Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit i mundësoi Talat Xhaferit të bëhet zot në shtëpinë e tij

SHKUP – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalën e tij në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, tha se zgjedhja e Talat Xhaferit kryeministër në RMV është ditë historike për të gjithë shqiptarët.
Ahmeti replikoi edhe me deputetin e VMRO-së, Antonio Miloshoskin për komunën e Kërçovës. Ai tha se në këtë komunë, shqiptarët dhe maqedonasit po jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin si kurrë më parë. Ahmeti replikoi edhe me deputetin Pavle Trajanov, duke i thënë se shqiptarët dikur janë persekutuar dhe se sot janë qytetarë me të drejta të barabarta me etnitë e tjera në RMV. “Nuk është e vërtetë që maqedonasit janë qiraxhinj, por ka një të vërtetë, që Marrëveshja e Ohrit i dha të drejtë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Kjo marrëveshje nuk ua ndryshon gjendjen vetëm shqiptarëve, por edhe etnive të tjera që jetojnë dhe punojnë në RMV si serbët, turqit, romët etj”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Ahmeti theksoi se jetojmë në një kohë, që Rusia është agresive ndaj Ukrainës. Ai shtoi se duhet të jemi pro Europës dhe kundër Rusisë. Talat Xhaferi u zgjodh sot kryeministër i Maqedonisë së Veriut./ZËRI/
Zyrtare! Talat Xhaferi zgjidhet kryeministër i Maqedonisë së Veriut

SHKUP – Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, me 65 vota pro dhe 3 kundër, votuan qeverinë teknike, e cila do të jetë funksionale për 100 ditë. Deputetët e partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO DPME ishin në sallë, por nuk votuan qeverinë teknike. Opozita shqiptare nuk ishte e pranishme në sallën e parlamentit.
Pas marrjes së votëbesimit në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se me përgjegjësi të lartë merr postin e kryeministrit të RMV. Ai zotohet në zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës.
“Këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme, e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe në çdo sfidë që është shfaqur para meje në jetën profesionale dhe personale. Dëshiroj t’ju siguroj se në asnjë çast nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe institucion me kompetenca qartë të përkufizuara me Kushtetutë në raport me shtyllat tjera të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shkruan Xhaferi.
Talat Xhaferi bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut./ZËRI/
Zgjedhja e kryeministrit shqiptar, opozita maqedonase: Jemi qiraxhinj në shtetin tonë

SHKUP – Deputeti i partisë opozitare maqedonase, VMRO DPMNE-së, Antonio Miloshoski, në fjalimin e tij në Kuvend, kishte kritika të ashpra për zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër i vendit dhe për qeverinë teknike.
Miloshoski tha se për shkak të tradhtisë së partisë në pushtet, LSDM, “sot maqedonasit janë qiraxhinj në shtetin e vet”.
“Një dezertor dha dorëheqje, një tjetër po ulet në vendin e tij. Mos prisni nga Talat Xhaferi që të jetë më i mirë se Kovaçevski dhe të punoj në të mirë të shtetit. Sot Kovaçevski dhe Mariciç, e shitën shtetin, për interesa të tyre. Maqedonia e Veriut sot është qiraxhi në shtetin e vet. Për ata që thonë se sot është ditë historike, mund të pajtohemi me faktin se Maqedonia e Veriut ka qeverinë më të korruptuar në vitet e fundit”, tha Antonio Miloshoski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Miloshoski hodhi edhe akuza konkrete. Ai tha se partia e Xhaferit është kthyer në një parti të tenderave dhe të lojërave të fatit.
“VMRO-DPMNE dhe koalicioni nuk do të votojnë për këtë qeveri, së pari se vendin e kryeministrit nuk duhet ta zërë partia e cila nuk ka numrin më të madh të deputetëve, dhe e dyta nuk duhet që vendin e kryeministrit ta ketë partia e cila ka numrin më të madh të aferave korruptive”, deklaroi ai.
Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut./ZËRI/
Talat Xhaferi flet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut: Prioritetet e qeverisë time

SHKUP – Kandidati për kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në fjalën e tij përpara deputetëve të RMV tha se prioritet i tij do të jetë zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës. Ai u shpreh se do të zbatojë programin qeveritar, që ka parashtruar.
“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdojë t’i realizojë të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Qeveria do të vazhdojë politikat për arsimim kualitativ, sepse investimi në arsim është investim në shtet. Do të vijojmë me reformat në administratën publike”, tha Xhaferi. Ai tha se sundimi i së drejtës, por dhe lufta kundër korrupsionit, mbeten politika thelbësore të qeverisë teknike.
“Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njëjta, dhe dua t’ju siguroj, që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Unë do të vazhdoj programin e qeverisë së kaluar, duke realizuar prioritetet e qytetarëve dhe të qeverisë. Për të ecur drejt rrugës së BE-së, ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta, që i takon një shteti serioz. Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave, që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimi i vendit, do të jenë obligim i imi. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time”, deklaroi Xhaferi.
Talat Xhaferi pritet të votohet nga parlamenti maqedonas, kryeministër i Maqedonisë së Veriut./ZËRI/
Talat Xhaferi me lot në sy! Ali Ahmeti ia merr këngës për zgjedhjen e kryeministrit shqiptar

SHKUP- Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, së bashku me zyrtarë të lartë të partisë, kanë pritur gazetarët shqiptarë në Shkup. Atmosfera ka qenë e ngrohtë, teksa liderët politikë dhe gazetarët kanë pirë cigare dhe kanë kënduar këngë patriotike.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka shijuar një birrë, teksa Talat Xhaferi pi puro. Si rrallë herë, Ali Ahmeti ka nisur të këndojë këngë patriotike shqiptare.
Nën tingujt e muzikës shqiptare, Talat Xhaferi është parë duke lotuar.
Teksa këndon, i emocionuar jo pak duket edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Për më tepër, ndiqni videon./ZËRI/
“U tha u bë”, alkool dhe puro në zyrë, i rrethuar nga gazetarët shqiptarë, pak para votimit të Xhaferrit si kryeministër

SHKUP- Sot është një ditë historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi për herë të parë, do të kenë kryeministër shqiptar.
Pak përpara se Talat Xhaferi të votohet si kryeministër i RMV, kreu i PBDNJ, Ali Ahmeti, kryeministri i zgjedhur Talat Xhaferi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të partisë në pushtet të shqiptarëve, ishin të rrethuar nga gazetarët shqiptarë Blendi Fevziu, Baton Haxhiu, Berat Buzhala etj.
Nuk kanë munguar as gotat e alkoolit, cigarja dhe puro brenda në zyrën e Xhaferrit, i cili deri tani ka mbajtur postin e kreut të parlamentit në Maqedoninë e Veriut.
BISEDA MES ALI AHMETIT DHE GAZETARËVE:
Blendi Fevziu: Kjo është dubël e dyta, por e tha sinqerisht të parën.
Baton Haxhiu: Më fal për mosbesimin vëlla, urime për Talatin, edhe ma fal këtë herë, herë tjetër të besoj më shumë.
Ali Ahmeti: Hajr qofsh, u tha, u bë.
Blendi Fevziu: Batoni nuk është se beson kollaj.
Ali Ahmeti: Nuk kemi ardhur në rrugë të shtruara me dafina deri këtu, kanë qenë rrugë me përballje, me rreziqe. M’u kujtua, erdhi e më vizitoi një profesor i Universitetit të Kembrixhit, në vitin 2001. Bisedova 4-5 orë me të mbi zhvillimet, mbi të ardhmen, mbi proceset. Ai pas 2-3 javësh bën punimin e tij shkencor. Ma dërgoi dhe titullin e kishte “Terroristi i mirë” dhe aty ai nuk ishte mosbesues, por para 23 vitesh tha se Ali Ahmeti do jetë president i RMV. Unë nuk dua president, unë dua kryeministër dhe e realizuam një vit para parashikimit më 2024.
Talat Xhaferi pritet të votohet nga parlamenti maqedonas si kryeministër i vendit./ZËRI/
Xhaferi: Zgjedhja ime kryeministër ndodh në kohën e duhur

MAQEDONI E VERIUT – Talat Xhaferi, që pritet të votohet si kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar se emërimi i tij si kreu i qeverisë maqedonase ndodh në kohën e duhur.
Ai tha për Klan Kosovën se dikur ka qenë një tabu, që shqiptarët të drejtonin institucionet në RMV, por se tashmë është një realitet. Talat Xhaferi pritet që të drejtojë një qeveri teknike 100-ditore.
“Mendoj se kjo që po ndodh është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Kontekstet kohore në konktekst politik mund të themi se janë edhe të vonuara, por edhe në kohë. Për aspektet politike dhe shoqërore, aspekti kohë nuk ngërthen me orë apo me ditë, është çështje e proceseve, që vijojnë dhe paraprijnë e që pasojnë, kështu që është çështje e politikbërjes që planifikimet bëhen afatshkurta dhe afatgjata, mendoj se hedhja e hapit që të jem kryeministër është në kohën e duhur, konform rrethanave. Por nëse e shohim në kontekst të ngushtë mund të thuhet se është e vonuar, nëse dikur ka qenë tabu, tani është realitet i ri dhe është koha e duhur”, tha Xhaferi.
Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut./ZËRI/
Talat Xhaferi: Si iu vendosa fëmijëve emra shqip, kur kjo gjë ishte e ndaluar

SHKUP – Politikani shqiptar në karrierë, Talat Xhaferi, sot pritet që të bëhet kryeministri i parë në Maqedoninë e Verriut. Klan Kosova ka zhvilluar një intervistë në shtëpinë e Xhaferit, përpara se ai të betohet si i pari i qeverisë teknikë në RMV.
Xhaferi në këtë intervistë ka treguar kohërat e vështira, kur shteti maqedonas ishte diskriminues ndaj shqiptarëve që jetonin në RMV. Ai tregoi sesi dy fëmijëve iu ka vendosur emra shqip.
“Unë kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali ka lindur në Leskoc, ndërsa vajza në Gostivar. Edhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Kosovë ka qenë problem t’i vendosje fëmijës emër shqip. Kjo nuk ishte përvojë vetëm e imja, por në tërësi. Shërbimet civile kishin lista me emra dhe ti mund të zgjidhje. Por unë ia kam vendosur emrin djalit Barlet. Kur u pyeta se cila ishte origjina e emrit, kam thënë se është emër internacional dhe jo se ka të bëjë me Marin Barletin”, tha Xhaferi.
Ndërsa më tej ka rrëfyer edhe se vajzës ia ka lënë emrin Besiana. “Vajzës ia kam lënë emrin Besiana. Motivimi im ka qenë rruga Besiana, që ne kalonim”, tha ai. Talat Xhaferi theksoi se dikur ka pasur tepër pengesa për të vendosur emra shqip, ndërsa tashmë nuk ka. Talat Xhaferi pritet të votohet sot në parlament, për të qenë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut./ZËRI/
Qeveria teknike e RMV, Xhaferi dorëzon përbërjen dhe programin qeveritar

