LIVE UPDATES

Dhimbje dhe lot! U jepet lamtumira dy fëmijëve që vdiqën në aksident, pezullohet kupola e Policisë Durrës

➤Në shtëpinë e dy fëmijëve, 10 dhe 12 vjeç të cilët u përplasën për vdekje teksa luanin nga shoferi i dehur, janë hapur dyert e mortit. ➤Ndërkohë 8-vjeçari, i cili mbeti i plagosur në aksidentin e ndodhur në zonën e ish-Kënetës ka kaluar gjendjen e rëndë dhe është jashtë rrezikut për jetën. ➤Policia raportoi se 57-vjeçari Nikoll Radaçi rezultoi i dehur pas kryerjes së testit të alkoolit, ndërsa shkak i aksidentit është bërë humbja e kontrollit mbi mjetin. ➤Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksionuar edhe më parë për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë. ➤Lidhur me aksidentin janë pezulluar nga detyra: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, drejtues Afrim Tafa; Zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj; si dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.

4 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Banorët e Durrësit në lot e lule në duar i japin lamtumirën 2 fëmijëve: S'ka shtet, dhimbje e madhe...

Dhimbje dhe lot! U jepet lamtumira dy fëmijëve që vdiqën
PAMJE NGA VENDNGJARJA

DURRËS-Banorët e zonës së ish-kënetës në Durrës në lot e dhimbje u jpain lamtumirën e fundit dy fëmijëve 10 dhe 12 vjeç të cilët u përplasën për vdekje teksa luanin nga shoferi i dehur. Qytetarët e zonës janë bashkuar në homazhe, duke ndezur qirinj dhe duke vendosur lule përgjatë rrugës ku ndodhi përplasja fatale.

Ata shprehen se ngjarja është shumë e tmerrshme. Disa prej tyre kanë kërkuar ndërhyrje nga shteti. Një banor ka treguar dhe preudonimin e autorit të aksidentit Nikoll Radaçi, të cilin e quanin dhe 'bisha'.

/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Aksidenti tragjik me 2 fëmijë të vdekur/ Pezullohet kreu i Policisë së Durrësit, zv.drejtori i Rendit dhe shefi i Rrugores

Dhimbje dhe lot! U jepet lamtumira dy fëmijëve që vdiqën
Afrim Tafa dhe Kreshnik Skëndo

DURRËS-Tre drejtues së Policisë së Durrësit janë pezulluar nga detyra për performancë të dobët, pas aksidentit të rëndë ku dy fëmijë të moshë 10 dhe 12 vjeç humbën jetën dhe një tjetër u lëndua. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra: 

-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.

Afrim Tafa do të zëvendësohet përkohësisht në detyrë me Ervin Hodajn.

Po ashtu është ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Një hetim disiplinor ka nisur për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:

-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.

Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.

2 MUAJ ME PARE

Një lajm i mirë pas aksidentit makabër në Durrës, 8-vjeçari te 'Trauma' jashtë rrezikut për jetën

Dhimbje dhe lot! U jepet lamtumira dy fëmijëve që vdiqën
pamje nga vendngjarja e aksidentit

TIRANË-Një lajm i mirë vjen pas tragjedisë që tronditi qytetin e Durrësit një ditë më parë, ku sipas burimeve nga bluzat e bardha, 8-vjeçari i plagosur në aksidentin e ndodhur në zonën e ish-Kënetës ka kaluar momentalisht gjendjen e rëndë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

I mituri pritet të kalojë në pavion por do të vijojë të ndiqet nga mjekët e Spitalit të Traumës për trajtimin e dëmtimeve të marra nga aksidenti.

8-vjeçari mbeti i plagosur gjatë aksidentit ku humbën jetën dy shokët e tij, të moshësh 10 dhe 12 vjeç. Ai së bashku me dy të miturit e tjerë ishin duke luajtur me top në trotuar, kur drejtuesi i automjetit, Nikoll Radaçi në gjendje të dehur humbi kontrollin e mjetit duke hipur mbi trotuar dhe duke i marrë përpara./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

'U largova nga frika'! Në gjendje të dehur përplasi fëmijët teksa luanin, Policia: Shoferit i ishte hequr patenta 2 herë

Dhimbje dhe lot! U jepet lamtumira dy fëmijëve që vdiqën
Nikoll Radaçi

DURRËS-Një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve në Spitallë të Durrësit, Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen tragjike. Hetimet kanë zbuluar se drejtuesi i automjetit, Nikoll Radaçi, ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas përplasjes së fëmijëve, mjeti u ndal vetëm pas përplasjes me një automjet të parkuar pranë lokalit. 

Policia njofton se pas aksidentit, Nikoll Radaçi është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Në gjendje të dehur 57-vjeçari humbi kontrollin e mjetit tip “Mercedes-Benz ML” dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç. Dy të miturit të moshës 10 dhe 12 vjeç, Klersi.N. dhe Eneo.M. humbën jetën si pasojë e përplasjes, ndërsa 8-vjeçari ndohet për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Shoferi rezulton një drejtues problematik, ku blutë njoftojnë se është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Njoftimi i policisë:

Informacion përfundimtar për aksidentin rrugor shumë të rëndë të ndodhur më datë 03.05.2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, lagjja nr. 15, në qytetin e Durrësit.

Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.

Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.

Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Poll

MOS HUMB