LIVE UPDATES

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë euro për lirinë, GJKKO e lë në burg bashkë me Kurtulajn

➤ Ilir Beqaj mund të mos kishte para për t'i dhënë SPAK për të marrë dosjen e Sterilimit, por i ka gjetur për t'i ofruar si garanci që të mos përfundojë në burg. ➤ Nëse disa muaj më parë refuzoi të paguante 120 mijë lekë për të marrë dosjen e plotë, sot në GJKKO, ish-ministri i Shëndetësisë ka kërkuar që të lirohet me garanci. ➤ Kjo garanci do t'i kushtojë "xhepit" të tij 50 mijë euro. ➤ Por kërkesa e tij është refuzuar. ➤ GJKKO ka vendosur që ta lërë në të njëjtën masë sigurie, "arrest me burg". ➤ E njëjta masë është caktuar edhe për bashkëpunëtorin e tij, Ermal Kurtulaj, i cili gjithashtu ofroi si garanci paratë e shitjes së një mjeti "Audi Q7". ➤ Alfred Nikollaj ishte i vetmi person për të cilin u ndryshua masa e sigurisë, i cili nga burg, u vendos në "arrest shtëpie". ➤ Përgjatë 6 orëve seancë, palët kanë dhënë pretendimet e tyre lidhur me akuzën e ngritur për abuzime me fondet e Bashkimit Europian për SASPAC. ➤ Ndërkohë, "arrest shtëpie" është caktuar për Elton Marinin dhe Gazmend Haxhinë, por për të nuk është ekzekutuar masa e sigurisë pasi ndodhet jashtë shtetit. ➤ Ndërsa me masën "detyrim paraqitje" janë Bledar Leka e Bjona Zijaj.

10 artikuj për këtë temë.
11 MUAJ ME PARE

GJKKO la në burg ish-ministrin dhe Kurtulajn/ Zbardhet vendimi, 4 akuzat që rëndojnë ndaj Beqajt

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ilir Beqaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili u arrestua dy dtë më parë për abuzimin me fondet e Bashkimit Europian. Në njoftimin zyrtar GJKKO ka zbardhur edhe njëherë se cilat janë akuzat që rëndojnë ndaj Beqajt.  Edhe njëherë, GJKKO bën me dije se ish-ministri është i dyshuar për kryerjen e veprave penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal. 

Në seancën që zgjati rreth 6 orë, GJKKO vendosi gjithashtu lënien në burg të bashkëpunëtorit të Beqajt, Ermal Kurtulaj, edhe pse ky i fundit po ashtu si ish-ministri ofroi që të jepte garanci pasurore. Të vetmit që iu ndryshua akuza ishte Alfred Nikollaj.

Njoftimi i plotë i GJKKO-së:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 04.07.2024, Nr. Regj.Them. 73, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: “1.Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, të dyshuar për veprat respektive; 3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dyshuar për veprat respektive; 4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Elton Marini, të dyshuar për veprën penale respektive”. 2. Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenin 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238, 248, 249, 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me Vendimin Nr. 73, datë 06.07.2024. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ilir Hamid Beqaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal. 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal. 3. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal. 4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla. 5. Në referim të nenit 237, pika 1 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, të qëndrojë në banesën e tij me adresë: Rruga “Tish Daija”, Kompleksi “Kika 2”, Nd. 32, H4, Ap. 54, Nj. Adm. Nr. 5, Tiranë. 6. Në referim të nenit 237, pika 2 dhe 3 të K.Pr.Penale, kontrolli dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga shërbimet e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla. 7. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Elton Koli Marini, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 143/ 3 i Kodit Penal. 8. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bledar Shpend Leka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 143/2 i Kodit Penal. 9. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bledar Shpend Leka, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00. 10. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bjona Bexhet Ziaj, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal. 11. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bjona Ziaj, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00. 12. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi. 13. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Avokati i ish-ministrit: Ilir Beqajn e duan në burg, SPAK e ka personale me të

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ermal Yzeiraj

TIRANË- Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ermal Yzeiraj ka akuzuar Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në një proncim për mediat pas seancës, Yzeiraj tha se institucione që nuk duan që ai të mbrohet në çështjen e Sterilizimit dhe Check-up. Madje në një moment, ankohet se tashmë gjithë dosja i ngarkohet atij.

