LIVE UPDATES

Digjet prej 7 ditësh Mali i Thatë! Vatra aktive në Parkun e Prespës, shkrumbohen dy shtëpi në Përrenjas

➤Vatrat e zjarrit në vendin tonë vijojnë të jenë aktive. ➤Intensiteti i zjarrit në Malin e Thatë në Pustec, ka rënë, ndërsa në terren kanë zbritur rreth 70 forca të shërbimit të MZSH-ve, të Forcave të Armatosura te Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), atyre të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, etj.➤ Ka ende vatra zjarri në Kostar dhe mbi Mesopotam, bashkia Finiq.➤ Ndërkohë si pasojë e zjarrit në fshatin Bardhaj të Përrenjasit, pjesë e Parkut Kombëtar u dogjën dy shtëpi të braktisura.➤ Era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit, ku si pasojë janë djegur sipërfaqe me pemëtari dhe bimësi.

4 artikuj për këtë temë.
10 MUAJ ME PARE

Situata e zjarreve në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 11 vatra vijojnë ende aktive

Digjet prej 7 ditësh Mali i Thatë! Vatra aktive në Parkun e
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në 24 orët e fundit janë shënuar 47 vatra zjarri,  nga të cilat është bërë e mundur shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive. Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.

NJOFTIMI I MINISTRISË: 

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 47 vatra zjarri. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.

Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, strukturat vendore kanë punuar pa ndërprerje për izolimin e vatrës së zjarrit. Zjarri vazhdon aktiv, për shkak të terrenit të vështirë.

Në qarkun e Tropojës, janë aktive dy vatra zjarri: në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen si dhe në fshatin Çeren, ku vatra e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Alpeve është përhapur dhe terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen.

Në fshatin Kus, të njësisë administrative Bërzhitë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin Lugë. Vatra është e izoluar dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.

Në fshatin Tërnovë në bashkinë e Bulqizës, vatra e zjarrit vijon rë jetë aktive pavarësisht përpjekjeve të shumta nga forcat në terren për ta vënë nën kontroll.

Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri është aktiv në dy vatra. Për shkak të erës së fortë, izolimi ende nuk është arritur.

Në fshatin Skuraj, në bashkinë e Kurbinit, nuk ka zjarr të hapur, por tymi vijon si rezultat i djegies së humusit nën bimësi.

Në vendin e quajtur Mali i Pusit, përballë fshatit Zhulat dhe mbi fshatin Sotirë, në bashkinë e Dropullit situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit, ku zjarri aktiv ka kaluar në kurorën me pisha. Forcat vendore janë në monitorim të situatës.

Në fshatin Kostar, në bashkinë e Finiqit dhe në fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë, zjarri vijon të mbetet aktiv por nuk paraqet rrezik për banesat. Po punohet intensivisht për shuarjen e tij.

Nën bashkërendimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Forcat tona të Armatosura kanë përforcuar përpjekjet e ekipeve të pushtetit vendor, dhe kanë izoluar vatra të rrezikshme në terrene të vështira./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Tjetër zjarr në Vlorë, flakët ‘përpijnë’ mbi 3 mijë rrënjë ulliri

Digjet prej 7 ditësh Mali i Thatë! Vatra aktive në Parkun e
Vlorë

VLORË- Një vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Mërtiraj, në Vlorë gjatë natës. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e zjarrit, ku si pasojë janë djegur sipërfaqe me pemëtari dhe bimësi. Zjarrfikësit e Selenicës kanë hasur vështirësi në ndërhyrje për shkak të terrenit të vështirë.

Mësohet se 6 automjete zjarrfikëse kanë ardhur nga Vlora dhe Fieri, ndërsa paraprakisht bëhet e ditur se janë djegur rreth 3 mijë rrënjë ulliri. /ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Bie intensiteti i flakëve në Malin e Thatë, 70 forca po punojnë për shuarjen e zjarrit

Digjet prej 7 ditësh Mali i Thatë! Vatra aktive në Parkun e
pamje nga zjarri

KORÇË- Një vatër e madhe zjarri është aktivizuar prej disa ditësh në Malin e Thatë, në afërsi të kufirit shtetëror më Republikën e Maqedonisë së Veriut. Aktualisht vatrat janë të veçuara nga njëra-tjetra dhe zjarri po mbahet në kontroll.

Zjarri është në një territor të thyer dhe në një distancë të largët nga zonat e banuara. Prej orës 05:30 të mëngjesit të sotëm të gjitha forcat janë angazhuar në terren. Në terren ditën e sotme kanë zbritur rreth 70 forca, te shërbimit të MZSH-ve, të Forcave të Armatosura te Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), atyre të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, etj.

E gjithë sfida është që të mos preket bimësia e lartë. Forcat po bëjnë të pamundurën për të izoluar flakët dhe ngushtuar perimetrin. Sipërfaqja e djegur deri tani me përafërsi është 200 hektarë, pjesa më e madhe me kullota./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Zjarr në Përrenjas, digjen dy shtëpi të pabanuara

Digjet prej 7 ditësh Mali i Thatë! Vatra aktive në Parkun e
Pamje nga vendngjarja

PËRRENJAS- Një vatër zjarriu u aktivizua pasditën e së dielës në fshatin Bardhaj të Përrenjasit, pjesë e Parkut Kombëtar. Si pasojë e këtij zjarri u dogjën dy shtëpi të braktisura.

Era e fortë favorizoi në përhapjen e flakëve, ku u dogjën rreth 4 hektarë me barë të thatë, dëllinja, pemë frutore dhe pyll dushku.

Zjarrfikësit hasën vështirësi në shuarjen e flakëve, pasi plasën disa fishekë ushtarak dhe granata.

Pas rreth 7 orësh ‘luftë’ me flakët në kushte të temperaturave të larta, erës së fortë terrenit të vështirë dhe ujit, u bë e mundur izolimi i vatrës dhe fikjes së plotë të zjarrit në perimetrin e saj. /ZËRI

Poll

MOS HUMB