Ilir Meta nën hetim, kreu i SPAK: Po kryhen kontrolle

TIRANË- Altin Dumani, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka folur edhe në lidhje me sekuestrimet ndaj Monika Kryemadhit, apo hetimet ndaj Ilir Metës.
Teksa ka folur në lidhje me hetimin e nisur ndaj ish-kryetares së Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi dhe ish-presidentit Ilir Meta, Dumani u shpreh se sekuestrimi i telefonave apo kontrollet janë kryer për të mbledhur prova.
“Kontrollet tona janë instrument apo mekanizëm si mjet për të gjetur prova. Sa i takon Metës, është çështje ndaj të cilës po kryhen ende hetime dhe nuk kam një koment”-u shpreh Dumani.
Kujtojmë se telefoni i deputetes së Partisë së Liris Monika Kryemadhit u sekuestrua nga SPAK në kuadër të denoncimeve të bëra për inceneratorët./ZËRI
BKH "mësyn" në zyrat e Delta Pharma dhe farmacitë 'Ditë e Natë', kontroll edhe tek banesa e Ilir Beqajt

TIRANE- Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kontrolluar sot zyrat e kompanisë farmaceutike "Delta Pharma". ZëRI ka mësuar se kontrollet lidhen me koncesionin e sterilizimit, mbi të cilin SPAK është duke hetuar ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Bashkë me BKH për përforcime ndodhet edhe Policia e Shtetit. Po sot, BKH kontrolloi zyrën dhe shtëpinë e ish-ministrit Beqja, për të gjetur dokumentacione dhe kontrata të lidhura prej tij në kohën kur mbante detyrën e ministrit. Burime i thanë ZËRI se kontrollet lidhen me dyshimet që SPAK ka me ish-ministrin, se ai ka favorizuar kompaninë "Delta Pharma" duke ndryshuar kriteret e një tenderi për të lejuar futjen e barnave të pa certifikuara në vend.
Mësohet se kontrolle po kryhen dhe në farmacitë “Ditë e Natë”, që janë pjesë edhe e kompanisë Delta Pharma. Kontrollet janë ushtruar në kuadër të hetimeve për pasurinë e Beqajt. Deri më tani raportohet se nga kontrollet janë sekuestruar dokumenta, kompjuterë dhe mjete të tjera që janë përdorur për komunikim. Megjithatë deri më tani, asnjë reagim zyrtar nuk ka ardhur nga SPAK lidhur me operacionin që ende po zhvillohet pasi Beqaj, në cilësinë e ministrit, dyshohet se e ka shkelur ligjin edhe pse është e parashikuar qartë në ligj se ministri mund të fusë në vend barna të pacertifikuara, vetëm kur vendi përballet me situata emergjente, që në vendin tonë nuk ka patur një shpallje të tillë.
-
SPAK dhe BKH zbarkojnë në banesën e Ilir Beqajt
28 Dhjetor, 12:27
Por pse akuzohet Ilir Beqja?
Ish-ministri ka masën shtrënguese "detyrim paraqitjeje" në Policinë Gjyqësore dhe ndalim dalje jashtë vendit. Ai po hetohet nga SPAK për "shpërdorim detyre" në procedurën e koncesionit për sterilizimin. Atij iu kërkua të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.
Beqja është zyrtari më i lartë në akuzë për kontratat PPP, ndërkohë që për të njëjtën çështje në burg është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. SPAK ka hetuar për 3 vite këtë procedurë ku janë zbuluar shkelje të procedurave me qëllim dhënien e koncesionit, kompanisë së Rrapajt dhe italianit Umbro Staçini. Me caktimin e masës së sigurisë, Beqaj dha dhe dorëheqjen nga posti i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës./ZËRI
Arrestimi i Berishës, Dumani i jep të drejtë dy prokurorëve të çështjes

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani qëndron në një linjë me Arben Krajën dhe Enkelejda Millonain, që kanë në dorë çështjen e Sali Berishës, për procedurat që janë ndjekur për masën e sigurisë ndaj tij.
Dumani tha se nuk mund ti jepet Kuvendit kompetenca që nuk i ka, duke nënkuptuar që masa e sigurisë detyrim paraqitje për Berishën, nuk kishte nevojë që të aprovohej nga ana e Kuvendit.
“Nuk mund t’i japim Kuvendit kompetenca kushtetuese kur nuk i ka. E kemi diskutuar. Është diskutuar edhe me drejtuesin e prokurororisë. Kërkesa është lënë në fuqi nga të dyja shkallët, edhe ajo e parë edhe nga Apeli”, ka thënë i prerë Dumani duke shtuar se tani çështja i takon Gjykatës.
Në një takim me gazetarët, Dumani foli për një sërë ccështjes nën hetim nga ana e SPAK, ndërsa nuk pranoi që të komentonte dosjen në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij./ZËRI
Hetimet për Beqajn, Dumani pranon përplasjet me prokurorët Kondili dhe Nakuçi

