LIVE UPDATES

Kurti&Vuçiç përballen në Bruksel, BE: Kemi tjetër propozim për Asociacionin

➤ Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen këtë javë në Bruksel në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. ➤ Takimi do të zhvillohet më 26 tetor. ➤ Paralajmërimi i takimit pasoi vizitën e të dërguarve perëndimore (të ashtuquajtur "High 5") gjatë fundjavës në Prishtinë dhe në Beograd. Asnjë prej tyre nuk ka dhënë detaje para mediave, por zbuluan vetëm se ka një plan të ri. ➤ Megjithatë ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për kohën e takimit. ➤ Por burime diplomatike për REL flasin për një marrëveshje që do të jetë e llojit "merre ose lëre". Po ashtu, zëdhënesi i BE, Peter Stano bën me dije se diskutimet do jenë të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. Por përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. ➤ Situata mes dy vendeve janë tensionuar pas sulmit të 24 shtatorit kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie, nga ana tjetër 3 serbë u vranë. ➤ Edhe kjo ngjarje pritet të jetë temë diskutimi.

3 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Kosovë-Serbi/ BE: Kemi propozim modern evropian për Asociacionin

Kurti&Vuçiç përballen në Bruksel, BE: Kemi

BRUKSEL- Si rezultat i takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që kanë pasur me palët, Bashkimi Evropian tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Blloku evropian tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve. Këto deklarata i bëri zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kur do të mbahet samiti i BE-së.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe,”- tha Stano.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu, thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Ai shtoi se “priten hapa të shpejtë të palëve që të dëshmojnë se janë të përkushtuar për të vazhduar procesin e normalizimit, duke përmbushur obligimet e tyre përkatëse nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve si dhe të gjitha marrëveshjeve nga e kaluara, pa vonesa dhe parakushte”.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave”, tha Stano.

Edhe më herët, BE-ja ka thënë se i ka paraqitur Kosovës dhe Serbisë disa modele evropiane për statutin e Asociacionit.

Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i Kurtit, draft-statuti i Ramës, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES). Në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor qëndroi Lajçaku, së bashku me katër diplomatë të tjerë: i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, erdhën në Prishtinë me një plan.

Pas takimit në Prishtinë, Lajçak tha se diplomatët kanë paraqitur një plan për të cilin kanë biseduar me Kurtin. Nga zyra e Kurtit konfirmuan se është diskutuar për planin e diplomatëve "për ecjen përpara", por nuk u dhanë detaje për të.
Komuniteti ndërkombëtar po i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t'i kthehen dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, pas rritjes së tensioneve mes dy shteteve.

Tensionet janë rritur qysh në maj në komunat veriore të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që dolën nga zgjedhjet e prillit - të bojkotuara nga serbët. Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit, të arritur më herët gjatë vitit.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut. Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij./REL

1 VITE ME PARE

Vuçiç: Për 2-3 ditë unë dhe Kurti do të shkojmë sërish në Bruksel

Kurti&Vuçiç përballen në Bruksel, BE: Kemi

Aleksandër Vuçiç

BEOGRAD- Sërish negociata në Bruksel! Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha sot se pret që pas dy-tre ditësh të shkojë sërish në Bruksel për bisedime me kryeministrin Albin Kurti, por se nuk mund të flasë më për këtë agjendën që është në përputhje me atë që ka diskutuar me “pesëshen e madhe” këtë të dielë.

Nuk mendoj as që flitet për ndonjë koordinim të veçantë. Çdo gjë që është e keqe për Serbinë është gjithmonë e mirë për Kurtin. Ata e përshkruan Kurtin si njeriun më të madh, më të mrekullueshëm, serbët në Kosovë "vranë veten" për t'u shpjeguar se nuk kishin jetuar kurrë nën terrorin më të madh të regjimit të Prishtinës, por nuk ia vlejti, sepse për ta ishte e rëndësishme që Kurti fliste kundër meje çdo ditë,”- tha Vuçiç.

Gjatë një vizite në Spitalin e Përgjithshëm në Leskovc, Vuçiç iu përgjigj edhe pyetjes së një gazetari nëse do të ketë reagim ndaj fjalimit të kryeministres Ana Brnabiç në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nëse pret që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë.

"Serbia nuk mund të ndryshojë asgjë përveç se edhe ajo përpiqet të thotë të vërtetën. Kryeministrja Brnabiç bëri një punë të mirë dhe reagoi mirë, ajo dha një përgjigje shumë të mirë, por a do të ndryshojë ajo qëndrimin e fuqive të mëdha, jo! Nëse do të isha analist, mund të komentoja qëndrimet e fuqive të mëdha, por meqë nuk jam, nuk mund ta bëj këtë, sepse vetëm me pikëpamjet e mia do ta dëmtoja vendin. Megjithatë diku pashë një balancë e dukshme, diku një pasion të fortë kundër interesave të Serbisë,”- tha Vuçiç.

Lidhur me takimin që pritet të ndodhë, burimet diplomatike i thanë Radios Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve që dalin nga marrëveshja për normalizim. Kurti edhe Vuçiç pritet të jenë në Bruksel këtë të enjte, kur mbahet një samit i Këshillit Evropian. Në rast se do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe për procesin e dialogut./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

REL: Kërkesa “merri ose lëri” për Kosovën dhe Serbinë

Kurti&Vuçiç përballen në Bruksel, BE: Kemi
Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

Kërkesat dhe propozimet që pesë emisarët perëndimorë kanë nxjerrë para Kosovës dhe Serbisë, janë të prera për të dyja vendet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë dhe Beograd. Për përmbajtjen e tyre ka pak informacione, por thuhet se i obligojnë palët për disa hapa që do të çonin në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan për herë të fundit më 14 shtator. 

Dhjetë ditë më pas ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura sulmuam policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Kosova bëri përgjegjëse Serbinë për këtë sulm, Serbia tha se ai është kryer nga një “grup i serbëve të dëshpëruar lokalë”. Në përpjekje për t’i kthyer palët në tryezën e bisedimeve, diplomatë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia qëndruan më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd, ku paraqitën kërkesat e tyre. Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat janë ato dhe si do të përgjigjet Kosova ndaj tyre.

Sipas analistëve Agon Maliqi dhe Dushan Janjiç, ato kanë të bëjnë me një hartë të rrugës që duhet ndjekur për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të arritur në muajin shkurt në Bruksel.

Burimet diplomatike evropiane i thanë Radios Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për normalizim.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se nga ajo që është kuptuar deri më tash, në planin e pesë emisarëve perëndimorë përfshihet çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe hapat për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Me gjasë [emisarët perëndimorë] kanë ardhur me një ultimatum mbi sekuencën dhe hapat se si do të shkohet deri te zbatimi [i marrëveshjes]. Propozimi, me gjasë, nuk është i hapur për komentet e palëve, por më shumë është si dokument ose si një sekuencë e formës ‘pranoje ose lëre’. Kjo duket qartë, për shkak se afatet kohore për fillimin e zbatimit të marrëveshjes, po harxhohen”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fakti që ekzistojnë pritje që liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen sa më shpejt, tregon që vendet e QUINT-it - SHBA-ja, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia - kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe hapa të shpejtë nga të dyja palët.
Maliqi thotë se kërkesat e ndërkombëtarëve me siguri që nuk lënë anash as sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Në lidhje me zhvillimet në veri, gjithsesi duhet të ketë dhe besoj se do të ketë [kërkesa nga emisarët perëndimorë], qoftë në formën e kushtëzimeve për Serbinë në rrugën e saj integruese, apo edhe ndonjë propozim konkret se çka pritet prej Serbisë në kuptimin e marrjes së masave ndaj grupit [të armatosur]. Kjo besoj se është shumë e nevojshme që të krijohet një lloj fryme e parandalimit të çfarëdo përpjekjeje të ardhshme për destabilizim”, thotë Maliqi.

Pranimi i kërkesave të emisarëve perëndimorë, sipas tij, do të varet nga pasojat që po këta emisarë do t’ua komunikojnë palëve, në rast se nuk i pranojnë ato.

Dushan Janjiç, nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se BE-ja dhe emisarët perëndimorë, në esencë, po përpiqen të mbajnë një lloj dinamike sa u përket çështjeve politike në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Por, shton ai, para cilësdo çështje politike, ata kërkojnë ta definojnë gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës. Janjiç vlerëson se sulmi në Banjskë, është çështja e parë që trajtohet në kërkesat e emisarëve perëndimorë. Kjo situatë, sipas tij, paraqet problem serioz për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“Nuk i japin hapësirë [Vuçiçit] të lëvizë jashtë kësaj çështjeje të sigurisë, derisa të mos fillojë gjykimi [ndaj grupit të armatosur] dhe derisa të mos zgjidhet çështja e kthimit [të serbëve të veriut] në institucione. Kjo është e re, sepse, për herë të parë, ata janë në prag të bisedimeve për pakon e sigurisë, e cila, sipas definicionit, nuk funksionon në formatin ku [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak dhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep] Borrell janë kryesorët. Këtë do ta mbikëqyrë grupi i QUINT-it”, thotë Janjiç për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, deklaratat e Vuçiçit se vendet e Perëndimit i kanë politikat e veta që “janë plotësisht të kundërta” me qëndrimin e Serbisë, janë për “konsum të brendshëm”. Janjiç thotë se Vuçiç është pajtuar tashmë me Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për të cilin është rënë dakord në Ohër.

“Ai [Vuçiç] e ka pranuar në shkurt atë marrëveshje, ku statusi [i Kosovës] është i zgjidhur, pra pranimi i ekzistencës së Republikës së Kosovës dhe të tjerat. Kështu po bëhet përpjekje që të ruhet ai niveli politik [i dialogut], por se, në esencë, insistohet në siguri. Për të do të marrë mbikëqyrje më të madhe EULEX-i [Misioni i BE-së për sundimin e ligjit]”, thotë Janjiç.

Ai thekson se, pa stabilizimin e situatës së sigurisë në veri, nuk mund të ketë dialog për zbatimin në terren të obligimeve që dalin nga Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve. Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria së Kosovës u tha se “të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”.

Aty nuk u dhanë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë.

Por, sipas komunikatës, Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Në Beograd, Vuçiç tha se takimi ishte “i vështirë”, por se nuk mund të japë më shumë hollësi. Ai tha se “qëllimi i vetëm” i Perëndimit është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe se pret që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë kah fundi i kësaj jave.

Kurti edhe Vuçiç pritet të jenë në Bruksel këtë të enjte, kur mbahet një samit i Këshillit Evropian. Sipas burimeve të BE-së, afati i tyre për t’u deklaruar për kërkesat e emisarëve, “nuk është i gjatë” - “më së largu deri të enjten”. Në rast se do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe për procesin e dialogut, thonë burimet e BE-së.

SHBA-ja, po ashtu, përsëriti thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt të hënën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Robert Wood, tha se “është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog”. Ai, gjithashtu, tha se personat e përfshirë në sulmin në Banjskë, duhet të mbahen përgjegjës./rel

Poll

MOS HUMB