LIVE UPDATES

Gjyqi për "Partizanin"/ Dëshmon Balla, debate me Malltezin: I qëndroj kallëzimit tim! Po Rama si dëshmitar?

➤Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kallëzuesi i çështjes së njohur si dosja “Partizani”, Taulant Balla, është paraqitur këtë të enjte në GJKKO. ➤Balla, i thirrur si dëshmitar në cilësinë e kallëzuesit, ka dëshmuar lidhur me kallëzimin e depozituar në SPAK. ➤Seanca u transmetua për pak minuta live, më pas, GJKKO vendosi që pjesa tjetër të vazhdojë me dyer të mbyllura. ➤Gjatë dëshmisë së tij, Balla sqaroi kallëzimin e tij, duke theksuar se privatizimi i kompleksit “Partizani” ishte favorizuar nga lidhjet familjare të Jamarbër Malltezit me kryeministrin e asokohe, Sali Berisha. ➤Balla shtoi se kallëzimin e tij e ka shoqëruar me prova. ➤Gjatë seancës ka pasur përplasje me Malltezin, i cili ishte i pranishëm në sallë e gjyqit, duke i drejtuar pyetje socialistit.➤ Pas përfundimit të dëshmisë që zgjati 3 orë, Balla deklaroi për mediat se i qëndron kallëzimit të tij, ndërsa paralajmëroi se në muajt në vijim do të dorëzojë një kallëzim për '21 janarin'. ➤Ai u pyet edhe për kryeministrin Rama nëse do të jetë i pranishëm, pasi është thirrur si dëshmitar, duke theksuar se kjo është përgjegjësi individuale.

5 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Avokati Gjokutaj akuza ndaj Ballës: Dyshoj se Balla ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë

Gjyqi për "Partizanin"/ Dëshmon Balla, debate me Malltezin:
genc gjokutaj

TIRANË- Genc Gjokutaj, avokati i Sali Berishës, ka hedhur akuza ndaj socialistit Taulant Balla, pas dëshmisë së këtij të fundit në gjyqin për dosjen "Partizani". 

Pas daljes nga GJKKO, në një prononcim për mediat, Gjokutaj tha se Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim. Avokati ngriti akuzat se Balla mund të ketë bërë kallëzim të rremë. Sipas Gjokutajt, Balla kundërshtoi dëshminë e tij, teksa fliste për korrupsion, ndërkohë që ka bërë kallëzim për shpërdorim detyre.

“Është drejtësi që dëgjon 4 orë e gjysmë një dëshmitar, i cili 50% të dëshmisë nuk e mbante mend dhe 50% i referohej mediave. Balla nuk dinte çfarë akuzash ka bërë në kallëzim. Thonte korrupsion ndërkohë që e ka bërë kallëzimin për shpërdorim detyre. Është çështje e sajuar dhe sot pas dëshmisë kam dyshime të forta që jo vetëm që ka konsumuar elementë të kallëzimit të rremë, por do edhe pak hetim dhe bën vaki edhe mos ta ketë bërë vetë kallëzimin. SPAK e mori ditën e punës për sot. Sipari i një procesi fals do kishte këtë figurë dhe këtë tablo. Çështja nuk ka fakt penal”, u shpreh Gjokutaj.

2 MUAJ ME PARE

"11 gënjeshtrat e Taulantit"! Malltezi pas seancës: Do përsërisim kallëzimin ndaj Ballës e Ramës

Gjyqi për "Partizanin"/ Dëshmon Balla, debate me Malltezin:
Jamarbër Malltezi

TIRANË- Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe një nga të pandehurit për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ka dalë në një deklaratë për mediat pas përfundimit të gjyqit, ku dëshmoi socialisti, Taulant Balla. Malltezi ka akuzuar kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, duke i cilësuar pretendimet e tij 'gënjeshtra'.

"11 gënjeshtra e Taulantit", pretendoi Malltezi mbi dëshminë e Ballës. Ai njoftoi se do të përsërisë kallëzimin penal ndaj Taulant Ballës dhe Edi Ramës.

“Një kallëzim i Taulant Ballës, 11 gënjeshtra. Jua lë vet juve ta gjykoni.  Do të kemi seancën tjetër ku do bëjmë prapësimet ndaj deklaratave të Taulant Ballës, cilat nuk qëndrojnë. Bënin “muu” që ishin gënjeshtra. Ne do e përsërisim sërish kallëzimin penal ndaj Taulant Ballës dhe Edi Ramës. Edhe ku e ka firmosur vetë, ka shënuar kryetari i grupit parlamentar i PS.

