zhvendos në oborrin e Kuvendit, mes ministers Mirela Kumbaro dhe deputetes demokrate, Ina Zhupa, pas miratimit me 74 vota pro të pr.ligjit për ndërtimin në zonat e mbrojtur.
Në fotot më poshtë do të shihni se çfarë ndodhi jashtë Kuvendit. Ministrja Mirela Kumbaro u pa duke debatuar me deputeten Ina Zhupa.



Nga ana tjetër një debat u zhvillua mes Shpëtim Idrizit, Jorida Tabakut dhe Gazment Bardhit për të bashkuar votat me maxhorancën për të kaluar me 77 vita pro marrëveshjen e emigrantëve me Italinë.


Amnistia, Manja dhe Çuçi: Respektuam traditën parlamentare, votat do i gjejmë në sallë

TIRANË- Aministia Penale nuk do të kthehet pas për t’u diskutuar në Komisione, edhe pse socialistët nuk i kanë votat për ta kaluar në Kuvend. Pas seancës së sotme, ku amnistia u tërhoq nga rendi i tijës, Manja tha se Partia Socialiste nuk pranon kalojë një amnisti me vota të kondicionuara, por këtë hap e sheh si një domosdoshmëri.
Manja u shpreh para mediave se në këtë projektligj të amnistisë nuk përfiton asnjë person, i cili është dënuar për korrupsion nga GJKKO-ja, megjithatë kjo nuk e pengoi grupimin e Lulzim Bashës që të tërhiqej nga marrveshja e dakordësuar gjatë diskutimeve në Komisione.
“Referuar rregullores së Kuvendit, drafti nuk kthehet pas në Komisionin e ligjeve. Fakti që ne e tërhoqëm nga rendi i ditës, do të thotë se konsensusi sipas traditës do të gjendet në këtë sallë. Gjatë këtyre dy ditëve kam dëgjuar plot avokatë dhe juristë sharlatanë, që rrinë me draftin e tyre në xhep, secili për të mashtruar qytetarët dhe familjarët që presin për të afërmit e tyre. E kemi bërë të qartë nuk ka amnisti për korrupsionin dhe krimi të organizuar dhe draftin e kemi bërë të qartë në dritën e diellit. Nuk kërkojmë votat e njërit apo tjetrit, as të Bashës as të askujt tjetër, por kërkojmë votat e deputetëve të majtë dhe të djathtë siç e kërkon tradita, është në nderin e çdo deputeti pasi të lexojë ligjin dhe të japë votën. Nuk duam amnisti me vota të kondicionuara”, tha ai.
Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi u shpreh PS i ka solide votat e saj në Parlament, por projektligji për amnistinë u tërhoq në respekt të një tradite parlamentare të votimit të amnistive.
“Qëndrimin e Bashës s’kam çfarë komentoj. PS i ka votat dhe janë solide. Ne jemi të duruar për të respektuar traditën. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. sot e tërhoqëm në respekt të traditës për ta votuar”, tha Çuçi.
Kujt do t’ia kërkoni bashkëpunimin?
“Në respekt të këtij bashkëpunimi për ta votuar me konsensus të plotë, sot u tërhoqëm. 94 vota janë gjithmonë në parlament. Publiku e e ka kuptuar kush e ka seriozisht, është një ligj ku përfitojnë, kur ka një grup të madh përfaqësuesish të PD që përfitojnë.”
/ZËRI
PDIU bashkoi votat me PS-në, Bardhi: Nuk është divorc me PD-në. Bashës nuk ia besoj teorinë e gjumit

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka folur për qëndrimin e PDIU në seancën e sotme, që bashkoi votat me socialistët për marrëveshjen e emigrantëve. Bardhi tha se ky nuk është një divorc i PDIU me opozitën, dhe se për çështje të caktuara partitë politike mund të mbajnë qëndrime të ndryshme.
“Votat e PDIU për marrëveshjen, jo divorc me opozitën. Një parti parlamentare në momente të caktuara mund të marrë vendime të caktuara. PDIU ka qenë dhe mbetet aleat i PD. Ka patur një shpjegim dhe nuk kam asgjë për të shtuar në këtë çështje, nuk ndikon në aftësinë për të qenë apo mos të qenë në opozitë”, tha Bardhi.
Ai u ndal edhe te heqja nga agjenda e Amnistisë Penale, ku ndonëse Lulzim Basha nuk i bashkoi votat me mazhorancën, kjo nuk ka thyer akullin me pjesën tjetër të PD.
“Ishte sot në Kuvend? Jo. Nuk e besoj teorinë e gjumit. Pyesni Bashën pse mungoi sot”, u shpreh ai.
Në fund, pati dhe një koment për seancën e sotme, ku u miratuan ligji për zonat e mbrojtura dhe marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët. Për Bardhin, asnjë prej këtyre marrëveshjeje nuk është në të mirë të qytetarëve.
“Ju e patë në rendin e ditës nuk kishte asgjë të mirë për qytetarët, por për ligje me porosi në dobi të një grushti njerëzisht, për shkak se nuk arritën pazaret e tyre hoqën dhe Amnistinë Penale, nga një ligj humanitar ku duhet t përfitonin qytetarë e zakonshëm në burg, e shndërruan në një ligj për të amnistuar zyrtarë të korruptuar. Tentuan dhe të mashtronin opinionin publik duke iu faturuar opozitës. Ligji i dytë i miratuar ishte i turpshëm për emigrantët, kjo marrëveshje tejkalon pritshmëritë e qytetarëve për marrëdhënien e mirë me Italinë sepse cenon sigurinë kombëtare dhe i treti ishte ligji i zonave të mbrojtura pasi planifikohen që të nxirren në treg pasuritë kombëtare”, tha Bardhi./ZËRI
“Turp, turp, turp”, protestuesit përplasen me Braçen për ‘betonizimin e Divjakës’

TIRANË- Qytetarë dhe aktivistë që po protestonin kundër kalimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura që i hap rrugën ndërtimeve, janë përplasur me deputetin socialist Erion Braçe.
Ata i janë drejtuar deputetit të PS duke i thënë se duhej t’i vinte turp që votoi për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ndërsa ai u është kthyer duke u thënë se ‘kanë marrë me vete hajdutin e kohës së Saliut’.
“Turp, turp, Erion Braçe e votove ligjin? Turp!”, dëgjohen protestuesit duke iu drejtuar deputetit Erion Braçe.
“Paskeni marrë dhe atë hajdutin e kohës së Saliut me vete? Se ai e ka mbrojtur Divjakën, ai hajduti i Saliut, e keni aty!”, tha Braçe, ndërsa u largua nga ambientet e Kuvendit. Kalimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura u prit me kritika të forta nga aktivistë, por edhe përfaqësuesit e opozitës në Kuvend.
Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura
Ndryshimi i ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” i jep atribute Këshillit Kombëtar të Territorit që të vendosë për shfrytëzimin e këtyre zonave në varësi të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit, duke i hapur ligjërisht rrugën investimeve strategjike brenda tyre.
Propozimet kryesore për ndryshimin e ligjit të vitit 2017, që vendos kufizime të shumta për veprimtaritë brenda Zonave të Mbrojtura, vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës si dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që projektet strategjike brenda zonave të mbrojtura të përfshihen mes aktiviteteve të lejuara. Agjencia e Zhvillimit të Territorit propozon gjithashtu që të jetë pikërisht KKT-ja e drejtuar nga kryeministri Edi Rama që të shpallë zonat e mbrojtura, ”si organi më i lartë vendimmarrës i planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe që ka në përbërjen e vet pjesën më të madhe të anëtareve të Këshillit të Ministrave”./ZËRI
Ligji për ‘Zonat e mbrojtura’, Kumbaro: S'ka asnjë projekt resorti në Divjakë

TIRANË- Pas miratimit të ligjit për Zonat e Mbrojtura, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka dhënë një deklaratë për gazetarët, ku iu përgjigj edhe kritikave. Sipas Kumbaros, ligji është sjellë në Kuvend pas shumë konsultimesh dhe takimesh me përfaqësues të shoqërisë civile.
Një pjesë e këtyre të fundit protestuan sot në hyrje të Kuvendit, ndërsa kundër ligjit u shprehën dhe deputetët e opozitës. Kumbaro tha se janë disa linja të kuqe që nuk do të preken dhe se amendimet japin rregulla shumë të qarta për zonat e mbrojtura, pavarësisht se në to do të lejohen ndërtimet.
“Vjen në parlament si një nismë deputetësh, por marrin shkasë nga kërkesave shumë kryetarëve të bashkive, të cilët kanë pasur të drejtat e tyre legjitime për të pasur bashkëpunim. Në informacionin e të gjithëve, ka pasur shumë konsultime publike, emaile, letra dhe unë kam pasur takime formale dhe informale me shoqërinë civile. Janë disa linja të kuqe që nuk duhet të preken, kam fjalën këtu të mos preken direktivat e BE-së. Amendimet japin rregulla shumë të qarta për zonat e mbrojtura”, tha Kumbaro.
Në lidhje me projektin që po qarkullon në rrjet për ndërtimin e një resorti në Parkun e Divjakës, Kumbaro tha se fotot janë të pavërteta.
“Çfarë kam parë dhe unë të qarkullojë, fotografitë që kanë qarkulluar janë të pavëretat, nuk ka një projekt të tillë. Është një përhapje lajmesh të pavërteta. Nuk ka asnjë shqyrtim të një projekti të tillë. Nuk ka asnjë projekt të tillë,”- tha ministrja./ZËRI
Ndërtime në zonat e mbrojtura, socialistët votojnë të vetëm ligjin, aktivistët në protestë. Kundër dhe opozita

