KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit/ Omonia: Dekreti i Presidentit, antikushtetues! Komisioneri shkeli ligjin

TIRANË- Antikushtetues e ka cilësuar Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek Omonia, vendimin e kësaj të premteje të Presidentit, Bajram Begaj për të dekretuar 4 gushtin si ditën e zgjedhjeve të reja në bashkinë e Himarës, pas vendimit të Komisonit Qendror të Zgjedhjeve që i hoqi mandatin Fredi Belerit. Në një reagim, Omonia shprehet Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mori kompetencat që kishte frikë Edi Rama t`i ushtronte vetë, ndërsa shtoi se vendimi i tij, përveçse i paprecedentë, pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm.
Reagimi:
Fobia e Edi Ramës nga Fredi Beleri. Teatri i radhës, por me aktorë të tjerë, provoi edhe një herë se partia-shtet ka uzurpuar të gjitha pushtetet, të gjithë institucionet dhe çdo dëshirë e Edi Ramës duhet të realizohet. Në një seancë urgjente, jashtë periudhës zgjedhore, me vendim të paracaktuar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve mori kompetencat që kishte frikë Edi Rama t`i ushtronte vetë.
Për 14 muaj, frika që Edi Rama kishte nga Fredi Beleri mbajti peng mandatin e Kryetarit të Zgjedhur me votë nga Himara. Për 14 muaj Himara u qeveris nga një kryetar i pavotuar, dhe nga vartës të tij, duke emëruar kryetarë bashkie, nënkryetar pas nëkryetari. Tani që edhe nënkryetari i fundit po bie në duart e SPAK, Edi Rama kërkon të bëjë zgjedhje.
Për 14 muaj Edi Rama mbajti në burg Fredi Belerin nuk e lejoi të betohej, të merrte mandatin sepse ligji nuk e parashikonte. Tani që dënimi i porositur nga Edi Rama është drejt fundit, duhen bërë zgjedhje sa është Fredi Beleri në burg, dhe mund t`i jepet leje që t`i heqin mandatin që nuk ia dhanë.
Komisioneri me një vendim, ku vetë pyet e vetë përgjigjet, bën ligj, aty ku ligj nuk ka. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk mbështet kompetencën e tij në asnjë bazë ligjore, por shprehet vetëm “dua ta bëj dhe po e bëj”. Ligji nr. 138/2015 dhe Vendimi i Kuvendit nr. 17/2016 ka përcaktuar se verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës. Komisioneri i ka verifikuar të dhënat e formularit të dekriminalizimit të Fredi Belerit dhe ka marrë vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 për vlefshmërinë e mandatit të fituar në zgjedhjet e 14 majit për Fredi Belerin. Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ, por e organeve të tjera kushtetuese.
Edi Rama, duhet ta linte të betohej Fredi Belerin, të merrte mandatin, dhe më pas ta shkarkonte, siç Kushtetuta parashikon, neni 115, apo neni 62 i ligjit nr. 139/2015. Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedentë, pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi I Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit. Komisioneri nuk referon në asnjë ligj I cili e bën të ekzekutueshëm menjëherë vendimin e tij administrativ.
Dekreti i Presidentit është antikushtetues! Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje afati I ankimit nuk ka filluar akoma!
Në radhën e këshilltarëve të Presidentit është dhe z.Ilir Rusmajli, vallë opinioni i tij është pas kësaj vendimmarrje të nxituar?!
Kur Presidenti shkel ligjet, çfarë shprese mund të kemi se do t`i zbatojë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, apo policia?!
Pse Himara nuk mund të ketë Zgjedhje të lira dhe te ligjshme?!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi këtë të premte që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Vendim i kundërshtuar nga opozita. Gazment Bardhi e ka cilësuar dekretin e Presidentit si antikushtetues. Ndërkohë vendimi solli dhe reagimin e diplomacisë greke. Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi që Fredi Beleri të mund të betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian. Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për blerje votash. Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar Belerin me 2 vjet burg./ZËRI
ME PIKA, çfarë ndodhi këtë të premte me Fredi Belerin! Presidenca 'flakë për flakë' Bardhit

➤ Ora 10:07, Fredi Beleri “lirohet’ për pak orë nga qelia dhe merr pjesë në mbledhjen e Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, i cili dhe vulosi fatin e tij në bashkinë e Himarës. Beleri mbërrin i shoqëruar nga oficerët e Policisë.
➤ Ora 11:03, kreu i Komisonit Qendror të Zgjedhjeve, vulos fatin e Fredi Belerit duke ia hequr përfundmisht mandatin e fituar në zgjedhjet e 14 majit. Mandat që nuk e ushtroi kurrë pasi dy ditë para zgjedhjeve u burgos për blerje votash.