"Pse është penguar tani që të shkojë në dy komisionet e Shëndetësisë? Pikërisht që të mos lexojë më, të mos dërgojë më memo dhe të mos shkojë në Kuvend. Kjo është arsyeja pse u mor kjo masë ekstreme për arrestimin e tij. Zoti Beqaj i mohoi akuzat dhe i bëri disa pyetje prokurores, e cila nuk i dha përgjigje. Pyetja kryesore ishte lidhur me nenin konkret të BE-së që ka shkelur Beqaj dhe pyetjet e tjera ishin për çdo përgjim për çdo dokument të paraqitur si provë. Zoti Bqaj dhe të dhe personat e tjerë sqaruan dhe faktin në bashkëpunim sesi SASPAC-u me Ministrinë e Kulturës kishin organizuar një event dhe arsyeja pse një event i përbashkët mbante dy fatura që në dukje janë si zëra të dubluar por faktikisht është për shkak të eventit që nga dita e parë e në vazhdim u nda salla në disa mikrofonë, panele LED e disa përkthime,"-tha Yzeiraj. 

PRONONCIMI I PLOTË I AVOKATIT: 

Avokati mbrojtës i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj: Kam përshtypjen që as Prokuroria nuk e ka besuar atë që ka kërkuar në Gjykatë. As Gjykata nuk e ka besuar dhe nuk e mendon atë që ka shkruar në vendim. Besoj që ka arsye të tjera që zoti Beqaj është penguar që të vazhdojë leximin e fashikujve të Sterilizimit. Pse është penguar tani që të shkojë në dy komisionet e Shëndetësisë? Pikërisht që të mos lexojë më, të mos dërgojë më memo dhe të mos shkojë në Kuvend. Kjo është arsyeja pse u mor kjo masë ekstreme për arrestimin e tij. Zoti Beqaj i mohoi akuzat dhe i bëri disa pyetje prokurores, e cila nuk i dha përgjigje. Pyetja kryesore ishte lidhur me nenin konkret të BE-së që ka shkelur Beqaj dhe pyetjet e tjera ishin për çdo përgjim për çdo dokument të paraqitur si provë. Zoti Bqaj dhe të dhe personat e tjerë sqaruan dhe faktin në bashkëpunim sesi SASPAC-u me Ministrinë e Kulturës kishin organizuar një event dhe arsyeja pse një event i përbashkët mbante dy fatura që në dukje janë si zëra të dubluar por faktikisht është për shkak të eventit që nga dita e parë e në vazhdim u nda salla në disa mikrofonë, panele LED e disa përkthime.

Zoti Beqaj sqaroi edhe gjykatën që kjo është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxjerrë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet, nga më të voglat, për ta penguar zotin Beqaj që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe për të penguar edhe deklarimin e tij në Kuvend. Këtë e theksoi disa herë në Kuvend.

Kush e ka këtë interes?

Avokati mbrojtës i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj: Në mendimin tonë është pikërisht organi i akuzës, i cili çështjen e zotit Beqaj ka "personale" sepse me këtë ka filluar edhe aktiviteti i SPAK-ut, me kallëzimet ndaj zotit Beqaj. Dështimi i çështjeve kryesore si “Sterilizimi” dhe “Check up”-i për akuzën është shumë domethënëse.

SPAK ka dyshime për mashtrime me pasoja të rënda, a dha SPAK vlerë sesa është vlera e mashtrimit?

Avokati mbrojtës i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj: Jo! Unë kam insistuar që prokurorja të përcaktonte një shifër. Kam mbajtur në një copë letër shprehjen "Sa???". Edhe në media është e paqartë sa është sasia e parave që pretendohet se ka fituar zoti Beqaj. Pa e pasur të qartë një shifër nuk mund të ngresh as akuzë për zotin Beqaj.

