"Shatku 'pret' 10 mln euro nga SPAK!" Shpenzimet familjare? Kryemadhi: Isha klasë punëtore, s'kam bërë operacione plastike!
TIRANË- Ish-deputetja Monika Kryemadhi është ndalur në një prononcim për mediat pas përfundim të seancës së gjykimin në themel të dosjes 'Meta'. Pasi ndau detaje nga seanca e sotme, Kryemadhi foli për shpenzimet e pretenduara, duke thënë se ishi-bashkëshorti i saj Ilir Meta, nuk ka lidhje.
Kryemadhi theksoi se nuk ka asnjë shpenzim të tepruar siç pretendon SPAK, duke theksuar se vetë ajo nuk bërë asnjë operacion plastik. Ajo shtoi se bëhet fjalë për operacionet e Metës dhe të vajzave të ish-çiftit.
Gjithashtu, Kryemadhi bëri edhe një deklaratë të fortë në lidhje me hetimet e SPAK-ut ndaj kushëririt të saj, Adrian Shatkut. Sipas Kryemadhit, Shatku ka për të fituar 10 milionë euro, pasi, sipas saj, është shkelur privatësia dhe marrëveshja mes SPAK-ut dhe Departamentit të Drejtësisë, me pretendim se dokumentacionet e marra për të janë siguruar pa vendim gjykate.
"Kam qenë klasa punëtore që mbaja mbarëvajtjen e shtëpisë. E para, nuk ka pasur asnjë shpenzim të pretenduar nga SPAK-u. Bëhet fjalë për operacionet e vajzës dhe të Metës, sigurisht që kanë qenë të deklaruara. Nuk kam bërë asnjë operacion plastik.
Ilir Meta, për fatin e tij të mirë, duke qenë burrë shteti, nuk është marrë asnjëherë me gjërat e shtëpisë. Për fatin e tij të mirë, ai nuk është pjesë e atij lloj shpenzimesh me kushëririn tim, Adrian Shatku, i cili edhe ai është me fat.
Qylaxhi gjithë jetën, ka për të fituar. Për fatin e tij të mirë, tani që çështja shkoi për gjykim, do të hapen të gjitha letrat dhe, duke qenë se është shkelur privatësia dhe marrëveshja mes SPAK-ut dhe Departamentit të Drejtësisë, sepse dokumentacionet e marra për Adrian Shatkun janë marrë pa vendim gjykate, gjë që është e dënueshme në Amerikë", tha Kryemadhi./ZËRI
"Meta në top formë, i kishin çuar kostumin e gabuar", Kryemadhi: Seanca s'pati tensione, por na pikoi kondicioneri
TIRANË- Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka folur pas përfundimit të seancës së sotme, ku GJKKO ndau dosjen e Pirro Xhixhos dhe Fatime Kryemadhit. Kryemadhi e cilësoi një çështje politike, ndërsa foli edhe për paraqitjen e ish-bashkëshorti të saj Ilir Meta, pas ndryshimeve fizike.
Kryemadhi deklaroi se gjatë seancës nuk pati tensione, teksa nuk i kurseu batutat me gazetarët. Sipas saj, i vetmi incident i vogël ishte rrjedhja e ujit nga kondicioneri i ri mbi kokat e të pranishmëve.
“Nuk kishte tensione. I vetmi tension ishte që filloi të na pikonte kondicioneri i ri te salla e re. Ishin blloku tubat. Normalisht që 3 të tjerë do veçoheshin sepse ajo është një çështje politike dhe do një durim strategjik. Gjyqi mes meje, Ilir Metës dhe drejtësisë së re është një gjyq politik dhe ne që kemi qenë edhe shkaktarët e Reformës në Drejtësi, do paguajmë ato faturat tona, që do i paguajmë dhe po i paguajmë. Por s’kemi pse marrim me vete edhe njerëz të pafajshëm. Ndarja e çështjes është diçka pozitive. Analiza financiare e bërë për mamanë time, e tregon dhe ja jep të sakta që ajo ka burime financiare dhe të ardhura në të gjithë jetën e saj. Edhe çështja për shoqen time, Ema Çokun, është një pretendim që thonë ata pse ke bërë ti një deklaratë noteriale në 2024. Po normal sepse në 2010 ata nuk ishin subjekt i një hetimi pasuror. Pretendimet për abuzim nga mamaja ime nuk qëndrojnë, sepse është hetuar që atëherë nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë.
Sa i përket gjendjes fizike të Metës, Kryemadhi tha se ish-presidenti ndodhet në top formë dhe në posturë është drejt. Ajo shtoi se javën e kaluar i kishin çuar kostumin e gabuar, një numër më të madh sesa ishte e duhura, por Meta e kishte përballuar situatën pa problem.
"Ilir Meta është top formë. Në posturë është drejt. I kishin çuar kostumin e gabuar javës së kaluar. I kishin çuar masë të madhe, 56. Duhet t’ja çonin 52-53. Unë jam si të verbërit vëlla, që me dorë e njoh Ilir Metën”, tha mes të tjerash Kryemadhi./ZËRI
GJKKO ndan dosjen, gjykim i zakonshëm për Meta-Kryemadhi! Cakrani: Do provojmë pafajësinë tonë
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndarë çështjen për të pandehurit në dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Gjykata ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për tre të pandehur: Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çokun. Ndërkohë, procesi ndaj ish-çiftit Meta-Kryemadhi do të vijojë veçmas, me gjykim të zakonshëm.
Në përfundim të seancës, avokati Kujtim Cakrani u shpreh se ata do të provojnë pafajësinë. Sipas Cakranit, prokurori nuk kishte paraqitur prova që të fajësonin Metën dhe se ish-presidenti nuk ishte përfshirë në asnjë bisedë, e-mail apo takim lidhur me çështjen.
“Janë rreth 120 dëshmitarë. Ka prova të reja që do t’i paraqesim në gjykatë. Çështja i bashkohet gjykimit të zakonshëm. Do të provojmë pafajësinë. Sot, prokurori nuk kishte asnjë lloj prove që të fajësonte Metën. Zoti Meta nuk përfshihej në asnjë bisedë, e-mail apo takim. Do të vazhdojmë betejën tonë, edhe pse gjykata nuk na e pranoi kërkesën për masën e sigurimit.
Nuk e di çfarë ka dashur të thotë me numrin 7. Nuk bëri numrin 7, por shqiponjën. Meta është në lartësinë që kërkon pozicioni i tij si kryetar i PL-së. Përgjegjësinë Kryemadhi e ka marrë vetë që kur u pyet për hetimet paraprake në prokurori.
120 dëshmitarët janë pjesë e procesit hetimor dhe janë pyetur nga vetë organi i procedurës. Ne do të thërrasim edhe disa dëshmitarë të tjerë dhe do të paraqesim prova të reja”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani./ZËRI
Debate në gjyq, ish-deputetja: Dua 20 përgjimet! Meta pas xhamit? Kryemadhi: Në SHBA edhe vrasësit ulen me avokatin
TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e dytë në themel në ngarkim të Ilir Metës, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë. Në seancën me dyer të mbylluar, ish-deputetja Kryemadhi pretendoi se nuk i janë dhënë provat siç duhet, dhe USB-ja është e paaksesueshme.
Kryemadhi pretendon se nuk janë përgjimet në dosje. Gjykata u përgjigj duke thënë se përgjimet nuk ekzistojnë, por kjo u kundërshtua nga Kryemadhi.
Po ashtu, ish-deputetja mbështeti kërkesat e avokatit të Metës, Kujtim Cakrani, lidhur me vendosjen e ish-presidentit në kafazin prej xhami: “Jam dakord me kërkesat e avokatit Cakrani. Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim: edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah".
Diskutimet:
Kryemadhi: Kam marrë prova dhe më është dhënë një USB nga akuza, por nuk hapet. Kërkoj të merren masa të më vendoset siç duhet. Nuk më janë vënë në dispozicion aktet për çdo përgjim të familjarëve.
SPAK: USB është marrë në gjykatë? Do ta zgjidhim, do ta japim.
Kryemadhi: Dua edhe përgjimet.
SPAK: Keni çdo gjë në dosje.
Kryemadhi: Jo, nuk i keni futur përgjimet.
Gjykata: Gjykata nuk ka se si t’ju japë diçka që nuk e disponon, pra s’ka përgjim.
Kryemadhi: Në listën e provave thuhet që ekzistojnë mbi 20 përgjime ambientale, kështu që duam t’i marrim. Në ato materiale nuk ekzistojnë.
Gjykata: Është detyrim i organit procedurial t’ua vërë në dispozicion.
Kryemadhi: Me çfarë lekësh i bënë këto ambiente?!
Ndërkohë prokurori i SPAK ka evidentuar prova nga dosja hetimore për të vërtetuar lidhjet e ish-presidentit me aferën CEZ-DIA dhe lobimet në SHBA. Sipas provave nga ana e prokurorit, në biseda flitet dhe për shpenzime që ka bërë Monika Kryemadhi me kartën e kushëririt të saj, biznesmeni Ardian Shatku.