Pra çdo institucion është në dispozicion të Ballës. Edhe zoti Balla ka marrë të dhënat personale ia ka dorëzuar studios ligjore. Është partia mbi shtetin. Unë nuk e kam ngritur për vetën time, apo persona të familjes sime, por janë të tjerë që nuk kanë lidhje. Janë të dhëna personale, ligji e ndalon. Fakti që Taulant Balla nuk tregonte dot asnjë dokument asnjë provë, thoshte me burime mediatike”, tha Malltezi.

2 MUAJ ME PARE

Balla përfundon dëshminë në gjyqin për "Partizanin": Shpresoj të thirrem edhe për "21 Janarin"! A do të dëshmojë Rama?

Gjyqi për "Partizanin"/ Dëshmon Balla, debate me Malltezin:
taulant balla

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka përfunduar dëshminë në GJKKO për dosjen e njohur si “Partizani”, një seancë që zgjati rreth tre orë. Pas daljes nga ambientet e gjykatës, Balla ka dhënë një prononcim për mediat.

Ai u shpreh se procesi gjyqësor duhet të jetë i drejtë dhe se përgjegjësia penale duhet të shkojë te çdo individ që ka kryer shkelje. Balla nuk u ndal në detaje të dëshmisë së tij, por foli për situatën e Kompleksit Partizani, ku sipas tij janë ngritur 17 kulla.

Ai theksoi se çdo kallëzim që ka bërë është përgjegjësi e tij individuale, ndërsa theksoi mundësinë e një kallëzimi të ri, këtë herë  lidhur me ngjarjet e '21 Janarit'.

Balla iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse kryeministri Edi Rama do të pranojë të dëshmojë në GJKKO për gjyqin për aferën Partizani, pasi është kërkuar si dëshmitar, duke sqaruar se kjo është përgjegjësi individuale.

"Unë jua thashë që kur erdha që fakti që në bankën e të akuzuarve a persona që këto 35 vite kanë qeverisur vendin dhe akuzohen për korrupsion është një lajm i mirë. Uroj që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penal të shkojë te gjithkush që ka përgjegjësi. Nuk jam person që kam bërë kallëzim penal me emër tjetër dhe i kam qëndruar atij kallëzimi penal. Drejtësia vonon por nuk harron privatizimi i Partizanit që sot mund të ishin në dobi të rinjve të Tiranës sot janë 17 kulla. Në muajt në vijim uroj të jem edhe për një kallëzim tjetër për 21 janarin. Prej 21 marsit 2011 kur dorëzova kallëzimin e parë, ka një vendim të GJL, Strasburgut, shpresoj shumë të jem dëshmitar, kam qenë në protestën e 21 janarit.

Nuk do bëj asnjë citim të çështjeve që kam bërë në gjykatë, pjesa tjetër është konsum publik. Besoj shumë se kjo çështje do marrë vendimin nga gjykata.

Është përgjegjësi individuale pjesëmarrja në gjykatë.

Për kallëzimet që bëj mbaj përgjegjësi.

Ne nuk ndikojmë kurrë në veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme. Çështja është regjistruar në vjeshtën e 2024, koha është e mjaftueshme flas për 21 janarin.", tha Balla.

2 MUAJ ME PARE

Dosja "Partizani" në GJKKO! Zbardhet dëshmia e Ballës, përplasje me Malltezin: U shfrytëzuan lidhjet familjare, ja pse dyshova...

Gjyqi për "Partizanin"/ Dëshmon Balla, debate me Malltezin:
taulant balla

TIRANË- Ka nisur seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, është paraqitur sot në SPAK për të dëshmuar në gjyq në cilësinë e kallëzuesit.

Seanca nisi me praninë e mediave vetëm për disa minuta, por më pas gjykata vendosi që pjesa tjetër të vazhdojë me dyer të mbyllura, pavarësisht kërkesës së Malltezit për praninë e mediave.

Balla deklaroi se që nga viti 2012 kishte ngritur dyshime për mënyrën si ishte kryer procesi i privatizimit, duke theksuar se procedurat ligjore nuk ishin respektuar plotësisht dhe se lidhjet familjare dhe shtetërore mund të kishin ndikuar. Ai theksoi se kishte bashkëngjitur në kallëzim prova dhe dokumente për të mbështetur pretendimet e tij.

Diskutime në seancë:

Pyetje: A mund te na sqaroni pretendimet ne lidhje me kallëzimin tuaj dhe ky i keni mbështetur?

Balla: Prej vitit 2012 dhe në vazhdim ka paraqitur dyshimet e mia ne lidhje me mënyrën si është procedura për privatizimin e kompleksit sportiv partizani. Sipas dyshime ky proces privatizimi nuk ishte bere sipas procedurave ligjore, pasi dyshoj se janë shfrytëzuar lidhjet familjare, e shtetërore. Brenda një kohë të shkurtër ishte bërë njohja dhe privatizimi i godinës. Një kompleks sportiv ishte hequr nga plani i përhapjes dhe në kallëzim është shoqëruar dhe me prova.

Balla: Si dashamirës i sportit unë në kallëzim i kam shoqëruar me dokumente me data, pasi në një dokument ishte ne planin e përhapjes dhe në dokumentin tjetër nuk ishte në planin e përhapjes. Ka një moment tjetër që lidhjen me vlerësimin e ndërtesave, si ka mundësi që dy ndërtesa aq të mëdha të vlerësoheshin me një vlerë parash aq qesharake. Faza e pare e procedurës, ishte e dyshimtë pasi u bë në një periudhë prej 6 muajsh, në atë kohë ishte rasti i parë. Elementi tjetër ka të bëj me dyshimet për pastrim parash dhe fshehje pasurie, që unë i kam bërë në kallëzimin tim. Në atë kohe ne kemi theksuar se personi që kishte 1/64 e pronës kishte bërë marrëveshje që përpara se të bëhej privatizimi i pronës. Më pas ai që kishte 100% të aksioneve të Home Plan ja shet aksionet në një vlerë shume qesharake por unë si mbaj mend sepse ka kaluar shumë kohë.

SPAK: Ju keni ngritur dyshime për origjinën e pronësisë, pasi pretendoi se janë dëmshpërblyer?

Balla: Jam njohur nga mediat me një dokument ku thuhej se pronarët janë dëmshpërblyer shumë vite më parë. Dihej botërisht që qeveria italian nuk mund të ndërtonte një aeroport pa pasur një dokument pronësie.

Malltezi: A ju kujton gjë shoqëria G Kamp

Balla: Jo nuk me kujtohet.

Pyetje – Përgjigje në seancë:

Jamarbër Malltezi: Ku punoni?

Taulant Balla: Deputet i Partisë Socialiste.

Malltezi: Sa vite keni në këtë detyrë?

Balla: Që nga 9 shtatori 2005.

Malltezi: Çfarë pozicioni keni pasur kur keni bërë kallëzimin?

Balla: Kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Balla: Kallëzimin e kam firmosur si qytetar.

Malltezi: Në kallëzim, ku i keni gjetur të dhënat personale, si numrat e identitetit, etj.?

Balla: I kemi marrë zyrtarisht dhe nga denoncimet e qytetarëve.

Malltezi: Na sqaroni pozicionin tuaj aktual.

Balla: Anëtar i Kuvendit të Shqipërisë.

Malltezi: Keni funksion tjetër?

Balla: Kam funksione politike në Partinë Socialiste.

Malltezi: Në çfarë pozicioni keni qenë kur keni bërë kallëzimin në SPAK?

Balla: Kam qenë sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kryetar i grupit parlamentar.

Malltezi: Pra nuk keni firmosur si shtetasi Taulant Balla, por si sekretar dhe kryetar grupi?

Balla: E kam paraqitur kallëzimin si dëshmitar.

Malltezi: Deklarimi i pavërtetë është i dënueshëm. Në kallëzim rezulton ndryshe. A ka qenë iniciativë e grupit parlamentar të PS apo e juaja personale?

Balla: Kam kryer detyrën si përfaqësues i Kuvendit. Kur vihesh në dijeni të një vepre penale, moskallëzimi përbën vepër penale. Deputeti duhet të përfaqësojë interesin kombëtar. Ka qenë një veprimtari e ndërthurur, por iniciativa ka qenë personale, jo vendim i grupit.

Malltezi: A janë dorëzuar të gjitha provat bashkëngjitur kallëzimit?

Balla: Ka qenë një punë hetimore shumëvjeçare. Duke shfrytëzuar ligjin për statusin e deputetit, kam marrë informacion nga institucione të ndryshme dhe ia kam bashkëngjitur kallëzimit.

Malltezi: Si jua kanë dhënë të dhënat personale?

Balla: Jam drejtuar institucioneve dhe çdo gjë që më është vënë në dispozicion ia kam dorëzuar prokurorisë. Një pjesë janë marrë zyrtarisht dhe një pjesë nga denoncimet e qytetarëve.

Malltezi: A ju kanë ngritur shqetësimin për përdorimin e të dhënave private?

Balla: I jam përgjigjur çdo pyetjeje që ka pasur prokurorja.

Malltezi: Këtë pyetje nuk jua ka bërë.

Balla: Nuk e mbaj mend.

Malltezi: A bazoheni në prova apo në supozime?

