
ELBASAN- Bashkia e Elbasanit ka nisur një "lëvizje juridike" për ndryshimin e kushteve të kontratës me kompaninë “ECO-ELB”. Kjo lëvizje është e pasuar edhe nga 7 Bashki të tjera që kanë nënshkruar kontratë me të njëjtën kompani. Bëhet fjalë për Bashkitë: Prrenjas, Peqin, Cërrik, Belsh, Gramsh, Librazhd dhe Rogozhinë. Vendimi për rritjen e çmimit është firmosur nga kryetarët e bashkive Elbasan, Gledian Llatja, bashkisë Belsh, Arif Tafani, bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi, bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, bashkisë Gramsh, Besion Ajazi, bashkisë Cërrik, Andis Salla dhe bashkisë Prrenjas, Nuri Belba.
Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar se që prej muajit Maj 2025, e në vijim bashkia e Elbasanit përfshirë dhe bashkitë e tjera kanë vendosur të amendojnë kontratën me shoqërinë aksionere “ECO-ELB”, duke ndryshuar çmimin e pagesës dhe kriteret e shërbimit kontraktual. Me ndryshimin e ri të kontratës, 8 bashkitë nga muaji qershor 2025 e në vijim nuk do kryejnë pagesa drejt “ECO-ELB”, për shërbimin e incenerimit. Por me kontratën e re, pagesat do kryhen vetëm për shërbimin e pranimit të mbetjeve urbane, grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane. Pra është hequr shërbimi i incenerimit të mbetjeve urbane.
KONTRATA:
Vendimi është marrë pasi, gjatë një mbledhje të zhvilluar në 9 Maj 2025 mes anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Shoqërisë Aksionere “ECO-ELB”, çmimi nga 25 mijë lekë për ton të trajtimit në 4 shërbime të mbetjeve urbane, është bërë në 26 mijë lekë për ton. Por çmimi parashikon vetëm pranimin, grumbillimin dhe trajtimin e mbetjeve. Kështu që 8 Bashkitë kanë vendosur që të mos paguajnë më për shërbimin e incenerimit të mbeteve urbane.
Edhe pse me kushtet e reja të kontratës është hequr incenerimi, për shërbimet e tjera, sërish Bashkitë duhet të paguajnë 2600 lekë për 1 ton mbetje.
Lëvizja e bashkive vjen në një kohë kur Prokuroria e Elbasanit ka thelluar hetimet ndaj disa prej drejtorëve Juridikë, shefave të financës të 8 bashkive dhe zyrtarëve të shoqërisë aksionere “ECO-ELB”. Pikërisht për këto pagesa është hapur një dosje hetimore në Prokurorinë e Elbasanit, me akuzën "shpërdorim detyre" dhe "menaxhim të mbetjeve". Për dosjen janë marrë në pyetje javën e kaluar punonjësit e shoqërisë “ECO-ELB”, ndërsa javën që vjen do të pyeten edhe zyrtarët e 8 Bashkive./ZËRI