LIVE UPDATES

Arrestimi i Veliajt, Rama: U mbyll në qeli pa gjyq! Do t'i bashkohem skuadrës së Tiranës

➤Sot u mbajt ceremonia e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës si Kryeqytet i Shqipërisë. ➤Në këtë ceremoni kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka mbajtur fjalimin e saj të parë. Ristani u shpreh se 24 orët e fundit ishin si një ëndërr të keqe, por kryeministri Edi Rama iu ka qëndruar pranë. ➤Nga ana tjetër, Rama la të hapur mundësinë se ai do të kandidojë për deputet në qarkun e Tiranës. ➤Sa i përket arrestimit të Veliajt, Rama tha se gjyqtari u ngut për t’i hequr 'kokën' nga shpatullat bashkisë së Tiranës duke lënë pa drejtim një kryeqytet, pa gjyq.

7 artikuj për këtë temë.
4 MUAJ ME PARE

Kandidat për deputet? Rama: Do t'i bashkohem skuadrës në Tiranë

Arrestimi i Veliajt, Rama: U mbyll në qeli pa gjyq! Do t'i bashkohem
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të garojë si deputet për qarkun e Tiranës! Kryeministri gjatë fjalimit të tij për 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë la të hapur mundësinë se ai do të kandidojë për deputet. Rama tha se pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj me urdhër të Prokurorisë së Posaçme ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të bashkohet me skuadrën e Partisë Socialiste në kryeqytet dhe parashikoi se rezultati i mandatëve të fituara do t'i japë Shqipërisë numrin më të lartë të deputetëve.

"Patjetër që falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që duhet të jem në Tiranë së bashku me skuadrën. Edhe, nuk diskutohet që më 11 maj Tirana do t'i japë Shqipërisë numrin më të madh të deputetëve që i ka dhënë ndonjëherë", tha Rama.

Por, duket se kreu i qeverisë "ka ndërruar mendje" për deklaratën e tij, pasi në një prononcim për "Report TV", ai e mohoi të ketë shpallur kandidaturën e tij si deputet. Gazetarja Raziela Myslimaj e pyeti kryeministrin nëse ka menduar më parë të kandidojë për Tiranën, apo këtë vendim e mori pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Por, Rama preferoi të mos japë një përgjigje të prerë për këtë çështje duke lënë të hapur mundësinë. 

Raziela Myslimaj: E kishit menduar më herët kandidimin në Tiranë, apo tani pas arrestimit të Veliajt?

Edi Rama: Kush e tha? Ku dëgjuat, nuk e thashë.

Raziela Myslimaj: E nënkuptuat?

Rama: E po bëjini përkthimin mirë. 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

“24 orët e fundit si ëndërr e keqe”, flet kryetarja e re e komanduar në Bashkinë e Tiranës: Kryeministri na ka qëndruar pranë...

Arrestimi i Veliajt, Rama: U mbyll në qeli pa gjyq! Do t'i bashkohem
Anuela Ristani

TIRANË- Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka mbajtur fjalimin e saj të parë në ceremoninë që po mbahet me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë. Ristani u shpreh se 24 orët e fundit ishin si një ëndërr të keqe, por do ta rimarrin sërish ritmin e humbur dhe goditja e befasishme “nuk do t’i hutojë”.

“Asnjë nga ne s’do e mendonte që do ishim ne të pesë këtu në podium. Në më shumë se 1 dekadë punë të përditshme, ajo që na ka bashkuar dhe që kemi lënë kockat nuk përputhet me imazhin e xhiruar në 24 orët e fundit. Na duket sikur jemi në një ëndërr të keqe nga ajo sallë ku dje bënim batuta, kalonim informacion. Tirana është më e madhe se ne dhe puna jonë. Çfarë do që bëjmë dhe kush jemi ne, është puna që mbetet pas.