TIRANË- Me 74 vota pro, socialistët kanë miratuar të vetëm në Kuvend ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura që i hap rrugën ndërtimeve. Pavarësisht vërejtjeve që kishte pasur ky ligj nga aktivistë, opozita, por edhe ambasadori i BE në vendin tonë, kjo nuk i pengoi socialistët që të ngrinin në rresht kartonat, edhe pse ndonjë prej tyre, si Pandeli Majko kishte pasur rezerva në fazën e diskutimeve në grupe.
Kalimi i ndryshimeve në ligj u prit me kritika dhe nga deputetet e opozitës Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa.
“Nëse flasim për parlamentin e kapur dhe shkeljen e procedurës, ky është shembulli më i mirë. Kam kohë që përpiqem që betejën ta bëjmë në institucione, por në kushte kur dhe deputetë të PS, vota e tyre nuk ka vlerë…. me këtë ligj qeveria tregoi se nuk njeh asnjë limit dhe votuan një ligj që janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura”, u shpreh Tabaku, ndërsa Zhupa tha se do të tentojnë me çdo kusht që ligji të mos dekretohet dhe të mos hyjë ne fuqi.
“Kjo seanca ka nisur me një protestë të shoqërisë civile, ka shprehur kundërshtimin edhe në komisionet online. Sot kaloi një ligj shkatërrim i zonave të mbrotjura, ligj klientelist i bërë për oligarkë pranë Ramës. Ligji heq mbrojtjen e këtyre zonave dhe i bën sheshe ndërtimi.
Grupi i PD ka qenë kundër dhe do bëjmë cdo përpjekje për ta ndalur që nga Presidenti e deri tek Kushtetuesja. BE ka reaguar sepse ligji është në kundërshtim me marrëveshjen e stabilizim asociimit dhe konventave ku është pjesë Shqipëria”, u shpreh Zhupa në mbyllje të seancës./ZËRI
PDIU bashkon votat me PS-në, kalon me 77 vota marrëveshja me Italinë. Doda: Është vend mik
TIRANË- Me 77 vota pro, Kuvendi ka miratuar marrëveshjen për emigrantët me Italinë, ku PDIU bashkoi votat e saj me Partinë Socialiste. Pavarësisht zhurmuesve të opozitës, në më pak se 10 minuta, socialistët miratuan të gjitha projektligjet që ishin pjesë e rendit të ditës.
Deputetja e PDIU, Mesila Doda, dha dhe arsyet pse PDIU sipas saj dha votat për marrëveshjen me Italinë.
“Ishim pro marrëveshjes. Bëhet fjalë për një shtet mik, një shtet fqinj, që është në një moment krize. Ne mund të ndihmojmë për një problematike të tyre, dhe duhet të jemi në krah të tyre. Nuk bëhet fjalë të mbështesim individë që mund të jete Fredi Beleri, por një shtet mik”, u shpreh Doda në përfundim të seancës, që zgjati më pak se 20 minuta.
Ndërkohë vetëm me 74 votat e socialistëve, kaloi sot në Kuvend dhe ligji për zonat e mbrojtura, i cili ndryshon duke i hapur rrugën ndërtimeve. Disa qytetarë protestuan në hyrje të Kuvendit, por pa efekt, pasi socialistët e kishin marrë tashmë vendimin për kalimin e këtyre ndryshimeve, edhe pse vetë ambasadori i BE në vendin tonë kishte kërkuar shtrimin e këtij projektligji për diskutim publik.
/ZËRI
Nis seanca, sërish trazira/ Nikolla përballë opozitës, bilbila dhe zhurmues

TIRANË- Ka nisur edhe sot me trazira, seanca e sotme plenare. Tensionet vazhdojnë mes maxhorancës dhe opozitës, teksa këta të fundit kanë vijuar me skenarin e tyre. Teksa seanca nisi, deputetët demokratë qëndruan në këmbë dhe nisën që të shkaktonin zhurmë duke përdorur bilbilë, megjithatë kjo nuk i ndaloi socialistët që të votonin të gjithë projektligjet që kishin planifikuar.
Teksa lexonte rendin e ditës, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, pati dhe përplasje me deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ishte i vendosur përballë saj. Por edhe pse e "shpërqëndruar", Nikolla ka vijuar me rendin ditës./ZËRI
Sot votohet në seancë ligji për 'Zonat e Mbrojtura', qytetarët në protestë para Kuvendit

TIRANË- Sot, në orën 10.00, deputetët në Kuvendin e Shqipërisë pritet që të ngrenë kartonat jeshilë për të lejuar kalimin e projektligjit për zonat e mbrojtura. Jashtë ambienteve të Kuvendit, përfaqësues të shoqërisë civile po protestojnë për të kundërshtuar projektligjin, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë.