SHKUP- Është hera e parë në histori që Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar. I përzgjedhuri është Talat Xhaferi, i cili pasi të marrë postin e ri të kryeministrit, do të lërë bosh atë të Kryetarit të Parlamentit për të drejtuar qeverinë teknike. Talat Xhaferi ka dorëzuar në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë teknike, e cila do të ketë për detyrë të organizojë edhe zgjedhjet e dyfishta, ato parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj. Kuvendi do të zgjedhë Qeverinë Teknike me mandatar Talat Xhaferin. Mandati i saj do jetë 100 ditë, ndërsa detyra e këtij formati të organit ekzekutiv është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Përbërja e re qeveritare e propozuar nga Xhaferi:
Slavjanka Petrovska, ministre që do të jetë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes
Pançe Toshkovski, ministre që do të jetë në krye të Ministrisë të Punëve të Brendshme
Krenar Loga, ministër që do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë
Artan Grubi, ministër që do të drejtojë Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndër-Komuniteteve
Bujar Osmani, ministër që do të menaxhojë Ministrinë e Punëve të Jashtme
Fatmir Besimi, ministër që do të menaxhojë Ministrinë e Financave
Kreshnik Bekteshi, ministër që do të menaxhojë Ministrinë e Ekonomisë
Ljupço Nikolovski, ministër që do të menaxhojë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave
Fatmir Mexhiti, ministër që do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë,
Jeton Shaqiri, ministër që do ta drejtojë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës
Gjoko Velkovski, ministër që do të menaxhojë Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale
Risto Penov, ministër që do të drejtojë Ministrinë e Çështjeve të Vetëqeverisjes Lokale
Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministre që do të drejtojë Ministrinë e Kulturës
Azir Aliu, ministër që do të menaxhojë Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës
Blagoj Boçvarski, ministër që do të menaxhojë Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve,
Kaja Shukova, ministre që do të menaxhojë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Për ministrat pa ministri:
Bojan Mariçiç, ministër pa portofol i ngarkuar me çështje evropiane
Fatmir Bytyçi, ministër pa portofol i ngarkuar me çështje ekonomike, koordinim i portofoleve ekonomike dhe investimeve,
Slavica Grkovska, ministre pa portofol përgjegjës për politikat për qeverisje të mirë.
Si u premtua kryeministri i parë shqiptar?
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi. Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në. Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Bëhet fjalë për Qeverinë teknike, e cila parashihet me Ligjin për zgjedhjet dhe si detyrë kryesore ka organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe opozita maqedonase me dy ministra dhe tri poste të zëvendësministrave. Por edhe pse opozita, e cila kryesohet nga VMRO DPMNE-ja, do të ketë poste në qeverinë teknike, sërish ka deklaruar se nuk do të votojë për zgjedhjen e Talat Xhaferit, pasi e akuzon për shkelje ligjore gjatë punës si kryetar Kuvendi./ZËRI
Për herë të parë kryeministër shqiptar në RMV, por çfarë kompetencash do të ketë Talat Xhaferri?

Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, që pritet të votohet më së voni deri më 28 janar, nuk do të ketë kompetenca të plota, por teknike apo kompetenca të cunguara. Kështu thotë për Radion Evropa Lirë, Naser Ziberi, kandidat për kryeministër nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.
Qeveria që drejtohej nga Dimitar Kovaçevski, më 25 janar e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, ndërsa këtë e bëri edhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, për t’u hapur rrugën procedurave për kalimin e tij në krye të Qeverisë teknike.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të premten, konstatoi dorëheqjen e Qeverisë ndërsa Jovan Mitreski nga LSDM-ja është zgjedhur për kryetar të ri të Kuvendit.
Si u premtua kryeministri i parë shqiptar?
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi. Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.
Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Bëhet fjalë për Qeverinë teknike, e cila parashihet me Ligjin për zgjedhjet dhe si detyrë kryesore ka organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe opozita maqedonase me dy ministra dhe tri poste të zëvendësministrave.
Ziberi: Kryeministri shqiptar, vetëm për çështjet teknike
Por, Naser Ziberi, që tani është në postin e Avokatit të Popullit, thotë se më mirë do të kishte qenë që BDI-ja të pajtohej me një propozim të VMRO DPMNE-së për anulimin e Qeverisë teknike, në 100 ditët e fundit të punës së ekzekutivit, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapej rruga për marrjen e një kryeministri politik, apo me kompetenca të plota.
“Unë, personalisht, kam menduar se meqë nuk u arrit që mandati i kryeministrit shqiptar të jetë së paku një apo edhe dy vjet, atëherë të pranohej propozimi i VMRO DPMNE-së, që të hiqet Qeveria teknike si obligim ligjor që në tre muajt e fundit të mandatit kryeministri i deritashëm të japë dorëheqje dhe qeveria në vazhdim të jetë teknike me përfshirjen edhe të përfaqësuesve të opozitës në të. Pse e them këtë? Sepse kam menduar se po të hiqej kjo dhe të respektohej marrëveshja, atëherë kryeministri i ardhshëm shqiptar do të ishte me kapacitet të plotë, e jo teknik”, thotë Ziberi.
Sipas tij, është mirë që kryeministër shqiptar do të ketë për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, por kapaciteti i tij do të jetë i kufizuar.
“Fakti se ai do të jetë konform asaj që parasheh Ligji për qeverinë, atë e bën të hendikepuar, respektivisht me kapacitet të cunguar, që do të thotë se ajo qeveri nuk është politike por teknike. Pra, kapaciteti i saj është i reduktuar dhe kjo lë për të dëshiruar. Nuk është kryeministër me kapacitet të plotë”, thotë Naser Ziberi, ish-kandidat për kryeministër nga radhët e BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020.
Por, pavarësisht kësaj, BDI-ja në të gjitha paraqitjet në opinion, caktimin e Talat Xhaferit për kandidat për kryeministër të Qeverisë teknike, e ka vlerësuar si një nga “arritjet më të mëdha”, pas kryetarit shqiptar të Kuvendit, që ishte Talat Xhaferi, por edhe ministrave shqiptarë të Punëve të Brendshme, Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme. Opozita maqedonase që kryesohet nga VMRO DPMNE-ja, ka thënë se nuk do të votojë për zgjedhjen e Talat Xhaferit, pasi e akuzon për “shkelje të shumta ligjore” gjatë punës si kryetar i Kuvendit./REL
Kush është Talat Xhaferri, komandat Forina që po bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut

MAQEDONI E VERIUT- Maqedonia e Veriut do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferri, duke u bërë kështu vendi i katërt në Ballkan që ka në krye të vendin një shqiptar. Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqjen duke i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike që do të drejtohet nga Talat Xhaferri.
Por kush është Xhaferri?
I njohur si ushtaraku egocentrik i Armatës së Jugosllavisë dhe më pas Armatës së Maqedonisë, Xhaferri ka lindur më 15 prill të vitit 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit. Filloren e kreu në Çegran, fshatin fqinj, ndërsa më pas, shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak. Xhaferri vazhdoi më pas karrierën e formësimit ushtarak dhe u regjistrua e studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë, fillimisht në Beograd e më pas në Sarajevë. Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë.
Pas pavarësisë së Maqedonisë, Talat Xhaferri u kthye në vendlindje ku dhe u zgjodh komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës. Më 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së.
Në këtë periudhë, ai u njoh me nofkën komandant Forina. Ai ka mbrojtur dhe titullin e magjistratit të mbrojtjes, në Fakultetin filozofik në Shkup
Xhaferri iu fut dhe politikës në radhët e BDI-së. Fillimisht u zgjodh deputet, ndërsa në vitin 2008 u emëria zëvendësministër i Mbrojtjes. Në të njëjtën detyrë u riemërua dhe në vitin 2013. Së fundmi, Talat Xhaferri ka qenë dhe në krye të Parlamentit të Maqedonisë. Xhaferi është shqiptari i dytë në post pas Vullnet Starovës i cili ishte kryetar i Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë.
Kur Xhaferri u vendos në krye, në vitin 2017, parlamenti maqedonas u përfshi nga dhuna, tensionet dhe protestat. Nga 28 janari, për 100 ditë, ai do të udhëheqë Maqedoninë e Veriut, falë marrëveshjes që nënshkruan ish-kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, katër vite më parë. Pjesë e qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, që do të udhëheqë dy ministri si dhe do të ketë tri poste të zëvendësministrave.
Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar! Talat Xhaferi merr mandatin për të formuar qeverinë

SHKUP – Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski i ka dorëzuar mandatin e kryeministrit, Talat Xhaferit. Pendarovski tha se i dorëzon sot mandatin e kreut të qeverisë Xhaferit, në përputhshmëri me ligjin. Talat Xhaferi tashmë do të krijojë qeverinë teknike, e cila do të organizojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, të cilat mbahet në datat 24 prill dhe 8 maj 2024.
“Në bazë të nenit 84, pika1, të Kushtetutës së RMV-së, në pajtim me nenin 43 nga Ligji për Qeveri të RMV-së dhe e propozimit të partisë më të madhe që e formon shumicën parlamentare, për mandatar, për përbërje të re për realizimin e zgjedhjes së deputetëve, mandatin ia dorëzoj Talat Xhaferit”, tha Pandarovski.
Ndërsa, në fjalën e tij, kryeministri i qeverisë teknike Talat Xhaferi tha se e merr këtë detyrë me kënaqësi dhe me përgjegjësi të plotë. Ai shtoi se do të zbatojë vetëm ligjin dhe Kushtetutën e vendit.
“Me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, nga presidenti i shtetit pranoj mandatin për themelim të përbërjes së re teknike të Qeverisë, me premtimin se i gjithë procesi do të zhvillohet mbi bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së RMV-së, me shpresë që përbërja e re e Qeverisë, do të jetë komform përcaktimeve ligjore, me përgjegjësi dhe detyra që dalin nga themelimi i saj”, deklaroi Xhaferi.
Të shtunën, Talat Xhaferi do të dorëzojë programin dhe gjithashtu edhe propozimet e tij, me emrat që janë propozuar nga partitë në vend. Më 28 janar, pritet të votohet qeveria teknike dhe zyrtarisht nga dita e diel do të funksionojë normalisht.
Jovan Mitreski zgjidhet kryeparlamentar i vendit

Deputetët e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, me 60 vota pro dhe 40 kundër, kanë zgjedhur gjatë ditës së sotme Jovan Mitreskin si kryetar Kuvendi. Mitreski, që deri tani ka qenë në postin e koordinatorit të grupit parlamentar të LSDM-së, do të jetë në krye të parlamentit të RMV, deri në zgjedhjet e 8 Majit. Në seancë parlamentare, deputeti i LSDM-së, Martin Kostoski i dha mbështetje të plotë Mitreskit. Nikolla Miceski, koordinatori i VMRO DPMNE tha se nuk do ta mbështesë Mitreskin. Jovan Mitreski falënderoi për mbështetjen deputetët, por dhe Talat Xhaferin për menaxhimin e suksesshëm të Kuvendit së bashku me sekretaren e përgjithshme Cvetanka Ivanova./ZËRI/
Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, kush është Talat Xhaferi

MAQEDONI E VERIUT- Maqedonia e Veriut do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar. Kjo është hera parë që në krye të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vendoset një shqiptar, Talat Xhaferi. Ndryshe nga Dritan Abazoviç, politikani shqiptar që drejtoi Malin e Zi, kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi nuk është një emër që vjen surprizë në politikë.
Talat Xhaferri u zgjodh për herë të parë kryetar i parlamentit të Maqedonisë në vitin 2017. Emri i tij u kundërshtua fort nga VMRO-DPMNE, pasi ishte hera e parë që një shqiptar merrte një post kaq të rëndësishëm. Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka thënë se nuk do ta votojë Talat Xhaferin për kryeministër të Qeverisë teknike.
Por kush është kryeministri shqiptar që do të qeverisë Maqedoninë e veriut?
Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill 1962 në Gostivar, Republika e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake e Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë, dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë. Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas universitare me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër, pas mbrojtjes së suksesshme të tezës në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit në Shkup.
Karrierën në forcat e armatosura e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ),Me pavarësimin e Maqedonisë, ai kthehet në vendlindje dhe inkuadrohet në Armatën e Maqedonisë, duke qenë oficer i lart dhe pas një periudhe zgjidhet komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës.
Më 28 prill të 2001, në konfliktin e armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së.
Ai në këtë periudhë u njoh me nofkën komandant Forina. Gjatë viteve të përfshirjes në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013. Në një deklaratë për mediat, gjatë pranim dorëzimit të funksionit të ministrit të Mbrojtjes, Xhaferi deklaroi se qëllimi i tij do të jetë “forcat e armatosura të bëhen simboli i bashkëjetesës, i tolerancës dhe respektimit të dallimeve”.
Pas luftës u përfshi në politikë në radhët e BDI-së, duke u zgjedhur deputet, zëvendësministër i mbrojtjes në vitin 2008 dhe ministër i mbrojtjes në shkurt të 2013. Në përgatitjen e fundit profesionale shkruan se ai ka mbrojtur titullin e magjistrit të mbrojtjes, në Fakultetin filozofik, Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”, Shkup.
Sot i hapet rruga qeverisë teknike në Maqedoni të Veriut, Talat Xhaferi pritet të bëhet kryeministër