➤ Ora 14:49, Këshilli i Ministrave i dërgon një letër Presidentit Bajram Begaj ku i kërkon që të shpallë një datë për zgjedhjet e reja në Bashkinë e Himarës, me vendin e lënë tashmë bosh dhe zyrtarisht nga Fredi Beleri.


➤ Ora 15:23, Fredi Belerri reagon pas vendimit të Komisonit Qendror të Zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat, tashmë vetëm me statusin e eurodeputetit të "Neodemokracia", Beleri nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, ky i fundit organizoi një një grusht shteti për të "pushtuar" Bashkinë e Himarës.

➤ Ora 16:13, Presidenca nuk humbet kohë. Pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, Kreu i Shtetit, Bajram Begaj dekreton 4 gushtin si datën kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës.

➤ 16:34, Partia Demokratike kundër dekretit të Presidentit. Gazment Bardhi në emër të grupit të PD-së e cilësoi dekretin e Begajt si antiligjor dhe antikushtetues. Sipas Bardhit, Begaj ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
1/3. Çfarë turpi për Pesidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. pic.twitter.com/jiEUDe2g2G
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) July 5, 2024
➤ 17:09, Presidenca “flakë për flakë” Gazment Bardhit. Instiutucioni i Presidentit sqaron se dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja, nuk e pengon Fredi Belerin të aknimojë vendimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS)./ZËRI
Pse nuk u prit vendimi i KAS për Himarën? Sqarimi nga Presidenca: Gjithçka ligjore, Beleri nuk pengohet ta ankimojë!

TIRANË- Presidenca ka dalë sërish me një sqarim për caktimin e datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës. Në një përgjigje për "TopChannel", Presidenca bën me dije se presidenti u njoftua për vakancën në kreun e Bashkisë së Himarës, ndaj ashtu siç e përcakton sistemi ligjor shqiptar ka 48 orë kohë të veprojë. Por në të njëjtin sqarim, Presidenca sqaron se dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja, nuk e pengon Fredi Belerin të aknimojë vendimin në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
"Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ. Presidenti vihet në levizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave. Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë,"-ka bërë me dije Presidenca.
Sqarimi i plotë i Presidencës:
Presidenti i Republikes caktoi datën e zgjedhjeve pasi u njoftua zyrtarisht për vakancën e krijuar. Presidenti i Republikës nuk është organi që konstaton vakancën, sikurse nuk merr në shqyrtim procedurën që i ka paraprirë asaj dhe as është instancë e ankimit administrativ. Presidenti vihet në levizje me njoftim. Në sistemin ligjor shqiptar ka vetëm një rrugë ligjore për vënien në lëvizje të Presidentit të Republikës, në rastin e vakancave në qeverisjen vendore. Kjo rrugë është rruga e njoftimit nga Këshilli i Ministrave. Për të shqyrtuar çështjen Presidenti ka në dispozicion vetëm 48 orë. Zgjedhjet e pjeseshme zhvillohen sipas një kalendari të ngushtë ligjor. Afatet ligjore janë detyruese. Procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative janë që të dyja ligjore dhe bashkëjetojnë me njëra tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen. Mjetet ligjore për mbrojtjen e interesave të ligjshme nuk shfuqizohen nga procedura e dekretimit të zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi këtë të premte që ti hiqte përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Belerit. Vendimi u dha dhe në prani të këtij të fundit, i cili u shoqërua në ambientet e KQZ me policë. Pas vendimit të marrë nga KQZ, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht si ditën ku do të mbahen zgjedhjet e reja. Vendim i kundërshtuar nga opozita. Gazment Bardhi e ka cilësuar dekretin e Presidentit si antikushtetues. Ndërkohë vendimi solli dhe reagimin e diplomacisë greke. Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi që Fredi Beleri të mund të betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian. Fredi Beleri u arrestua më 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për blerje votash. Ndërkohë Gjykata e Posaçme e Apelit e ka dënuar Belerin me 2 vjet burg./ZËRI
Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet në Himarë/ Bardhi: E turpshme! Shkeli Kushtetutën

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka cilësuar të turpshëm vendimin e Presidentit Bajram Begaj, i cili dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet në bashkinë e Himarës. Sipas Bardhit, Begaj ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Gazment Bardhi: Çfarë turpi për Pesidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës./ZËRI
1/3. Çfarë turpi për Pesidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. pic.twitter.com/jiEUDe2g2G
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) July 5, 2024
DEKRETI- Presidenti Begaj cakton datën e zgjedhjeve në Himarë: Votohet më 4 gusht!