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, në një takim që ka pasur gjatë ditës së sotme me gazetarët ka folur në lidhje me përplasjen mes SPAK dhe GJKKO, për masën e sigurisë për Ilir Beqajn.
Dumani ka shpjeguar para gazetarëve, se ka ndërhyrë te prokurorët e çështjes që në muajin Maj të këtij viti, kur u dhanë masat e para, ku lë të kuptohet se ka kërkuar masë më të rreptë dhe ndaj tij.
Kreu i prokurorisë tha se prokurorët e çështjes kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e tij, por edhe të gjyqtarit Erion Bani.
Dumani: “Jemi prokurorë, por s’do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues, që në muajin maj kur nuk ishin dhënë masat e para (për Rrjepaj e Rrapaj). Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish-ministrit. Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia por edhe të gjyqtarit Bani. Kështu funksionon sistemi, ç’mund të them tjetër”.
Edhe më herët, jo zyrtarisht është raportuar për një përplasje mes Altin Dumanit dhe dy prokurorëve të çështjes Ervin Kondili dhe Ened Nakuçi. Gjyqtari Bani ka kërkuar që Ilir Beqaj të ishte nën masën e arrestit dhe jo detyrim paraqitjes, siç kërkuan dy prokurorët. /ZËRI
Inceneratori i Tiranës, kush po hetohet? Kreu i SPAK: Do sqarohet roli i gjithsecilit

TIRANË- Altin Dumani, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka folur për inceneratorin e Tiranës. Në një takim me gazetarët tha se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime. Megjithatë nuk përmendi emra zyrtarësh se cili po hetohet. Madje dhe i pyetur për përfshirjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk i ka asnjë përgjigje konkrete.
"Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë pasur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion (pyetje: edhe ndaj Veliajt). Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet,"-tha Dumani.
Operacioni i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi mbrëmjen e 8 dhjetorit ku u lëshuan 15 urdhër-arreste, mes tyre dhe dy biznemenët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Po ashtu urdhër-arresti u lëshua dhe për drejtorin e Shërbimeve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha./ZËRI
Ku është Arben Ahmetaj? As SPAK nuk e di, Altin Dumani: Përditë po merremi me të

TIRANË- Altin Dumani dhe SPAK ende nuk e dinë se ku ndodhet ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Në fjalën e tij në takimin e fundvitit me gazetarët, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha se Ahmetaj është ende në kërkim. Por nuk ndau asnjë informacion tjetër lidhur me hetimet.
"Arben Ahmetaj për ne është një person që kërkohet ndërkombëtarisht. S’mund të them asgjë mbi informacionet që kërkoni për vendndodhjen, nuk e ndajmë dot këtu. Ai në raport me SPAK është në kërkim. Është një çështje që po hetohet përditë."
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit./ZËRI
Balla "strikt" me policët, Dumani më tolerant: Në Sky ECC çdo bisedë ka policë, s'është vepër penale

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë me dije se në të gjitha përgjimet e siguruara nga aplikacionit i inkriptuar "SkyECC" ka efektivë të Policisë së Shtetit. Por, në takimin e sotëm me gazetarët, Dumani tha se gjithsesi biseda nuk përbën asnjë vepër penale derisa të vërtetohet kompromentimi i tyre.
"Mbajtja e këtyre aplikacioneve nuk përbën vepër penale, jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i komprometojnë, atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa. Por në çdo hetim na dalin një ose më shumë policë, gjithashtu nuk kanë munguar edhe në radhët e prokurorëve, ju marr shembull rastin që tashmë është publik, Xhevahir Lita,"-tha në fjalën e tij Altin Dumani.
Megjithatë ndryshe mendon ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai ka vendosur një ultimatum për të gjithë efektivët e Policisë, duke kërkuar largimin e tyre nga radhët e uniformave blu. Rreth 13.500 punonjës të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës plotësuan një formular vetëdeklarimi, ku duhet të raportonin nëse e kishin përdorur edhe më herët aplikacionin për të kontaktuar me personazhe të botës. Por gjithsesi çfarëdo lloj arsye të shkruajnë policët për përdorimin e aplikacioneve “SkyECC” dhe “EncroChat”, do t'u kushtojë largimin nga detyra.
SPAK, deri më tani, ka rreth 70 policë që po i heton, emrat e të cilave janë shfaqur në “SkyECC” dhe “EncroChat”. Por nuk ka bërë publike listën e plotë./ZËRI
Çështja ‘Mcgonigal’, Altin Dumani: Vetëm Bardhit i kam dhënë informacion sekret

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani i ka dhënë informacione Gazment Bardhit lidhur me dosjen ‘Mcgonigal’. Në një takim me gazetarët sot, Dumani tha se kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka kërkuar informacione lidhur me vijimshmërinë e hetimeve. Por paraprakisht ka firmosur një marrëveshje për të ruajtur sekretin hetimor. Ndërsa për gazetarët ka thënë se nuk mund të japë më shumë detaje veçse faktit që hetimet vazhdojnë.
"Nuk mund të japim informacion, vijojnë hetimet. Kemi pasur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike,"-tha ndër të tjera Dumani.
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së u dënua me 4 vite lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar. Në publikimin e dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal, protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare.
Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI./ZËRI