LIVE UPDATES

Helmimi i 56 studentëve në Akdeminë e Sigurisë! AKU 'zbarkon' te 'Sori-Al': 2 në pranga, në kërkim administratorja

➤56 studentë të Akademisë së Sigurisë kanë përfunduar në spital, pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi gjatë konsumimit të vaktit të drekës, ditën e djeshme. ➤Raportohet se pas konsumimit të drekës, studentët kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë pasur simptoma të rënda, me të vjella dhe dhimbje të forta barku. ➤Ata janë transportuar në spital ku kanë marrë mjekim dhe janë rikthyer sërish në akademi. ➤Sipas dyshimeve paraprake, studentët mund të jenë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar, i cili u ofrohet për 3 vakte nga kompania private 'Sori-Al'. ➤Në njoftimin zyrtar, policia njoftoi se janë arrestuar Kujtim Ballgjini dhe Kristjana Plaka, kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering, ndërsa është shpallur në kërkim administratorja, Alma Tafani. ➤Ndërkohë, AKU zbarkoi menjëherë në kompaninë private, dhe pas kontrolleve ka bllokuar mbi 150 kg produkte ushqimore, si dhe vendosjen e një gjobe prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit. ➤ZËRI ka siguruar menunë ushqimore që kanë konsumuar studentët, ku është konstatuar uthull e kontaminuar me krimba.

4 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

56 studentë të helmuar, administratori i Akademisë së Sigurisë: Po analizohen mostrat e ushqimit, presim rezultatet

Helmimi i 56 studentëve në Akdeminë e Sigurisë! AKU
milton nushi

TIRANË- Administratori i Akademisë së Sigurisë, Milton Nushi, ka reaguar për mediat për helmimin e 56 studentëve, duke bërë me dije se gjendja shëndetësore e tyre është stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nushi shprehet se ky është problemi i parë i këtij lloji në historinë e institucionit, ndërsa ushqimi ofrohet nga kompania private e kontraktuar 'Sori-Al'. 

Administratori theksoi se po analizohen nga AKU dhe Shëndeti Publik mostrat e ushqimit që iu servir studentëve, teksa shtoi se ushqimi nuk përgatitet në Akademin e Sigurisë, por në një vend tjetër, i cili vjen i përgatitur.

Nushi deklaroi megjithatë se, procesi mësimor po vijon normalisht, ashtu edhe furnizimi me ushqim. 

"Kanë pasur shqetësime studentët pas konsumimit të vaktit të drekës. Janë çuar në infermierinë që kemi këtu dhe më pas në QSUT, dhe janë kthyer, të gjithë janë shëndoshë e mirë, janë këtu. Dyshimi është se ka ndodhur pas konsumimit të ushqimit. Ushqimi është i standardeve shumë të mira, mund të ketë pasur ankesa për punën e llojshmërisë, por që ushqimi është jashtëzakonisht i mirë.

Ne nuk kemi pasur asnjë moment helmimi deri sot që flasim. Kemi njoftuar menjëherë institucionet, AKU-në dhe Shëndetin Publik, i cili ka marrë mostrat, sepse ushqimi këtu vjen në formë kateringu dhe këtu mbajmë edhe mostrat, kemi komision që e pret bashkë me mjekun dhe i mbajmë të ruajtura 24 orë për raste kur ndodhin këto lloj incidentesh. Kjo është një kontratë e re që e kemi, por ka pasur dhe kontrata të mëparshme. Por janë marrë të gjitha masat, po presim që të dalin aktet e analizës. Puna vazhdon normalisht, shkolla vazhdon normalisht, edhe furnizimi vazhdon normalisht. Ushqimi përgatitet në një vend tjetër, jo më Akademinë e Sigurisë, atje ku ka licencim kompania, dhe, me sa di unë, përgatisin ushqime edhe për institucione të tjera", tha Nushi./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Masakër! Krimba në menu, çfarë konsumuan 56 studentët që u helmuan në Akademinë e Sigurisë

Helmimi i 56 studentëve në Akdeminë e Sigurisë! AKU
Uthulla dhe menuja

TIRANË-Një ngjarje e rëndë u raportua sot në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ku 56 studentë janë helmuar pas konsumimit të ushqimit të servirur në drekë. Studentët kanë shfaqur komplikacione shëndetësore dhe janë dërguar me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.

