Vrasja e të resë në Tiranë/ Policia identifikon autorin: Ishte i shoqi, ka disa ditë që ka dalë nga Shqipëria

TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë me një tjetër njoftim për vrasjen e të resë në një shtëpi me qera në Tiranë. Sipas uniformave blu, viktima është një 24-vjeçare, e cila dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, 25 vite më i madh. Autori është identifikuar si Fadi Alwan, 49 vjeç. Të dy ishin palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.
"Viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës,"-bën me dije Policia.
Po ashtu, Policia e Shtetit ka bërë me dije se autori, pasi ka kryer vrasjen, është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë
Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”. Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.
Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës. Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja. Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.
Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme./ZËRI
Gjaku ishte tharë, partneri i kishte lënë vetëm 10 cent, ZBARDHEN detaje të reja nga vrasja e 24-vjeçares

TIRANË- Më shumë detaje janë mësuar lidhur me 24-vjeçaren e ekzekutuar në një banesë me qera ditore në Tiranë. ZËRI ka mësuar se vajza ishte shtetase gjermane, dhe së bashku me partnerin e saj kishte hyrë në Shqipëri nga Rinasi në datën 19 shkurt. Prej afro 10 ditësh çifti ishte vendosur me qira ditore në banesën që ndodhet në rrugën “Gjon Muzaka”.
Gjaku i 24-vjeçares së pajetë është gjetur i tharë në dysheme, ndaj ka dyshime se vrasja e saj ka disa ditë që ka ndodhur. Ndërkohë në banesë nuk ka asnjë gjurmë të asnjë mjeti identifikimi. Kështu përveç moshës dhe kombësisë gjermane, nuk dihet më asgjë tjetër. Sipas fqinjëve, e reja dhe partneri i saj ishin dëgjuar duke folur në gjuhën arabe. E reja ishte praktikante e fesë islame, pasi banorët e zonës e kanë parë gjithmonë të mbuluar.
Mister mbetet shkaku i vrasjes së saj. Nga kontrolli që Policia ka bërë në banesë, nuk ka gjetur asnjë veç rrobave të saj dhe një monedhe "10 cent", duke ngritur dyshimet se partneri i ka marrë gjithçka pasi e vrarë dhe mund të jetë larguar nga vendi. Aktualisht, Policia ka nisur nga puna për identifikimin e tij, por deri më tani nuk ka detaje të reja./ZËRI
VD- Pamje nga vendi ku u vra e huaja në Tiranë

TIRANË- Një e huaj është gjetur e vrarë me thikë këtë mesditë në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë. Sipas pamjeve të mëposhtme, Policia e Tiranës ka rrethuar zonën, ndërsa po vijon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje. Zona është e rrethuar me kamera, ndërsa pritet këqyrja e pamjeve për të zbuluar autorin e këtij krimi. Sipas dyshimeve të para, 24-vjeçarja e huaj është vrarë nga i dashuri i saj, edhe një i huaj.
Të dy kishin marrë një shtëpi me qera, rreth 10 ditë më parë. Ishte i dashuri i saj, ai qe ka gjetur shtëpinë. Nga personat që banonin pranë tyre është mësuar se çifti ishin gjermanë, por flisnin me njëri-tjetrin arabisht.
Nuk dihet sesa ditë ka qëndruar e reja e pajetë në banesë, pasi është gjetur sot nga pronari i shtëpisë që kishin marrë me qera. Ka qenë ky i fundit ai që ka njoftuar më pas Policinë e Shtetit. Pista kryesore është vrasja nga i dashuri, por personi që ka marrë banesën me qera nuk është gjetur. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar nga Shqipëria./ZËRI
Vritet 24-vjeçarja e huaj, dyshohet se e ka ekzekutuar i dashuri. Kufomën e gjeti pronari i shtëpisë

TIRANË- Zbulohen detaje të reja nga vrasja e 24-vjeçares në Tiranë. Sipas asaj që është mësuar ka dyshime se 24-vjeçarja e huaj është vrarë nga i dashuri i saj, edhe ky shtetas i huaj. Të dy kishin marrë një shtëpi me qera, rreth 10 ditë më parë. Ishte i dashuri i saj, ai qe ka gjetur shtëpinë.
Nga personat që banonin pranë tyre është mësuar se çifti ishin gjermanë, por flisnin me njëri-tjetrin arabisht.
Nuk dihet sesa ditë ka qëndruar e reja e pajetë në banesë, pasi është gjetur sot nga pronari i shtëpisë që kishin marrë me qera. Ai kishte shkuar në banesë pasi kur kishin marrë shtëpinë me qera u kishte kërkuar kartën e ID, por çifti u kishin thënë që nuk i kishin. Kur ka shkuar në një moment të dytë për dokumentet, ata nuk i kanë hapur derën.
Kështu që ka njoftuar më pas Policinë e Shtetit. Pista kryesore është vrasja nga i dashuri, por personi që ka marrë banesën me qera nuk është gjetur. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar nga Shqipëria./ZËRI
24-vjeçarja e huaj gjendet e vrarë me thikë brenda një banese me qira

TIRANË- Një 24-vjeçare e huaj, ende e paidentifikuar me emër, është gjetur e vrarë me thikë brenda një banese të marrë me qera. Sipas asaj që bën me dije Policia e Tiranës, e reja është gjetur e pajetë mesditën e sotme, rreth orës 12.55, në një shtëpi në rrugën "Gjon Muzaka".
Rrethanat e ngjarjes të saj janë ende të paqarta, ndaj kufoma e saj është dërguar për t'ju nënshtruar një ekspertimi në Institutin Mjekoligjor.
Autopsia që do i bëhet trupit të saj mund të zbulojë më shumë detaje lidhur me shkakun e vdekjes. Ndërkohë që ende nuk dihet identeti, shtetësia dhe arsyeja se përse e reja kishte ardhur në Shqipëri.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:55, në rrugën “Gjon Muzaka”, është gjetur pa shenja jete në banesën që kishte marrë me qira, një shtetase (dyshohet e huaj), rreth 30 vjeçe. Gjatë këqyrjes paraprake të trupit janë konstatuar plagë që dyshohet se janë shkaktuar me mjet prerës. Trupi i pajetë do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Grupi hetimor po punon për identifikimin e kësaj shtetaseje, sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit./ZËRI