Balla: Kallëzimi ngrihet mbi dyshime. Këto dyshime shoqërohen me disa dokumente, të cilat mund t’i quajmë prova, që i janë bashkëngjitur kallëzimit.

Malltezi: Cilat prova konkrete paraqisni dhe në çfarë aspekti korruptiv?

Balla: Nuk ka një vepër më të qartë se kjo; është një aferë e pastër…

Ulliri: Qëndrojini pyetjes.

Balla: Bëhet fjalë për mënyrën se si merret një pronë shtetërore, privatizohet në mënyrë të paligjshme dhe kthehet në përfitim të paligjshëm.

Malltezi: Ju thatë se i keni marrë vetë provat dhe se procedurat janë kryer për 6 muaj, duke qenë se një nga provat ishte dokumenti i kthimit të pronës. Kjo procedurë është zhvilluar nga viti 1996 deri në vitin 2007. A mendoni se ky afat është 6 muaj? Dokumenti është dorëzuar nga dëshmitari me dorën e tij.

Balla: Kemi të bëjmë me një rast kur, në vitin 2007, prona ishte brenda planit të përhapjes. Nga momenti i heqjes nga plani deri në privatizim, procesi është kryer brenda 6 muajve.

Malltezi: Kur është hequr nga plani i përhapjes?

Balla: Nga mediat jam informuar mbi deklaratat e ish-funksionarëve të ushtrisë, të cilët kanë qenë kundër heqjes nga plani i përhapjes.

Malltezi: A e dini çfarë është plani i përhapjes?

Balla: Plani i ushtrisë është plani mbi pronat që i nevojiten ushtrisë.

Malltezi: Pra, e keni marrë vesh nga media dhe nga deklaratat e një gjenerali. Për vërtetësinë, bazoheni te faktet apo te deklaratat? Cila ka peshë më të madhe: dekreti i Presidentit apo deklarata e një gjenerali në media?

(Gjykata): Pyetja nuk pranohet.

Malltezi: Si ka dalë plani i përhapjes, kur është dokument sekret?

Balla: Përderisa është kryer privatizimi, kjo është bërë e njohur. Nuk është hetuar vetëm nga unë, por edhe nga media, e cila ka ngritur dyshime për abuzim në procedurë.

Malltezi: A e keni parë planin e përhapjes?

Balla: Jo.

Malltezi: Ku e bazoni që privatizimi ka filluar në vitin 2008?

Balla: Mbi deklarime publike.

Malltezi: Ku konkretisht e bazoni?

Balla: Nuk kam koment tjetër.

Malltezi: A jeni në dijeni që Pandeli Majko dhe Fatos Klosi janë shprehur për privatizimin e klubit në vitin 2006?

Balla: Jo, nuk kam dijeni.

Malltezi: A jeni në dijeni për shprehjen e interesit në vitin 2006?

Balla: Po.

Malltezi: Atëherë, pse thoni se nuk keni dijeni përpara vitit 2008, kur pranoni se kishit dijeni?

2 MUAJ ME PARE

Nis seanca! Taulant Balla në GJKKO, dëshmon për dosjen Partizani

Gjyqi për "Partizanin"/ Dëshmon Balla, debate me Malltezin:
Taulant Balla

TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur seanca e radhës për dosjen “Partizani” me të pandehur kreun e PD-së Sali Berisha dhe të pandehurit e tjerë. GJKKO ka miratuar listën e SPAK me 11 dëshmitarë, 8 prej të cilëve pritet të dëshmojnë sot.

Mësohet se, i pari që do të merret në pyetje është deputeti i PS-së, Taulant Balla, si kallëzues i çështjes, i ndjekur nga ish-drejtues të klubit "Partizani". Para trupës gjykuese do të paraqiten edhe ish-drejtues të klubit “Partizani”, përfshirë ish-presidentët Albert Xhani dhe Paro Laçi, si dhe ish-drejtorë të kompleksit.

Dëshmitarët e SPAK në seancën e sotme

Taulant Balla, Kallëzuesi i aferës Partizani
Afrim Tole, Ish-shefi i Klubit Partizani
Isa Tare,  Ish-drejtori i kompleksit
Bujar Labinoti, Ish-drejtori i kompleksit
Albert Xhani,  Ish-presidenti i Partizanit
Paro Laçi, Ish-presidenti i Partizanit
Dhurata Çela, Ish-drejtoreshë e AKKP Tiranë
Petrit Kullolli, Topograf në AKKP Tiranë

GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes edhe për të thirrur si dëshmitar edhe kryeministrin Edi Rama. Ai pritet të japë shpjegime në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-kompleksit “Partizani”.

Në çështjen "Partizani", Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI

Poll

MOS HUMB