Me banderolë në duar me mbishkrimin “mos votoni pr/ligjin masakrues për zonat e mbrojtura”, qytetarët e mbledhur para Kuvendit kanë mbajtur fjalën njëri pas tjetrit, por për asnjë moment nuk u është afruar asnjë deputet. Madje as ata të opozitës, të cilët janë mbledhur tek dera në përpjekje për t'u futur brenda në sallë. Megjithatë, deri më tani, opozita e ka bërë publike se nuk do të votojë projektligjin./ZËRI
Të gjithë bashkë! Opozita tek dera e Kuvendit, kërkon të futet në sallë me çdo kusht

TIRANË- Edhe pse shumica prej tyre janë të përjashtuar nga punimet plenare, deputetët e Partisë Demokratike janë mbledhur për të marrë pjesë në seancën e sotme. Të gjithë së bashku janë mbledhur pranë derës, mesa duket të vendosur për t'u bërë pjesë e seancës së sotme./ZËRI
PS tërheq projektligjin për aministinë në burgje (Arsyeja)

TIRANË-Socialistët kanë tërhequr nga votimi në Kuvend projektligjin për amnistinë penale, për shkak se nuk i kanë siguruar 84 votat e nevojshme për miatimin e saj. Burime bëjnë me dije për ZËRIN se socialistët nuk kanë mundur që të gjejnë dakordësinë me deputetët e Lulzim Bashës, të cilët njoftuan dje se do të bojkotonin seancën e sotme.
Aministia penale, u kthye në mollën e sherrit të radhës mes forcave politike, ndërsa projektligji zvarritet që prej afro 3 muajsh në korridoret e Kuvendit. Kur u duk se kishte një marrëveshje mes PS dhe deputetëve të Lulzim Bashës, këta të fundit u tërhoqën, pasi kërkuan që pjesë e faljeve të mos ishin persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Kush do të përfitonte nga amnistia:
1. Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe persona të dënuar me mbi 3 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.
2. Të dënuara gra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet dhe gra, që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.
3. Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
4. Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
5. Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Nuk përfitojnë ata të dënuar për vepra penale:
krimet kundër njerëzimit;
krimet e rënda kundër jetës;
veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;
krimet seksuale;
veprat penale kundër lirisë së personit;
veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit;
veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;
vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;
vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve;
veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve;
vepra penale kundër mjedisit;
krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;
krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;
vepra me qëllime terroriste;
krime kundër autoritetit të shtetit;
vepra penale kundër drejtësisë;
vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;
vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.
/ZËRI
Kuvendi, PS në kërkim të votave për aministinë. Kalojnë marrëveshjen me Italinë dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet këtë të enjte, ku në rendin e ditës parashikohet kalimi i disa projektligjeve dhe marrëveshjeve të rëndësishme, përfshirë amnistinë penale. Për këtë të fundit socialistët nuk i kanë 84 votat e mjaftueshme, dhe me gjasa marrëveshja e arritur paraprakisht me grupimin e Lulzim Bashës ka dështuar.
Gjatë ditës së djeshme, Lulzim Basha dhe deputetët e tij deklaruan se nuk do të ishin pjesë e seancës së sotme, për shkak në projektligjin për amnistinë, është përfshirë dhe ulja e dënimit për personat që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Ndërkohë në rendin e ditës së sotme është dhe marrëveshja për emigrantët me Italinë, nga e cila Shqipëria mund të bëhet një kamp pritës për emigrantët që vijnë nga vendet e treta.
Në rendin e ditës, socialistët kanë futur edhe ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, që i hap rrugën ndërtimeve. Pavarësisht se ambasadori i BE, Gonzales, kishte kërkuar që ky projektligj të mos kalonte pa u dëgjuar grupet e interesit, socialistët nuk u tërhoqën nga nisma e tyre.
Me ndryshimet e reja do të ngrihet një strukturë paralele me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për administrimin Parqeve Kombëtare.
Para se të miratohej në komisionin e Mjedisit, projektligji u miratua me rezerva në komisionin e Ligjeve dhe atë të Integrimit.
Propozimet fillestare për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura u bënë nga një grup deputetësh socialistë me argumentin se po i përgjigjeshin një shqetësimi të kryetarëve të bashkive që kërkonin më shumë kompetenca mbi territoret e ZM-ve.
/ZËRI