TIRANË- Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën 4 gusht për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Himarës. Pasditen e sotme, në orën 16.00, vetëm disa orë pas marrjes së vendimit për Belerin, presidenti nxorri njoftimin për datën e zgjedhjeve. Në dekret, Begaj thotë se pas njoftimit nga Këshilli i Ministrave për vakancën në bashkinë e Himarës si dhe pas konsultës me komisionerin Ilirjan Celibashi, vendosi që zgjedhjet të mbahen më 4 gusht.
DEKRETI I BEGAJT:
Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj thirri në konsultë z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.
Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.
KQZ i hoqi sot mandatin Fredi Belerit, pasi ky i fundit u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje./ZËRI
KQZ i hoqi mandatin e kryebashkiakut të Himarës/ Mediat greke: 'Rrëzohet' Fredi Beleri

TIRANË- Mediat greke i kanë bërë jehonë vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i cili këtë të premte i hoqi përfundimisht mandatin e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Belerit. Mediat greke, të cilat kanë shpërndarë dhe pamjet e mbërritjes së Belerit në KQZ, i rrethuar me policë shkruajnë se ky vendim do i hapë rrugë zgjedhjeve të reja. CNN grek shkruan se kjo është një sfidë e re për autoritetet shqiptare, përballë diplomacisë greke. Ndërsa shtojnë se tashmë Beleri është dhe eurodeputet nga partia Demokracia e Re, e kryeministrit greke, Kyriakos Mitsotakis.




Pak orë pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Belerit, Rama letër Begajt: Cakto datën e re të zgjedhjeve në Himarë

TIRANË- Pak orë pasi KQZ njoftoi pavlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut të Himarës për Fredi Belerin, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, kryeministria i është drejtuar me një letër Presidetit Bajram Begaj, duke i kërkuar që të caktojë datën e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë Himarë.
Kjo vjen pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori sot vendimin për t’i hequr mandatin Fredi Belerit, i zgjedhur më 14 maj. Nga ky moment presidenti ka 45 ditë kohë që të mandatojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Himarë, me gjasë në muajin shtator.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori sot vendimin për mandatin e Fredi Belerit, i cili u zgjodh në 14 maj në krye të bashkisë së Himarës, por dy ditë para rezultatit, ai u arrestua për blerje votash. KQZ pas shqyrtimit të çështjes ka marrë vendimin që Fredi Beleri e humbet mandatin si kryetar i Bashkisë së Himarës.
“Nuk kanë asnjë nxitje jashtë asaj që KQZ e nxit ligji për dekriminalizimin”, tha Celibashi ndër të tjera, teksa shtoi se Komisioni Zgjedhor ka të gjitha kompetencat për të marrë këtë vendim.
“Jemi në kushtet e humbjes së mandati të zotit Fredis Dhionisis Beleri, e shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim brenda 30 ditëve. Ky vendim do të publikohet në faqen elektronike të internetit të KQZ”, u shpreh ai më tej.
Tashmë Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Beleri, kreu korrupsion në zgjedhjet lokale të 2023, nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por gjatë 13 muajve në paraburgim ky mandat nuk u bë funksional pasi ai nuk u betua. Gjykata e Apelit të Posaçëm e gjeti fajtor 52-vjeçarin duke lënë në fuqi dënimi dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Djali i Belerit dhe Vangjel Tavo në garë për Himarën? Ç'pritet të ndodhë, presidenti pritet të caktojë datën e zgjedhjeve të reja

