Mandarinat me pesticide, babai i fermerit kërkon drejtësi: Ne i hamë edhe vetë...po të jenë do kishim vdekur!

BERAT- Babai i fermerit të arrestuar, në fshatin Goriçan të Beratit Elton Tafa, Hekuran Tafa ka folur për shitjen e mandarinave me pesticide nga i biri. Ai pretendon se djali është i pafajshëm. Sipas tij, nuk konsultohej me të birin për çështjen e tregtisë, por shton se edhe vetë i konsumojnë frutat që shesin.
PJESË NGA INTERVISTA:
Pse e arrestuan djalin?
Hekuran Tafa: Nuk di gjë! Ai s’ka vrarë, as s’ka bërë, është i pafajshëm. Nuk di gjë po të them.
I ka shitur mandarinat?
Hekuran Tafa: Nuk e di, nuk e pyes. Mos më ngatërro me mandarinat. Unë nuk e pyes për asnjë gjë atë. Edhe për domatet nuk e pyes. Shite, nuk shite, nuk më hyn në qese.
Cili është apeli ndaj shtetit?
Hekuran Tafa: Të nxjerri të vërtetën!
A e dini që ai pesticid është ndaluar nga BE?
Hekuran Tafa: Nuk di gjë. S’di gjë! Të them kot!
Ju i keni konsumuar vetë ato? Konsumohen ato manderina?
Ato po të ishin helmuese, ne do kishim vdekur!
Ndërkohë, Prokuroria e Beratit informon se ka dyshime se në treg janë hedhur mbi 21.000 kg mandarina me pesticide, të cilat pasi u kthyen nga Kroacia nuk u asgjësuan por janë blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë. Në pranga kanë përfunduar fermeri Elton Tafa nga Goriçani i Beratit, grumbulluesi Arben Dyli dhe inspektori Elson Tahiraj./ZËRI
21.000 kg mandarina me pesticide, arrestohen fermeri, grumbulluesi dhe inspektori

BERAT- Prokuroria e Beratit ka urdhëruar arrestimin e tre personave lidhur me skandalin e mbi 21,000 kg mandarina, të cilat ishin të kontaminuara me pesticide të ndaluara. Në pranga kanë përfunduar fermeri Elton Tafa, Elson Tahiraj, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe grumbulluesi Arben Dyli.
AKUZAT:
Sipas Prokurorisë së Beratit, fermeri Tafa tha se e ka asgjësuar produktin e kthyer nga operatori i biznesit ushqimor në një vend të paidentifikuar. Vetë fermeri pretendoi se e kishte hedhur mallin në landfillin e Bashkisë Dimal, por nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se në landfill në fakt nuk kishte asnjë mbetje produkti. Mandarinat ishin tentuar që të rishiteshin. I njëjti person, në deklarimin që ka thënë për AKU, pretendonte se frutin e kishte hedhur në kanal.
Ndërsa inspektori Tahiraj, i cili ka për detyrë të monitorjë bimët dhe të lëshojë certifikatat fito sanitare pretendon se pas denoncimit ka shkaur dhe ka deklaruar se ka pasur raste që i dërgonte bosh certifikatat tek subjekti dhe vetë subjeti i plotësonte dhe ja dërgonte të plotësuara me foto. Pra nuk merrte mostra për t'i analizuar, por dokumentacionin e plotësonte vetë fermeri.
Si nisën hetimet?
Hetimet nisën pas një kallëzimi të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), pasi autoritetet kroate refuzuan importin e një sasie prej 21,593 kg mandarina të dyshuara për ndotje me pesticidin "Fosmet", një substancë toksike e ndaluar që nga viti 2022. Analizat treguan se frutat përmbanin mbetje të pesticideve mbi normën e lejuar, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin publik.
