Aksidenti tragjik/ “Ngjarja në Durrës, vrasje me dashje”, Braçe kërkon ndryshim të Kodit Penal
TIRANË- Deputeti i PS, Erion Braçe ka reaguar për tragjedinë në Durrës, ku dy fëmijë 10-vjeçarë, humbën jetën nga përplasja me makinë, ndërsa një tjetër u plagos rëndë dhe ndodhet në spitalin e Traumës.
Braçe shprehet se ngjarje të tilla duhet të trajtohen ligjërisht si vrasje me dashje, duke kërkuar dënime më të rënda për drejtuesit e automjeteve që shkaktojnë tragjedi të tilla.
Erion Braçe:
“Durrës / lagjet e ish kënetës.
Kështu u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë,
Sot, ditën e diel!
U vra sepse vrasja është!
Madje vrasje me dashje!
Nuk është aksident, por vrasje me dashje!
Po e postoj videon ashtu siç është, me zhurmën e makinës, zhurmën e përplasjes, zhurmën e marrjes zvarrë të fëmijëve, klithmat e prindërve e njerëzve të tjerë në rrugë;
Këto pamje!
E di, e rëndë është;
Por dua ta dëgjoj kështu, ta dëgjojnë kështu edhe kolegët e mi deputetë të çdo ane, për t’u bindur për të ndryshuar atë kod rrugor dhe atë kod penal për ta cilësuar një akt të tillë siç është: vrasjeeeeeeeee!
Dhe duhet ta bëjmë tani, ta bëjmë menjëherë!
Siç bëmë atë ndryshimin për parkimin dyshe dhe që, edhe pse është në fuqi, nuk e zbaton kush!
Ta bëjmë me atë shpejtësi e vendosmëri, por për ta zbatuar si qytetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë!
Mbase vetëm duke ndëshkuar kështu — si për vrasje me dashje në rrugë — mund t’i ndalim vrasësit të dalin në rrugë!
Ndërkohë, kjo ngjarje më në fund të na shtyjë të mendojmë e veprojmë për urbanizim edhe më të thellë, përfshirë rrugë që e disfavorizojnë shpejtësinë në to, ndalime të shpejtësisë së makinave brenda lagjeve e jo vetëm tabela që një takëm i pështyjnë, mbylljen e rrugëve për t’u dhënë mundësi fëmijëve e të moshuarve të luajnë e të lëvizin, të pushojnë të sigurt, ndërtimin me çdo cmim të fushave e këndeve të sigurta për fëmijët e të moshuarit!
I kemi votat për t’i bërë këto; i kemi me shumicë!
Ne nuk jemi thjesht për të ngushëlluar; jemi votuar për të vepruar! Duhet ta tregojmë tani”
Aksidenti që u mori jetën dy fëmijëve/ Rama: Zoti i bekoftë dy shpirtrat e vegjël
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reagiar pas ngjarjes tragjike në Durrës ku Nikolla Radaçai përplasi për vdekje 2 fëmijë rreth moshës 10 vjeç. Me anë të një postimi në platformën X, Rama shkruan se e ka marrë lajmin sapo ka mbërritur në Erevan të Armenisë, ku ndodhet për takimin e Komunitetit Politik Europian. Kreu i qeverisë shpreh ngushëllimet për familjarët e dy të miturve ndërsa uron shërim të shpejtë për fëmijën e mbetur të plagosur si pasjoë e aksidentit.
Edi Rama: Kam mbërritur në Jerevan, Armeni, për Komunitetin Politik Evropian dhe kam mësuar për humbjen e pashprehshme tragjike të dy fëmijëve, ndërsa fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti i bekoftë dy shpirtrat e vegjël, prindërve u dhëntë forcë e jashtëzakonshme për të mbijetuar këtë dhimbje të madhe, ndërsa bashkohem me lutjet për shërimin e fëmijës së shtruar në spital.
TRONDITËSE- Momenti kur mjeti përplas për vdekje fëmijët, shoferi: O Zot ca bëra...
DURRËS-Janë publikuar pamjet tronditëse nga momenti i aksidentit në Durrës, ku një automjet përplasi për vdekje 2 fëmije, si dhe plagosi rëndë një tjetër, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Në videon për të cilën ZËRI ka vendosur mos e publikojë për arsye etike, shihet momenti kur makina tip Benz, me shpejtësi të madhe, merr përpara të miturit. Shoferi shihet teksa zbrit nga makina dhe afrohet pranë të miturve dhe më pas largohet.
“O zot çfarë është bërë” dëgjohen të bërtitura.
Makina e drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi është ngjitur në trotuar ku ndodheshin 3 djemtë duke luajtur me top.
Në gjendje të dehur përplasi fëmijët teksa luanin, arrestohet shoferi i aksidentit me dy 10-vjeçarë të vdekur
DURRËS- Është ndaluar autori i aksidentit me 2 djem 10-vjeçarë të vdekur dhe 1 tjetër në gjendje të rëndë në zonën e ish-Kënetës. Tre fëmijët e mitur po luanin në trotuar teksa drejtuesi i automjetit 57-vjeçari Nikoll Radaçi, ka ardhur drejt tyre me shpejtësi të lartë.
Shoferi i Benz-it ka rezultuar në gjendje të dehur. Ai ka qenë me shpejtësi kur mjeti i ka devijuar dhe ka kaluar në trotuar ku luanin tre fëmijët. Fëmija i plagosur po transportohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore.
Ishin duke luajtur! ‘Benzi’ përplas për vdekje 2 të mitur
DURRËS-Pamjet më poshtë i përkasin ngjarjes tragjike, ku tre fëmijë të mitur të moshës 10 vjeç u përplasën nga një automjet teksa luanin. Dy prej tyre ndërruan jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Drejtuesi i mjetit, banor i zonës, është arrestuar nga policia, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
/ZËRI
Tragjike në Durrës! Makina me shpejtësi përplas 3 fëmijë teksa luanin, humbin jetën 2 prej tyre
DURRËS-Një aksident i rëndë ka ndodhur në zonën e Kënetës, në Durrës, ku një automjet ka përplasur tre fëmijë të moshës rreth 10 vjeç. Sipas informacioneve paraprake 2 prej tyre kanë ndërruar jetë, ndërsa një tjetër i mitur ka mbetur i plagosur rëndë.
Shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë një automjet tip 'Benz ML' i cili ka kaluar me shpejtësi në lagje, teksa fëmijët ishin duke luajtur, duke shkaktuar edhe bilancin tragjik. Drejtuesi i mjetit, banor i zonës, është arrestuar nga policia, ndërsa po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës, një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka aksidentuar tre fëmijë të mitur, të moshës rreth 10 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe po transportohet për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit./ZËRI