Zgjedhja e presidentit, mesazhi i fortë nga Ambasada Gjermane dhe BE: Palët të arrijnë kompromis
KOSOVË- Ngërci politik në Kosvoë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve. Teksa edhe vetëm pak orë kanë mbetur nga përfundimi i afatit, mesnatën e sotme, kanë reaguar partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë respektim të plotë të Kushtetutës dhe arritjen e një kompromisi politik.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë bëjnë me dije se po ndjekin nga afër procesin, teksa bëjnë thirrje që palët politike të veprojnë në përputhje me rendin kushtetues.
“Po e ndjekim procesin në zhvillim dhe presim që të gjithë aktorët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë gjithashtu ka reaguar, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional. Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, u bëri thirrje forcave politike që të zbatojnë Kushtetutën dhe të gjejnë kompromisin e nevojshëm.
“Është përgjegjësi e të gjithë aktorëve politikë që të zbatojnë Kushtetutën e Kosovës, të arrijnë kompromisin e nevojshëm dhe të sigurojnë stabilitetin institucional në interes të qytetarëve”, theksoi Gaon./ZËRI
Kurti i lutet opozitës: I kam shkruar kryetarëve të PDK dhe LDK, sot është afati i fundit
KOSOVË- Pak orë para rinisjes së seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dalë në një konferencë për media.
Kurti i ka bërë sërish thirrje opozitës që të marrë pjesë në seancë dhe të paraqesë propozimet e saj, në mënyrë që vendi të zgjedhë presidentin e ri.
Ai shtoi se ka kërkuar nga PDK dhe LDK që të propozojnë tre kandidatë, duke theksuar se së bashku me votat e shumicës mund të sigurohet zgjedhja e presidentit të ri, por sipas tij kjo është refuzuar.
“Nëse sillni propozimet, sonte Kosova bëhet me president ose presidente të re. Varet kush fiton.
Së fundmi, duhet të theksojmë që pikërisht kjo është arsyeja që unë kam kërkuar që PDK dhe LDK t’i sjellin tre kandidatë, se bashkë me ne i kalojmë numrin prej 90 nënshkrimeve dhe e kemi të garantuar zgjedhjen e presidentit të ri. U refuzua një gjë e tillë dhe ja ku jemi.
I lutem kryetarit të PDK-së dhe LDK-së, edhe grupet e tyre parlamentare të vijnë në Kuvend, se aty e kanë vendin. Dikur kanë qenë shumicë ata, tani jo më. Por nuk mund të thuash që po e mbroj shtetin duke bllokuar procese dhe duke bojkotuar seancën.
Sot është afati i fundit, nuk ishte mbrëmë. Shumica dërrmuese mendojnë se e kemi dhe sot. Ne duhej që sa më shpejt të vepronim. Por unë e di që rreth orës 21:00 i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së dhe të LDK-së, por nuk kam marrë përgjigje.
Mendojeni kur isha unë në opozitë të më shkruanin mua kështu kryeministrat dhe presidentët, kurrë. Unë kisha pas policinë. Ata kurrë nuk kanë pasur interes të komunikonin me mua. Tani shteti është demokratik dhe në të njëjtën kohë, nuk ka më përndjekje si dikur, keni një kryeministër që vazhdimisht kërkon takime me opozitën, dhe ata nuk pranojnë dhe nuk përgjigjen në mesazhe”, tha Kurti.
Mundësia e fundit për President! Mblidhet Kuvendi i Kosovës, opozita sërish bojkot, dështon seanca
KOSOVË- Kuvendi i Kosovës është mbledhur sërish sot për çështjen e Presidentit, ndërsa afati përfundon në mesnatë. Në nisje të seancës, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në votim.
Bazuar në detyrimet për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit nga aktgjykime të ndryshme dhe sipas Ligjit për Deputetët, këta të fundit kanë obligim të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë Kryetarin e Kuvendit për mungesat e tyre. Haxhiu tha se e vetmja deputete që ka marrë leje për të mos qenë e pranishme sot është Afërdita Hajrizi, nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore.
Në kushte të tilla, kryeparlamentarja Haxhiu vendosi shtyrjen e seancës për në orën 19:00.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate të tjera për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Ndërsa kandidatët e seancës së 5 marsit, Konjufca dhe Mulhaxha u tërhoqën nga gara.
E marta shënon afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit, ndërsa në rast të dështimit të këtij procesi, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme./ZËRI
Vendoset sot “fati” i Kosovës! President i ri ose zgjedhje të parakohshme
KOSOVË-Sot shënohet afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në orën 10:00 pritet të vazhdojë seanca për presidentin e ri të Kosovës, e cila u ndërpre mbrëmjen e djeshme. Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë, ku kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme. Në seancë nuk morën pjesë partitë opozitare.
Ndërkohë Kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, në përfundim të seancës së djeshme të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ka shfaqur listën e 15 nënshkrimeve të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke garantuar 15 vota për kandidaturën e Vjosa Osmanit. Sipas LDK, në seancën e thirrur për Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje inicioi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për shkelje të mundshme të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, duke theksuar se në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.
Sipas tyre, mënyra e zhvillimit të procesit, përfshirë tërheqjen e kandidaturave të mëparshme dhe procedurat e ndjekura, ngre pikëpyetje mbi respektimin e praktikave kushtetuese.
Nëse sot nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve./ZËRI