Fosmet, pesticid u ndalua për përdorim në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse është shumë i dëmshëm për punëtorët dhe konsumatorët e ushqimeve mund të ndotë tokën dhe ujin, është i rrezikshëm për bletët dhe insektet e dobishme.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM BERAT
Dyshime për hedhjen në treg të mbi 21.000 kg mandarina me pesticide, arrestohen me kërkesë të prokurorisë Berat fermeri, grumbulluesi dhe inspektori
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, u arrestuan shtetasit E.T., A.D. dhe E.T. për veprat penale të ‘Shpërdorimit të Detyrës’, ‘Shkelje të rregullave për lëndët helmuese‘, ‘Prodhim dhe shitje të ushqimeve dhe lëndëve të rrezikshme për shëndetin apo jetën e njerëzve‘ dhe ‘Mashtrim me produktet ushqimore‘ të parashikuara nga nenet 281, 288 dhe 288/c të K. Penal. Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.768 mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Autoriteti Kombëtar të Ushqimit, Drejtoria e Përgjithshme Tiranë pas refuzimit në Kroaci të 21593 kg mandarina klementine të dyshuara me pesticide fosmet, rezultoi se produkti është blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë.
Nga analizat, u konstatua se tek kjo sasi mandarinash kishte mbetje pesticidi “Fosmet” mbi normën e lejuar (0.075 mg/kg -vlera elejuar ≤ 0.01 mg/kg). Në një kohë kur ky pesticid është hequr nga përdorimi nga viti 2022 dhe nuk lejohet të përdoret. Konsumimi i një fruti që përmban mbetje të fosmetit mbi nivelet e lejuara mund të sjellë pasoja për shëndetin e njeriut, veçanërisht nëse ekspozimi është i përsëritur, pasi fosmeti është një kimikat toksik. Nga hetimet rezultoi se procedura e kthimit të produktit të pasigurt, është bërë pa dijeninë e AKU dhe fermeri E.T. tha se ka asgjësuar produktin e kthyer nga operatori i biznesit ushqimor në një vend të paidentifikuar. Vetë fermeri pretendoi se e kishte hedhur mallin në landfillin e Bashkisë Dimal ku ndërkohë nga këqyrja rezultoi se nuk kishte asnjë mbetje produkti. Gjithashtu në deklarimin e dhënë në AKU sipas procesverbalit të konstatimit rezulton të ketë deklaruar se e ka hedhur mallin në kanale të rastësishme.
Ndërkohë, punonjësi i DRVMB Berat inspektori E.T., në lidhje me këtë rast, ka deklaruar se punon prej 5-vitesh në këtë pozicion dhe ka për detyrë të monitorjë bimët dhe të lëshojë certifikatat fito sanitare. Ai deklaroi se ka shkuar tek fermeri pas ngritjes së grupit të punës dhe se mostrat i ka marë në pemë tek fermeri. Por duke qënë se është personi përgjegjës i cili certifikon mallrat për eksport, ka deklaruar se ka pasur raste që i dërgonte bosh certifikatat tek subjekti dhe vetë subjeti i plotësonte dhe ja dërgonte të plotësuara me foto dhe ai më pas i regjistronte në databasën e DRVMB.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim edhe me AKU tiranë për të nxjerrë përgjegjësitë nga punonjësit e DRAKU&DRVMB Berat./ZËRI
10 ton mandarina me pesticide nga Kroacia! Arrestohen 3 persona, u hodhën në tregun shqiptar për konsum

TIRANË-Tre perona janë ndaluar nga Prokuroria në Berat në lidhje me 10 ton mandarina me pesticide, të cilat u kthyen nga Kroacia pak muaj më parë. Mandarinat janë hedhur në tregun shqiptar për konsumim. Elton Tafa me profesion fermer ka shitur te shtetasi Arben Dyli (administrator i pikës së grumbullimit) një sasi prej rreth 10 tonësh mandarina me përmbajtje pesticidi “Fosmet”.
Nga autoritetet kroate, janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë pesticidi “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për t’u përdorur. Në këto kushte ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa ne vendin e origjinës, ku rezulton se është tërhequr nga Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur përsëri ne treg duke mos e asgjësuar sipas procedurës përkatëse.
Elson Tahiraj me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes se bimëve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.