MAQEDONIA E VERIUT- Ditën e sotme i hapet rruga formimit të qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut që do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar. Kuvendi i RMV-së sot (26 Janar) do ta mbajë mbledhjen e 139-të në të cilën pritet të konstatohen dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, si dhe të zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit, Jovan Mitreski, koordinator aktual i grupit parlamentar të LSDM-së.
Një ditë më parë Kovaçeski dhe Xhaferi dhanë dorëheqjen dhe sot presidenti i vendi do të njoftohet Stevo Pendarovski, do të njoftohet për propozimet e kandidatit për kryeministër.
Më pas Taulant Xhaferit do t’i jepet mandati për të formuar qeverinë. Pjesë e qeverisë teknike është edhe partia më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE, e cila ka shfaqur rezerva sa i përket caktimit të një shqiptari në postin e kryeministrit. Kësaj partie i takojnë disa ministri, ku më e rëndësishmja është ajo e Punëve të Brendshme.
Përbërja e Qeverisë teknike tashmë dihet pasi partitë politike i publikuan propozimet për ministra dhe zëvendësministra shtesë. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, propozim për kryeministër teknik, dje në intervistë për Kanalin e Kuvendit, theksoi se jo vetëm që pret të kemi proces të drejtë, demokratik dhe të suksesshëm zgjedhor, por, siç tha, kemi obligim të sigurojmë zgjedhje të tilla.
Qeveria teknike pritet që të votohet më 28 Janar nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut./ZËRI
Qeveria teknike/ Maqedonia do të drejtohet nga një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferri

MAQEDONI E VERIUT- Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqjen nga detyra që mbante, duke i hapur rrugën qeverisë teknike që do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e 8 Majit. Do të jetë politikani shqiptar Talat Xhaferri ai që do të marrë drejtimin e qeverisë teknike, e cila do të merret me organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Majit. Pas dorëheqjes së Kovaçevksit, edhe Talat Xhaferri do të japë dorëheqjen e tij nga posti i kryeparlamentarit.
Pas dorëheqjes së kryeministrit, njoftohet Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, i cili duhet të autorizojë nënkryetarin e Kuvendit që të udhëheqë seancën plenare ku do të dorëzohet dorëheqja e Talat Xhaferit.
Më pas kalohet në etapën tjetër, atë të propozimit të kandidatit për kryeministër. Sërish do të trokitet në derën e Presidentit i cili do të njoftohet për postin e kryeministrit, që në këtë rast është Talat Xhaferi. Më pas, këtij të fundit do t’i jepet mandati për të formuar qeverinë.
Pjesë e qeverisë teknike është edhe partia më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE, e cila ka shfaqur rezerva sa i përket caktimit të një shqiptari në postin e kryeministrit. Kësaj partie i takojnë disa ministri, ku më e rëndësishmja është ajo e Punëve të Brendshme.
Sa i përket qeverisë së re, Klan Maqedonia ka mësuar se Artan Grubi do të mbetet zëvendëskryeministër dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.
Megjithatë, rolin e zv/kryeministrit të parë do ta marrë Bojan Marçiç, i cili deri më tani ishte zv/kryeministër për çështje europiane.
Qeveria teknike pritet që të votohet më 28 Janar nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut./ZËRI
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dorëhiqet të enjten

MAQEDONI E VERIUT- Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë të martën se kabineti i tij do të japë dorëheqje, të enjten, më 25 janar, për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë teknike.
“E gjithë qeveria do të jetë në dorëheqje të enjten në ora 10:00. Kështu që askush nga ministrat nuk ka nevojë të jep dorëheqje, sepse me dorëheqjen e kryeministrit, e gjithë qeveria është në dorëheqje. Bëhet fjalë për zgjedhje, ku ju keni partitë politike të qendrës dhe të qendrës së majtë apo partitë politike të qendrës dhe qendrës së djathtë. Por, në vendin tonë tani do të ketë zgjedhje në të cilat do të përballen partitë politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”,- deklaroi Kovaçevski.
Të enjten pritet të japë dorëheqje edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili do të zërë vendin e Kovaçevskit. Në seancë do të duhet të zgjidhet koordinatori i LSDM-së Jovan Mitreski për kryetar të ri të Kuvendit dhe më pas Xhaferi do të marrë mandatin si kryeministër i vendit.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, më 8 maj, mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale./ZËRI
Talat Xhaferi propozohet për kryeministër të Maqedonisë së Veriut

SHKUP- Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në mbledhjen e zhvilluar sot ka vendosur që si kryeministër teknik të propozojë Talat Xhaferin. Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani ka thënë se në mbledhje është vendosur që kryeministër teknik i qeverisë të jetë Xhaferi. “BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër teknik të qeverisë. Kjo qeveri do të jetë në fuqi nga fillimi i janarit deri në mbjatjen e zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Osmani.
Në lidhje me koalicionet e mundshme parazgjedhore të BDI-së, Osmani deklaroi se i takon kryetarit të partisë Ali Ahmetit që të vijojë bisedimet për një gjë të tillë. Ai tha se i takon Ahmetit që të vendosë se çfarë koalicioni partish do të shkojnë në zgjedhje.
“Ne i analizuam të gjitha opsionet dhe variantet e mundshme për pjesëmarrje, si parti e vetme dhe si pjesë e frontit Evropian dhe u autorizua kryetari Ali Ahmeti t’i vazhdojë bisedimet dhe t’i propozojë partisë një vendim, i cili do të aprovohet në organet e partisë”, shtoi Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe në lidhje me zgjedhjet e brendshme partiake. Gjithashtu është diskutuar edhe për zgjedhjet presidenciale.
Profil/ Talat Xhaferi, oficeri i ushtrisë maqedonase, që iu bashkua UÇK-së
Talat Xhaferi me profesion është ushtarak. Ai ka qenë fillimisht ushtarak i Armatës së Jugosllavisë dhe më pas Armatës së Maqedonisë së Veriut. Ai së fundmi ka mbajtur edhe postin e kryetarit të parlamentit. Xhaferi, lindi më 15 prill 1962 në fshatin Forinë afër Gostivarit, SR Maqedoni, RSF Jugosllavi. Ai ndoqi shkollën fillore në fshatin e afërt Çegranin dhe vazhdoi shkollimin e mesëm në Shkollën e Lartë Ushtarake të Beogradit. Ai studioi në Akademinë Ushtarake të Tokës Këmbësorike të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) në Beograd dhe Sarajevë dhe u specializua në detyra komanduese dhe të stafit në Akademinë Ushtarake "Gjenerali Mihailo Apostolski" në Shkup. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ishte një oficer i APJ-së dhe prej vitit 1992 deri në 2001 ishte oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM).
Gjatë kryengritjes së vitit 2001, në të cilën shqiptarët sulmuan forcat e sigurisë, Xhaferi ishte në fillim një oficer i lartë në ARM, duke komanduar trupa në kazermat e Tetovës. Më 28 prill, ditën sic njihet masakra e Vicës, ai ishte në detyrë si komandant në kazermë. Disa ditë më vonë ai u largua dhe u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), dhe u bë komandanti i saj i Brigadës 116 me nofkën e "komandant Forina", për shkak të vendlindjes së tij. Ai u amnistua më vonë, pas marrëveshjes së Ohrit.
U nominua për kryeministër teknik, Talat Xhaferi: Do shërbej me përkushtim
I nominuari për kryeministër teknik në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në një deklaratë për mediat, tha se falënderon të gjithë ata që e kanë nominuar për këtë post. Xhaferi theksoi se do ta bëjë me përksuhtim këtë detyrë, siç ka kryer me përkushtim detyrat më herët.
“Me rastin e nominimit nga organet partiake për bartës të funksionit të ardhshëm, si kryetar i qeverisë teknike, nuk do mend që për mua do të thotë respekt i veçantë dhe besim i veçantë nga organet partiake për këtë nominim. Besoj se me përgjegjësinë më të madhe do të përgjigjem ndaj detyrës së re e cila më është besuar dhe shpresoj që do të realizohen pritshmëritë e qytetarëve për kryerjen e këtij funksioni, me përkushtimin më të madh të mundshëm. Unë me përkushtimin më të madh kam bërë dhe detyrat e mëhershme”, tha Xhaferi. Talat Xhaferi u propozua si kryeministër i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, pas një mbledhjeje të BDI-së, parti e drejtuar nga Ali Ahmeti. /ZËRI/