LIVE UPDATES

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe Kodi Rrugor! Diskutohet pr.ligji për taksat

➤Këtë të enjte, Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancën e radhës plenare. ➤Seanca nisi me 1 minutë heshtje në nderim të ish-kryetarit Servet Pëllumbi që u nda nga jeta dy ditë më parë. ➤Rendi i ditës shkaktoi përplasje dhe debate të forta mes palëve. ➤Mazhoranca rrëzoi kërkesën e PD që kërkoi ndryshimin e rendit të ditës për të zhvilluar diskutime për Raportin e Parlamentit Evropian. ➤Po ashtu, kërkesa e Klevis Balliut për interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me AKSHI-n, u rrëzua: me 19 vota pro, 60 kundër. ➤Në rend dite është parashikuar gjithashtu një seancë pyetje-përgjigje me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, me kërkesë të deputetes demokrate Ina Zhupa. ➤Po ashtu, në seancë pritet të diskutohen edhe disa projektligje.

9 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

'8 vila luksoze pranë TEG"-Këlliçi i kërkon llogari IKMT dhe IMT dhe Bashkisë së Tiranës: Kush po i ndërton?

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
Belind Këlliçi

TIRANË-Nga seanca plenare deputeti Belind Këlliçi ka denoncuar ndërtimin e një resorti me 8 vila që sipas tij ndodhet pas zonës së TEG. Me pamjet e resortit në dorë, Këlliçi ngre pyetjen se në pronësi të kujt janë këto vila dhe a është dhënë një leje ndërtimi për to.

“Dua të bëj një denoncim të ri për një resort me 8 vila i cili më njoftojnë se ndodhet pas zonës së TEG. Dua të di nga IKMT dhe IMT apo Bashkia e Tiranës kush janë zyrtarët që kanë ndërtuar këto 8 vila, kush banon në këto 8 vila dhe a ka leje apo ndonjë miratim qeveritar për ndërtimin e këtyre 8 vilave luksoze në zemër të Tiranës”,– shprehet Këlliçi.

2 MUAJ ME PARE

'Hipokrit..!’ Braçe debat për naftën me Berishën: Ti flet me mënd, di dhe italisht më mir se Berlusconi

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
Sali Berisha dhe Erion Braçe

TIRANË-Deputeti Erion Braçe në Kuvendin e Shqipërisë ngriti shqetësimin lidhur me çmimin e hidrokarbureve. Gjatë fjalës së tij, Braçe nënvizoi se çmimet u rritën edhe për shkak të krizës, por megjithatë u shpreh kritik lidhur modelin e tregut në vend. Deputeti iu përgjigj se është e tepërt që të flasin njerëz që për 14 vite nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë. Braçe tha se qeveria ka dhënë për të paktën 6 vite naftë falas për fermerët, ndërsa kritikoi skemën e re që heqë subvencionin e naftës.

Sali Berisha: Gjatë qeverisë sime ka pasur 32 licenca nafte, por nuk ka patur 400 mijë tonë kont qeveritare nafte. Gjatë asaj periudhe ka pasur 400 mijë automjete dhe janë zhdoganuar 720 mijë tonë naftë dhe prodhoheshin në vend 200 mijë ton naftë në ballash, kurse sot 400 mijë ton vijnë nga Libia, kush e merr atë? Atë e marrin vetëm qeveritarët, ato shkarkohen për qeveritarët. Kjo është problemi i naftës. Nëse edhe në taksën më të lartë në botë je mëkatari më i madh ndaj qytetarëve të ty, ndaj fermerëve të tu. Po të mos ishe hipokrit, prisja të nisje grevën e urisë për çmimin e naftës për fermerët, por të hoqi Lubia nga Fieri dhe nuk pyet më për të fare.

Erion Braçe: Kur flasim këtu kam një diferencë të madhe me njërin, unë flas me letra, ai flet me mend. Nëse është një diferencë mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, nëse flasim për modelin. Të çohen njerëz që për 14 vite, kurrë nuk i dhanë një litër naftë bujqve pa akcizë, është e tepërt, minimumi 6 vjet rresht bujqit kanë marrë naftë falas, pa lekë fare. A jam unë dakord me këtë që u bë tani, jo s’jam dakord, veçanërisht me argumentin se abuzohej. Abuzohet, ndëshkohet dhe politika shkon deri në fund.

2 MUAJ ME PARE

Refuzohen interpelancat! Bardhi-Peleshit: Jep dorëheqjen. Kryeparlamentari: Janë çështje në hetim nga SPAK

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
Gazmend Bardhi dhe Niko Peleshi

TIRANË-Debatet nuk kanë munguar në seancën e sotme plenare, ku me votat e mazhorancës, u rrëzua kërkesa e disa ligjvënësit demokratë për interpelancë me kryeministrin Edi Ram për çështjen e abuzimit me tenderët e AKSHIT.

Refuzimi u prit me kundërshtime nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi i cili i kërkoi kryetarit të Parlamentit Niko Peleshi të japë dorëheqjen. Bardhi pretendon se Peleshi nuk po zbaton Kushtetutën. Nga ana tjetër kryeparalmentari në replikë u shpreh se AKSHI është çështje në hetim dhe interpelanca do ishte ndërhyrje në pushtetin e drejtësisë.

Debati:

Gazmend Bardhi: Zoti kryetar, që ju jeni një shkelës i rregullores, këtë se kam dyshim se e keni kërkesën dhe në Kushtetuese. Po ne e kemi vëmendjen në çdo moment. Ju i keni refuzuar grupit parlamentar të PD-së një interpelancë urgjente me kryeministrin, lidhur me skandalin e AKSHIT. Keni kthyer përgjigje se si në shkelje flagrante refuzoni këtë interpelancë. Sipas rregullores, duhej të kishte njoftuar seancën plenare te njoftimet që ka ardhur një kërkesë për interpelancë, dhe ju në shkelje të së drejtës, e keni refuzuar. Po e them publikisht dhe për seancën plenare, të tre kërkesat e fundit që keni refuzuar në interpelancë do i çojmë në Kushtetuese për konflikt interpelancash, Po tejkaloni procedurat, po asgjësoni të drejtat e opozitës, parlamentarizmin deh demokracinë. Është përgjegjësi e juaj direkte. Nëse nuk keni kompetencë që të sillni Ramën në seancë, jepni dorëheqje. Ke frikë t’i thuash kryeministrit; zotëri e ke detyrim kushtetues që të vish në seancë. Nuk ke guxim. Dorëhiqu nga ajo pozitë të patën!

Niko Peleshi: Së pari, interpelanca, si instrument kushtetues i kontrollit parlamentar, nuk mund të përdoret qe anëtarët e Këshillit të Ministrave të japin shpjegime mbi çështje që janë nën hetim penal, për të cilat ata nuk kanë as kompetencë, për t'u shprehur, dhe për të cilat çdo ndërhyrje apo komentim do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve Së dyti, përmbajtja e kërkesës, në thelb, përbën një përpjekje për të transferuar në sallën e Kuvendit një debat që i përket ekskluzivisht juridiksionit të organeve të drejtësisë, duke synuar krijimin e nje "gjykate politike" mbi bazën e informacioneve të paadministruara në mënyrë perfundimtare nga autoritetet gjyqësore. Një qëndrimi tillë bie ndesh me standardet kushtetuese të shtetit të së drejtës dhe me rolin e Kuvendit si organ ligjvënës dhe jo si organ hetimor apo gjykues. Së treti, pyetjet e drejtuara në kërkesë presupozojnë ekzistencën e dijenisë së Kryeministrit mbi elementë të detajuar së një hetimi penal, çka nuk gjen mbështetje në një normë ligjore Kryeministri nuk ka detyrimin ligjor të ketë dijeni mbi përmbajtjen e dosjeve hetimore, as nuk mund të kërkohet prej tij të komentojë mbi to, per aq kohë sa këto çështje janë nën juridiksionin të organeve të drejtësisë.

2 MUAJ ME PARE

"Ka njerëz në qeveri që s'duan të bëjnë punën", Braçe lexon përgjigjen e ministrit: S'dua të bëj interpelancë me ty

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
andis salla-erion brace

TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe, ngriti shqetësimin në Kuvend për shtyrje interpelancash dhe nuk i kurseu kritikat ndaj qeverisë dhe ministrave. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kritikoi ministrinë e Bujqësisë për mos kthim të përgjigjeve lidhur me disa informacione që kishte kërkuar për interpelancat me anëtarë të kabinetit qeveritar.

Braçe lexoi edhe përgjigjen e ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, i cili ka refuzuar të bëjë interpelancë me të. Socialisti ngriti zërin, duke theksuar sipas tij se, disa në qeveri nuk duan të punojnë.

“Sot kanë skaduar afatet për kërkesat për informacion me ministrinë e brendshme, bashkinë e Tiranës, me AMF-në, me AKU-në, të gjitha në funksion të një interpelance me ministrin e Brendshëm, dy interpelannca me ministrin e Infrastrukturës dhe një me ministrin e Bujqësisë. Unë e kuptoj që edhe nëpër zyra shteti ka njerëz që nuk duan ta bëjnë punën, por që të kenë këtë mungesë respekti për Kuvendin, është e tepërt...I jam drejtuar Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve në kuadër të interpelancës që thashë dhe kam marrë dy përgjigje prej tyre, një prej agjencisë e cila thotë “nuk është kompetencë e imja të kthej përgjigje” dhe një nga ministri që thotë “ nuk dua të bëj interpelancë me ty se nuk e kam kompetencë”. Kam marrë ligjin për shërbimin veterinar që ngarkon ministrinë e Bujqësisë për problematikën që kërkon informacion lidhur me kafshët shoqëruese, të braktisura, shëndetin e tyre dhe mënyrën e trajtimit të tyre”.

“I kam kërkuar të shprehet për kontrollet e ushtruara ndaj organeve të pushtetit vendor. Unë e kuptoj që ka njerëz edhe në qeveri që nuk duan të bëjnë punë e tyre. Unë jam këtu për të bërë punën time. Në qoftë se kjo histori vazhdon kështu që 7 kërkesave nuk u përgjigjet askush, më mirë na thoni të mos bëjmë kërkesë për marrje informacioni, as të mos bëjmë interpelanca. Çfarë e dinë këta Kuvendin e Shqipërisë?”, deklaroi Braçe.

2 MUAJ ME PARE

Ministren e Shëndetësisë a jua kanë zënë sytë? Korreshi: Po na hanë minjtë në pediatrinë e Lushnjës, të vijë ajo se...

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
Saimir Korreshi

TIRANË- Dëputetët demokratë prej kohësh kërkojnë interpelancë me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, ndërsa munga e saj nuk ka kaluar pa u komemtuar prej tyre me ironi e kritika. Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ironizoi sërish mungesën e ministres Sala në sallë, për të cilën tha se duhet të japë llogari për një çështje që ai e sjell nga Lushnja.

Teksa fliste, Korreshi demostronte pamje të pediatrisë së Lushnjës nga telefoni i tij, duke thënë 'po na hanë minjtë'. 

“Kisha një pyetje, atë ministren e Shëndetësisë a ju kanë zënë sytë? Doja ti tregoja pamjet e pediatrisë së Lushnjës, po na hanë minjtë. Po lozin minjtë te pediatria. Nuk është ajo godina që do rregullohet. Të vijë ajo ministrja, të lërë ato buzët e kuqe se s’po e sjellim për pilaf. Por bëhet fjalë për fëmijët. Po na hanë minjtë. Sa herë që pyes unë për interpelancë, ajo nuk vjen.", u shpreh Korreshi. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Aksidenti në Durrës, shtyhet diskutimi për Kodin Rrugor! Balla: PS ka depozituar amendamente për masa parandaluese

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
Taulant Balla

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi në seancën e sotme shtyrjen e diskutimit për çështjen e Kodit Rrugor, për të shqyrtuar dhe për të pasur më shumë kohë.

Referuar aksidentit tragjik në Durrës ku humbën jetën dy të mitur, socialisti u shpreh se PS-ja ka depozituar disa amendamente për masa parandaluese ndaj të gjithë shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

“Nisur nga diskutimet që bënë ditën e hënë, referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur në Durrës. Dy deputetë të PS, kanë depozituar disa amendamente, për marrjen e masave parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve të papërgjegjshëm, dhe në këtë mënyrë për të lënë kohë që edhe kolegë të grupit parlamentar të PD dhe komisioni po ashtu dhe ministria përkatëse kërkojmë shtyerjen e diskutimit të kësaj çështje me qëllim që të kemi konsensus të plotë. Besoj biem të gjithë dakord për ta shtyrë bashkë me kolegët”, tha Balla.

Në seancën e të hënës, Balla kërkoi nga foltorja e Kuvendit ndërhyrje dhe ndryshim të Kodit Penal dhe Rrugor. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Rrëzohet kërkesa e PD për debat mbi raportin e PE për Shqipërinë, Balla: Javën tjetër diskutimi

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
balla-bardhi

TIRANË- Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e PD për të futur në rend dite diskutimet për raportin e PE për Shqipërinë. Në nisje të seancës, deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës, për të futur si çështje diskutimi raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë.