Ndërsa, babai i fermerit të arrestuar, Hekuran Tafa tha se i biri nuk ka shitur në treg mandarina që kanë pasur pesticide. Ai u shpreh se djali i tij nuk ka marrë produktet e mandarinave që u kthyen nga Kroacia, teksa shton se është gjobitur nga AKU dhe e kanë lajmëruar se frutat do të asgjësohen.
Për pesticidin “phosmet” që është gjetur në fruta, Hekuran Tafa shprehet se nuk është helmues, pasi ato mandarina i kanë ngrënë të gjithë si familje. Po ashtu, jashtë kamerave ai ka deklaruar se askush nga fermerët nuk idhte në dijeni që ky pesticid ishte i ndaluar nga Bashkimi Evropian dhe se përdorët nga të gjithë.
Njoftimi:
Seksioni për hetimin e Krimit ekonomik-financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës parë të juridiksionit të përgjithshëm Berat, pas hetimeve disa mujore të kryera në kuadër të Procedimit Penal nr.768 të vitit 2024, i regjistruar për veprat penale “ Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyrës”, parashikuar nga nenet 281, 288, 288/c dhe 248 te K.Penal ka bërë ndalimin e shtetasve:
1. Arben Aqif Dyli, i datëlindjes 02.06.1969
2. Elton Hekuran Tafa, i datëlindjes 21.06.1979
3. Elson Petrit Tahiraj, i datëlindjes 10.05.1995
Ndalimi i ktyre shtetasve u bë pasi nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi Elton Tafa me profesion Fermer ka shitur te shtetasi Arben Dyli(administrator i pikës së grumbullimit)një sasi prej rreth 10 tonesh mandarina të cilat më pas subjekti i shtetasit Arben Dyli i ka eksportuar drejt Kroacisë. Nga autoritetet Kroate janë kryer analizat e nevojshme nga ku ka rezultuar se sasia e mandarinave kishte përmbajtje të lartë të pesticidi “Fosmet”, pesticid ky i dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për tu përdorur. Në këto kushte ngarkesa e mandarinave është kthyer mbrapa në vendin e origjinës ku rezulton se është tërhequr nga shtetasi Arben Dyli dhe më pas dyshohet se është hedhur përsëri në treg duke mos e asgjesuar sipas procedurës përkatëse.
Gjithashtu dyshohet se shtetasi Elson Tahiraj me detyrë inspektpor pranë Drejtoris Rajonale të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben Dyli.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës parë të Juridiksionit të përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme hetimore.
Bllokimi i mandarinave shqiptare
Në dhjetor të vitit 2024 të paktën 20 ton mandarina të eksportuara nga Divjaka në vendet e Bashkimit Evropian u bllokuan. Vende si Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania kanë bërë analizat dhe kanë vënë re se në ngarkesë ka mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara për tregtim në BE. Po ashtu, disa ngarkesa janë ndaluar edhe në Kosovë, teksa janë duke kryer analizat mbi produktin.
Por, cilat janë efektet e pesticidit të ndaluar që u gjet tek mandarinat?
Kloperifosi dhe fosmeti janë dy llojet e pesticideve që janë zbuluar në mandarinat që vijnë nga Shqipëria. Kloperifosi nuk është një pesticid që aplikohet për herë të parë në bujqësinë tonë, përkundrazi ka dy hipoteza se përse mandarinat e Konispolit, Lushnjës dhe Beratit dolën të ngarkuara me këto kimikate.
Për shkak të përdorimit të klorperifosit në vitet e kaluara në këto territore mundet që këto mbetje janë përsëri në tokë ose ujë dhe kështu kalojnë në bimë, dhe një rrugë tjetër është qe fermerët të kenë përdorur këto pesticide në spërkatje. Bashkimi Europian, klorperifosin dhe fosmetin i ka hequr nga përdorimi përkatësisht në vitin 2022 dhe 2020, pasi u konfirmuar se këto dy preparatë kishin efekte negative në shëndetin e njeriut. Futja e këtyre dy pesticideve bëhet nëpërmjet rrugës së kontrabandës dhe shitet nën dorë nga farmacitë bujqësore./ZËRI