Politikë

Kandidat për deputet? Rama: Do t'i bashkohem skuadrës në Tiranë

Rama u shpreh se Tirana do t'i japë Shqipërisë numrin më të madh të deputetëve. 

k.m.
Kandidat për deputet? Rama: Do t'i bashkohem skuadrës në
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të garojë si deputet për qarkun e Tiranës! Kryeministri gjatë fjalimit të tij për 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë la të hapur mundësinë se ai do të kandidojë për deputet. Rama tha se pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj me urdhër të Prokurorisë së Posaçme ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të bashkohet me skuadrën e Partisë Socialiste në kryeqytet dhe parashikoi se rezultati i mandatëve të fituara do t'i japë Shqipërisë numrin më të lartë të deputetëve.

"Patjetër që falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që duhet të jem në Tiranë së bashku me skuadrën. Edhe, nuk diskutohet që më 11 maj Tirana do t'i japë Shqipërisë numrin më të madh të deputetëve që i ka dhënë ndonjëherë", tha Rama.

Por, duket se kreu i qeverisë "ka ndërruar mendje" për deklaratën e tij, pasi në një prononcim për "Report TV", ai e mohoi të ketë shpallur kandidaturën e tij si deputet. Gazetarja Raziela Myslimaj e pyeti kryeministrin nëse ka menduar më parë të kandidojë për Tiranën, apo këtë vendim e mori pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Por, Rama preferoi të mos japë një përgjigje të prerë për këtë çështje duke lënë të hapur mundësinë. 

Raziela Myslimaj: E kishit menduar më herët kandidimin në Tiranë, apo tani pas arrestimit të Veliajt?

Edi Rama: Kush e tha? Ku dëgjuat, nuk e thashë.

Raziela Myslimaj: E nënkuptuat?

Rama: E po bëjini përkthimin mirë. 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv në 9 raste. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB