LIVE UPDATES

Negociatat në pikëpyetje! SHBA dhe Irani ashpërsojnë tonet/ Trump i pakënaqur: Më mirë pa një marrëveshje -Teherani: Uashingtoni nuk pranon propozimin tonë

➤Pentagoni tha se SHBA-të do të tërheqin afërsisht 5,000 trupa nga Gjermania. ➤Trump kishte thënë se SHBA-të po shqyrtonin tërheqjen e trupave pasi kancelari Friedrich Merz kritikoi luftën. ➤Kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë se Irani po i poshtëron Shtetet e Bashkuara gjatë negociatave për t'i dhënë fund konfliktit. ➤Ndërkohë, situata në Iran vazhdon të mbetet një burim i madh pasigurie ndërkombëtare. ➤Irani u ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një propozim të ri që synon t'i japë fund luftës, duke ofruar shenja kompromisi. ➤Trump ka shprehur pakënaqësi me propozimin e fundit të paqes të Iranit, duke thënë se vendi po kërkon gjëra me të cilat “nuk mund të pajtohem”. ➤Irani ka paralajmëruar se konflikti me Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojë, pas pretendimeve se propozimi i tij për paqe është refuzuar nga administrata amerikane.➤ Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA mund të jetë “më mirë pa një marrëveshje” me Iranin, duke përsëritur se Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.

5 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Irani paralajmëron për vazhdim të tensioneve: SHBA nuk pranon propozimin tonë  

Negociatat në pikëpyetje! SHBA dhe Irani ashpërsojnë tonet/
foto ilustruese

IRAN- Një zyrtar i lartë ushtarak iranian ka deklaruar se konflikti me Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojë, pasi Teherani pretendon se propozimi i tij për paqe është refuzuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Sipas gjeneralit Mohammad Jafar Asadi, SHBA nuk respekton marrëveshjet dhe Irani po përgatit masa që “i tejkalojnë pritshmëritë e kundërshtarit”.

"Provat kanë treguar se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përkushtuara ndaj asnjë premtimi apo marrëveshjeje. Masa të papritura janë planifikuar për armikun, përtej imagjinatës së tyre"- tha ai.

Ndërkohë, media shtetërore iraniane kanë përsëritur qëndrimin e ashpër për kontrollin dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar atë si një zonë strategjike nën ndikimin iranian.

"Me dominimin dhe kontrollin e saj mbi gati 2,000 kilometra të vijës bregdetare të Iranit në Gjirin Persik dhe ngushticën e Hormuzit, Marina e IRGC do ta bëjë këtë zonë ujore një burim jetese dhe fuqie për popullin e dashur iranian dhe një burim sigurie dhe prosperiteti për rajonin", -raportoi agjencia e lajmeve Tasnim.

Nga ana tjetër, SHBA ka kërkuar vazhdimisht garantimin e lirisë së lundrimit në këtë ngushticë, ndërsa tensionet mes dy palëve mbeten të larta pas zhvillimeve të fundit në rajon./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Trump për situatën me Irainin: Mund të jemi më mirë pa marrëveshje

Negociatat në pikëpyetje! SHBA dhe Irani ashpërsojnë tonet/
Donald Trump

SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të jenë “më mirë pa një marrëveshje” me Iranin, duke rritur sërish tonet ndaj Teheranit.

Gjatë një fjalimi dje në The Villages, në Florida, Trump theksoi se negociatat kanë zgjatur shumë dhe se SHBA nuk do të lejojë që Irani të zotërojë armë bërthamore.

“Sinqerisht, mund të jemi më mirë nëse nuk bëjmë fare një marrëveshje… Nuk mund t’i japësh Iranit një armë bërthamore,” u shpreh ai.

Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se nëse nuk arrihet një marrëveshje që i plotëson kushtet e SHBA-së, vendi i tij mund të ndërmarrë veprime ushtarake dhe ta shkatërrojë Iranin.