Sa ju pengon në dosjen e Sterilizimit fakti që Beqaj nuk do të jetë prezent?

Avokati mbrojtës i Ilir Beqajt, Ermal Yzeiraj: Personalisht na dëmton shumë, unë vetë si avokat nuk përballoj dot gjithë atë volum. Kishim ndarë edhe punët me zotin Beqaj. Ky vendim për arrest me burg më detyron që t'i lexoj të gjitha vetë. Gjithë ata fashikuj janë elektronikë dhe zoti Beqaj e ka të pamundur që t'i lexojë elektronikisht fashikujt e Sterilizimit./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Zbardhet dëshmia e Beqajt për "Gzona": Bashkëshortja u fut në biznes, ortaku tërhiqte "klientë të sërës së lartë"

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj gjatë seancës që u zhvillua sot për më shumë se 6 orë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka folur për restorant "Gzona". Në fjalën e tij, sa i përket përfshirjes së gruas si bashkëpronare në restorant, Beqaj tha se e gjitha ishte një kërkesë nga një mik i përbashkët për të qenë ortakë. Arsyeja? Sipas tij, kështu mund të tërhiqeshin klientë "të serës së lartë".

Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar, për shkak të njohjes klientë të sërës së lartë,”- tha ish-ministri.

Ku përmendet "Gzona" në dosje dhe pse lidhet me Beqajn?

Restoranti 'Gzona' ka emrin e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit "Albanian food and hospitality". Pronare me 50% ka qenë bashkëshortja e ish-ministrit, Adriana Beqaj. Kjo e fundit ia dhuroi aksionet ortakut të saj Arti Malajt. Ndërsa ky i fundit i shiti tek Eduart Curraj. Curraj është pronar edhe i kompanive: ‘Curri Group’, ‘Curri SHPK’, ‘Delta Holding’. Kjo e fundit ka në pronësi kompani si: ‘Delta Pharma’, 'Avicena' dhe rrjetin e farmacive ‘Ditë e Natë’. Të gjitha u kontrulluan nga SPAK. Duke qenë se restoranti 'Gzona' priste faturat që duheshin, SPAK ka dyshime se paratë shkonin në fakt tek Kurtulaj dhe Beqaj. Kjo pasi, nga mënyra sesi bëheshin bisedat e përgjuara lihej të kuptohej se administratori "de fakto" ishte vetë Kurtulaj, fije që e lidhin me Ilir Beqaj. 

Një hetim ka nisur edhe për abuzime në Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), drejtoria e fondeve të huaja që drejtonte ish-ministri Beqaj. Në dosje përmenden disa episode ku Kurtulaj bisedon për të përfituar para përmes fryrjes së faturave fiktive. Mes restoranteve me të cilat Kurtulaj ka "bashkëpunuar" me disa restorante të njohura në kryeqytet. Mes tyre përmendet Gzona, dhe ‘Me 'nam’’ që është i Ermal Mamaqit. Faturat e tyre të fryra kapnin edhe shifrat prej gati 40 mijë eurosh, të cilat firmoseshin më pas nga Beqaj./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Abuzimet me fondet e BE, GJKKO lë në burg ish ministrin Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajn

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj

TIRANË- Kërkesat e Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt nuk janë marrë parasysh nga trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuart. Për të dy të akuzuarit, GJKKO nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë të caktuar nga SPAK, atë të "arrest me burg". Të vetmit që iu ndryshua masa, ishte Alfred Nikollaj, i cili nga "arrest me burg", u vendos që të ndryshohej në "arrest shtëpie".