TIRANË- Vendimi është marrë, nga sot Fredi Beleri nuk është më kryebashkiak i Himarës! Fjalën e fundit lidhur me çështjen e tij e dha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke i lënë vetëm 45 ditë kohë presidentit Bajram Begaj për të caktuar datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale që do të mbahen në Bashkinë e jugut të vendit. Sipas Kodit Zgjedhor si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve është vetëm pranvera dhe vjeshta, respektivisht periudhat; 15 mars - 30 qershor dhe 15 shtator - 30 nëntor. Ndaj me shumë gjasë, zgjedhjet e reja në Himarë do të mbahen në vjeshtë. Kështu partitë politike do të kenë kohë të gjithë muajin gusht për t’u përgatitur për votimet si kryebashkiak. Paraprakisht, duket se më shumë punë ka Partia Demokratike që deri në daljen e një emri duhet të mbajë edhe njëherë procesin e Primareve. Deri më tani i vetmi emër që ka qarkulluar është ai i djalit të Belerit, Petro.
Ish-zëdhënësi i fushatës së Belerit, Skerdjan Dhuli, në një intervistë të zhvilluar pak ditë më parë, i pyetur nëse djali i Belerit mund të jetë kandidat, Dhuli tha se po diskutohet çdo emër.
“PD ka burime njerëzor për të pasur kandidat. Nuk përjashtohet askush, kemi 4 mijë kandidat se cilido prej demokratëve apo të votues të lokacionit opozitar është më i mirë se çdo kandidat i Ramës, s’ka vjedhur asnjë metër tokë. Çdo emër diskutohet, partitë kanë mënyrat e tyre si e masin terrenin politik. Partitë e mëdha nuk vuajnë për kandidatë. Ramën do e mundim sërish. Rama është shkaktari kryesor i grabitjes së pronave të tyre,”- tha Dhuli.
Por për opozitën, ka edhe një pikëpyetje tjetër! Nuk dihet nëse Partia Demokratike në këto zgjedhje do të futet e vetme me kandidatin e saj, apo nëse edhe kësaj here do të bashkojë forcat me Partinë e Lirisë. Ndryshe nga zgjedhjet e fundit lokale, për shkak se Partia Demokratike nuk e kishte të drejtën për të përdorur vulën dhe logon e PD-së, u “detyrua” që të bënte koalicion me Partinë e Lirisë. Tashmë gjërat kanë ndryshuar. “Rithemelimi” për momentin ka në dorë edhe vulën, edhe logon e Partisë Demokratike, ndaj ka mundësi që të futet në garë me kandidatin e saj, pa siglën “Bashkë fitojmë”.
Opozitës, në pjesë i futet edhe Lulzim Basha, me partinë e tij të mbetur nga ajo që ishte Partia Demokratike zyrtare. Me shumë gjasa edhe Basha do të prezantojë një kandidat për Bashkinë e Himarës, por deri më tani nuk është përfolur askush!
Ndërsa nga kampi i maxhorancës duket se gjërat janë më të thjeshta dhe të pakomplikuara. Duke marrë parasysh se “i komanduari” për Bashkinë e Himarës, Arqile Bollano ka tashmë një çështje të hapur në SPAK, emri i tij nuk pritet që të jetë një prej kandidatëve. Emri më i pritshëm është Vangjel Tavo, i cili aktualisht mban postin e Prefektit të Vlorës. Ndaj edhe nuk do të jetë surprizë nëse emri i tij përfundon në fletën e votimit nën siglën e socialistëve. Kjo për shkak edhe të historisë! Edhe më herët, në zona të “vështira”, Partia Socialiste ka vepruar po njësoj, fillimisht kandidatin e ka caktuar në postin e prefektit dhe më pas, e ka shkarkuar për ta vendosur si kandidat zyrtar. E njëjta linjë është ndjekur në Shkodër, ndaj ka mundësi që e njëjta skemë të përdoret edhe për Himarën./ZËRI
Merr fund! Celibashi i "vë pikën": Mandati i Belerit i pavlefshëm

