Skandali i mikrokredive, Drejtori i Mbikëqyrjes në BSH: Do hartojmë një rregullore për mbrojtjen e konsumatorit
TIRANË- Drejtori i Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Derralla ka deklaruar se Banka e Shqipërisë ka menduar të hartojë një rregullore për mbrojtjen e konsumatorit, përsa i përket çështjes së mikrokredive. I ftuar në emisionin Scan Live, Derralla tha se për këtë gjë, Banka Qendrore do të asistohet nga Banka Botërore. Ai shtoi se në këtë rregullore do të përfshihen edhe bankat dhe se shpreson që deri në fund të vitit, të jetë funksionale.
“Banka e Shqipërisë edhe në situatën e fundit të krijuar, pra duke parë zhvillimet dhe le të themi abuzimet, ka menduar për një rregullore të re e cila do të jetë tërësisht në mbrojtje të konsumatorit. Kjo rregullore do t’i drejtohet kryesisht institucioneve financiare jobanka, por sigurisht që do të përfshijë edhe bankat në të. Kemi mbështetjen e Bankës Botërore dhe është menduar një kufizim i bazës së klientelës së këtyre institucioneve. Banka Botërore tashmë po merret me këtë rregullore dhe ne shpresojmë shumë që brenda vitit ta kemi funksionale,”- tha Derralla.
Banka e Shqipërisë tashmë po shqyrton ankimimet e bëra nga qytetarët që kanë kredi të hapura tek institucionet mikrofinanciare Micro Credit Albania dhe Final, të cilave u është revokuar licensa për shkak të shkeljeve të gjetura në dosjet e mikrokredive. Por, qytetarët, do të duhet të vazhdojnë të kryejnë pagesat për detyrimin që kanë si dhe këshillohen të ruajnë dokumentin e pagesës. Ndërsa, përsa u përket qytetarëve që u ka kaluar dosja për veprime të mëtejshme në përmbarues, Banka e Shqipërisë, në një prononcim për ZËRI-n, u shpreh se kjo është një çështje përtej tagrit të këtij institucioni, por që ankesat do të referohen pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Skandali i mikrokredive/ Guvernatori flet për pagat, rrjeti nis talljen: Do komentojë dhe evropianin
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka qenë i ftuar këtë mëngjes në “Wake Up”, në Top Channel. Ndërkohë që çdo ditë raportohen denoncime nga më të ndryshmet për institucione mikrofinanciare, Sejko ka zgjedhur që të dalë në një emision mëngjesi për të folur për rritjen e çmimeve dhe të pagave në Shqipëri.
Kjo gjë është vënë re dhe nga shumë ndjekës në rrjetet sociale, të cilët kanë nisur talljen. Kjo, për faktin që nuk jemi mësuar të shohim Guvernatorin e Shqipërisë që të flasë në vetë të parë për ekonominë në studio televizive.
Një prej tyre është edhe Vojo Bregu.
Statusi:
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i ftuar në emisionin e mëngjesit?? Këtë jave e paskemi në prime në TV kombëtare. Javën që vjen do fillojë të komentojë nëpër studio Europianin. Keq puna.
Në momentin që ZËRI nisi valën e denoncimeve të institucioneve mikrofinanciare, Sejko u pa vetëm një herë të dalë dhe të flasë publikisht për këtë fenomen. Më pas, u paraqit në Kuvend për të dhënë llogari përpara ligjvënësve.Ndërkohë, nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka qenë shumë e cunguar në dhënien e përgjigjeve kundrejt kërkesave për informacion që ZËRI ka drejtuar në mënyrë zyrtare. Megjithatë, dalja e vetë Guvernatorit në ekrane tregon se Sejko ka vendosur ta mbrojë vetë veten përballë ‘bombës’ që tashmë i ka shpërthyer në dorë.