E njëjtë, "detyrim paraqitje", është vendosur për të akuzuarit e tjerë, Bledar Leka dhe Bjona Zija. Në seancën e sotme, e cila zgjati thuajse 6 orë, Beqaj ofroi 50 mijë euro si garanci pasurore për të mos përfunduar në burg. Edhe bashkëpunëtori i tij, Kurtulaj kërkoi të njëjtën gjë. Ai u shpreh se ofronte paratë e përfituara nga shitja e një makine tip "Audi Q7", megjithatë oferta e asnjërit prej tyre nuk është pranuar nga GJKKO./ZËRI

 

11 MUAJ ME PARE

Edhe Kurtulaj si Beqaj, do lirim me kusht! Bashkëpunëtori i ish-ministrit: Sa e shita një "Q7"...

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj

TIRANË- Njëjtë si ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, edhe bashkëpunëtori i tij, Ermal Kurtulaj ka kërkuar liri me kusht. Ndërsa Beqaj ka ofruar të vendosë si garanci 50 mijë euro, Kurtulaj ka vetëm të ardhurat e shitura nga makina e tij, të cilat është i gatshëm që t'ja vendosë në dispozicion gjykatës si garanci pasurore.

"Sapo kam shitur një "Audi Q7", mund ta vendos shumën e parave si garanci pasurore,"-tha ai ndër të tjera.

Në seancë i pranishëm është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ndërkohë që verdikti do jepet nga gjyqtarja Rudina Palloi./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Pse mjetin e kishte Kurtulaj? Beqaj në GJKKO: Me të ardhurat përballoj disa makina, por s'kam patentë

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ilir Beqaj

TIRANË- Vijon ende seanca në GJKKO ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Para trupës gjykuese Beqaj dha shpjegime edhe për makinën që përdorej prej tij, por që ishte në e regjistruar në emër të bashkëpunëtorit të tij, Ermal Kurtulajt. Beqaj u shpreh se ka të ardhura për të blerë dhe mbajtur disa makina njëherazi, por nuk mund t'i përdorë pasi nuk ka patentë.

"Unë gjithmonë hipi pasagjer se s'kam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh,"-tha Beqaj në seancë.

Në seancë i pranishëm është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ndërkohë që verdikti do jepet nga gjyqtarja Rudina Palloi./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Vijon seanca në GJKKO/ Ish-ministri Ilir Beqaj kërkon të lirohet me garanci 50 mijë euro

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kërkuar masë më të butë sigurie duke ofruar garanci pasurore me vlerë 50 mijë euro. Kërkesa e tij është parashtruar sot, teksa në GJKKO po vlerësohen masat e sigurisë të caktuara nga SPAK lidhur me çështjen e abuzimit të fondeve të Bashkimit Europian. Sipas avokatëve mbrojtës së Beqajt, nga SPAK nuk është përcaktuar qartë se cilin nen ka shkelur ish-ministri, për të cilin ngulin këmbë se nuk ka lidhje me restorantin. 

“Nuk janë shkelur rregullat e BE që njihen si prag në gjuhën juridike dhe s’është përcaktuar cili nen është shkelur nga zoti Beqaj. Nuk është lëshuar asnjë faturë fiktive, ish-ministri nuk ka lidhje me restorantin,”- janë pretendimet e palës mbrojtje.

Në seancë i pranishëm është edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, ndërkohë që verdikti do jepet nga gjyqtarja Rudina Palloi./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Gati 3 orë përballje me GJKKO, ndërpritet për 30 minuta pushim seanca ndaj Beqajt

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij të arrestuar për abuzime me fondet e Bashkimit Europian kanë dalë sot para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Seanca ndaj tyre ka nisur që në orën 12.30 dhe pritet që të vazhdojë ende. Por për momentin, seanca është ndërprerë për 30 minuta pushim. Ende nuk dihet shkaku i ndërprerjes.

Gjykatësit e posaçëm do të vlerësojnë sot masën e sigurisë që hetuesit e SPAK kanë kërkuar për të përfshirët në aferën e abuzimit me fondet e Bashkimit Europian. Nga ajo që mësohet deri më tani, në sallë, ish-ministri i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij./ZËRI 

11 MUAJ ME PARE

Seanca në GJKKO/ Beqaj kundërshton akuzat e SPAK

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka kundërshtuar të gjitha akuzat që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka ngritur kundër tij. Prej më shumë se dy orësh, Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij ndodhën në Gjykatën e Posaçme ku po zhvillohet seanca për rivlerësimin e masave të sigurisë. 

Akuzat e ngritura ndaj tij janë disa, një ndër to është abuzimi me fondet e Bashkimit Europian.  Por Beqaj nuk është i vetmi, të cilit i janë tundur prangat. Në total SPAK ka lëshuar 7 masa sigurie, në lidhje me dosjen e abuzimeve me fondet e BE, në kohën kur Beqaj drejtonte SASPAC. Në pranga bashkë me ish-zyrtarin socialist kanë rënë dhe dy njerëz të besuar të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.  

Për dy persona të tjerë, Gazmend Haxhia dhe Elton Marini, është dhënë masa e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa për Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje. Beqaj akzuohet se ka abuzuar me fondet e BE gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC, ku përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ka përfituar shuma të mëdha parash përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.  

Në dosje evidentohet për konferencën 'Festa' mbajtur në datat 03-05 Prill 2023 që ishte kontraktuar shoqëria që administrohet nga i dyshuari Gazment Haxhia, dhe drejtori Administrativ, Alfred Nikolli ishin paguar dy fatura. Fatura e parë, 125.000,00 Euro nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj, dhe fatura e dytë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë, (konvertuar në 380 mijë euro). Pra në total, dy faturat kapin gati vlerën 500 mijë euro. Ky është vetëm një episod në njoftimin e plotë të nxjerrë nga SPAK. Gjithsej janë 8 të tilla, por nuk ka një total të parave që kanë përfituar nga fondet e Bashkimit Europian./ZËRI

11 MUAJ ME PARE

Korrupsion me fondet e BE në SASPAC, Beqaj dhe bashkëpunëtorët dalin sot para GJKKO

Abuzim me fondet e BE/ 6 orë para Gjykatës, Beqaj ofroi 50 mijë
Ilir Beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të dalë këtë të shtunë para togave të zeza të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Seanca pritet të nisë në orën 12:30. Një ditë më parë seanca u shty me kërkesë të avokatëve të Beqajt, të cilët kërkuan kohë për tu njohur me aktet hetimore. Seanca e kësaj të shtune do të drejtohet nga gjyqtarja Rudina Palloj.

Akuzat e ngritura ndaj tij janë disa, një ndër to është abuzimi me fondet e Bashkimit Europian.  Por Beqaj nuk është i vetmi, të cilit i janë tundur prangat. Në total SPAK ka lëshuar 7 masa sigurie, në lidhje me dosjen e abuzimeve me fondet e BE, në kohën kur Beqaj drejtonte SASPAC.  Në pranga bashkë me ish-zyrtarin socialist kanë rënë dhe dy njerëz të besuar të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.  Për dy persona të tjerë, Gazmend Haxhia dhe Elton Marini, është dhënë masa e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa për Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje. Beqaj akzuohet se ka abuzuar me fondet e BE gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC, ku përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë, ka përfituar shuma të mëdha parash përmes faturave fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.  Në dosje evidentohet për konferencën 'Festa' mbajtur në datat 03-05 Prill 2023 që ishte kontraktuar shoqëria që administrohet nga i dyshuari Gazment Haxhia, dhe drejtori Administrativ, Alfred Nikolli ishin paguar dy fatura. Fatura e parë, 125.000,00 Euro nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj, dhe fatura e dytë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë, (konvertuar në 380 mijë euro). Pra në total, dy faturat kapin gati vlerën 500 mijë euro. Ky është vetëm një episod në njoftimin e plotë të nxjerrë nga SPAK. Gjithsej janë 8 të tilla, por nuk ka një total të parave që kanë përfituar nga fondet e Bashkimit Europian./ZËRI

Poll

MOS HUMB