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në fjalën e tij, komisioneri Ilirjan Celibashi arsyetoi se në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Fredi Beleri nuk mund ta ushtrojë me funksionin e kryebashkiakut të Himarës. Po ashtu, u kujdes të theksonte se edhe kjo çështje ishte në kompetencën e KQZ për t'u gjykuar, njëjtë si rastet e tjera. Kështu që pas këtij vendimi, presidenti Bajram Begaj ka 45 ditë kohë për të shpallur datën e re të zgjedhjeve.
"Mund të ishte edhe në kushtet kur të ishte duke ushtruar detyrën, e ngelet diskutimi, në kushtet kur vërtetohet që të kryehet një vepër penale, a e ka kompetencën KQZ për të zhvlerësuar këtë mandat? Unë jam i bindur se po. Ty ligji të ndalon që të mos kandidosh, aq më shumë akoma të ndalohet që ta ushtrosh këtë detyrë. Mendoj që kjo është shumë e qartë. Situata kjo është. Sepse për ndryshe do të duhet të pranonim që ti e ke kryer këtë vepër penale, vazhdon në detyrë, por nuk do garosh më. Unë mendoj që jemi në kushtet e humbjes së mandatit. Shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim,"-tha Celibashi ndër të tjera në fjalën e tij.
Beleri i bën mbrojtjen vetes në KQZ: Mandati im ka mbaruar, por mos ta bëjnë rrugë...

TIRANË- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka mbajtur sot, ndoshta për herë të fundit fjalën si i zgjedhur për kryetar bashkie. Në fjalën e tij, gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Beleri u shpreh se e dinte që nuk kishte më shanse për të drejtuar Bashkinë e Himarës. Por shtoi se kërkon që të bëjë betimin, ashtu siç e thotë ligji, e më pas të shkarkohet. Por po ashtu, kishte edhe një lutje për komisionerin Ilirjan Celibashi. Beleri kërkoi që çështja e tij të dërgohet për gjykim në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të mos bëhet precedent për ngjarje të tilla në të ardhmen. Megjithatë mbetet për t'u parë nëse kërkesa e tij do të merret parasysh nga KQZ.
"Dua t'ju falenderoj që të dhatë mundësinë që të shprehem dhe unë. Juristët dhe zoti Dule i thanë, duket qartë që nuk ka bazë ligjore. Dikush do të nxjerrë gështenjën nga zjarri me duart e KQZ. Institucioni që ju drejtoni është i vetmi që deri më tani ka ruajtur nderin e këtij shteti. Të gjithë institucionet e tjera janë bërë pjesë e paligjshmërisë, padrejtësive që më janë bërë mua dhe banorëve të Himarës. Siç erdha sot këtu mund të kisha shkuar 2 orë dhe të isha betuar në Himarë. Vullnet politik është. Drejtoria e Burgjeve më dha leje, këtë leje mund ta merrja për të bërë betimin. Ata që vendosën rrëmbimin e Bashkisë së Himarsë, ata që nuk duan himarjotët të shprehen. Unë duhet të betohem dhe të më shkarkojnë. Jam i qartë dhe unë që mandati im si kryebashkiak i Himarës ka mbaruar. Por këta do e bëjnë rrugë. Pse duan t'i bëjnë në gusht zgjedhjet? Kam frikë se gjysma e bashkisë do të jetë në burg. Kanë 2 kryetar të emëruar në mënyrë të paligjshme. Ata kanë një ankth, ankthin e tyre ta kalojnë në mes të rrugës ligjore. Do iu lutesha që t'ja dërgoni çështjen time Kushtetueses që këtë punë ta mbyllim njëherë e mirë. Se këtë punë do ta bëjnë rrugë,"-tha Beleri./ZËRI
Sot vendoset "fati"! Fredi Beleri del nga burgu, mbërrin në KQZ

TIRANË- Fredi Beleri ka lënë qelinë e burgut, të paktën për disa orë, vetëm për të marrë pjesë në seancën që do të zhvillohet për mandatin e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi u mor ditën e djeshme dhe u zbatua menjëherë sot, duke bërë që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës të linte qelinë. I veshur me kostum për të respektuar institucionin dhe mbledhjen, Beleri u shoqërua në masa të rrepta sigurie dhe pritet që sot të bëjë mbrojtjen e tij për të mbajtur mandatin edhe pse në burg.

Në të kundërt, në Himarë do të ketë zgjedhje të parakohëshme.
MOMENTI ME VIDEO:
Mandati i Belerit po diskutohet pasi vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Përfundimisht, Beleri do të duhet të vuajë 2 vite heqje lirie, edhe pse aktualisht është zgjedhur edhe si eurodeputet në Parlamentin Europian nën logon e partisë "Neodemokracia", e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar që më datë 12 maj 2023. Ai akuzohej për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës. Ai u prangos 48 orë para zgjedhjeve lokale të 14 majit./ZËRI