
TIRANË- Deklaratat në një studio televizive do të përfundojnë në gjyq! E gjitha nisi kur analisti Baton Haxhiu foli për procesin në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj kryedemokratit Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij në emisionin "Të Paekspozuarit", Baton Haxhiu tha se djali dhe vajza e Berishës, kanë bërë "namin", madje shtoi se kanë funksionuar si një strukturë e organizuar.
"Nuk po them sa i korruptuar është Berisha, por që vajza dhe djali i tij kanë bërë namin, këtë e dinë edhe zogjtë në degë... Po flasim për një strukturë të organizuar që ka ndërtuar fuqinë përmes një njeriu që ka qenë në pushtet. Nuk mund të mohojmë këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Shkëlzen Berisha dhe Argita. Argita ka patur numrin aq të madh të firmave që pagunian fee (tarifë) për tu mbrojtur nga ajo dhe ku, si u bë dikush që sapo kishte formuar firmën e drejtësisë në vitin 2005, të kishte kaq biznese për ti mbrojtur?,"-tha analisti.
Sot ka pasur një reagim edhe nga vajza e kryedemokratit, Sali Berisha, Argita Malltezi Berisha. Kjo e fundit, duke iu referuar akuzave për korrupsionin ndaj saj dhe të vëllait të saj, Shkëlzen Berishës, gjatë kohës që babai i tyre ishte kryeministër, paralajmëroi një përballje në gjyq.
"I them z. Haxhiu të vijojë bisedat e tij me zogjtë dhe të mbledhë prova për t’i paraqitur në gjykatë ku do të ftohet të provojë deklaratat e tij, sa senile po aq edhe të pabaza. Haxhiu nuk përmendi asnjë rast për korrupsionin, që shqiptarët të dinin për çfarë e kishte fjalën, sepse edhe ai e di që deklaratat e tij janë fund e krye gënjeshtra,"-tha Malltezi.
DEKLARATA E BATON HAXHIUT:
Një lider duhet të largohet me votë. Kur bëhet pengesë për demokracinë dhe nuk largohet me votë, krijimi i atmosferës për procese gjyqësore është i gatshëm, sepse liderët gjatë mandateve të tyre bëjnë shkarje të qëllimshme ose të paqëllimshme. Ky është rrëfimi për këtë që po flasim. E para, duhet të nisem nga një proces. Berisha e ka patur një takim, marrëveshje, që do apo jo të largohet nga politika, do të mos jetë pengesë e demokracisë, apo do që të ballafaqohet me proceset apo gabimet e tij gjatë pushtetit të tetë viteve të fundit. Ai ka zgjedhur të bëjë betejë dhe beteja e tij ka qenë non-grata dhe procesi gjyqësor. Kjo është fabula jashtë procesit gjyqësor. Atëherë, kur e kemi këtë fabul, fabula tjetër është rikthimi në politikë. Mundohesh të zhvlerësosh procesin gjyqësor duke e bërë politik. Mobilizon njerëz, militantë dhe bën betejë politike me gjyqësinë. Kjo betejë politike, mund të bëhet duke u viktimizuar, për shkak të mungesës së ideve, duke e bërë betejën me një sistem gjyqësor që kontrollohet nga pushteti, apo betejë me ata që kanë krijuar SPAK. Pse ka qenë e rëndësishme ky gjykim për Berishën? Për shkak se ka qenë një personalitet i fortë politik, me beteja të forta, shumë herë të padrejta. SPAK dhe ngritja e tij, ka mundur të bëhet vetëm duke ngritur akt akuzë ndaj një njeriu të tillë. Këto janë gabimet e liderëve që i kanë bërë brutalisht dhe Berisha është njëri prej tyre. Nuk po them sa i korruptuar është Berisha, por që vajza dhe djali i tij kanë bërë namin, këtë e dinë edhe zogjtë në degë... Po flasim për një strukturë të organizuar që ka ndërtuar fuqinë përmes një njeriu që ka qenë në pushtet. Nuk mund të mohojmë këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Shkëlzen Berisha dhe Argita. Argita ka patur numrin aq të madh të firmave që pagunian fee (tarifë) për tu mbrojtur nga ajo dhe ku, si u bë dikush që sapo kishte formuar firmën e drejtësisë në vitin 2005, të kishte kaq biznese për ti mbrojtur? Si është e mundur kjo? Sistemi i drejtësisë sot është krijuar prej Berishës, ose sistemit të Berishës. Fakulteti i Drejtësisë, sistemi i drejtësisë, Prokuroria, e të tjera, nuk ka mundur askush të kalojë pa nënshkrimin e Argitës. Ka qenë proces korruptiv serioz, i pavërejtshëm sepse ka të bëjë me ekselencën akademike dhe gjysmë politike. Sistemi i drejtësisë që është prodhuar nga Fakulteti i Drejtësisë, ka qenë i kontrolluar krejtësisht nga familja Berisha. Nuk mund ti harrojmë këto referenca. Që nga viti 2004 deri në vitin 2013 ose edhe më vonë në 2015 që ka vazhduar, që sistemit i drejtësisë ka qenë krejtësisht i kontrolluar, proceset gjyqësore që kanë qenë në këtë sistem gjatë kohës së Berishës, nuk kanë mundur të kalojnë pa një pullë ku njerëzit e familjes Berisha kanë thënë se si duhet të kalojë procesi, ata kanë vendosur. Kurrë sistemi i drejtësisë nuk ka qenë më korruptiv se në këtë periudhën, 2005-2015. Madje edhe sot ne kemi pasojat e saj. Kemi miliona referenca.
DEKLARATA E ARGITA MALLTEZIT:
Dje, Baton Haxhiu, mjelësi i parave të shqiptarëve nëpërmjet inceneratorëve dhe parave të korrupsionit të Edi Ramës, njësoj si Adriatik Doçi e Karlo Bollino, kreu shërbimin e radhës ndaj Ramës duke më akuzuar mua për korrupsion, për të cilin, në mungesë të provave, iu drejtua bisedave të tij me zogjtë në pemë. I them z. Haxhiu të vijojë bisedat e tij me zogjtë dhe të mbledhë prova për t’i paraqitur në gjykatë ku do të ftohet të provojë deklaratat e tij, sa senile po aq edhe të pabaza. Haxhiu nuk përmendi asnjë rast për korrupsionin, që shqiptarët të dinin për çfarë e kishte fjalën, sepse edhe ai e di që deklaratat e tij janë fund e krye gënjeshtra. Por kur paratë e inceneratorëve dhe pagesat e Ramës të zënë sytë dhe veshët, si dhe kur erzi njerëzor të ka humbur që prej kur në Hagë u prezantove si aset i UDB-së, nuk të intereson më ç’të nxjerr goja, e shfaqjen e senilitetit e ha me bukë. Në fakt, jo ushtar Haxhiu, por fenomeni i gjobëvënies Haxhiu, Doçi, Bollino e kompani, janë shoqëruesit simbiotikë të narkoshtetit të Ramaduros, që ditën fryhen me para publike dhe natën mashtrojnë për llogari të pagatorit të tyre dhe për të kamufluar krimet e këtij të fundit./ZËRI