LIVE UPDATES

Vendimet e Qeverisë: Subvencion për transportin publik, 'OK' pullave fiskale, 'kufij' politikë për Gardën, kompensim për fermerët

➤Këshilli i Ministrave zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku miratoi një sërë vendimesh që prekin fusha të ndryshme të jetës ekonomike dhe sociale në vend. ➤Kompanive të transportit publik qytetas, ndërqytetës dhe rrethqytetas do tu rimbursohet me 50 lekë çdo litër naftë. ➤Një tjetër vendim që u miratua në mbledhjen e sotme ishte edhe shtimi i elementëve të sigurisë së pullave fiskale. ➤Efektivët e Gardës së Republikës së Shqipërisë tani do të përballen me rregulla të reja që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet politike. ➤Qeveria vendosi të miratojë masën e dëmshpërblimit për pronarët e kafshëve të prekura nga murtaja e ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025. 

5 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Sezoni turistik 2026: Qeveria vendos afatin, kontratat e plazheve brenda qershorit

Vendimet e Qeverisë: Subvencion për transportin publik, 'OK'
foto ilustruese

TIRANË- Bizneset dhe hotelet që marrin me qira hapësira në plazhe do të lidhin kontratat me shtetin brenda muajit qershor për sezonin turistik të vitit 2026. Vendimi, i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i firmosur nga kryeministri Edi Rama, përcakton gjithashtu se ndryshimet në kontratat ekzistuese dhe ato të reja për përdorimin e hapësirave të plazhit mund të bëhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.

Vendimi parashikon që dhënësi i hapësirës së plazhit, në bashkëpunim me njësinë vendore, mund të propozojë ndryshime për shkak të ndryshimeve të kapacitetit, zonës së plazhit ose zhvillimeve bregdetare, duke garantuar respektimin e marrëveshjes së dyanshme.

VENDIMI

PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.649, DATË 16.10.2024,   KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT””,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 64, të  ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në rregulloren bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 16.10.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit””,  të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Pas  pikës 5, të nenit 14, shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:

“5/1. Përjashtimisht, për vitin 2026, afati kohor për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacionit të plazheve, të parashikuar në pikën 5, të nenit 4, të kësaj rregulloreje, do të jetë brenda muajit qershor.”.

b) Në nenin 5 të shtojcës  I,  “Kontrata model për përdorimin e hapësirës së plazhit”, që i bashkëlidhet rregullores, shtohen pikat 3 dhe 4, me këtë përmbajtje:

 “3. Dhënësi, në bashkëpunim me njësinë e vetëqeverisjes vendore, mund të propozojë amendime në këtë kontratë, në rastet e ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregujore, vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve.

4. Për kontratat ekzistuese të lidhura për përdorimin e hapësirës së plazhit, ndryshimet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, kryhen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve, nëpërmjet nënshkrimit të amendimit të kontratës.”.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

2 MUAJ ME PARE

Kompensohen fermerët e prekur nga murtaja e bagëtive, mbi 50 milionë lekë dëmshpërblim

Vendimet e Qeverisë: Subvencion për transportin publik, 'OK'
Foto ilustruese

TIRANË- Qeveria vendosi të miratojë masën e dëmshpërblimit për pronarët e kafshëve të prekura nga murtaja e ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025. Sipas vendimit të sotëm në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, fermerët e kafshëve do të dëmshpërblehen në masën 53 345 500 lekë në total.

Pronarët do të dëmshpërblehen nga buxheti i vitit 2026 i miratuar për Ministrinë e Bujqësisë.

V E N D I M

PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË VLERËS SË DËMIT DHE TË DËMSHPËRBLIMIT TË PRONARËVE PËR KAFSHËT E THERURA, TË ELIMINUARA, TË SHKATËRRUARA E TË GROPOSURA NGA SËMUNDJA E MURTAJËS SË RUMINANTËVE TË VEGJËL NË VITIN 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 49, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e dëmshpërblimit, në masën e përgjithshme prej 53 345 500 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e dyzet e pesë mijë e pesëqind) lekësh, pronarëve të kafshëve që janë therur, janë eliminuar, janë shkatërruar dhe janë groposur, pasi kanë rezultuar pozitive me sëmundjen e murtajës së ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025, në bazë të analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Pronarët dëmshpërblehen nga buxheti i vitit 2026, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga shpenzimet korrente, në programin buxhetor 04220 “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

2 MUAJ ME PARE

Ndryshime në rregulloren e Gardës, vendosen 'kufijtë': Ndalohet angazhimi politik, lejohet organizimi në sindikata

Vendimet e Qeverisë: Subvencion për transportin publik, 'OK'
foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën disa ndryshime dhe shtesa në rregulloren e Gardës së Republikës së Shqipërisë. Me vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama, janë vendosur kufizime të reja për angazhimin politik të punonjësve të Gardës së Republikës.

Bëhet fjalë për ndryshime që prekin nenin 158 të rregullores së miratuar në vitin 2021 dhe lidhen kryesisht me sjelljen, angazhimin politik dhe të drejtat e punonjësve të Gardës.

Sipas vendimit të ri:

-Punonjësve të Gardës u ndalohet të mbështesin fushata politike, të kontribuojnë fizikisht apo financiarisht për parti, kandidatë apo organizata politike, si edhe të shprehin publikisht bindjet apo preferencat e tyre politike.

-Pjesëmarrja në mbledhje dhe tubime të partive politike është e ndaluar edhe kur punonjësi nuk ndodhet në detyrë.

-Efektivët e Gardës nuk mund të kandidojnë apo të zgjidhen në funksione politike pa hequr më parë dorë nga detyra.

-Njohja e së drejtës së punonjësve të Gardës për t’u organizuar në sindikata, për të mbrojtur interesat profesionale dhe të drejtat e tyre sipas ligjit në fuqi.

VKM-ja ngarkon Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e tij dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

V E N D I M

PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.777,  DATË 15.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 70, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në pikën 13, të nenit 158, të rregullores, që i bashkëlidhet vendimit nr.777, datë 15.12.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Fjalët “… së përditshme duhet të zbatojë normat e sjelljes …” zëvendësohen me “… së tij, zbaton rregullat …”.

2. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“dh) të mos mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose duke kontribuuar fizikisht ose financiarisht, dhe të mos shprehë publikisht bindje apo preferenca politike. Punonjësit të Gardës i ndalohet të marrë pjesë, edhe nëse nuk është në shërbim, në mbledhje e në tubime të partive, të shoqatave dhe të organizatave politike.”.

3. Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë”, “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:

“ë) Ka të drejtë të organizohet në sindikata për të mbrojtur interesat e tij profesionalë dhe të drejtat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi;

f) Të mos kandidojë dhe të mos zgjidhet, pa hequr dorë më parë nga detyra, në funksione politike;

g) Të mos kryejë veprimtari politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, si dhe të mos kryejë veprimtari, që përbën konflikt interesi apo që mund të krijojë përshtypjen se punonjësi i Gardës së Republikës është i njëanshëm dhe i ndikuar.”.

II. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

2 MUAJ ME PARE

Kriza e çmimeve, ministri Karakaçi: Kompensim 50 lekë/litër karburant për transportin publik

Vendimet e Qeverisë: Subvencion për transportin publik, 'OK'
Enea Karakaçi

TIRANË- Qeveria ka miratuar sot një vendim për subvencionimin e shoqërive të transportit publik, me qëllim mbështetjen e operatorëve për përballimin e kostove të larta të karburantit. Vendimi u njoftua nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Sipas ministrit, kompensimi do të jetë 50 lekë për çdo litër nafte të konsumuar nga subjektet e transportit publik, duke përfshirë linjat urbane, ndërqytetase dhe rrethqytetase.

“Në mbledhjen e qeverisë kaluam disa akte, por ajo që do ndalem është një akt i rëndësishëm i marrë në kuadër të masave subvencionuese që qeveria shqiptare ka marrë në kohën e krizës së hidrokarbureve. Bëhet fjalë për  masën e subvencionimit për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rreth qytetas. Para një muaj u ulëm me shoqatat e transportit dhe kemi dëgjuar shqetësimet e tyre. Në atë kohë dhamë fjalën që do kishim një masë subvencionuese sic kishim edhe në 2022. Sot e kemi miratuar, bëhet fjalë një kompensim 50 lekë për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik, qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas. Këta masë do ta fillojmë që në muajin mars”, tha ministri.

Ministri Karakaçi theksoi se kjo masë synon të lehtësojë barrën financiare të kompanive të transportit, të cilat kanë kërkuar mbështetje për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe presionit financiar mbi sektorin.

VENDIMI

I.  TË PËRGJITHSHME

1. Kompesimin e shoqërive të transportit për linjat qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse, në masën 50 (pesëdhjetë) lekë për litër karburanti, për një periudhë trimujore, mars, prill, maj 2026. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.

2. Efektet financiare, prej 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, do të përballohen nga:

a) fondi rezervë i buxhetit të shtetit;

b) buxheti i Bashkisë Tiranë, respektivisht, për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT

1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore, nën juridisksionin e së cilës ai është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.

2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) Kopjen e licencës përkatëse të vlefshme për transportin qyetetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;

c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;

ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;

d) IBAN-in e llogarisë bankare, jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë;

dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 dhe 2026;

e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, duhet të paraqesin edhe:

i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për  transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;

ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve.

3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji prill 2026.

4. Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administriata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve punë, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.

5. Administrata tatimore pas verifikimit të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.

6. Kur shpenzimet përballohen nga Bashkia Tiranë, administrata tatimore, pas verifikimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, i dërgon, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë Bashkisë Tiranë, në tërësi, dokumentacionin e administruar dhe listën përmbledhëse të subjekteve përfituese dhe vlerave.

7. Bashkia Tiranë, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.

8. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit maj 2025, si vlerë reference për  kompesim do të merret  vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar – shkurt 2026.

9. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.

10. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfituesve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve punë.

III. ÇËSHTJE TË FUNDIT

1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 gusht 2026.

2. Efektet financiare, prej 250 000 000 (dyqind e pesëdhjetë milionë) lekësh, do të përballohen nga:

a) fondi rezervë i buxhetit të shtetit, në masën 120 000 000 (njëqind e njëzet milionë) lekë;

b) buxheti i Bashkisë Tiranë, respektivisht, për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës, në masën 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekë.

3. Ngarkohen Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Pullat e reja fiskale, Malaj zbulon risitë: Ja si do të 'gjurmohen' produktet! Kolapsi i e-Albania? Do merren masat

Vendimet e Qeverisë: Subvencion për transportin publik, 'OK'

TIRANË- Ministri i Financave, Petrit Malaj, komunikoi për mediat vendimet e miratuara në mbldhjen e qeverisë ditën e sotme. Malaj bëri me dije se janë diskutuar disa amendime lidhur me elementët e pullave fiskale.

Sipas ministrit Malaj, këto amendime përfshijnë rritjen e elementëve të sigurisë, për të reduktuar mundësinë e falsifikimit, si dhe vendosjen e teknologjisë track and trace, që lejon autoritetet tatimore dhe doganore të ndjekin produktin nga prodhuesi ose importuesi deri te konsumatori.

Një tjetër risi, sipas ministrit, është bar kodi në pullat fiskale, që mund të skanohet përmes telefonit. 

“Propozimet që ne sjellin janë disa risi, së pari rriten elementët e sigurisë që e bëjnë të pamundur ose ulin mundësinë e falsifikimit të tyre. Nga ana tjetër do të vendosim edhe teknologjinë track and trace në pullat fiskale, duke u dhënë mundësi autoriteteve si tatimore edhe doganore që të ndjekin produktin që nga prodhuesi ose importuesi deri te konsumatori.  Nëpërmjet një telefoni do të skanohet produkti dhe të merret informacion se kush është prodhuesi, importuesi, data kur ka hyrë në Shqipëri apo informacione të tjera në dobi të sigurisë ushqimore”, tha ministri Malaj.

Malaj u pyet edhe për ndërprerjen e shërbimeve të platformës e-Albania, e cila do të jetë jashtë funksionit nga 15 maji, ora 22:00, deri më 18 maj, ora 08:00.

“Në rast se vonesat do të sjellin penalitete për qytetarët, qeveria do të marrë të gjitha masat,” tha ministri./ZËRI

Poll

MOS HUMB