Aksidentoi për vdekje dy të miturit, shoferi: Isha me 30 km/h, kisha pirë një birrë në mëngjes
DURRËS-Është zbardhur dëshmia e Nikoll Radaçit, 57-vjeçari i cili shkaktori aksidentin tregjik në Durrës, ku dy fëmijë të moshës 10 dhe 12 vjeç humbën jetën, ndërsa një 8-vjeçar mbeti i lënduar. 57-vjeçari ka deklaruar se ka devijuar mjetin për të shmangur një automjet që i doli papritur nga një rrugicë lagjeje dhe përfundoi mbi trotuarin ku ndodheshin fëmijët.
Në pyetje-përgjigjet me oficerin e Policisë Gjyqësore, ai thotë se nuk kujton detaje lidhur me automjetin tjetër dhe as nuk i njeh fëmijët. Shoferi është shprehur se ka qenë me rreth 30 km/h, ndërsa pohoi se përpara se të drejtoja automjetin kishte pirë një birrë.
Nikoll Radaçi: Rreth orës 14:00 dola nga shtëpia bashkë me mjetin dhe do shkoja të merrja një vegël pune te një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë dhe papritur në një rrugicë lagjeje doli një automjet. Unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa në trotuar jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat.
Pyetje: Ju pretendoni që automjeti ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje me këtë mjet?
lidhje me ketë automjet?
Përgjigje: Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.
Pyetje: A i njeh fëmijët me të cilët jeni përfshirë në aksident?
Përgjigje: Jo nuk i njoh.
Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?
Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.
Pyetje: Në zbatim të procedurës standarde ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?
Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar, sa më sipër janë thëniet e mia të cilat pasi i gjej të shkruajtura drejt, i firmos pa vërejtje.
Aksidenti fatal në Durrës/ Policia nuk kreu detyrën? AMP nis hetimet, banorët pretendojnë se e kanë kallëzuar shoferin
DURRËS- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë, lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër. Siç bën me dije AMP, sipas pretendimevetë qytetarëve, policia nuk ka reaguar në kohë ndaj sinjalizimeve dhe denoncimeve të vazhdueshme për qarkullimin e mjeteve me shpejtësi të lartë në këtë zonë.
Sakaq, AMP pritet të verifikojë nëse ka shkelje të detyrës nga ana e efektivëve dhe nëse janë ndjekur procedurat për trajtimin e ankesave të qytetarëve.
“Ngjarja e rëndë ka ngritur dyshime mbi reagimin e strukturave policore dhe nëse janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e rrezikut, pavarësisht denoncimeve të mëparshme të banorëve. AMP pritet të verifikojë nëse ka shkelje të detyrës nga ana e efektivëve të policisë dhe nëse janë ndjekur procedurat për trajtimin e ankesave të qytetarëve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përgjegjësive ligjore ndaj personave përgjegjës”, thuhet ne njoftimin e AMP.
Një ditë pas aksidentit tragjik të shkaktuar nga 57-vjeçari i dehur Nikoll Radaçi, kryepolici Skënder Hita pezulloi nga detyra deri në përfundim të hetimeve zinxhirin komandues të policisë Durrës.
Konkretisht, tre drejtues së Policisë së Durrësit janë pezulluar nga detyra për performancë të dobët, pas aksidentit të rëndë ku dy fëmijë të moshë 10 dhe 12 vjeç humbën jetën dhe një tjetër u lëndua.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo./ZËRI
"Është penduar..."! Aksidentoi për vdekje 2 të miturit, avokatja e shoferit: Rrezikon 5 deri në 20 vite burg

DURRËS-Nikoll Radaçi, autori i aksidentit tragjik në Durrës me dy fëmijë të vdekur e një të plagosur është paraqitur sot në gjykatë, ku ka zgjedhur të mos flasë dhe nuk ka dhënë asnjë deklarim para trupit gjykues. Avokatja e tij ka treguar detaje nga procesi gjyqësor që u zhvillua në Gjykatën e Durrësit, ku ndaj 57-vjeçarit u caktua masa ‘arrest me burg’.
Gecaj tha se ndaj tij rëndojnë 3 akuza, ndërsa rrezikon nga 5 deri 20 vite. Avokatja deklaroi se klienti i saj Nikoll Radaçi është rëndë psikologjikisht, ndërsa shtoi se ai ka shprehur pendesë për ngjarjen.
Avokatja Arta Gecaj: Gjykata caktoi masën arrest me burg për të pandehurin. Nga prokuroria kanë ardhur 3 akuza që rëndojnë ndaj të pandehurit. Ai nuk ka folur para gjykatës, nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Unë jam caktuar nga shteti për të realizuar mbrojtjen. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit. Për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për shkaktim të vdekjeve. Ai rrezikon nga 5 deri në 20 vite parashikohet dënimi me burg. Po ashtu ai akuzohet dhe për largim nga vendi i aksidentit. Ai ka shprehur pendesë. Edhe sot dukej në gjendje të rëndë psikologjike. Atyre që ai ka shprehur, i qëndron akoma.
Tragjedia në Durrës/ Manja te "Ligjet": PS do t’i propozojë Kuvendit ndryshime në Kodin Rrugor (VIDEO)
TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, njoftoi se Partia Socialiste do t'i drejtohet Kuvendit me një propozim për ndryshime në Kodin Rrugor. Nisma që vjen pas aksidentit tragjik të ndodhur mesditën e 3 majit, në Durrës, ku humbën jetën tragjikisht dy të mitur.
Manja njoftoi nismën që në nisje të Komisionit, duke shtuar se po shqyrtohen të gjitha boshllëqet ligjore për të bërë ndryshimet e duhura në kodin rrugor dhe penal, si përgjigje ndaj ngjarjes. Po ashtu, Manja theksoi se shoferi Nikoll Radaçi duhet të marrë dënimin e merituar dhe nuk meriton të jetë pjesë e shoqërisë.
“Ky komision ka përgjegjësi që këtë ngjarje të rëndë që ka ndodhur ta përkthejë në ndryshime ligjore. Së bashku me disa kolegë të mazhorancë do ti drejtojmë kuvendit shumë shpejt do të propozojnë ndryshime në kodin rrugor dhe atë penal si kundërpërgjigje adekuate të kësaj situatë. Po shohim të gjitha boshllëqet që ka kodi për të bërë ndryshimet e duhura. Autori i kësaj vepre penale gjithçka mund të përfaqësojë, nuk meriton të jetë më mes nesh dhe të marrë ndëshkimin shembullor sipas ligjit”, tha Manja.
Mbremjen e djeshme, gjatë seancën plenare në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe kërkoi ndryshim dhe ashpërsi të Kodit Penal, duke e konsideruar ngjarjen në Durrës si një 'vrasje me dashje'.
Pas tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, paralajmëroi rishikim të Kodi Penal i Shqipërisë, duke theksuar se ndëshkimet aktuale nuk janë të mjaftueshme për raste të tilla të rënda./ZËRI