"Meqë jemi të integrimi dua të sjell në vëmendje që mazhoranca që po bën veprime për përjashtimin e opozitës nga procesi, ka vijuar njëlloj edhe në këto ditë, edhe kur raporti bën thirrje për bashkëpunim.

Nesër keni thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit, dua të informoj këta që ngrihen në foltore dhe kërkojnë bashkëpunimin e opozitës, se i vetmi forum ku ne jemi të përfaqësuar, na vjen një axhendë që nis me Taulant Ballën dhe mbyllet me 10 Taulant Balla të PS.

Në axhendë nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës”, tha Bardhi.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se diskutimi mund të presë deri javën e ardhshme, ndërsa s’mund të miratohet pa e bërë vetë Parlamenti Europian.

“PE këtë dokumentin do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë parlamenti. Na kërkohet ta miratojmë ne para se ta bëjë PE. Ne jemi shumë të gatshëm, por e kemi planifikuar javën tjetër më 14 maj. Kjo historia për të marrë këtë 2-minutëshin këtu, kjo nuk shkon. E para na bën qesharakë se do të presim ta miratojë PE. Besoj se do të jemi një delegacion nga ne në PE. Projektrezoluta e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional. E mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet”, tha Balla.

Pak para nisjes së seancës, PD kërkoi ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend dhe i kërkoi kryeparlamentarit Niko Peleshi që të fusë në rend diskutimet për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Kuvendi nis me 1 minutë heshtje në nderim të Servet Pëllumbit (VIDEO)

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
kuvendi

TIRANË- Kuvendi është mbledhur këtë të enjte në seancë plenare, e cila u hap me një minutë heshtje për ish-kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, që u nda nga jeta më 5 maj.

“Grupi parlamentar i PS ka kërkuar të mbahet një minutë heshtje solemne në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi”, tha Niko Peleshi, ndërsa kërkesa u pranua unanimisht.

Deputetët u ngritën në këmbë në nderim të Servet Pëllumbin.

Servet Pëllumbi u përcoll dje për në banesën e fundit me një ceremoni solemne në Teatrin e Operas dhe Baletit ku figura të shquara të politikës, intelektualë dhe qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Sot seancë plenare në Kuvend! Nga interperlanca me Ramën, ministrat dhe...Çfarë pritet të diskutohet

KUVENDI-Rrëzohen interpelancat e PD-së për AKSHI-n, shtyhet edhe
kuvend

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës plenare, që pritet të nisë në orën 10:00. Në rend të ditës është parashikuar interpelancë me kryeministrin Rama dhe me ministrin e infrastrukturës Enea Karakaçi, të kërkuara nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Në seancë pritet të përfshihen gjithashtu diskutime për disa projektligjeve të rëndësishme, mes tyre ndryshimet në Kodin Rrugor, ligjin për shtetësinë dhe mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit me lëndë djegëse.

RENDI I DITËS:

Në mbështetje të urdhrit nr. 30, datë 5.5.2026 të Zëvendëskryetares së Kuvendit, znj. Klodiana Spahiu, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 4.5.2026. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)

2.Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. (Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 97 të Rregullores së Kuvendit)

4.Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. (Në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 96 të Rregullores së Kuvendit)

5. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.

7. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 2, me shkëmbim të letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024”.

8. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar”.

9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. (Në mbështetje të neneve 81, pika 2, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, si dhe neneve 55, 73-77 të Rregullores, shumicë e cilësuar votash për miratim) Pyetje Shprehet nismëtari Shprehet Komisioni përgjegjës për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike Dhënie mendimi Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen Dhënie mendimi Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme Dhënie mendimi Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Diskutime (Shprehen grupet parlamentare) Koha e votimit

10.Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë””.

11.Projektligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”.

12.Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”.

13.Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”.

14.Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

15.Projektligji “Për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse”.

16.Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit të Zyrës së Avokatit të Popullit”.

17.Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit të Zyrës së Avokatit të Popullit”.

18.Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.

19.Projektvendim “Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”.

20.Projektvendim “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”.

21.Projektvendimi “Për miratimin e listës së audituesve ligjorë, të cilët do të bëjnë auditimin e llogarive financiare për vitet 2024-2025 të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

22.Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës së Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU)”.

(Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, të neneve 9, pika 2 dhe 10, pika 1, të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, të nenit 9, pika 1, të ligjit nr. 8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, i ndryshuar”, si dhe të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, shumicë e thjeshtë votash për miratim)

23.Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Poll

MOS HUMB