“Ne do të preferonim të bënim një marrëveshje, por nëse nuk është marrëveshja e duhur, atëherë thjesht do t’i shkatërrojmë të gjithë. Ata nuk po ecin përpara me llojin e marrëveshjes që ne duhet të kemi. Ne do ta bëjmë këtë gjë siç duhet, nuk do të largohemi para kohe”,-tha ai dje.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur marrëdhëniet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit vazhdojnë, por pa një rezultat konkret deri më tani./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

"Zbutet" Irani: Çfarë përmban plani i propozuar nga Teherani, zbulohen detaje

Negociatat në pikëpyetje! SHBA dhe Irani ashpërsojnë tonet/
FOTO ILUSTRUESE

IRAN- Irani u ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një propozim të ri që synon t'i japë fund luftës, duke ofruar shenja kompromisi. 

Megjithatë, të dyja palët mbeten shumë larg në çështjet kryesore, duke përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe programin bërthamor të Iranit, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje.

Sipas një raporti nga The Wall Street Journal, Irani i paraqiti të premten Shteteve të Bashkuara një propozim me 14 pika nëpërmjet Pakistanit. Propozimi zbut disa nga kushtet e mëparshme të Teheranit për rifillimin e bisedimeve, por prapëseprapë vonon negociatat mbi programin bërthamor të Iranit dhe nuk përfshin çështjen e raketave. 

Plani i raportuar shënon një ndryshim nga qëndrimi i mëparshëm i Iranit, sipas të cilit Teherani kishte kërkuar një fund paraprak të bllokadës amerikane të porteve iraniane përpara se të fillonin bisedimet.

Teherani zbut kushtet e bllokadës

Sipas propozimit të ri, Irani nuk këmbëngul më që Uashingtoni t’i japë fund bllokadës përpara se të zhvillohen negociata.

Në vend të kësaj, Teherani po ofron të diskutojë kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit në të njëjtën kohë me garancitë e SHBA-së për t'i dhënë fund sulmeve dhe për të hequr bllokadën e vendosur ndaj porteve iraniane.

Kjo po shihet si një lëshim i kufizuar, por jo i mjaftueshëm për të kapërcyer hendekun me Uashingtonin.

Çështja bërthamore u shty për në një fazë të mëvonshme

Propozimi sugjeron gjithashtu që programi bërthamor i Iranit do të diskutohet në një fazë të mëvonshme në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të SHBA-së. Megjithatë, programi raketor i Iranit mbetet jashtë renditjes së raportuar, duke lënë të pazgjidhur një nga shqetësimet kryesore të Uashingtonit.

Njerëz të njohur me çështjen thanë se propozimi përmban shenja lëvizjeje, por të dyja palët mbeten shumë larg çështjeve kryesore të aksesit në Hormuzin dhe dosjes bërthamore.

Bisedimet mund të zhvillohen në Pakistan

Irani u ka bërë të ditur ndërmjetësve se është gati të ulet për bisedime në Pakistan në fillim të javës së ardhshme nëse Uashingtoni është i hapur ndaj propozimit të ri.

Pakistani ka luajtur një rol kyç ndërmjetësimi në shkëmbimet e mesazheve, me mesazhe që kanë kaluar përmes Islamabadit dhe, herë pas here, përmes Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

Araghchi vizitoi dy herë kohët e fundit Pakistanin, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhduan për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

2 MUAJ ME PARE

Merz kritikoi Trump, SHBA tërheq 5 mijë trupa nga Gjermania

Negociatat në pikëpyetje! SHBA dhe Irani ashpërsojnë tonet/

SHBA- Shtetet e Bashkuara do të tërheqin rreth 5,000 trupa nga Gjermania në gjashtë deri në 12 muajt e ardhshëm, tha Pentagoni të premten, duke përmbushur kërcënimin e Presidentit Donald Trump ndërsa ai përplaset me udhëheqësen gjermane për luftën e SHBA-së me Iranin.

Trump kishte kërcënuar të tërhiqte disa trupa nga aleati i NATO-s më herët këtë javë, pasi kancelari Friedrich Merz tha se SHBA-të po “poshtëroheshin” nga udhëheqja iraniane dhe kritikoi mungesën e strategjisë së Uashingtonit në luftë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha në një deklaratë se "vendimi vjen pas një shqyrtimi të plotë të pozicionit të forcave të Departamentit në Evropë dhe është në njohje të kërkesave dhe kushteve në terren".

Gjermania strehon disa objekte ushtarake amerikane, duke përfshirë selinë e komandave të saj evropiane dhe afrikane, Bazën Ajrore Ramstein dhe një qendër mjekësore në Landstuhl, ku u trajtuan viktimat nga luftërat në Afganistan dhe Irak. Raketat bërthamore amerikane janë gjithashtu të stacionuara në vend.

