LIVE UPDATES

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i Prespës në Korçë! Ministria e Mbrojtjes: 19 vatra aktive në vend

➤ Temperaturat e larta në vendin tonë vetëm sa po shtojnë vatrat e zjarrit. ➤ Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se 19 vatra zjarri janë aktive nga veriu në jug. Më e rrezikshme është vatra që vazhdon prej 6 ditësh në Malin e Thatë. Zjarri ka përmasa më të mëdha në territorin maqedonas. Por, flakët kanë kaluar edhe në territorin shqiptar. ➤ Flakët rrezikojnë përhapjen në pyjet e Parkut Kombëtar të Prespës. ➤ Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikses, Arben Cara tha se në zonë është ndërhyrë me helikopter. ➤ Edhe në Gjirokastër janë aktivizuar 2 vatra, në fshatrat Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël. ➤Situata problematike është në Tërnovë të Bulqizës, ku është kërkuar ndërhyrje nga zjarri.

8 artikuj për këtë temë.
10 MUAJ ME PARE

Përhapen flakët në Prespë, rrezikohet dogana e Goricës! Kërkohet ndërhyrje nga ajri

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
pamje nga zjarri

POGRADEC- Vazhdon të jetë alarmante situata e zjarrit në Prespë, për shkak të përhapjes në shumë drejtime. Vatrat e zjarrit janë përhapur aq shumë sa kanë dalë nga kontrolli dhe rrezikojnë të përfshijnë edhe doganën e Goricës dhe fshatin Goricë e Madhe. Në terren kanë qenë forca nga Bashkia Pustec, Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura dhe efektive të ushtrisë. Në operacionin për shuarjen e flakëve po kërkohet sërish ndërhyrje nga ajri. Era po e përhap zjarrin edhe në drejtim të Pogradecit, përgjatë Malit të Thatë./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Situata me zjarret nga jugu në veri/ Ministria e Mbrojtjes: 19 vatra janë ende aktive, 9 të tjera u shuan

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
PAMJE NGA NGJARJA

TIRANË-Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat lidhur me situatën e zjarreve ditën e sotme. Pas një pune të pandërprerë nga forcat zjarrfikëse u shuan 9 vatra dhe ndërkohë që 19 të tjera janë ende aktive. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 665 forca operacionale dhe 43 automjete, 99 trupa ushtarake, 14 mjete dhe helikopteri i Forcës Ajrore.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Gjatë ditës së sotme, sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në #AKMC, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 28 vatra zjarri. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 9 vatrave, ndërsa 19 mbeten ende aktive.

Situata paraqitet problematike në fshatin Kostar të bashkisë Finiq, ku forcat operacionale me angazhimin edhe të helikopterit Cougar po punojnë për shuarjen e vatrave të zjarrit, për të mos lejuar kalimin drejt fshatit Vllahat të bashkisë Delvinë. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit janë forca të shumta nga strukturat e pushtetit vendor të bashkive Sarandë, Himarë, Gjirokastër, Dropull dhe Konispol, të mbështetura nga efektivët e FA.

Në  fshatin Mërtiraj të bashkisë Selenicë situata është nën kontroll. Ndërsa në fshatin Bashaj, po në këtë bashki është riaktivizuar zjarri i rënë një ditë më parë në sipërfaqe me shkurre. Era e fortë që po fryn në drejtim të fshatit Mesaplik e bën të vështirë ndërhyrjen.

Në Parkun Kombëtar të Prespës, Mali i Thatë zjarri vijon të jetë aktiv, pasi terreni vështirëson shuarjen e plotë të tij. Forcat vendore të bashkisë Pustec ndihmuar edhe nga 27 efektivë të FA po punojnë për ta mbajtur nën kontroll.

Në zonat pyjore të fshatit Rajë dhe Geghysen të bashkisë Tropojë ka një vatër zjarri aktive në drejtim të Qafës së Kolçit, e cila është duke u monitoruar nga punonjës të pyjeve të bashkisë Tropojë.

Në fshatin Kus është izoluar vatra e zjarrit në Malin Lugë, në njësinë administrative Bërzhitë. Vijon të ketë djegie në humus, por nuk paraqet rrezik për përhapje në sipërfaqe më të gjerë.

Në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë, zjarri është aktiv në sipërfaqe livadhore dhe po përhapet drejt një sipërfaqe pyjore. Situata paraqitet problematike. Forcat në terren po punojnë për kufizimin e përhapjes së flakëve.