Vakti i drekës i shërbyer në ambientet e institucionit nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al përmbante ku dyshohet se janë helmuar përbëhej nga: sallatë perime të ziera, gjellë patate / tavë me presh, makarona / pilaf, mish, biskota, banane dhe bukë. 

Helmimi i 56 studentëve në Akdeminë e Sigurisë! AKU
Menuja

Sipas pamjeve të siguruara nga ZËRI, në ushqimin e shërbyer është konstatuar uthull e kontaminuar me krimba.

Lidhur me rastin Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka kryer kontrolle në subjektin furnizues të ushqimit “SORI-AL” dhe në ambientet e përgatitjes së ushqimit. Gjatë inspektimeve janë bllokuar gjithsej 153.2 kg produkte ushqimore dhe 1,350 kokrra vezë. Gjithashtu janë marrë mostra për analiza laboratorike dhe u vendos masa administrative prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit për mungesë të gjurmueshmërisë.

Në pranga kanë rënë Kujtim Ballgjini dhe Kristjana Plaka, kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering që shpërndante ushqimin në 3 vakte për studentët, ndërsa është shpallur në kërkim administatorja e kompanisë “SORI-AL”, Alma Tafani./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU: Janë bllokuar mbi 150 kg ushqime te Akademia dhe te 'Sori-Al', gjobitet subjekti

Helmimi i 56 studentëve në Akdeminë e Sigurisë! AKU
akademia e sigurise-aku

TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar pas dyshimeve për helmim të disa kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke kryer kontrolle në subjektin furnizues të ushqimit “SORI-AL” dhe në ambientet e përgatitjes së ushqimit.

Gjatë inspektimeve janë bllokuar gjithsej 153.2 kg produkte ushqimore dhe 1,350 kokrra vezë. Gjithashtu janë marrë mostra për analiza laboratorike dhe u vendos masa administrative prej 100 mijë lekësh ndaj subjektit për mungesë të gjurmueshmërisë.

Ndërkohë, priten rezultatet për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet një komunikimi ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.

Menjëherë nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë këtij institucioni, ushqim që vjen i gatshëm prodhuar në ambientet e garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë.

Sipas kontrollit të ushtruar të ambientet e kuzhinës së vendosur brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme.

Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë.

Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.

Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.

Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit SORI-Al me adresë “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, ku u konstatua se OBU nuk u gjet në proces pune pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara.

Në subjekt nuk u konstatua produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese.

Për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.

U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

2 MUAJ ME PARE

Helmohen 56 studentë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë, arrestohen teknologia e kuzhinieri i firmës private, në kërkim administratorja (EMRI)

Helmimi i 56 studentëve në Akdeminë e Sigurisë! AKU
Akademia e Sigurisë

TIRANË- Një ngjarje e rëndë është raportuar mëngjesin e sotëm në Tiranë, ku rreth 56 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e institucionit. 

Sipas burimeve paraprake, studentët kanë filluar të ndihen keq menjëherë pas konsumimit të ushqimit të shërbyer në ambientet e shkollës në vaktin e drekës, një ditë më parë (6 maj). Dyshohet se shkak i helmimit është ushqimi i konsumuar. Disa prej tyre kanë shfaqur shqetësime shëndetësore më të rënda dhe janë transportuar në spital për trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit të policisë, lidhur me rastin janë arrestuar 2 persona. Në pranga kanë rënë Kujtim Ballgjini dhe Kristjana Plaka, kuzhinieri dhe teknologia e kompanisë katering që shpërndante ushqimin në 3 vakte për studentët, ndërsa është shpallur në kërkim administatorja e kompanisë “SORI-AL”, Alma Tafani.

Ushqimi në institucion ofrohet nga kompania private në fjalë, e cila është përgjegjëse për furnizimin me tre vakte ditore për studentët. Dyshimet fillestare lidhen pikërisht me këtë shërbim ushqimor, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkakun e saktë të incidentit.

Njoftimi i Policisë:

Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.

Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:

-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;

-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe.

Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB