LIVE UPDATES

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës: Dorëhiquni! Bizneset në Lungomare në protestë

➤ "Tokë e xanun" vazhdon! ➤ Sot, kreu i qeverisë ka zbarkuar në Fier në vijim të aksionit të ndërmarrë prej tij për lirimin e hapësirave publike. ➤ Paraditen e sotme, kryeministri i vendit Edi Rama, përmes një komunikimi live në Facebook paralajmëroi se aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë edhe në qytete të tjera. ➤ Kështu që edhe në Fier, njëjtë si në Vlorë, kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të Bashkisë. Pretendimet ishin të njëjta, si mungesën e pastrimit por edhe zënien e hapësirave publike në qytet. ➤ Në deklaratat e deritanishme, Rama thotë se qytetarët, të cilët i besuan mandatin e katërt kanë nevojë për më shumë cilësi jete dhe cilësia e jetës në qytet varet nga cilësia e hapësirave të përbashkëta. ➤ Pas Fierit, numri një i qeverisë shkoi sot edhe në Durrës. Edhe atje kërkoi largimin e drejtorëve të Bashkisë. ➤ Ndërkohë, edhe sot ka vijuar aksioni në Theth për prishjen e 11 objekteve të ndërtuara pa leje në “zemër” të Thethit. Aksioni do të vijojë më pas me objekte të tjera, pasi në total janë për tu shembur rreth 40 ndërtime. ➤ Vendimet për pastrimin e hapësirave publike kanë ngjallur "revoltë" në Vlorë, atje ku pronarët e bizneseve kanë vendosur unanimisht që të mbyllin bizneset e tyre. 

9 artikuj për këtë temë.
5 ORE ME PARE

Shembjet në Theth/ Banorët kundërshtojnë, përplasen me Policinë: Jemi në shtëpinë tonë, duam dialog!

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Pamje nga përplasja

SHKODËR- Dhjetëra banorë të fshatit turistik të Thethit kanë kundërshtuar shembjen e ndërtimeve pa leje në zonë, duke u përplasur edhe me forcat e Policisë së Shtetit. Efektivët ishin në terren pasi banorët e zonës, shumë prej të cilëve me bujtina për turistët, kishin dalë në protestë për të kërkuar shpjegime lidhur me aksionin e zhvilluar nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit. Teksa banorët e zonës ishin të vendosur për kërkesën e tyre, nuk kanë munguar as momentet e tensionit dhe të përballjeve fizike me efektivët e Policisë. 

BANORËT NË VIDEO: 

“Na jena këtu, 300 vjet, 400 vjet mor'. Derisa ka le Perëndia, dhe pa pas konflikt me kënd…”

“Na nuk jena njerëz kundra ligjit, duam një njeri që drejton në IMT, kush është? Ju lutem të flasim me të. Kaq kërkojmë. Ju jeni punonjës policie, na u kuptojmë se ju s’na keni asnjë lloj borxhi.”

Megjithatë nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe kanë kërkuar një dialog urgjent me institucionet shtetërore dhe kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve dhe organizimin e një tryeze urgjente dialogu për të gjetur një zgjidhje, të mirë për të dyja palët. 

Kërkesa e plotë:

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, ne, banorët e fshatit Theth, në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, po ju drejtohemi me këtë peticion për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me veprimet e fundit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili ka ndërhyrë në pronat private të banorëve duke shembur ndërtesa në territoret tona. Këto ndërhyrje, të pa paralajmëruara dhe të pa shpjeguara, kanë shkaktuar një ndikim të thellë ekonomik dhe shoqëror për komunitetin tonë. Kjo situatë ka ndodhur në kulmin e sezonit turistik dhe pa asnjë lloj konsultimi me banorët, duke krijuar një krizë të menjëhershme për shumë familje që mbështeten në këtë industri për të mbajtur jetën në këtë zonë malore.

Me këtë rast, kërkojmë: Pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve të mëtejshme nga IKMT në territorin e Thethit deri në zhvillimin e një procesi të plotë, të hapur dhe të drejtë verifikimi. Organizimin e një tryeze urgjente dialogu në fshatin Theth, ku të jenë të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Shkodër, përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Vendor, përfaqësues të IKMT-së, si dhe përfaqësues të komunitetit lokal. Ne e respektojmë shtetin ligjor dhe kërkojmë zbatimin e tij në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Megjithatë, mënyra se si janë ndërmarrë këto veprime, pa një komunikim paraprak, pa transparencë dhe pa mbrojtjen e interesave të komunitetit, është një padrejtësi dhe një goditje e rëndë për ekonominë lokale.

Nëse brenda një afati të arsyeshëm nuk do të kemi një reagim dhe zgjidhje konkrete nga institucionet përkatëse, ne si komunitet do të jemi të detyruar të marrim masa ekstreme, përfshirë mbylljen e dyerve të bujtinave dhe pezullimin e shërbimeve për turistët, si formë proteste dhe mbrojtje të të drejtave tona. Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë dhe serioze!

Ndërkohë, edhe sot ka vijuar aksioni në Theth për prishjen e 11 objekteve të ndërtuara pa leje në “zemër” të Thethit. Aksioni do të vijojë më pas me objekte të tjera, pasi në total janë për tu shembur rreth 40 ndërtime./ZËRI

6 ORE ME PARE

Lirimi i hapësirave publike, Dredha: Tendat do i tolerojmë deri më 1 shtator, pastaj t'i çmontojnë vetë

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Ermal Dredha

VLORË- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka bërë një marrëveshje me bizneset në zonën e Lungomares, sa i përket çështjes së zaptimit të hapësirave publike. Teksa pronarët e bizneseve protestonin sot, Dredha bëri me dije për mediat se ka rënë dakord që fillimisht të largohen vazot e luleve dhe fasadat që pengojnë lëvizjen e lirshme të qytetarëve.

Ai tha se është lënë afat që nga 1 shtatori që bizneset të largojnë vetë tendat që kanë ngritur për pronat e tyre. 

"Nuk është protestë është thjeshtë një bashkëbisedim që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët derisa të mbarojë sezoni veror. Janë marrë disa masa në të gjitha akset e Vlorës, jo vetëm më Lungomare, që të hiqen fasdat, pemët dhe vazot me lule dhe për t’iu rikthyer projektit si ka qenë në zanafillën e vetë. Vit pas viti edhe është abuzuar pak, të gjithë janë munduar që të zgjerohen, duke shkaktuar një dëm tek komuniteti. Trotuarët të jenë të liruar të paktën, por për tendat anësore në lokale, ne do ti tolerojmë deri në fund të gushtit dhe nga data 1 shtatori, të gjithë kanë rënë dakord që ti çmontojnë vetë. Nuk po binin dakord në fillim por në fund arritëm me këtë dakodësi,"-tha ai.

Para tre ditësh, Rama iu dha një ultimatum prej 48 orësh bizneseve në Lungomare që të lirojnë hapësirat publike, ndaj edhe sot pronarët e bizneseve janë mbledhur për të kundërshtuar nismën e Ramës. Ndërkohë aksioni i kreut të qeverisë vazhdon edhe në qytete të tjera, pasi sot pritet që të vizitojë Fierin dhe Durrësin./ZËRI 

7 ORE ME PARE

Kishte prenotuar dy ditë në "Eagles Villas", turisti nga Jemeni: Ku të shkoj tani?

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Turisti nga Jemeni

SHKODËR- "Eagles Villas" në Theth nuk janë më që prej ditës së djeshme, por turistët e huaj që nuk janë të përditësuar me lajmet në Shqipëri vazhdojnë dhe bëjnë rrugën "kot" deri në Malësinë e veriut të vendit. Një turist nga Jemeni kishte rezervuar dy netë në kompleksin me konternierë, në pronësi të të kërkuarit nga SPAK, Prekë Kodra, nuk e priti mirë lajmin se vendi ku ai duhet të pushonte ishte shembur dhe thjesht nuk ekzistonte më.

I pyetur nga gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja, ai tregon se ka prenotuar bashkë me familjen duke mos e fshehur në asnjë moment zhgënjimin e tij.


“Vij nga Jemeni. Po, kam prenotuar (tregon në telefon prenotimin në kompleksin e Eagles Villas Theth). Nuk e di ku të shkoj tani, nuk e di çfarë të bëj, jam me familjen time. Nuk është mirë për vendin tuaj, nuk është mirë për njerëzit që e vizitojnë. Unë vij në vendin tuaj që të jem i lumtur. Dhe nëse vij apo shkoj diku dhe nuk e gjej aty, e shoh kështu. S’më ka thënë njeri gjë. Jam me familjen, kështu që çfarë të bëj unë tani?!,"- u shpreh ai.

Ndërkohë, edhe sot ka vijuar aksioni në Theth për prishjen e 11 objekteve të ndërtuara pa leje në “zemër” të Thethit. Aksioni do të vijojë më pas me objekte të tjera, pasi në total janë për tu shembur rreth 40 ndërtime./ZËRI

8 ORE ME PARE

‘Tokë e xanun’ përballë Hotel ETER në Golem/ Banori denoncon: S'dal dot në ballkon, lokali më ka ardhur te dritarja

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Pamje nga Golemi

GOLEM- Një banor i kompleksit të banimit “Erges”, përballë hotel “Eter” në zonën e Pishave të Buta në Golem, ka denoncuar në redaksinë e Lexo.al zaptimin e hapësirës publike nga një subjekt privat që ushtron aktivitet si bar-piceri në ambientet ngjitur me pallatin. Banori ngre shqetësimin se vendosja e lokalit në oborrin e kompleksit ka sjellë një sërë problemesh për jetesën e tij dhe të familjes. Ai thotë se aktiviteti është zhvilluar pa transparencë dhe pa marrë miratimin e banorëve.

“Unë kam një banesë në katin e parë të njërit prej pallateve dhe shqetësimi im është se aty është një bar piceri që ka zaptuar një pjesë të oborrit të kompleksit. Mua më ka ardhur ngjitur me ballkonin.”

Ai shton se për shkak të kësaj situate nuk mund të përdorë as ambientin e ballkonit, pasi klientët e lokalit krijojnë zhurmë dhe shqetësime të përditshme:

“Nuk dal dot në ballkonin tim sepse aty janë lloj-lloj klientësh që hanë dhe pinë dhe na shqetësojnë. Plus muzika e lokalit është problem më vete.”

Një tjetër shqetësim serioz që ai nënvizon është vendosja e disa bombulave të mëdha gazi në muret e pallatit, të cilat, sipas tij, përbëjnë rrezik real për jetën e banorëve:

“Kanë vendosur disa bombula të mëdha gazi në faqet e murit të pallatit dhe ky është një problem shumë i madh, sepse kemi frikë se mos plasin. Ne nuk dimë si janë instaluar dhe kemi frikë nga ndonjë eksplozion.”

Përveç rrezikut, ai thekson edhe dëmtimin e strukturës së kompleksit, që ka sjellë përmbytje në banesë gjatë shirave të dimrit:

“Të zotët e lokalit kanë prishur dhe strukturën e ambientit. Në dimër, kur bien shirat, na mbushen shtëpitë me ujë. Jam detyruar të bëj një shpenzim shumë të madh për këtë gjë, por kjo nuk mund të vazhdojë më.”

Sipas tij, këto ndërhyrje bëhen në dimër, kur shumica e banorëve nuk janë të pranishëm, ndërsa në verë, gjithçka gjendet e përfunduar:

“Të gjitha këto punë bëhen në periudhën që është dimër dhe në kompleks nuk ka banorë. Kur vijmë në verë, i gjejmë të mbaruar.”

Ai shprehet i zhgënjyer nga mungesa e reagimit të institucioneve vendore, si Komuna e Golemit dhe Bashkia e Kavajës, të cilave u është drejtuar me shkresa zyrtare, por nuk ka marrë përgjigje:

“I jam drejtuar Komunës së Golemit disa herë dhe më thonë që ‘e dimë rastin dhe do të vijmë për ta zgjidhur’, por nga ana e tyre nuk ka pasur asnjë interesim. I jam drejtuar edhe me shkresë zyrtare, por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nuk dua të aludoj për ndonjë mirëkuptim të pronarës me persona të komunës, por kjo situatë është e papranueshme.”

Edhe ndaj Bashkisë së Kavajës është bërë ankim zyrtar, por pa rezultat: I jam drejtuar me shkresë zyrtare Bashkisë së Kavajës, por as këta nuk më kthejnë përgjigje, edhe pse e kanë detyrim ligjor.

Banorët e tjerë të pallatit, sipas denoncuesit, kanë shprehur të njëjtat shqetësime dhe kanë firmosur një ankesë të përbashkët, duke kërkuar prishjen e ndërtimit dhe kthimin e hapësirës publike në gjendjen e mëparshme. Lexo.al do të ndjekë nga afër zhvillimet e kësaj çështjeje dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme./Lexo.al

9 ORE ME PARE

"Spastrim" edhe në Fier! Rama kërkon dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të Bashkisë

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bashkinë e Fierit, në vijim të aksionit të ndërmarrë prej tij për lirimin e hapësirave publike dhe të riorganizimit të administratës vendore. Edhe në këtë Bashki, ashtu si në Vlorë, kryeministri Edi Rama ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të Bashkisë që sipas tij nuk i kanë përmbushur detyrat. Po ashtu, i pari i qeverisë, ka pasur gjithashtu problem zaptimin e hapësirave publike dhe pastrimin e qytetit.

Ky veprim është cilësuar nga Rama si pjesë e një “aksioni vetëpastrimi” në administratën lokale. Në Fier, Rama ishte i shoqëruar nga kryebashkiaku Armando Subashi dhe nga drejtuesja politike e qarkut, njëherazi edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku./ZËRI

9 ORE ME PARE

"Tokë e xanun" vazhdon! Pas paralajmërimit, Rama shkon në mbledhje në bashkinë e Fierit

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Armando Subashi, Edi Rama dhe Belinda Balluku

FIER- Kryeministri Edi Rama ndaloi këtë pasdite në Bashkinë e Fierit, ku zhvilloi një takim të mbyllur me drejtuesit vendorë, në prani të kryebashkiakut Armando Subashi dhe zv.kryeministres Belinda Balluku. Në takim morën pjesë edhe të gjithë drejtorët e institucioneve me varësi nga bashkia. Edhe në një reagim në rrjetet sociale, Rama theksoi se procesi i "vetëpastrimit" që nisi në Vlorë duhet të shtrihet edhe në Fier dhe Durrës, duke lënë të kuptohet se priten ndryshime të thella edhe në këto bashki.

Më herët gjatë ditës, në një reagim në rrjetet sociale, Rama theksoi se procesi i "vetëpastrimit" që nisi në Vlorë duhet të shtrihet edhe në Fier dhe Durrës, duke lënë të kuptohet se priten ndryshime të thella edhe në këto bashki. Vizita e Ramës vjen vetëm pak ditë pas zhvillimeve të bujshme në Vlorë, ku 21 drejtorë të dorëhequr në bllok pas kritikave të forta nga kreu i qeverisë për keqmenaxhim dhe mungesë performance./ZËRI

10 ORE ME PARE

Aksioni "tokë e xanun"/ Pronarët e bizneseve në Vlorë protestë: Do mbyllim totalisht bizneset!

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Pamje nga protesta

VLORË- Nisma e kryeministrit Edi Rama, për lirimin e hapësirave publike, nuk është pritur mirë në Vlorë. Pasi kreu i qeverisë u la tre ditë kohë që të lirojnë hapësirat publike, pronarët e bizneseve në zonën e Lungomares në Vlorë kanë dalë sot në protestë. Për ta, vendimi për të vepruar tani, është shkatërrues për ta. Një prej pronarëve ka folur për mediat duke u shprehur se të gjithë kanë vendosur të mbyllin bizneset e tyre, duke e konsideruar vendimin e tyre një "notë proteste". Lidhur me aksionin, ata thonë se një kohë më e mirë për të vepruar do të kishte qenë disa muaj para ose pas sezonin, në mënyrë që të mos ndikonin as tek turizmi. 

"Është një goditje ekonomike kryesisht, është një situatë që nuk është bërë gjatë natës. Kryeministri ka qenë këtu dhe ka ngrënë dreka dhe darka, ka ardhur. Kjo gjë mund të bëhej para sezonit turistik. Mund të ishim riorganizuar shumë herë më mirë para sezonit, ose pas sezonit. E gjitha kjo që shihni sot është një ankesë që po e bëjmë së bashku. Është një situatë e paprecedentë. Gjithë këtu çfarë janë, turizmi sivjet nuk është në nivelet e pritshme, pak situatë kritike është, shto edhe këto prishjet, të gjitha këto përbëjnë një dëm ekonomik dhe kjo është një situatë që ne nuk e pranojmë dot. Po shkojmë drejt mbylljes, ndaj edhe kjo është një notë proteste. Ne jemi të gjithë të hapur që të ulemi të diskutojmë dhe të bëjmë më të mirën. Kjo është një situatë që ka vite që është e tillë. Nuk ka ndodhur asnjë uzurpim brenda natës. Do të donim që kjo situatë tëmos ishte "show" mediatik për të mirat e biznesit por edhe të komunitetit. Ne duam më të mirën e mundshme, por gjatë sezonit nuk e tolerojmë dot më sepse kemi kostot, trysnitë dhe presionet tona. Turizmi dhe turistët janë shumë të ndjeshëm ndaj çdo situatë që mund të ndodhi,"-tha pronari i një biznesi për mediat. 

Para tre ditësh, Rama iu dha një ultimatum prej 48 orësh bizneseve në Lungomare që të lirojnë hapësirat publike, ndaj edhe sot pronarët e bizneseve janë mbledhur për të kundërshtuar nismën e Ramës. Ndërkohë aksioni i kreut të qeverisë vazhdon edhe në qytete të tjera, pasi sot pritet që të vizitojë Fierin dhe Durrësin./ZËRI 

10 ORE ME PARE

Heqja e objekteve pa leje në Theth, banorja me lot në sy: I kemi bërë me djersë, ku do të mbytemi ne?

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
banorja e Thethit

THETH- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar edhe këtë të martë aksionin në Theth për heqjen e strukturave dhe objekteve të vendosura nga banorët pa lejet përkatëse, ndërsa pronarët dhe familjarët kanë shprehur trishtim dhe shqetësimin mbi këtë veprim. Një nga banoret e zonës, duke folur për mediat me lot në sy tha se kjo është një padrejtësi e madhe që po u bëhet.

"Nuk është e drejtë. I kemi bërë me mundime dhe me djersë, e me jetima. Nuk është drejtë! Kam vuajtur, kam rritur 6 fëmijët e mi dhe dy jetima me bukë e kripë. Nuk është drejtë me na hedhë poshtë djersën e fëmijëve që kanë punuar këtu. Është padrejtësi. Jemi në tokën tonë, këtu e 500 vjet kemi punuar me krah këtë tokë. Nuk është drejtë që të na humbasin mundimin e djemve tanë. Kam 5 djem me 5 gra. Ne kemi qenë të gatshëm me plotësu kërkesat e shtetit. Ku do të mbytemi ne me 25 familjarë?! E kemi me djersë, me mundim. Nuk është e drejtë! Shikoji fëmijët sa grimë janë, shikojini! Nuk është drejtë! I bëjmë thirrje shtetit të mos na cenojë kështu se nuk kemi mundësi ku të jetojmë dhe kalojmë. Nuk është drejtë!”, –u shpreh ajo për Euronews.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ZËRI (@zeri.albania)

Ndërsa një djalë 18-vjeçar, përfaqësues i një familjeje tjetër që do t’i hiqen objektet, tha se për ta kjo është një katastrofë, pasi po u hiqen këto struktura që nuk kanë asnjë pikë betoni. Ai u shpreh se nuk u mbetet gjë tjetër veçse të marrin valixhet dhe të largohen jashtë vendit.

“Na ka gjet një katastrofë! Këtu e kemi ndërtuar me babën, në tokën tonë, të trashëguar brez pas brezi. Pse mos ta bëjmë diçka? Nuk ka asnjë pikë beton! Nuk ka pse të prishet! Shteti, është shtet?! Vjen, të lajmëron me këto që na kanë ndodhur… Tani nuk na ngelet rrugë tjetër, veç të marrim valixhet dhe të ikim jashtë vendit. Unë jam 18 vjeç dhe këtu e kam pas të ardhmen – dhe kjo po më ikën,” – tha Stiven Koçiu.

Një tjetër banore e zonës ankohet se nuk ka marrë zgjidhje lidhur me situatën, e se turistët janë larguar. Ajo bën thirrje se brenda disa orësh nuk mund të transferojnë në vend tjetër pushuesit që ndodhën në këto struktura druri. Pronarja e vë theksin tek thirrja e qeverisë për të kultivuar sa më shumë turizmin në vend, teksa shprehet se “Thonë bëni turizëm, s’lënë të bësh turizëm”.