Në fshatin Selixë të bashkisë së Matit zjarri zhvillohet në tre vatra dhe po punojnë rreth 80 forca të bashkisë dhe Forcave të Armatosura. Temperaturat e larta dhe era kanë rritur intensitetin e vatrave. Po punohet edhe në një vatër në fshatin Maqellarë të bashkisë së Dibrës.

Në vendin e quajtur “Bjeshkët e Xhurajve”, në bashkinë e Shkodrës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore në terren të thepisur dhe të vështirë për të operuar. Zjarri po monitorohet nga strukturat vendore të kësaj bashkie dhe nuk paraqet rrezik për banesa.

Në fshatin Halil të bashkisë së Krujës është riaktivizuar një vatër zjarri. Terreni i vështirë si dhe prania e erës vështirëson ndërhyrjen e forcave.

Zjarri i rënë në fshatin Skuraj të bashkisë së Kurbinit po zhvillohet me intensitet të ulët.

Në afërsi të stacionit të trenit në Milot, në bashkinë e Kurbinit, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse të bashkive Kurbin e Lezhë, duke bërë të mundur largimin e rrezikut nga objektet e banimit.

Mbi fshatin Sotirë në bashkinë e Dropullit zjarri ka kaluar në kurorën e pishave. Helikopteri Cougar i FA është angazhuar në këtë operacion veç zjarrfikësve të bashkisë Dropull, forcave vullnetare dhe 30 forcave të FA.

Në fshatin Luzat të bashkisë Tepelenë, në fshatin Karat të bashkisë Këlcyrë si dhe midis fshatrave Bogovë dhe Dobrushë të bashkisë Skrapar janë raportuar vatra zjarri, në të cilat po punohet nga efektivët zjarrfikës për shuarjen e tyre.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 665 forca operacionale dhe 43 automjete, 99 trupa ushtarake, 14 mjete dhe helikopteri i Forcës Ajrore./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Zjarr i madh në Luzat të Tepelenës, helikopteri po punon për shuarjen

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
PAMJE NGA ZJARRI

TEPELENË-Një vatër zjarri ka përfshirë sot shpatin e malit mbi fshatin Luzat në Tepelenë. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe ndihmës së vullnetarëve nuk është bërë e mundur shuarja e flakëve. Aktualisht në ndihmë ka ardhur edhe një helikopter Coguar për të netrualizuar zjarrin. Në terren ndodhen zjarrfikëset e Memaliajt, Gjirokastrës e Përmetit.

Situatë kritike gjatë ditës së sotme ka qenë edhe në malin e Tërnovës ku zjarri aktiv prej 10 ditësh ka dalë jashtë kontrollit duke djegur dhjetra hektar me bredha, pishë dhe pemë Ahu./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Aktiv prej 10 ditësh/ Zjarri në malin e Tërnovës merr përmasa të mëdha, kërkohet ndërhyrje nga ajri

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
pamje nga vendngjarja

BULQIZË-Zjarri në Malin e Tërnovës, në Bulqizë, i cili ka qenë aktiv prej 10 ditësh, ka marrë përmasa të mëdha. Si pasojë e flakëve janë djegur qindra hektarë me pyje, ndërsa dyshohet se është i qëllimshëm dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Flakët po favorizohen nga era, teksa zjarrfikësit po ‘luftojnë’ për lokalizimin. Ndërkohë është kërkuar ndërhyrje nga ajri./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Përfshihen nga zjarri kodrat e fshatit Kostar në Finiq, era rrezikon përhapjen e flakëve

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
pamje nga vendngjarja

FINIQ- Një zjarr masiv ka përfshirë kodrat e fshatit Kostar, në bashkinë Finiq. Gjithashtu shërbimet zjarrfikëse të Finiqit dhe Delvinës ndodhen në terren, ndërsa po punojnë për shuarjen e flakëve. Po ashtu flakët po përhapen me shpejtësi duke u favorizuar edhe nga erërat që fryjnë.

Ndërkohë zona e Finiqit ka qenë një nga pikat ku flakët kanë sjellë probleme mjedisore, ku Parku Arkeologjik u shkretua nga zjarri./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Zjarri në fshatrat e Delvinës, helikopteri nis ndërhyrjen për të shuar flakët, rrezikojnë banesat

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
Zjarri në Delvinë

DELVINË- Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën mes fshatrave Vllahat dhe Kostar në Delvinë. Zjarri është vetëm 500 metra larg zonës së banuar të fshatit dhe nga momenti në moment mund të rrezikojë shtëpitë e zonës.

Tymi është përhapur në të gjithë territorin, ndërkohë që ka nisur ndërhyrja me helikopter nga ajri për të shuar flakët./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Digjet prej 6 ditësh Mali i Thatë, rrezikohet Parku Kombëtar i Prespës

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
Foto ilustruese

KORÇË- Prej 6 ditësh tashmë vazhdon zjarri në malin e Thatë, por flakët tashmë rrezikojnë përhapjen në pyjet e parkut kombëtar të Prespës. Për të shuar këto flakë në zonë janë 60 forca, 30 prej të cilëve pjesë e Forcave të Armatosura. Vatrat e zjarrit janë shfaqur disa ditë më parë kryesisht në territorin e Maqedonisë së Veriut. Por, së fundmi flakët kanë kaluar edhe në territorin shqiptar.

Drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Arben Cara në një deklaratë për mediat pas inspektimit të zjarrit të madh tha se vatrat po mbahen nën kontroll, edhe falë ndërhyrjes së helikopterit. Po sipas tij, nëse gjatë pasdites nuk do të ketë erë, vatrat e zjarrit mund të shuhet në mënyrë që të mos preket Prespa, e cila është dhe zonë e mbrojtur.

“Situata vazhdon me vatrën e zjarrit aktive prej 5 ditësh, edhe pse kemi ndërhyrë nga toka dhe ajri, duke qenë se shtrirja është me një perimetër shumë të gjatë, mbetet aktive por me përmasa jo shumë të mëdha. Ajo çfarë na bën të vazhdojë është se kemi të bëjmë me një sipërfaqe shkurre, ferra, bar të thatë, të cilën është e pamundur ta menaxhosh me mjete rrethanore dhe për këtë arsye, dje kemi aktivizuar helikopterin “Cougar” i cili ka punuar për një kohë të gjatë dhe ka bërë të mundur mbylljen e një vatre zjarri me perimetër goxha të gjerë. Presim dhe ditën e sotme sipas situatës, pasi forcat operacionale të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, ku do na japin dhe një informacion më të detajuar që të vemë në lëvizje përsëri helikopterin, dhe për ta mbajtur nën kontroll situatën. Ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit kemi aktivizuar rreth 80 forca operacionale nga MZSH, tre bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec, në ndihmë të bashkisë Pustec pranë zjarrfikësve të Pustecit, forca operacionale nga ushtria, agjencia e zonave të mbrojtura, forca të emergjencave civile të cilat aktualisht janë duke shkuar tek vatra e zjarrit e cila kërkon të pakten një kohë minimumi prej tre orësh në këmbë. Pasi forcat operacionale të dislokohen, të shohin situatën në vendin e ngjarjes, do të na japin një informacion të detajuar sa i përket zhvillimit të kësaj vatre dhe më pas do merret një vendim nëse do të kërkohet një ndërhyrje e specializuar nga ajri ashtu si edhe ditën e djeshme e kemi bërë, apo është e mundur të lokalizohet brenda ditës së sotme deri në orët e vona të darkës. Nëse era do të na favorizojë që të mos jetë aktive gjatë ditës, situata e zjarrit mund të ndërpritet dhe mali i Prespës mos preket nga vatra e zjarrit. Nëse era do ta favorizojë është e mundur që zjarri mund të depërtojë në Prespë e cila është dhe zonë e mbrojtur, por drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri që zjarri mos depërtojë në malin e Prespës pasi do të na krijonte probleme më të mëdha sa i përket lokalizimit dhe menaxhimit të saj,"-tha ai. 

Sipas informacioneve paraprake momentalisht e përfshirë nga flakët është bimësia e ulët, ndaj pritet që edhe ditën e sotme të ketë operacion me helikopter nga ajri./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Zjarr në Labovë të Gjirokastrës, zjarrfikësit gjithë natën në ‘luftë’ me flakët

6 ditë flakë në Malin e Thatë, rrezikohet Parku i
Foto ilustruese

GJIROKASTËR- Temperaturat e larta që kanë pushtuar vendin që prej ditës së djeshme kanë rikthyer vatrat e zjarrit. Një vatër zjarri është regjistruar gjatë natës në fshatrat Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël në Gjirokastër. Aksioni për shuarjen e flakëve ka nisur që në orët e para të mëngjesit, e deri më tani janë vendosur nën kontroll, por nuk janë shuar.

Në operacion për shuarjen e flakëve po marrin pjesë 37 forca vullnetare nga Bashkia dhe forcat zjarrfikëse./ZËRI 

Poll

MOS HUMB