Në fund del në pah edhe e vërteta. Detyra jonë sot e bashkisë Tiranë që ndan dhe ka ndarë misionin dhe vizionin e kësaj skuadre është ta bëjë Tiranën shumë të shkëlqejë edhe fortë. Kryeministri ka qenë më ne gjithë këto orë të vështira dhe e falënderojmë. Ne do ta rimarrim sërish ritmin e humbur dhe goditja e befasishme nuk do të na hutojë”, tha ajo./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

"Ndero babanë"/ Rama për arrestimin e Veliajt: Janë intimiduar dëshmitarë! Kujdes, s'jemi republikë prokurorësh!

Arrestimi i Veliajt, Rama: U mbyll në qeli pa gjyq! Do t'i bashkohem
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur sërish për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranes me rastin e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë, kreu i qeverisë tha se kryebashkiakut iu "pre kontratat me qytetarët" duke iu referuar arrestimit të tij. Po ashtu, në fjalën e tij, kryeministri tha se në procesin e hetimiet ndaj kryebashkiakut, një dëshmitar është intimiduar duke iu përmendur i ati. Por zgjodhi që të mos e zbulonte identitetin e tij. 

"Në fund, thuhet se i hetuari nuk ndjen pendesë… Në procesin e deritanishëm jam dëshmitar për intimidim të personave, janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia, kur jam futur në makinë, jam çuar në një repart a rajon, dhe më është folur për turpin që duhej të ndjeja që po tradhtoja babanë. Një njeriu në atë hetim i është përmendur i ati që është punonjës në shtet duke i thënë ‘mirë është ta nderosh babanë’. Ku jemi këtu? S’ka lidhje me fajësinë apo pafajësinë e Erionit…,”-tha Rama.

Ndër të tjera, e cilësoi edhe si krejtësisht jo normal arrestimin e Veliajt vetëm tre muaj para zgjedhjeve, por edhe akuzën që SPAK ka ngritur dhe po heton ndaj kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka. Ndër të tjera Rama tha se Bushka e ka marrë vesh që është në hetim nga mediat, dhe jo nga prokurori, madje as nuk është marrë në pyetje. Sipas tij, të gjitha këto ngjarje nuk janë shenja aspak të mira dhe se kjo nuk është republikë prokurorësh.

“Kryetarja e Komisionit të ligjeve ka kërkuar të dëgjohet në Grupin Parlamentar, sepse e ka dëgjuar nga TV, jo nga prokurori. Nga gazetarë specialë që kanë dokumente që nuk i kanë as të akuzuarit që është person i dyshuar, kryetarja e Komisionit të Ligjeve. Që të jetë një person i dyshuar që e merr vesh nga TV që është në aktakuzë dhe të mos jetë pyetur asnjëherë… çfarë është kjo? Këto nuk janë shenja aspak të mira dhe dua të shpresoj që janë shenja që nuk lidhen me simptomat e një sëmundje vetëkënaqësie. Kjo s’është republikë prokurorësh. Do ishte autogoli më i madh,”-shtoi Rama.

Fjalimin e tij, që zgjati thuajse 30 minuta, Rama e mbylli me premtimin se do të jetë bashkë më skuadrën e Tiranës në këtë fushatë, pas arrestimit të Erion Veliajt tre muaj para zgjedhjeve. Kështu la të kuptonte se mund të jetë kandidat për deputet në Tiranë më 11 maj. 

PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:

Jemi në një paradosks sepse mungon kryetari i Bashkisë, i zgjedhur nga çerek milionë zgjedhës, për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratën të tijën me qytetarë e Tiranës. Kjo kontratë u ndërpre, nga dikush që unë personalisht nuk e njoh as për fytyrëe. Kush zgjidhet ka një llogari të përvitshmë për të dhënë. Kush zgjedh ta marri pa gjyq dhe ta mbylli në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua se përpara kujt jep, por jo para qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e Bashkisë. Nuk e di nëse Erioni është i pafajshëm apo fajtor. Por ka të drejtën e prezumimit të pafajsisë. Ne kemi zgjedhur që të mos komentojmë edhe kur kryetari i Bashkisë së Tropojës është marrë nga zyra dhe është mbyllur në shtëpi dhe i është ndaluar që të zbatojë kontratën me zgjedhësit, por pa gjyq. Mund të vazhdoj me raste të tjera. I kemi konsideruar lajthitje në objekt duke qenë të bindur se koha dhe reflektimi i brendshëm i institucioneve të reja do të bëjnë të tyren pa pasur nevojë që ne të flasim. Por ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit.