“I kemi ndërtuar këtu e katër muaj. Kemi thënë që duam të ngrejmë një biznes. Na kanë thënë që nuk lejohet beton. Me beton s’kemi ndërtuar gjë. I kemi struktura druri. Thonë bëni turizëm, po bëjmë turizëm, spo na lënë të punojmë. S’dimë ku të kërkojmë të drejtat tona. Njerëit janë brenda, për dy orë ku ti çojë? Thonë ke dy orë afat. Ne duam një zgjidhje, jemi familjarë, duke rrit fëmijët. I kemi me gjak trupi, të na japin një zgjidhje se çfarë të bëjmë. Hiqi thotë, ku t’i çoj? Ku t’i çojmë? Zot na ruaj, na jep durim! Bëni turizëm, s’lënë të bësh turizëm. S’dimë ku të shkojmë as ne. Këto janë tokat tona. S’kemi konflikt me askënd. Unë s’di gjë. Ku të kërkojmë ne? Nuk e di. Turistëve çfarë t’u themi? Janë duke hyrë brenda. Kanë ikur ata që ishin. Vjen tjetri. Ata duan të vijnë, ku t’i çojmë ne për dy orë? Nuk ua kemi shpjeguar. As ne nuk dimë si t’ua shpjegojmë. Për dy orë, s’ka bërë vaki në gjithë botën. Për dy orë t’i thuash turistit se nuk mundem të të lë brenda. Të paktën të njoftonin kohë më parë, por për dy orë ku t’i çojmë?”,-tha pronarja e shtëpizave prej druri.

Aksioni në Theth nisi një ditë më parë ku IKMT filloi punën për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje.

11 ORE ME PARE

"Situata në Theth shqetësuese"/ Rama: KLP hetim për Prokurorinë e Shkodrës! Priten 'valë' dorëheqjesh në Fier e Durrës

"Tokë e xanun", Rama aksion në Fier e Durrës:
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjete sociale në lidhje me aksionin e ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Theth ku 10 kabina për të cilat ishin pa leje, tashmë janë hequr, kreu i qeverisë u shpreh se Ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentet që të kërkojë në KLP hetim për prokuroren Elsa Gjeli, por edhe për të gjithë Prokurorinë e Shkodrës.

Edi Rama: Është shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth, ku strukturat e shtetit që kanë vepruar janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e merr edhe në mbrojtje. Këta njerëz në shkollë bëjnë edhe një lëndë që quhet logjikë, në arsyetimet e tyre vetëm logjikë nuk ka. Ajo mungesë logjike në një organ themelor të zbatimit të ligjit, përkthehet në dëme shumë të mëdha për komunitetin, individët, për pasurinë tonë të përbashkët, për imazhin e vendit. Çfarë imazhi është ky në sytë e atyre qindra turistëve që dje edhe sot në Theth shikojnë fadromat, që shkojnë atje për të pastruar plagën e hapur nga një individ totalisht i papërgjegjshëm, që ka kryer krim të shumëfishtë atje dhe që ende tani që flasim nuk dihet kush është sepse prokurorja Gjeli, e ka lënë të lirë duke mos vendosur mosfillimin e çështjes, dmth ka vendosur të mos bëjë asnjë hetim.

Duke u ndalur në problematikat e Vlorës dhe aksionin për pastrimin dhe lirimin e hapësirave publike, Rama u shpreh se ky aksion nuk do të ndalet vetëm në Vlorë, por do të shtrihet në qytete të tjera si Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Fieri. Kreu i qeverisë njoftoi se këtë pasdite do të jetë në Fier dhe në Durrës, dy qarqe për të cilat thotë se vetëpastrimi i brendshëm është domosdoshmëri.

Edi Rama: Është e papranueshme që hapësirat publike të pushtohen, që trotuaret të kthehen në territor për përfitim personal, apo që të paguhen lekë për hapësira publike të përdorura si parkim privat. Vlora nuk duhet të vuajë më për furnizimin me ujë, problemi nuk është mungesa e ujit, por paaftësia dhe paturpësia që e ka penguar këtë proces. Sot pasdite jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha një realitet në transformim të vazhdueshëm. Duhen sy të freskët, duhet një përpjekje shtuar, një hov i ri, sepse 12 mandate në Fier, janë histori, e shkruar nga dhjetëra mijëra mbështes tanë në zonë, diasporë, që kërkon të vazhdojë të shkruhet si një kapitull i ri, që kanë nevojë për më shumë cilësi jete.

Vlora ishte i pari qytet ku nisi puna për pastrimin dhe lirimin e hapësirave publike të lëna porosi nga kryeministri. 21 drejtues të drejtorive të varësisë lokale në Bashkinë e Vlorës kanë paraqitur dorëheqjen pranë Kryebashkiakut Ermal Dredha. Rama ka kërkuar që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë. Një aksion nisi edhe në kryeqytet pas takimeve të njëpasnjëshme në selinë e PS. Aksioni tashmë është shtrirë në gjithë Shqipërinë, ku Policia dhe IKMT është ngritur në këmbë, duke evidentuar rastet./ZËRI

Poll

MOS HUMB