Vrasja e Martin Canit/ Dëshmia e Mario Përlleshit: Nuk kisha thikë me vete, ia morra palës tjetër

TIRANË-Në kuadër të hetimit për vrasjen e Martin Canit, i mituri Mario Përlleshaj, është marrë në pyetje nga prokurorja e çështjes. Autori i dyshuar i ngjarjes ka deklaruar në prokurori se ditën e ngjarjes nuk ka patur thikë me vete. Përlleshi ka deklaruar se thikën ia ka marrë palës tjetër që ishin në konflikt.
Ndërkohë eshe sipas rezultatit të akt eksperimentit të thikës së krimit, nuk ka asnjë gjurmë ADN-je të Mario Përlleshit. Në thikë, nga gjurmët e gjakut u zbuluan dy profile ADN. Një prej profileve të ADN përputhet me viktimën Martin Cani ndërsa profili i dytë përputhet me profilin e personit të plagosur, Luis Meçja./ZËRI
Vrasja e Martin Canit/ Del rezultati i akt-ekspertimit të thikës së krimit

TIRANË- Kanë dalë rezultatet e akt ekspertimit të thikës së përdorur në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Në thikë, nga gjurmët e gjakut u zbuluan dy profile ADN. Një prej profileve të ADN përputhet me viktimën Martin Cani ndërsa profili i dytë përputhet me profilin e personit të plagosur, Luis Meçja.
Rezultati i akt eksperimentit nuk ka dhënë asnjë gjurmë në lidhje me autorin e dyshuar të krimit, Mario Përlleshaj. Avokati mbrojtës i Mario Përlleshajt pretendon se i mituri ka qëlluar me thikë në kushtet e vetëmbrojtjes. Në seancën e fundit Përrlleshaj i është drejtuar me ankim gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm përmes avokatit të tij, ku kërkon zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi dyshohet se u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Tashmë, ai është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI