A do t’i humbasë Rusia bazat ushtarake në Siri?

SIRI- Të qëndrojnë apo të largohen? Pas fitores së islamistëve në Siri, Rusia peshon si të veprojë në të ardhmen me bazat e saj ushtarake. Në radhë të parë baza e marinës në Tartus është me shumë vlerë dhe e pazëvendësueshme.
A do t’i humbasë Rusia pas fitores së kryengritësve islamistë në Siri dhe arratisjes së presidentit Bashar al-Assad dy bazat e saj ushtarake atje? Kjo çështje është e hapur dhe as që duket se ka shenja për një vendim të shpejtë. Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitri Peskow, tha të hënën se, është “herët” të flitet për këtë. Mediat ruse njoftojnë, se islamistët e ardhur në pushtet në Siri, të drejtuar nga grupi Haiat Tahrir al-Sham (HTS), kanë garantuar sigurinë e bazave ushtarake ruse. Faktet flasin më shumë, se një konfirmim nga burime të tjera nuk ka. Rusia ka dy baza Siri – bazën e marinës në Tartus në Detin Mesdhe, një trashëgimi e Bashkimit Sovjetik, dhe që nga viti 2015 aeroportin ushtarak në Hmeimim.
“Deri tani ndonëse shihen aktivitete të avionëve transportues në Hmeimim, nuk mund të bëhet fjalë për përmasa që të nënkuptonin një evakuim të plotë”, thotë Gustav Gressel, ish-ekspert në European Council on Foreign Relations (ECFR). Anijet ruse vërtet ndodhen në Mesdhe “për manovra”, por ato nuk janë larg Tartusit. “Unë mendoj, se pas kuintave Rusia do të negociojë për t’i mbajtur bazat në Siri”, thotë Gressel për DW. “Nëse do të hiqej dorë prej këtyre bazave, në fakt do të duhej të kishte nisur evakuimi.”
Eksperti: Baza e marinës në Tartus është më e rëndësishme
Historiani ushtarak, kolonel Markus Reisner beson, se baza e marinës në Tartus është për Rusinë “më e rëndësishme në aspektin strategjik”, sepse “që andej forcat mund të projektohen në Mesdhe”. Baza e aviacionit në Hmeimim ka qenë për Moskën e rëndësishme, për të mbrojtur regjimin e Assadit nga rebelët. “Por tani kjo arsye bie”, konstaton Reisner.
Politologu britanik Mark Galeotti, autor i librit “Luftrat e Putinit”, beson, se të dyja bazat janë “shumë të rëndësishme për aktivitetet ruse në Mesdhe dhe në Afrikë”. “Është interesant, se sa shpejt ajo (Rusia) po përpiqet të arrijë një marrëveshje me HTS”, thotë Galeotti. Së fundi ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov e pati cilësuar këtë grup si “terrorist”, javën e kaluar Moska filloi t’i quajë ata “rebelë”. Qysh përpara rrëzimit të regjimit të Assadit toni i Moskës kundrejt islamistëve në Siri po bëhej “shumë më i sjellshëm”, nënvizon Galeotti.
Çfarë mund t’u ofrojë Moska rebelëve?
“Rusia shpreson për një marrëveshje me HTS”, thotë Galeotti. Por çfarë mund të ofrojë Moska? Rebelët ndonëse mbështeten nga Turqia, ata “nuk duan të jenë zëvendësues turq, atyre u duhen aleatë dhe marrëdhënie”, vlerëson Galeotti. Këtu hyn në lojë Rusia. “Rusët janë mjaft cinikë dhe pragmatikë, kjo mund t’i japë një shans HTS që të diversifikojë varësinë prej Ankarasë”, mendon ekspreti britanik, Në këtë kontekst ai kujton, se Moska është e pranishme jo vetëm ushtarakisht në Siri, por ruan edhe marrëdhënie ekonomike.
Burcu Ozcelik, eksperte për Lindjen e Mesme në thintank-un britanik RUSI, nuk është e bindur, që rebelët sirian mund t’i përgjigjen shpejt dëshirave të Moskës. “Është mjaft e dyshimtë, që HTS të nxitojnë, për ta pranuar si aleat (presidentin Vladimir) Putin ose të japin dritë të gjelbër për një prani afatgjatë ushtarake ruse në bregdetin sirian të Mesdheut”, vëren Ozcelik. “Në radhë të parë në sfondin, që Assad ka marrë azil në territorin rus”. Ozcelik parashikon bisedime të gjata, në të cilat aktorët rajonalë, Rusia dhe Irani “do të përpiqen që të përshtasin politikën e tyre të jashtme ndaj Sirisë.”
Për ku do të largohet ushtria ruse nga Siria?
Nëse ushtria ruse do të duhet të largohet nga Siria, kjo edhe sikur të bëhet pjesërisht, për ku do të zhvendoset ajo? “Ata nuk kanë opsione të mira”, thotë Mark Galeotti. Sipas mendimit të tij Siria nën Assadin ka qenë e varur fort prej Moskës. Nuk ka asnjë vend tjetër të tillë në rajon.
Ndër opsionet e mundshme, që përmenden më shpesh, janë Libia, kur Rusia mban kontakte me gjeneralin Chalifa Haftar. Në krah të tij kanë luftuar mercenarë rusë të grupit Wagner”. Në shtypin perëndimor është njoftuar për synimin e Rusisë, që të krijojë një bazë marine në Libi. Fjala mund të jetë për Tobruk, beson Markus Reisner.
Mark Galeotti thotë, se ky opsion nuk mund të realizohet shpejt, sepse atje nuk ka infrastrukturë të gatshme. E njëjta gjë vlen edhe për Sudanin, me qeverinë e të cilit Moska prej vitesh negocion për një bazë të marinës ushtarake në Detin e Kuq. “Kudo që të shkojnë ata – në Libi, Mali, Sudan – nuk do të gjejnë një pozitë si në Siri”, thekson eksperti.
Pasoja të kufizuara për luftën ne Ukrainë
Në këtë kontekst diskutohet edhe një tjetër çështje: Nëse Rusia tërheq ushtrinë nga Siria, çfarë do të thotë kjo për luftën ruse në Ukrainë? “Për të qenë të sinqertë këto pasoja nuk mund të merren në konsideratë”, mendon Galeotti. Sipas tij numri i forcave, që mund të zhvendosë Moska nga Siria për në frontin ukrainas, nuk ka peshë.
Ngjashëm argumenton edhe Gustav Gressel. Ai konstaton, se: “Për Ukrainën lajmet e mira (nga Siria) janë të kufizuara”. Rusia nuk ka aftësinë dhe dëshirën, të hapë një front të dytë, ndërkohë që po bën luftë me të gjitha mjetet kundër Ukrainës. “Nga dobësimi i Iranit prej luftës së Izraelit po ashtu Ukraina nuk mund të përfitojë ndjeshëm”, tërheq vëmendjen eksperti. E vetmja pasojë e dukshme pozitive për Kievin mund të jetë, që “disa njerëz në Perëndim mund të bëhen më të guximshëm”, dhe që “dobësimi i Putinit mund t’i bëjë përshtypje Trumpit”, nënvizon Gressel. Por nëse do të ndodhë kështu, kjo është një çështje e hapur./DW
Kryeministri i ri u bën thirrje refugjatëve: Siria tani është një vend i lirë, kthehuni!

