Policia kordon pranë bllokut të ministrive, Bardhi u afrohet: Pse pengoni marshimin, në cilin vend ndodh kjo
TIRANË-Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi është parë duke iu drejtuar efektivëve në protestën që po zhvillohet në këto momente në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Bardhi pyeti efektivët se përse po hedhin ujë duke provokuar protestuesit dhe kërkoi të mos pengojnë marshimin.
“Edhe bulevardin e ka marrë Belinda dhe Edi Rama. Policia po zbaton urdhra të paligjshëm. Edhe bulevardin e ka marrë Belinda dhe Edi Rama. Po në ç’vend të botës del policia në marshim proteste paqësore? Në cilin vend të btoës pengohet protesta?
Si zbatoni urdhra të paligjshëm ju? Si pengoni një protestë në mënyrë të paligjshme? Nga kush i merrni urdhrat ju?
A ishte protesta paqësore? Pse provokoni? Pse bllokoni rrugën? A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm?
Shkoni dhe arrestoni Belinda Ballukun dhe Edi Ramën, ata që kanë vjedhur shqiptarët, jo qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit.”, u shpreh demokrati, Gazmend Bardhi kundrejt uniformave blu.
Tensione në tubim! Policia hedh ujë e gaz lotësjellës, protestuesit përgjigjen me molotovë
TIRANË-Protestuesit e PD-së kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Brendshme, pasi kanë mbaruar me fjalimet para Kryeministrisë. Policia nuk ka lejuar marshimin duke ndërhyrë me shpërndarjen e protestuesve përmes hedhjes së ujit dhe gazit lotësjellës.
Nuk vonoi shumë hedhja e molotovëve nga ana e protestuesve, pavarësisht se ishte lajmëruar për një protestë paqesore. Kreu i Partisë Demokratike dhe përfaqësues të tjerë të kësaj force politike janë siguruar me maskë anti-gaz./ZËRI
Nis protesta pa fjalime! Demokratët në shesh thirrje me megafon: Rama ik
TIRANË-Ka filluar protesta e opozitës para kryeministrisë, ku i pranishëm është kreu i PD, Sali Berisha, anëtarë të partisë dhe qytetarë demokratë. Protesta do të zhvillohet në formën e një marshimi, pa fjalime politike.
Në nisje të protestës janë bërë thirrje me megafon: Rama ik!
Policia e Tiranës ka marrë masat për mbarëvajtjen e këtij tubimi, teksa ka theksuar se leja e dhënë është vetëm për në bulevardin qendror.
Protesta e PD! Skënder Hita mbërrin te kryeministria, jep udhëzimet për uniformat blu: Ruani qetësinë
TIRANË-Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka shkuar në Kryeministri, ku ka inspektuar masat e marra për mbarëvajtjen e protestës të thirrur sot nga Partia Demokratike. Hita i ka kërkuar grupit të menaxhimit të shërbimeve policore të angazhuara me shërbim, të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë profesionalizëm në garantimin e rendit dhe sigurisë.
Drejtori i Policisë së Shtetit ka njoftuar se leja i është dhënë PD për të zhvilluar protestën vetëm në bulevard, e në rast shkeljesh ligjore, do të merren masa. Rreth 1,500 efektivë policie janë angazhuar në terren./ZËRI
Sot protesta! Opozita "zbarkon" para Kryeministrisë, policia vendos "kufijtë": Leja vetëm në bulevard
TIRANË- Sot në orën në orën 19:00 Partia Demokratike ka thirrur protestën e radhës në kryeqytet, përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve, autoritetet policore kanë njoftuar kufizime të lëvizjes në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke nisur nga mesnata e sotme.
Për të menaxhuar protestën, Policia bëhet me dije se do të angazhojë më shumë se 1200 efektivë policie, ndërsa i bën apel organizatorëve që të respektojnë vendin e përcaktuar dhe orarin e njoftuar.
Në kuadër të masave të njoftuar një ditë më parë, që prej mbrëmjes së djeshme, nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të tubimit, është bllokuar lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Gjithashtu nga ora 15:00 e ditës së sotme dhe deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Njoftimi i policisë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 08.05.2026, në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.
Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.
Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Një ditë më parë, kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se protesta është e autorizuar vetëm në zonën e bulevardit. Në një konferencë për mediat, Hita bëri me dije se çdo devijim nga itinerari i miratuar do të sjellë ndërhyrjen e strukturave ligjzbatuese.
“Përsa i përket protestës që do të zhvillohet nesër, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi Hita ditën e djeshme gjatë një konference për mediat.