"Meta ka pranuar se e njeh Kastriot Ismailajn, ka mesazhe intensive, Meta ne 2009 i ka çuar sms dhe i ka shkruar "dua 200". Meta e Kryemadhi kane mare përsipër te ushtrojnë presion për çështjen CEZ-DIA qe kompania e Ardian Sharkut të futet ne treg. Ka komunikime te vazhdueshme, takim te Metës ne Marok dhe SHBA. Për fibrat, Shatku ka pasur interes për të ushtruar veprimtarinë për shtrimin e fibrave ne Shqipëri. Monika dhe Ilir Meta janë angazhuar për futjen në treg të kompanisë së Shatkut. Ata kanë ndikuar te Haxhinasto për të nxjerrë urdhrin nr. 1814, datë 20 mars 2015, për ndryshimin e urdhrit të mëparshëm për shtrirjen e fibrës.
Kryemadhi i ka shkruar Shatkut se ne duam kontratën, duke u nënkuptuar se e do edhe Meta. Marrëdhënia e Metës me kompaninë e Shatkut dhe lobimi: LSI ka bërë lobim përmes ndihmës së kompanisë së Shatkut. LSI ka bërë marrëveshje me disa kompani, duke raportuar se ajo marrëveshje zgjati 1 vit e 4 muaj, por realisht ishte vetëm një muaj, me një kosto prej 15 mijë dollarësh që kaloi nga llogaria. Kryemadhi përdori 234 mijë dollarë nga kartat e Ardian Shatkut”, ka thënë prokurori i SPAK.
Meta shfaqet pas kafazit të xhamit, bëhet bashkë me Kryemadhin: Gjyqin ta shohin shqiptarët! GJKKO u thotë 'JO'
TIRANË- Ish-presidenti Ilir Meta është shfaqur këtë të hënë në ambientet e reja të GJKKO-së, ku po zhvillohet seanca e dytë në themel për dosjen në ngarkim të tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë. Siç shihet edhe në videon e mëposhtme, Meta është paraqitur sërish në “kafazin e xhamit” brenda sallës së gjyqit. Ai ka përshëndetur mediat duke bërë simbolin e shqiponjës me duar.
Edhe në këtë seancë ish-presidenti kërkoi që gjyqi të transmetohet live. Kërkesa për transmetimin live u mbështet dhe nga Monika Kryemadhi, e cila tha se "Ky intimidim dhe linçim që më është bërë mua dhe ish-burrit tim, duhet të jetë e hapur që shqiptarët të shohin provat." Gjykata e ka rrëzuar kërkesën e tyre.
Ndërkohë, në një seancë pak minuta para se të niste seanca e themelit, GJKKO rrëzoi kërkesën e Ilir Metës për të ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje./ZËRI
Gjyqi ndaj Metës, ish-presidenti mbetet në qeli! Avokati: Karçanaj u lirua
TIRANË-Sot në Gjykatën e Posaçme po mbahet seanca e radhës në themel për dosjen në ngarkim të ish-presidentit, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë.
Avokati i tij Kujtim Cakrani u shpreh se ndaj ish-presidentit Prokuroria e Posaçme nuk ka dhe nuk jep prova, teksa ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë. Meta vendosi garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, për të ndryshuar masën e ‘arrestit me burg’, por GJKKO refuzoi kërkesën. Ndërkohë prokurori i SPAK, Sotir Kllapi tha se avokati nuk paraqiti asnjë provë për zëvendësimin e masës, ndaj vlerësoi se nuk janë rrethanat për ta ndryshuar atë.
“Meta ka 19 muaj në paraburgim. Gjykimi në themel ende nuk ka filluar dhe nuk dihet kur do të përfundojë. GJKKO e justifikoi masën me faktin se i pandehuri mund të dëmtojë provat duke intimiduar dëshmitarët. Rreziku i intimidimit të dëshmitarëve mbetet spekulativ. Prokuroria thotë që do prishë prova, por se cilat janë provat nuk e thotë. Prokuroria thotë që do të intimidojë dëshmitarët, por nuk thotë se cilët dëshmitarë do të intimidojë. Ne kërkojmë që ish-presidenti të ketë një masë më të butë. Gjykata duhet të parashohë rrethanat dhe rrezikshmërinë e individit, duhet arsyetuar nga gjykata pse mbahet në paraburgim një individ. Gjykata e Lartë liroi Mirlinda Karcanajn që akuzohet për grup kriminal, ndërsa Meta mbahet prej 19 muajsh në paraburgim”, u shpreh Cakrani.
Në mbështetje të Metës në sallën e gjyqit ishin dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe deputetë të Partisë Demokratike, Flamur Noka, Klevis Balliu e Bujar Leskaj.
Në seancën e kaluar (27 prill) kreu i Partisë së Lirisë u shfaq edhe për herë të parë publikisht që pas arrestimit të tij. Ish-presidenti u shfaq me dy gishta lart dhe duke bërë simbolin e shqiponjës nga kafazi prej xhami. Ish-presidentit iu rrëzua kërkesa që gjyqi të transmetohet drejtpërdrejtë nga mediat.
Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.
Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI