LIVE UPDATES

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore: S’ka më 'tokë të xanun'! Protesta në Laç e Theth

➤ Aksioni për lirimin e hapësirave publike ende vazhdon. ➤ Teksa në Theth u protestua për më shumë se 2 orë kundër shembjes së bujtinave të tyre, kreu i qeverisë Edi Rama zbarkoi në Elbasan. ➤ Edhe atje, si në Vlorë, Durrës dhe Fier kërkoi dorëheqjen e drejtorëve të Bashkisë. ➤ Ndërsa në rrjetet sociale ka bërë me dije se aksioni është pjesë e një "pakete" me 6 pika për integrimin në BE. ➤ Kryeministri shkruan se me ligjin e ri për kontrollin dhe zhvillimin e territorit nuk do të ketë më 'tokë të xanum'. ➤ Gjithashtu njofton se puna ka nisur paralelisht edhe për reforma të tjera në disa sektorë, si furnizimin me ujë; sistemin e pastrimit e të përpunimit të mbetjeve; shërbimin spitalor, deri tek furnizimi me naftë dhe barna. ➤ Rama ka paralajmëruar se Qeveria shqiptare do ndërhyjë në çmimin e naftës dhe brenda këtij viti do të vendoset një ekuilibër i ri. ➤ Të gjitha këto, për Ramën, do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. ➤ Por protestat vijojnë. Përveçse në Theth, kundërshtime për aksionet ka pasur edhe në Laç.

11 artikuj për këtë temë.
20 ORE ME PARE

'Borxh për t’u shlyer', Rama ndan pamjet nga Vlora: Skuadra e 11 majit të jetë në terren

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Edi Rama

VLORË-Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se mandatet e marra janë një borxh që duhet shlyer me punë konkrete dhe kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Rama ka ndarë pamjet nga takimet e zhvilluara në Vlorë, duke përsëritur thirrjen për strukturat e PS.  

Kreu i qeverisë deklaroi se deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për qarkun e Vlorës, do të jenë në terren për të identifikuar problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike në qytet.

Edi Rama: Skuadra e 11 majit për Vlorën është dhe do të vazhdojë të jetë në terren, për të bërë inventarin e problematikave me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet, duke dëgjuar qytetarët nga qendra në periferi, në respekt të plotë të 9 mandateve historike që na dhanë, e të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, po duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm.

Disa ditë më parë Rama i bëri thirrje të gjithë bizneseve në Vlorë që të lirojnë trotuaret, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike. Në disa zona nisi edhe shembja, për të cilën dje pronarët e bizneseve dolën në protestë. Ata u shprehën se në "notë proteste" do të mbyllin të gjithë bizneset derisa të binin në një dakordësi me qeverinë.

21 drejtues të drejtorive të varësisë lokale në Bashkinë e Vlorës kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha. Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë./ZËRI

1 DITE ME PARE

Banori me aftësi të kufizuara hipën mbi fadromë! Drejtori i IKMT: Mos luani me fatkeqësinë e njerëzve, na lini të bëjmë detyrën

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Fatmir Metaj

THETH-Në Theth banorët vijojnë protestën për shembjen e kabinave dhe bujtinave të tyre nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit, ku nuk kanë munguar përplasjet me punonjësit e IKMT. Familja Koçeku po bën rezistencë, teksa fadromat do të rrafshojnë disa bujtina të ndërtuara pa leje në pronësi të tyre pranë Kullës së Ngujimit në Theth.

Drejtori i Zbatimit të Vendimeve të IKMT, Fatmir Metaj është përballur me banorët dhe u kërkon atyre që t’i lejojnë të bëjnë detyrën. Sipas tij banorët po përdorin Bekim Koçeku, me aftësi të kufizuara, për të ndaluar ndërhyrjen.

Debati:

Fatmir Metaj: Nuk ka lidhje fare zotëria me objektet, jeni ju pronari, Ju luten edhe njëherë, ju kemi njoftuar, ju kemi lënë kohë për dy ditë rresht, që nesër në orën 08:00 objekte do ti çmontojmë.

BanorëtAsnjë minutë.

Fatmir Metaj: Ju toleruam dy ditë, duke na premtuar se nesër i keni të çmontuara. Largoni njerëzit dhe na lini të bëjmë detyrën. Mos luani me fatkeqësinë e njerëzve.

BanorëtCilën detyrë.

Fatmir Metaj: Ju kemi toleruar jashtë masë, duke shkelur edhe ligjin. Objektet janë pa leje. Ngaqë objektet janë pa leje keni bërë një akt noterial në emër të zotërisë (Bekim Koçeku, me aftësi të kufizuara). Ju lutem edhe një herë mos luani me fatkeqësinë e njerëzve.

Bekim Koçeku, me aftësi të kufizuara u fut në mes të fadromës së IKMT dhe u shpreh se më mirë do të vdesë sesa t’i prishen shtëpitë prej druri që sipas tij i ka ndërtuar me kredi dhe borxhe./ZËRI

1 DITE ME PARE

Urdhri i Ramës për dorëheqjen e drejtorëve mban pezull aksionin për lirimin e hapësirave në Durrës

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:

DURRËS-Aksioni i lirimit të hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme në Durrës ka mbetur pezull. Shkak është bërë urdhri i kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e të gjithë drejtorëve në bashkinë e Durrësit dhe atyre të ndërmarrjeve të varësisë, si dhe drejtorëve rajonalë.

Sot nuk është shënuar asnjë aksion në terren dhe pse u deklarua se aksioni do të vazhdojë duke u shtrirë në të gjithë Durrësin. Dorëheqja e drejtuesve e ka vendosur institucionin në një fazë pritjeje dhe paqartësie.

Drejtorët duhet të paraqesin dorëheqjen dhe të qëndrojnë në dispozicion të vlerësimit nga komisioni që do drejtohet nga drejtuesja politike e qarkut Durrës, kryebashkiakja Emiriana Sako dhe kryesueset e listës fituese të qarkut deputetet Klodiana Spahiu dhe Milva Ekonomi.

Një ditë më parë pas takimeve në Fier me drejtuesit vendor, kryeministri Edi Rama zhvilloi takime edhe në Durrës, ku u prit nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako. Ashtu si në Fier, edhe në Durrës Rama kërkoi largimin e drejtuesve aktualë të institucioneve në varësi të Bashkisë./ZËRI

1 DITE ME PARE

E denoncoi para disa ditësh, lirohet hapësira publike te ’21 dhjetori’, Rama: S’ka më tokë të xanun

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Pamjet nga 21 dhjetori

TIRANË- Kryeministri Edi Rama vijon me reagimet e tij lidhur me lirimin e hapësirave publike. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamjet nga një hapësirë në zonën e ’21 Dhjetorit’. Kreu i qeverisë ndër të tjera njofton se 8 grupe arkitektësh janë shpërndarë në territor për të inventarizuar ‘plagët’ urbane. 

Edi Rama: Kjo hapësirë publike e 21 Dhjetorit (si të tjera në Tiranë sot, nesër e në vijim) nuk është më “tok e xanun”, por në ndërkohë 8 grupe arkitektësh janë shpërndarë në territor për të inventarizuar plagët urbane që pas pastrimit kërkojnë shërim, duke u rikthyer me projekte të reja komunitare për të cilat kemi marrë angazhimin e mbi 100 arkitektëve të mirënjohur ndërkombëtarë që punojnë edhe në Shqipëri, e që do të kontribuojnë falas me projekt-idetë e tyre

Që në nisje të këtij muaji, Rama ka paralajmëruar bizneset për rikthimin e hapësirave që janë zaptuar duke penguar kështu kalimin dhe qarkullimin e qytetarëve./ZËRI

1 DITE ME PARE

“Më mirë të vdes”, banori i Thethit shtrihet para gomave të fadromës: Ku të mbytem, kam 200 milionë borxh

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Bekim Koçeku

THETH-IKMT po vijon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Fadromat do të rrafshojnë një disa bujtina të ndërtuara pa leje pranë Kullës së Ngujimit në Theth, në pronësi të familjes Koçeku. Një prej anëtarëve Bekim Koçeku, me aftësi të kufizuara u fut në mes të fadromës së IKMT dhe u shpreh se më mirë do të vdesë sesa t’i prishen shtëpitë prej druri që sipas tij i ka ndërtuar me kredi dhe borxhe.

“I bëj thirrje shtetit të vijë të vërë dorë, se po më prishin shtëpitë prej druri, duke më nxjerrë në rrugë të madhe. Më mirë të më hipë fadroma sipër, të vdes unë më mirë. Të vijnë t’i shohin – janë të gjitha prej druri, me kredi e borxhe, dhe duan të mi prishin. Thirrje Edi Ramës, Benet Becit, ju lutem, live, bota mbarë të shohë çfarë po bëjnë. Jam i vdekur – 200 milionë borxh! Nën goma do futem këtu. Janë shtëpi druri. Kanë thënë të ndërtojmë pa beton. Ja ku janë! Duan të mi prishin. Ku të shkojmë? Unë po vdes nëse mi prishin, po vdes këtu. Thirrje për ndihmë Benet Becit, Edi Ramës – çfarë është ky muhabet, nuk ka beton fare.” – tha banori i Thethit, Bekim Koçeku.

Banori më herët u shpreh se po humbin investimet e bëra nga kursimet e jetës. Ai tha se ka ngritur vetëm 5 shtëpi prej druri, dhe nuk ka asnjë pëllëmbë beton.

Protesta e sotme ishte e paralajmëruar që dje në kuadër të kundërshtimit të aksionit të IKMT-së, të cilët edhe sot kanë shkuar në terren për të prishur disa ndërtime pa leje në zonën turistike të fshatit. Dje, banorët kërkuan negociata dhe dialog me instancat dhe Bashkinë e Shkodrës, por duket se kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh. Aksioni, i inciuar nga kryeministri Edi Rama, do të vijojë pasi në total do të prishen 40 objekte të ngritura në këtë Park Kombëtar. Por banorët janë kundër./ZËRI

1 DITE ME PARE

Berisha për situatën në Theth: Asnjë tokë nuk është e 'xanun'

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar sërish situatën dhe protestat sot në Theth, ku pronarët e bizneseve dolën kundër shembjes së bujtinave të tyre. Në një konferencë e gazetarët, Berisha thekson se asnjë metër e atyre tokave nuk janë të “nxanun”, siç i cilëson kryeministri Rama, por janë të trashëguara brez pas brezi. Po ashtu, kryedemokrati argumenton se për aq kohë sa nuk ka pasur beton, nuk quhen ndërtesa të paligjshme. Por shton se nëse ky do ishte rasti, qeveria duhej të priste për përfundimin e sezonit për të vepruar.

"Asnjë pëllëmbë nuk është ‘tokë e xanun’, çdo pëllëmbë tokë e atyre fshatarëve është tokë e trashëguar brez pas brezi. Në rast se ata vërtet në moszbatim të ligjeve, në tokë të tyre kanë vendosur kabina apo kontejnerë, sigurisht ata kanë bërë një shkelje, por jo të ligjit për urbanistikën, sepse ai ligj ndërtimet pa themel nuk i konsideron ndërtime pa leje. Po në qoftë se aty janë bërë shkelje, ta zëmë, atëherë çdo shtet çon njoftimin e konstatimit dhe nuk ka shtet në botë që ndërhyn në mes të sezonit. Ata kanë kontrata, ata kanë prenotime,ata kanë njoftime. Prit të bjerë sezoni dhe vepro,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij. 

Berisha: Një terror dhe krim i shëmtuar po ushtrohet mbi banorët dhe turistët e Thethit. Ramaduro po hakmerret ndaj veriut për të shpërqendruar vëmendjen nga farsa elektorale

Një terror dhe krim i shëmtuar po ushtrohet mbi banorët dhe turistët e Thethit. Në një akt, do të thosha kriminal, Edi Rama në mesin e sezonit turistik ka gjetur hakmarrjen ndaj Thethit për t’ia larguar edhe ata turistë që i shkojnë si burimi i vetëm i të ardhurave për atë komunitet. T’i thuash çmenduri, nuk është çmenduri se është qëllim që bazohet në një urrejtje patologjike të papërmbajtur të një njeriu, përroi psikik i të cilit prodhon në 24 orë urrejtje dhe negativitet. Asnjë pëllëmbë nuk është ‘tokë e xanun’, çdo pëllëmbë tokë e atyre fshatarëve është tokë e trashëguar brez pas brezi. Në rast se ata vërtet në moszbatim të ligjeve, në tokë të tyre kanë vendosur kabina apo kontejnerë, sigurisht ata kanë bërë një shkelje, por jo të ligjit për urbanistikën, sepse ai ligj ndërtimet pa themel nuk i konsideron ndërtime pa leje. I konsideron ndërtime me vetëdeklarim. Por cilido të ishte situata e tyre, në kulmin e sezonit turistik kanë ardhur të tjerët nga Australia, Gjermania, Izraeli, Egjipti, Franca, Italia. Kanë prenotuar pushimet dhe ky del dhe u dërgon aty banda me uniformë për t’ia çmontuar kabinat apo çfarë janë ato, dhe për të zhvilluar një betejë ku banorë dhe turistë janë bërë së bashku. Ky është një shfryrje urrejtje e një njeriu që përfaqëson një trup urrejtjeje njerëzore. Po në qoftë se aty janë bërë shkelje, ta zëmë, atëherë çdo shtet çon njoftimin e konstatimit dhe nuk ka shtet në botë që ndërhyn në mes të sezonit. Ata kanë kontrata, ata kanë prenotime,ata kanë njoftime. Prit të bjerë sezoni dhe vepro. Po zgjidhet mesi i sezonit si hakmarrje atërore dhe ky është i tëri një shpirtkërmë që riprodhon të atin e tij xhelat dhe dajën e tij xhelat për kundërshtarin. A mundet një njeri të dërgojë hordhi, falanga në Theth dhe t’ia heqë tjetrit kabinën nga oborri i shtëpisë së vet kur e ka plot me turistë dhe ka të tjerë të prenotuar. Këto i bën vetëm një shpirtkërmë që ka shpirtin e të atit xhelat Kristaq Rama, i cili firmoste varjen e kundërshtarit. Që ka shpirtin e Spiro Kolekës që kërkonte t’u futeshin tanket dhe mitralozët studentëve në dhjetor të vitit 1990. Ai mund të bëjë një akt të tillë ndaj tyre. Ai ka një hall të madh pasi është kapur në çark për vjedhjen e zgjedhjeve, për farsën elektorale, për shkatërrimin e procesit, tani bën çdo gjë që vëmendja e shqiptarëve të shpërqendrohet nga farsa. Por këto janë akte krimi shtetëror, këto që ndodhin... Mos harroni se ai komunitet, ai turizmin ka, nuk ka asnjë të ardhur tjetër. Po të shkoni atje disa parcela toke kaq minimaliste sa nuk ka ku të shkojë. Dhe ju njoftoj se në dallim nga zonat e tjera turistike të vendit, Thethi dhe Valbona, 90 përqind të turistëve i kanë të huaj. Shikoni tani, kanë dalë të huajt bashkë me fshatarët dhe protestojnë kundër Ramaduros, që nuk njeh asnjë ligj dhe moral dhe sillet si pushtues i egër ndaj banorëve të veriut. Mundet kjo? Kontejnerë në livadhin para derës së shtëpisë. Dakord që duhej të kishin bërë deklaratën, por nuk janë ndërtime pa leje. Ndërtime pa leje, sipas vendimit të firmosur nga vetë Ramaduro janë ndërtimet me themele, etj. Ato janë vendime të vendosura mbi pllaka çimentoje ose mbi trarë druri.

Në Theth ka nisur një përplasje mes autoriteteve policore dhe banorëve të zonës, për shkak të urdhërit të kryeministrit Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje. Banorët kanë kundërshtuar këtë urdhër, duke kërkuar dialog mes tyre dhe shtyrje të afatit deri në përfundim të sezonit turistik./ZËRI

1 DITE ME PARE

Lirimi i hapësirave publike në Laç, tregtarët ambulantë protestojnë: Vendim i padrejtë, s'kemi ndihmë sociale!

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Pamje nga Laçi

KURBIN- Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon në të gjithë vendin, ndërsa policia është bërballur me protessta kryesisht nga pronarët e bizneseve, të cilët kërkojnë ndalimin e këtij aksioni. Ndërkohë në qytetin e Laçit tregtarët kanë protestuar mëngjesin e kësaj të mërkurë përpara Bashkisë së Kurbinit. Në përgjigjë të kërkesës së largimit nga hapësirat ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, ata kanë kërkuar zgjidhje nga autoritetet.

Ata shprehen se ky vendim është i padrejtë, duke mos ofruar asnjë zgjidhje alternative dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Duke folur për mediat, një shitëse ambulante shpreh shqetësimin e saj, pasi nuk ka tjetër përkrahje, teksa shton se bashkia nuk po i jep rrugëzgjidhje.

“Kam 15 vite shitëse ambulante, merrem me shitjen e rrobave. Burrin e kam me dializë. Ne kemi dalë për hall jo për qejf. Dje më erdhi policia dhe më tha ose hiqi rrobat nga aty ose do t’i marrim e do ti hedhim te kamionçina. Bashkia nuk po na jep rrugëzgjidhje, nuk kemi përkrahje,”-tha një shitëse.

Përballë kësaj situate, Bashkia Kurbin përmes Kryeinspektorit të IVMT, Jetmir Mzhika, ka njoftuar planin e ndërtimit të një tregu të ri, duke mos dhënë më shumë detaje. Ndërsa lidhur me kundërshtimin e tregtarëve ambulantë, Bashkia sqaron se këta të fundit nuk janë të formalizuar dhe kanë zaptuar hapësira publike.

“Bashkia Kurbin nuk ka dalë për t’i prishur punë, por duke qenë se shesin në trotuare dhe bllokojnë kalimin e qytetarëve në jemi në aksion për të liruar hapësirat publike. Aty do të bëhet edhe një kantier ndërtimi dhe ne nuk mund ti lëmmë qytearët të rrinë në një vend ku kalojnë mjete të rënda. Bashkia po punon për gjetjen e sipërfaqes së duhur që tregtarërt ambulantë të sistemohen përgjithmonë”, tha Jetmir Mzhita, kryinspetor i IVMT-së./ZËRI

1 DITE ME PARE

“Toka të xanuna”/ Aksioni për hapësirat publike, Rama: Reformë për kontrollin dhe zhvillimin e territorit

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reguar sërish lidhur me aksionin ndaj zaptimit të hapësirave publike në të gjithë vendin. Duke shprehur edhe njëherë vendosshmërinë e tij për të vijuar me aksionin, kreu i qeverisë ka paralajmëruar reforma të reja ligjore. Rama njofton se problemet për “tokat e xanuna në kurriz të komunitetit”, do të adresohen rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit. Po ashtu, kreu i qeverisë ka njoftuar edhe krijimin e disa reformave të tjera për ujin e pijshëm, pastrimin, furnizimin me naftë e me barna, si për shërbimin spitalor.

"Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian,"-tha Edi Rama./ZËRI

1 DITE ME PARE

Pas Vlorës, Fierit e Durrësit/ Rama mbërrin edhe në Elbasan

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Edi Rama në Elbasan

ELBASAN- Pas vizitave të ngjashme në disa Bashki të vendit, kryeministri Edi Rama ka zbarkuar sot edhe në Elbasan. I shoqëruar nga kryebashkiaku Gledian Llatja dhe nga drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, Rama do të zhvillojë një takim të ngjashëm me të tjerët që ka bërë këto ditët e fundit.

Në Vlorë, Fier, Durrës, Rama ka shkuar dhe ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të Bashkisë me pretendimin se nuk kanë përmbushur detyrat që i janë ngarkuar.

Vizitat e kryeministrit vijnë në kuadër të të ashtuquajturit aksioni "Tokë e xanun" për lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike në të gjithë vendin. Aksioni ka nisur me shembje në Vlorë, Theth dhe në Durrës./ZËRI

1 DITE ME PARE

Rama publikon fotot: Doli në dritë Lungomarja me heqjen e barrikadave absurde

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Edi Rama në Vlorë

TIRANË- Kryeministri Edi Rama duket se e ka arritur qëllimin e tij; pastrimin e Lungomares. I pari i qeverisë ka publikuar pamje nga shëtitorja e Lungomares në Vlorë, duke shprehur "kënaqësinë" lidhur me faktin se binzeset i kanë liruar hapësirat publike. Kështu, sipas Ramës, të gjithë do të kenë hapësirën e tyre për respektuar edhe qytetarët. 

“Vlora sot pasdite. Ja se si doli në dritë Lungomarja, thjesht duke hequr barrikadat absurde dhe frymën e shëmtimit kioskëzues, ndërkohë që të gjithë kanë hapësirën e tyre, edhe qytetarët, vizitorët, turistët, edhe njësitë e shërbimit, të çliruara nga “rraqet” e tepërta dhe të tërhequra qytetarisht në zonën e tyre,”- u shpreh kryeministri Rama.

Disa ditë më parë Rama i bëri thirrje të gjithë bizneseve që të lirojnë trotuaret, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike. Në disa zona nisi edhe shembja, për të cilën dje pronarët e bizneseve dolën në protestë. Ata u shprehën se në "notë proteste" do të mbyllin të gjithë bizneset derisa të binin në një dakordësi me qeverinë. Pranë tyre shkoi kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, i cili bëri me dije se kishin rënë dakord që të çmontonin vetë tendat pas 1 shtatorit. Ndërkohë aksioni "Tokë e xanun" është shtrirë edhe në zona të tjera në vend, kryesisht në Theth. Edhe atje, shembjet e bujtinave janë shoqëruar me protesta./ZËRI

1 DITE ME PARE

2 orë protestë në Theth! Pronarët kundër prishjes së bujtinave, përplasen me Policinë: Ku të mbytemi ne?!

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Pamjet nga Thethi

SHKODËR- Për më shumë se 2 orë, banorët e Thethit kanë dalë në protestë për shembjen e kabinave dhe bujtinave të tyre nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Mjedisit, ku nuk kanë munguar as shtyrjet dhe përplasjet me efektivët e Policisë së Shtetit. Të gjithë pronarët e bizneseve kanë bllokuar rrugën në urën kryesore të hyrjes në fshatin turistik, ndërsa pjesë e tubimeve janë bërë edhe turistët që kishin shkuar për të pushuar, por në fakt në vend të qetësisë kanë gjetur kaos edhe shembje. Turistët e huaj duket se e kanë gjetur të drejtë kauzën e tyre, ndaj edhe kanë vendosur që të bëhen pjesë me "bujtësit" e tyre. 

"Bëni shumë mirë që protestoni, prandaj ju jemi bashkuar. Kjo luginë është e juaj dhe duhet që të mbetet e juaja. Jemi në anën tuaj, faleminderit që na keni pritur,"-tha një nga disa turistet e huaja që ndodhet sot në Theth dhe që i është bashkuar pronarëve të bizneseve.

Banorët kërkuan që shteti të ndalë prishjen e objekteve, aksion të cilin e cilësuan si masakër që po kryhet në mes të sezonit turistik.

"Në mes të sezonit kur ndodh kjo punë. Në fund të sezonit ulemi e flasim, por jo sot. Ku të shkojnë këta njerëz që janë brenda? Ku ndodh kjo masakër? Kjo është e papranueshme, është qesharake. Kujt po i bëjmë reklamë? Kjo është anti-reklamë. Kemi sakrifikuar për të ndjenjur në këtë vend. Ne e kemi ndërtuar. Të ardhmen tonë, fëmija jonë, ku do të rrimë, ku do të shkojnë turistat? Në tokën tonë kemi ndërtuar, nuk na e ka falur kush. Ç'të bëjmë nesër, të bëjmë krime, të përfundojmë nëpër burgje? Ku të iki kjo popull, kjo rini? Ju po provokoni turistin e Thethit, çfarë doni të promovoni shpopullimin e vendit, ku të ikë kjo rini? Ky është mundi, djersa dhe gjaku jonë. Po na e morët këtë, na merrni jetën. Ne po kërkojmë më minimalen dhe po na mohohet,”- tha ai.

Ndërsa një tjerë  nga banorët, ka shpërthyer në lot përpara kamerave, duke u shprehur se të gjithë kursimet e një jete, para të marra edhe borxh, janë derdhur pikërisht në këtë biznes që po i prishet. Ai ngulmon se nuk ka ndërtuar në beton, por vetëm në materiale ekologjikë në pronën e tij.

“Shpenzimet e gjithë jetës, jam mbytur në borxhe e tashmë po na i prishin të gjitha. Kam shtëpi druri pa beton pa asgjë. I kam vendosur tokën time. Kemi kërkuar leje por na kanë thënë të presim. Toka është e imja, e trashëguar brez pas brezi. Kërkojnë ndihmë nga shteti që të mos na i prishë se dalim në rrugë të madhe. Kjo është e vetmja mënyrë që të fitoj jetesën. Unë jam i pamundur për të jetuar, kjo ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Na ka mbetur veç të vdesim. Ne nëpërmjet protestës kërkojmë që shteti të na lërë të jetojmë. Vetë kanë thënë të vijnë nga jashtë dhe të investojmë, unë nuk jam i ardhur, jam këtu. Toka është e imja 2-300-vjeçare. Unë kam investu ça kam investu. Jo beton, vetëm dru. Siç kanë thënë ashtu kemi investuar. Tani nuk kam më asnjë para për të investuar”, tha ai.

Uji, mbetjet, nafta e barnat, Rama njofton 6 reforma të reja ligjore:
Pamje nga protesta

Në mbështetje të banorëve ishte deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli, e cila debatoi me drejtuesit e Policisë së Shtetit për t'i lënë pronarët që të protestojnë për të drejtat e tyre. Ajo kërkoi që të mos pengohej protesta, por pretendimet se saj nuk janë pranuar nga uniformat blu.

“Edhe këto janë në përmbushje të të drejtës së tyre kushtetuese. Asnjë shtyrje atje. Me banorët s’keni punë, kanë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Ata janë në truallin e tyre,”- tha ajo.

Protesta e sotme ishte e paralajmëruar që dje në kuadër të kundërshtimit të aksionit të IKMT-së, të cilët edhe sot kanë shkuar në terren për të prishur disa ndërtime pa leje në zonën turistike të fshatit. Dje, banorët kërkuan negociata dhe dialog me instancat dhe Bashkinë e Shkodrës, por duket se kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.

Aksioni, i inciuar nga kryeministri Edi Rama, do të vijojë pasi në total do të prishen 40 objekte të ngritura në këtë Park Kombëtar. Por banorët janë kundër.//ZËRI

Poll

MOS HUMB