SIRI-Kryeministri i përkohshëm i Sirisë, Mohamed al Bashir është zotuar të garantojë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Siri. Në një intervistë me gazetën e përditshme italiane Corriere della Sera, al-Bashir u bëri thirrje refugjatëve sirianë në mbarë botën që të kthehen në atdheun e tyre, pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad.
“Apeli im u drejtohet të gjithë sirianëve jashtë vendit: Siria është tani një vend i lirë që ka rifituar krenarinë dhe dinjitetin e saj. Kthehuni! Pas përfundimit të sundimit të familjes al-Assad, tani është e nevojshme të rivendoset siguria dhe stabiliteti në të gjitha qytetet siriane në mënyrë që njerëzit të mund t’i kthehen jetës normale”, tha al-Bashir.
Ai thotë se qeveria e tij Hayat Tahrir al-Sham (HTS) po “trashëgon një administratë të fryrë të rrënuar nga korrupsioni” dhe këmbëngul se ai do të qëndrojë në detyrë vetëm deri në mars 2025.
Al-Bashir në fjalën e tij distancoi rebelët nga lidhjet me Al Kaedën, duke thënë se ata e shtrembëruan kuptimin e vërtetë të Islamit dhe se Perëndimi nuk duhet të lidhë muslimanët me terrorizmin. Një prioritet tjetër për al-Bashir është të trajtojë “pasigurinë” e shërbimeve thelbësore në Siri si energjia elektrike, ushqimi dhe uji. Bashir pritet të qëndrojë në detyrë deri në mars./ZËRI
VIDEO- Rebelët sirianë djegin varrin e babait të Bashar al-Assadit

SIRI-Varri i babait të presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad, Hafez, u dogj në qytetin e tij të lindjes, Qardaha , sipas pamjeve të AFP-së të marra të mërkurën.
Monitoruesi i luftës sirian për të drejtat e njeriut i tha AFP se rebelët i kishin vënë zjarrin mauzoleumit, i vendosur në qendër të Latakisë së komunitetit alavit të Asadit. Pamjet tregojnë rebelët dhe njerëzit e thjeshtë që e shikojnë tymin që del nga djegia e varrit të Hafezit.
Për gjysmë shekulli, familja Assad sundoi mbi Sirinë me një dorë të hekurt, me raporte të dokumentuara gjatë për torturat masive të burgosjeve, vrasjet jashtëgjyqësore dhe mizoritë kundër popullit të tyre. Të dielën, pas 13 vitesh lufte civile që copëtoi vendin, regjimi u rrëzua. Luftëtarët rebelë e shpallën Damakun "të çliruar" në një deklaratë video në televizionin shtetëror, duke e dërguar presidentin sirian Bashar al-Assad të arratisej në Rusi./ZËRI
Sundimi i al-Assad! “Pilulat xhihadiste” droguan mijëra ushtarë, depot në duart e rebelëve

SIRI-Skandalet e regjimit Bashar al-Assad nuk kanë të mbaruar. Ndër të tjera, al-Assad ishte përfshirë në një biznes të madh që prodhonte pilula Captagon, me eksporte në Lindjen e Mesme, ku përdorimi i tyre tani konsiderohet si një plagë dhe në Evropë.
Stimuluesi ilegal Captagon (ose fenetilin) është një drogë psikoaktive sintetike, e cila sipas studimeve shkencore ka një kompleksitet kimik unik që e bën atë veçanërisht të fuqishëm, shkruajnë mediat e huaja. Medikamenti u bë veçanërisht e njohur si "pilula xhihadiste" pasi u përdor në një shkallë të gjerë për të nxitur vrasjen e forcave ushtarake dhe torturuesve jo vetëm të Bazar al-Assad, por të gjithë luftëtarëve të Shtetit Islamik.
Për gjysmë shekulli, familja Assad sundoi mbi Sirinë me një dorë të hekurt, me raporte të dokumentuara gjatë për torturat masive të burgosjeve, vrasjet jashtëgjyqësore dhe mizoritë kundër popullit të tyre. Të dielën, pas 13 vitesh lufte civile që copëtoi vendin, regjimi u rrëzua. Luftëtarët rebelë e shpallën Damakun "të çliruar" në një deklaratë video në televizionin shtetëror, duke e dërguar presidentin sirian Bashar al-Assad të arratisej në Rusi./ZËRI
Refugjatët sirianë kthehen në vend pas rënies së Assadit, disa vende “ngrijnë” kërkesat për azil

DAMASK- Mijëra refugjatë, ata që kaluan kufirin e Sirisë, si dhe shumë nga brenda, po kthehen në Damask, pas rënies së regjimit të Assadit. Euforia në vend pas zhvillimeve të fundjavës është e dukshme. Kolonat e makinave që kthehen në Damask janë gjithashtu të mëdha. Megjithatë, pas rënies së Bashar al-Assad, disa vende evropiane kanë pezulluar shqyrtimin e kërkesave siriane për azil.
Evropa “ngrin” kërkesat për azil për sirianët
Qeveria e përkohshme e Austrisë ka ndaluar të gjitha kërkesat për azil nga sirianë dhe u shpreh se po bën plane për të riatdhesuar ose deportuar njerëzit në vendin e tyre, duke argumentuar se situata në vend ka ndryshuar rrënjësisht. Gjermania (shtëpia e një milion sirianë), Britania e Madhe dhe Franca kanë thënë se do të ndalojnë vendimet për azilin për momentin. Danimarka, Norvegjia dhe Suedia kanë njoftuar nga ana tjetër se po pezullojnë shqyrtimin e kërkesave për azil për refugjatët sirianë.
Që nga viti 2011, sipas OKB-së, më shumë se 14 milionë sirianë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë. Ndërkohë, mijëra sirianë të mërguar në Liban dhe Jordani po kthehen në shtëpi. Por në kufirin libanez, fluksi ishte në të dy drejtimet.
Turqia ndihmon në kthimin e refugjatëve
Turqia po forcon aftësitë e saj në pikat kufitare me Sirinë, në mënyrë që refugjatët sirianë të kthehen më lehtë në atdheun e tyre lajmëroi ministri i Brendshëm.
“Deri tani kemi pasur një kapacitet prej 3000 kalimesh në ditë dhe e kemi rritur në 15-20000”, tha Ali Gerlikaya.
Shumë refugjatë sirianë që jetojnë në Turqi nxituan në jug të vendit për t’u kthyer në Siri sapo u bë e ditur se Bashar Al-Assad ishte rrëzuar. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi të hënën rihapjen e pikës kufitare Yalantagi në provincën Hatay, e cila ishte e mbyllur që nga viti 2013. /ZËRI