Nuk dua të sjell shembuj nga Europa por dua të them që paraburgimi është një fenomen sui generis me të cilin ballafaqohemi ne këtu. Ne nuk kemi asnjë diskutim në domosdoshmërinë për ta vazhduar këtë luftë kundër korrupsionit. Sot jemi në kushtet kur gjendemi para një çështje kur nuk kemi akuzë për korrupsion por kemi një hetim për një person. Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion, jeta e një njeriu dhe e familjes së tij si rezultta i një novele anonime e depozituar në shkurt të vitit të kaluar. E kam të pamundur që të mos e lidh faktin që përndizet një situatë, zhvillohet një lincim publik dhe hiqet koka nga shpatulla e kryeqytetit 3 muaj para zgjedhjeve. Për mua kjo nuk është normale. Nuk ka një fraglancë dhe një krim, urgjencë, rrezik shoqëror, ka një hetim për jetën e kryetarit të Bashkisë. Sot vetëm një idiot mund të na thotë ne e kontrollojmë drejtësinë. Por ama krejtësisht të bindur se kjo është rruga e duhur.

Unë sfidoj të bëjnë një kërkim e të gjejnë një forcë politike në Europën Lindore që në 5 vite rrjesht ka qepur gojën e vetëm ka thënë ecni përpara, godisni majtas e godisni djathtas. Ka marrë kosto shumë të mëdha nga drejtësia. Nuk ka. Nëse Erjon Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 mijë euro fustanë e bizhuteri nuk kemi çfarë diskutojmë. Por kemi të drejtë të kërkojmë provat. Kemi të drejtë të themi që ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjak.Kryetari i Komisionit të Ligjeve më ka kërkuar, ose ka kërkuar të dëgjohet nga grupi parlamentar. Pse? Sepse e ka dëgjuar nga Tv, jo nga prokurorët, por Tv, gazetarë special që disponojnë dokumente që nuk i kanë as të akuzuarit, se është person i dyshuar. Kryetari i komisioni të ligjeve?! Jo se mund të mos jetë i dyshuar, por të jetë person i dyshuar dhe e merr vesh nga tv se emri i figuron në akt akuzë e të mos jetë pyetur asnjëherë. Ej.. Cfarë është kjo? Të mos i jetë dhënë asnjëherë e drejta e fjalës. Këto nuk janë shenjas aspak të mira. Unë dua të shpresoj që nuk janë shenja që lidhen me simtomat e një sëmundjeje vetëbesimi. E dua të besoj tek ajo që kam thënë. E i qëndroj se kjo nuk është republikë prokurorësh që është në materializimin e saj përfundimtar sepse do të ishte autogoli më i madh që në vullnet të mirë dhe me sy mbyllur do të bënim duke transformuar drejtësinë. Jemi në një paradoks sepse mungon kryetari i bashkisë i zgjedhur nga çerek milionë zgjedhës për të drejtuar kryeqytetin dhe për të realizuar një kontratë të tijën dhe të forcës tonë politike me qytetarët e Tiranës. Dyshimi i arsyeshëm është që kjy veprim është jashtë shinave kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Ne sot, vetëm një idiot mund të na thotë që kontrollojmë drejtësinë. Vetëm një i pafytyrë thotë që nuk i kemi dhënë drejtësinë gjithë pavarësinë që nuk e ka pasur që nga shpallja e pavarësisë në 1912-ën. Të bindur se kjo është kthesa e vërtetë për Shqipërinë dhe fëmijët tanë nesër, që askush të mos jetë mbi ligjin, sot konstatojmë se jemi përballë një sfide tjetër. Pavarësia e arritur duhet të garantojë dhe të garantohet nga profesionalizmi dhe standardet demokratike për garancitë dhe liritë e të drejtat e kujtdo. Prezumimi i pafajësisë nuk thuhet sa për të larë gojën në fund të një aktakuze thuajse 400 faqe, ku flitet deri për persona që nuk kanë shfaqur pendesë. Çfare prezumimi pafajësie njeh ti kur thua se personi që po akuzoj nuk ka shfaqur pendesë. Ku jemi këtu? Nivelin e pendesës e gjykon vetëm gjykatësi. Nuk ka pendesë që mund të bëhet shkak për të rënduar pozitën e personit nga ai që e akuzon. Kjo ka ndodhur, por në një kohë tjetër, kur hetimet bëheshin me direktiva nga Sigurimi i Shtetit. Atëherë ka ndodhur për kriminelë apo njerëz që duheshin nxjerrë si kriminelë domosdoshmërisht. Për çfarë e shkruajnë atë në fund. Jemi në një situatë delikate, jo për ne në aspektin politik, jo në aspektin e raportit tonë me drejtësinë. Nuk më takon mua dhe ne dhe nuk do dëgjohet që Erioni është apo jo i fajshëm, kjo është e drejtësisë. Por ne duhet të ngrejmë shumë pikëpyetje jo vetëm për këtë rast, por për shumë raste të tjera në vijim, duke e mbështetur drejtësinë, por duke kërkuar të drejta

vijon...

4 MUAJ ME PARE

'Do e gjej kush është Nesti Angoni'/ Rama-socialistëve: Po na godasin para zgjedhjeve, do jem unë kryetar bashkie!

Arrestimi i Veliajt, Rama: U mbyll në qeli pa gjyq! Do t'i bashkohem
Edi Rama

TIRANË- Me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kryeministrin Edi Rama duket se do të mbajë edhe detyrën që ka pasur dikur; atë të të parit të Tiranës. Këtë e ka zbuluar vetë duke u shprehur: Unë do të jem edhe kryetar bashkie në distancë. Do të takoj tani të gjithë drejtorët e përgjithshëm!

Në një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste që u mblodh në kushte urgjente, Rama  kishte në krah vetëm ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliun. Në media po qarkullojnë disa prej deklarimeve të Ramës. Numri një i qeverisë ka pranuar se prangosja e Veliajt është një goditje e madhe për socialistët, madje shkon edhe më tej duke u shprehur se e gjitha po ndodh për “arsye elektorale”. Megjithatë nuk sqaron se nga kush vjen kjo “goditje” për socialistët.

Por duket se e ka një ide se kush është “goditësi” duke u shprehur se do të merret vetë me zbulimin e personit që ka bërë denoncimin me identitetin anonim Nesti Angoni.

“Nesti Angoni nuk ka asnjë shans të jetë një njeri i vetëm. Kam dyshimet e mia e do merrem edhe me këtë. S’ka njeri në republikë që mund të bëjë një hetim të tillë për gjithë jetën. Ka një dashakeqësi të madhe ndaj Erionit,”- tha ndër të tjera Rama. Gjithashtu nuk harroi që të sqaronte edhe njëhere se të gjitha shifrat për veshje nuk ishin personale, por për shfaqjet kulturore që kishte organizuar zonja Veliaj.

Fjalimin para socialistëve Rama e ka mbyllur me një kërkesë: Sa më shumë punë për t’u kompensuar dëmi që u mor nga kjo goditje!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

4 MUAJ ME PARE

Arrestimi i Veliajt, Rama: Dorëheqjen harrojeni, dy rrugë më largojnë nga politika

Arrestimi i Veliajt, Rama: U mbyll në qeli pa gjyq! Do t'i bashkohem
Edi Rama

TIRANË-Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rubrikën “Sy më sy”, kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk do të japë dorëheqjen pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u shprehur se “duhet ta harroni”.

Edi Rama: Jo o Ermal, dorëheqjen do e harrosh, ma keni kërkuar qysh kur kam hyrë në politikë. Për të më larguar mua nga politika ka vetëm dy rrugë, ose më largon zemra nëse nuk më rreh mjaftueshmërisht që të më zgjojë të parin në mëngjes dhe të mos më lërë të fle, dhe aty them stop, ose më largon populli i Shqipërisë. Më 11 maj voton edhe populli që është jashtë, jam shumë kurioz si do votojnë ata që thuhet se i dëbova unë nga Shqipëria që sot është me mirë se çka qenë në historinë  vet. Të shohim ça mendimi kanë ata, nëse do votojnë masivisht si dëbues i tyre, ndërkohë që të gjitha shifrat tregojnë se largimi është konstant, atëherë unë do mbaj shënim. Nuk jam unë i kapur pas pushtetit, jam i kapur pas punës.

4 MUAJ ME PARE

Arrestimi i Veliajt/ Rama: Kryebashkiaku do jetë në detyrë! Lanë Tiranën pa kokë, mbyllën nënën e një fëmije 6 vjeç!

 

4 MUAJ ME PARE

Arrestimi i Erion Veliajt, Rama reagon për herë të parë: U mbyll në qeli pa gjyq! Lanë qytetin pa “kokë”

Arrestimi i Veliajt, Rama: U mbyll në qeli pa gjyq! Do t'i bashkohem
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt në rubrikën 'Sy më sy'. Rama tha se arrestimi i kryebashkiakut është një ngjarje e madhe dhe shprehet se është një proces hetimor i çuditshëm. Kreu i qeverisë tha se gjyqtari u ngut për t’i hequr 'kokën' nga shpatullat bashkisë së Tiranës duke lënë pa drejtim një kryeqytet, pa gjyq. Sipas tij u intimiduan dëshmitarët dhe shumë shpejt do të kenë një koment lidhur me arrestimin e Veliajt. 

Edi Rama: Drejtësia e re ka hyrë tani në një fazë që ka fituar të gjithë vetëbesimin e nevojshëm. Mbështetja jonë do të vazhdojë njësoj. Por nuk ka pse të mos i shpresim dhe opionionet kritike që janë të domosdoshme. U ekzaltuan nga arrestimi i Erionit dhe u turrën për të kërkuar dorëheqjen time. Madje jo vetëm oxhaku i vjetër e blozë i partisë së bufit të kënetës, por edhe mangallët e partiçkave, u përdezën nga era e mishit me gjak që të vijnë këtu të kërkojnë dorëheqjen time se u bë deti kos tani. Këtu janë punët e tyre dhe s’kanë lidhje me punën time. Marrja e kryetarit të bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një qytet të tërë pa kokën që e kanë vënë, është një ngjarje e madhe. Lajmi që kam për ju sot është se nuk do ti mbaj më për vete opinionet e mia kur ta shoh të arsyeshme për ti ndarë me publikun. Rastin e Erjonit unë e kam ndjekur për një sërë arsyesh, por ajo që më ka shqetësuar dhe më ka nxitur të bëhem i vëmendshëm ka qenë intimidimi i disa personave të marrë në pyetje. Njerëz të artit dhe kulturës që u gjetën pafajësisht në situatë të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës. Ne nuk do të ngutemi, do të krijojmë një opinion për akt akuzën për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ja heqë kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranës duke lënë pa drejtim një kryeqytet, pa gjyq. Mesa kuptoj këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. I nisur nga një novelë pafundësi fletësh anonime, dorëzuar shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqe ku autorë të veshur me pushtetin e drejtësisë, kanë arritur në pikën që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie, pasi babain e kanë çuar në arrest shtëpie. Pyetja që lind është e thjeshtë, jo vetëm kush e çon e merr fëmijën në shkollë, por kush i jep për të ngrëne etj.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestuar më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules, i cili po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK, u gjeneruan 1.1 mln euro. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi.  Paratë siguroheshin nga ryshfeti që dhanë 5 biznesmenët për leje ndërtimi dhe fonde publike. Nën hetim edhe Klotilda Bushka, e cila akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës./ZËRI

Poll

MOS HUMB