Megjithatë, pavarësisht kësaj tërheqjeje, më shumë se 30 mijë trupa amerikane do të vazhdojnë të jenë të stacionuara në Gjermani, duke e mbajtur këtë vend si një nga bazat më të rëndësishme të pranisë ushtarake amerikane jashtë territorit të SHBA-së.

Ky vendim vjen në një moment të ndjeshëm në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Berlinit. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër kancelarin gjerman, Friedrich Merz, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me qasjen e SHBA-së ndaj konfliktit me Iranin.

Merz kishte shprehur shqetësimin se strategjia amerikane në këtë konflikt po e vendos SHBA-në në një pozitë të dobët në arenën ndërkombëtare, një koment që shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Uashingtoni.

Vendimi gjithashtu vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare janë rritur, veçanërisht për shkak të konfliktit me Iranin dhe pasojave të tij në stabilitetin global.

2 MUAJ ME PARE

Si mund të ndikojë bllokada amerikane në llogaritjet strategjike të Teheranit?

Negociatat në pikëpyetje! SHBA dhe Irani ashpërsojnë tonet/
foto ilustruese

SHBA- Bombardimet disajavore amerikane e izraelite, si dhe sanksionet dhe kufizimet e kanë goditur rëndë Iranin, por mund të jetë gjeologjia ajo që përfundimisht do ta detyrojë Teheranin të bëjë lëshime në përballjen e vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara.

Derisa bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit po i afrohet fundit të javës së tretë, të dhënat nga vëzhguesit e transportit dhe industrisë tregojnë se cisternat nuk kanë qenë në gjendje ta transportojnë naftën bruto iraniane përmes Ngushticës së Hormuzit drejt tregjeve në Azi.

Kjo do të thotë se depot e naftës në Iran po mbushet me shpejtësi, dhe koha e tij është e kufizuar para se të detyrohet ta ndalë prodhimin.

Ky është problemi për Teheranin, thonë analistët, në një kohë kur po përpiqet t’i bëjë ballë trysnisë së SHBA-së për ta negociuar një marrëveshje paqeje.

“Ndikim gjeologjik”

“Kjo e krijon më shumë një ndikim gjeologjik sesa çdo gjë tjetër që lidhet me mënyrën se si nxirret nafta”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Stephen Innes, partner menaxhues në SPI Asset Management, një firmë këshilluese për këmbimin valutor dhe mallra.

Pasi valvulet mbyllen “nafta është e prirë të bjerë në fund të rezervuarit. Kështu, ajo bëhet ngjitëse dhe e trashë dhe kërkon shumë forcë për ta nxjerrë përsëri lart”, tha ai.

Pasoja, shtoi ai, mund të jetë madje “fundi i lojës” për sektorin.

“I gjithë procesi për ta shtuar trysninë dhe për ta nxjerrë me sukses [naftën] përsëri nga pusi, mund të zgjasë ndoshta një vit…. Shumë njerëz mendojnë se është thjesht fundi i prodhimit sepse do të jetë tepër e kushtueshme [ta rifillosh]”, tha Innes.

Një shënim kërkimor i publikuar nga Goldman Sachs më 23 prill theksonte se “pjesa e prodhimit të vendeve me presion relativisht të ulët të rezervuarit vlerësohet të jetë më e lartë në Iran dhe Irak sesa gjetkë në Gjirin [Persik]”.

Shënimi, i cili shqyrtonte sektorët e naftës në gjithë vendet e Gjirit Persik, tha se rikuperimi i niveleve të prodhimit të naftës “mund të jetë vetëm i pjesshëm pas një mbylljeje të zgjatur”.

Mehdi Moslehi, konsulent iranian me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka punuar në sektorin e naftës për një dekadë, u pajtua se kohëzgjatja e çdo ndërprerjeje të nxjerrjes së naftës do të ishte e rëndësishme.

“Nëse prodhimi në një pus ndalet për një periudhë të shkurtër, le të themi nga një javë deri në dy ose maksimumi tri javë, atëherë mund të vihet përsëri në funksion”, i tha ai Radios Farda të REL-it.

“Por, nëse një pus mbetet i mbyllur për një periudhë të gjatë, veçanërisht sepse puset e naftës në jug të Iranit kryesisht kanë përmbajtje të lartë squfuri dhe varësisht sa i vjetër është pusi, do të ketë probleme serioze. Presioni i rezervuarit mund të bjerë”, shpjegon ai.

Në garë kundër kohës?

Natyrisht, Irani mund të mos ketë nevojë të ndalë prodhimin. Por, të dhënat e publikuara këtë javë tregojnë se tani është në garë kundër kohës.

Një raport rishtazi nga Kpler, një kompani analitike për mallrat dhe transportin, tha se “asnjë cisternë e konfirmuar nuk ka dalë nga zona e bllokadës së SHBA-së” qëkurse Uashingtoni filloi ta zbatojë bllokadën më 13 prill.

“Disa cisterna kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit, por nuk arritën ta kalonin bllokadën e SHBA-së, e cila ndodhet më në jug midis Gjirit të Omanit dhe Detit Arabik”, thuhej në raport.

Kjo është arsyeja pse rezervat e naftës së Iranit po mbushen.

Kpler vlerësoi se Irani hapësirë të lirë për rreth 12 ditë naftë para se rezervuarët t’i mbushen. Disa analistë kanë dhënë një dritare kohore prej 2-3 javësh.

“Më herët, mund të thoshim se koha ishte në anën e republikës islamike. Por, tani nuk mund ta themi më këtë”, tha analisti i Kpler, Homayoun Falakshahi, për Radion Farda. “Rregullat e lojës janë bërë disi të balancuara”.

Bllokada e Iranit ndaj Ngushticës së Hormuzit, duke penguar eksportet e naftës nga vendet e tjera të Gjirit, po ushtron trysni gjithashtu. Ajo ka çuar në rritje të çmimeve të naftës dhe e ka goditur furnizim në ekonominë globale, duke prekur jo vetëm naftën, por edhe gazin dhe mallra të tjera jetike.

Derisa kjo po vazhdon, edhe goditja ndaj tregjeve globale po rritet.

“Për momentin, kjo është një lojë qëndrueshmërie, për të parë se cila palë dorëzohet më shumë në afat të shkurtër…. Çmimet rreth 100–110 dollarë, madje deri në 120 dollarë për fuçi janë ende nivele që ekonomia globale mund t’i përballojë. Megjithatë, nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet në ditët ose javët në vijim, çmimet ka të ngjarë të rriten më tej”, tha Falakshahi.

Më 29 prill, nafta Brent u rrit ndjeshëm në 115 dollarë për fuçi pas një raporti në The Wall Street Journal se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u kishte thënë ndihmësve të përgatiteshin për një bllokadë “të zgjatur”.

Ndërkohë, Irani po kërkon mënyra të tjera për të lehtësuar presionin mbi magazinimin. Ka diskutime për dërgimin e naftës me tren në Kinë, e cila është klientja më e madh e Iranit. Por, kjo do të ishte më e shtrenjtë dhe në sasi më të vogla sesa transporti me cisterna, dhe si rrjedhojë do të kishte ndikim të kufizuar.

Hapi i radhës i Iranit mund të jetë përshkallëzimi i mëtejshëm.

Shumë prodhues të tjerë të Gjirit Persik kanë qenë në gjendje ta lehtësojnë presionin e magazinimit me të cilin po përballet Irani duke përdorur rrugë të tjera, si tubacioni Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite drejt Detit të Kuq. Mes uljes së prodhimit, kjo ka ndihmuar në mbajtjen aktive të pompave dhe në ruajtjen e presionit në linjat kryesore.

Irani mund t’i mobilizojë forcat e tij përfaqësuese, huthët në Jemen, për ta sulmuar këtë rrugë, duke synuar transportin në Ngushticën Bab al-Mandab, përmes së cilës kalon rreth 10 për qind e naftës botërore të transportuar përmes detit.

Por, kjo do të përfshinte gjithashtu rreziqe për Teheranin. Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë e tyre të madhe ushtarake në rajon dhe kanë sinjalizuar mundësinë e rinisjes së luftimeve.

“Ndjesia në treg është se diçka do të arrihet në frontin e marrëveshjes brenda tri javëve të ardhshme”, tha Innes./REL

Poll

MOS HUMB