Deputeti i PS dënon ashpër dhunën në Zvërnec: Strukturat private nuk mund të zëvendësojnë shtetin

VLORË-Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido ka dënuar ngjarjen e ndodhur sot në Zvërnec ku banorët e zonës gjatë protestës u dhunuan nga roje private. Deputeti në reagimin e tij në rrjete sociale thekson se nuk mund të zëvendësohen institucionet shtetërore me struktura private.
Bido shprehet pro investimeve por thekson se duhet të jenë në përputhje me ligjin. Deputeti deklaron se konfliktet e pronave qofshin apo private nuk duhet të zgjidhen me forcë.
REAGIMI:
Ngjarja e sotme me persona të maskuar dhe roje private që përplasen me protestues janë të papranueshme dhe të dënueshme. Shqipëria është një shtet demokratik ku nuk mund të ketë privatizim të forcës dhe as zëvendësim të institucioneve shtetërore nga individë apo struktura private.
Shqipëria ka nevojë për investime dhe çdo investim që është në përputhje me ligjin duhet të realizohet. Por konfliktet mes privatëve, qofshin pronarë, investitorë apo qytetarë që kundërshtojnë një projekt, nuk mund të zgjidhen me forcë, intimidim apo struktura private sigurie që marrin përsipër role që i përkasin shtetit. Kjo është arsyeja pse shteti ekziston dhe pse zbatimi i ligjit është monopol i institucioneve publike.
Përgëzoj Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për reagimin pas protestës dhe për procedimin e rojeve private të përfshira në ngjarje. Hetimi i plotë dhe vendosja e përgjegjësive për çdo shkelje është mënyra e vetme për të garantuar se ligji vepron njësoj për të gjithë.
Shteti i së drejtës nuk negociohet.
Nga raportimi i rremë te ndjesa publike e Policisë së Shtetit: Çfarë ndodhi në Zvërnec

TIRANË- Protesta e sotme në Zvërnec që u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje të ashpra, nxiti zhvillime dhe episode jo të zakonshme. Madje, e gjithë ngjarja, u raportua në një tjetër 'panoramë' nga vetë Policia e Vlorës, në reagimin ezyrtar për detajet e asaj çfarë kishte ndodhur në protestë.
Një deklaratë, që më pas pësoi në ndjesë dhe deri në pezullim të zyrtarit të lartë të Policisë.
Çfarë ndodhi konkretisht?
Dhuna ndaj qytetarëve, të cilët protestonin, ishte 'fytyra' që përkufizon këtë proteste. Pamje të rënda që qarkullonin, me banorë që merreshin zvarrë.
Nga të dyja anët e gardhit me tela pati tensione. Banorë të revoltuar, ndërsa nga ana tjetër, punonjës të sigurisë private të papërmbajtshëm, që shpërthyen në sharje, ofendime e deri në dhunë kafshërore.
Një nga episodet më të diskutueshëm që raportoi ZËRI ishte ai i një protestuesi, që në fakt ishte Policia e Vlorës ajo, që e solli në vëmendje, teksa raportoi se qytetari ishte futur në hapësirën e punonjësve private e për pasojë kishte përfunduar i dëmtuar.
"Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.", njoftonte policia.
Por...si ishte e vërteta? Në pamjet e plota të siguruara nga ZËRI, historia ishte tjetër. Qytetari, jo vetëm që nuk kishte tentuar të kalonte hapësirën. Përkundrazi, u tërhoq nga pala tjetër dhe fluturoi mbi telën mbi gjemba. Edhe këtu ishte tjetër histori. Ai 'u rrëmbye' dhe u dhunua nga punonjësit e sigurisë private.
Nuk ka vonuar shumë dhe menëjherë pas raportimit të ZËRI-t, ka ardhur reagimi i Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita pezulloi nga detyra Shefin e Policisë Vlorë, Elidon Çela. Madje, në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit kërkoi ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
"Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar. Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë", thuhej në njoftimin e Policisë./ZËRI
ZËRI raportoi se qytetari nuk qe futur brenda kantierit, Skënder Hitaj pezullon drejtorin e Policisë Vlorë
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë Vlorë, Elidon Çela. Shkaku i pezullimit lidhet me raportimin për përplasjet në protestën e sotme në Zvërnec. Siç Zëri, raportoi më herët, në njoftimin e sotëm Policia tha se qytetari i marrë zvarrë kishte cënuar një pronë private dhe për këtë kishte nisur përballja.
"Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet."-thuhej në njoftimin e Policisë Vlorë. Fill pas njoftimit, ZËRI publikoi pamjet. Ku siç shihet, kanë qenë punonjësit e sigurisë ato që e kanë marrë zvarrë qytetarin.
Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.
Çfarë ndodhi në dy anët e gardhit? Pamjet e plota: Punonjësit e sigurisë "fluturojnë" nga telat protestuesin dhe e dhunojnë
VLORË- Përplasje të forta u regjistruan gjatë protestës së sotme në Zvërnec. Pamje të rënda me fyrje dhe dhunë të raportuara më herët nga ZËRI, shfaqin përplasje fizike, ku duken banorët të cilët, përplasen ashpër me disa punonjës së sigurisë private.
Situata u përshkallëzua kur disa protestues tentonin të çanin kordonin e policisë të vendosur para gardhit me tela, për t'u 'përballur' me sigurinë private.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Vlorës raportoi se njëri prej protestuesve ka hyrë me forcë në brendësi të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjës të sigurisë private.
"Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.", njoftonte policia.
Megjithatë, ndryshe nga çfarë thotë Policia Vlorë, sipas pamjeve të plota, protestuesi shihet jashtë kantierit dhe nuk ka hyrë brenda rrethimit të sigurisë. Përkundrazi, ai është tërhequr dhe marrë zvarrë nga punonjësit e sigurisë.
Më pas, pamjet janë të rënda. Ai shihet duke u tërhequr zvarrë dhe në një moment goditet me grusht në bark nga një prej punonjësve të sigurisë./ZËRI
Protesta në Zvërnec, Policia e Vlorës: U morën masat, por situata u përshkallëzua...17 të preceduar, mes tyre 2 punonjës sigurie
VLORË-Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht lidhur me protestën e zhvilluar në zonën e Zvërnecit, ku banorët kundërshtonin një projekt ndërtimor në vendin e quajtur “Portonovë”. Sipas njoftimit të bluve të Vlorës, janë marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa gjatë tubimit situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.
Policia bën me dije se njëri prej pjesëmarrësve, shtetasi E. S., ka hyrë me forcë në brendësi të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjës të sigurisë private, ndërsa më pas është ndërhyrë nga shërbimet e policisë, të cilat e kanë nxjerrë nga ambienti dhe e kanë dërguar në DVP Vlorë. Gjithashtu, janë proceduar penalisht dy punonjës të sigurisë private, si dhe 15 pjesëmarrës në tubim, të dyshuar për veprime të dhunshme dhe prishje të rrethimit të kantierit.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë/ Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.
Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.
Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.
Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.
Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.
Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht edhe 15 shtetas pjesëmarrës në tubim, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Protesta kundër resortit/ Reagon kompania “Zvërnec South Adriatic Development”: Trualli, pronë private metër për metër! Do të krijojmë 10 mijë vende pune
TIRANË- Pas tensioneve të regjistruara gjatë ditës së sotme në Zvërnec mes protestuesve dhe përfaqësuesve të projektit, ka reaguar zyrtarisht kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.
Përmes një deklarate publike, kompania thekson se projekti po zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa është në fazën fillestare të një prej investimeve më të mëdha turistike në Mesdhe. Ajo thekson se rrethimi i zonës është kryer në bazë të pronësisë private të blerë ligjërisht.
Reagimi i plotë:
Me keqardhje të thellë që po abuzohet me ndjenjat e publikut në rrjetet sociale dhe po investohet për të përbaltur një sipërmarrje kolosale për turizmin dhe ekonominë shqiptare, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” njofton shtypin dhe opinionin publik si më poshtë:
Në zbatim strikt të legjislacionit shqiptar dhe në dialog të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse, kompania ka arritur të nisë fazën fillestare të një prej investimeve më të mëdha në fushën e turizmit në Detin Mesdhe, duke vendosur sipas ligjit rrethimin e pronës private që ajo disponon.
Teksa kompania është duke zhvilluar projektin final të ndërtimit, me ambicien për të arritur standardet më të larta arkitekturore dhe mjedisore, dhe ende pa u prezantuar projekti, gjendemi të detyruar të japim disa shpjegime:
Investimi parashikohet të arrijë vlerën e mbi 4 miliardë eurove, duke kontribuar me një rritje nga 3 deri në 4% në GDP (Prodhimi i Brendshëm Bruto) e Shqipërisë, në 5 vitet e ardhshme.
Investimi do të kujdeset tërësisht për ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit të zonës dhe për këtë investitorët kanë angazhuar prej 2 vitesh kompetencat më të spikatura në nivel global, për studimet mjedisore përkatëse. Të cilat padyshim do të ndahen jo vetëm me institucionet, po edhe me publikun.
Investimi do të krijojë direkt dhe indirekt mbi 10.000 (dhjetë mijë) vende të reja pune, duke u bërë një motor i rëndësishëm për ekonominë e zonës, të qarkut Vlorë dhe gjithë Shqipërisë.
Bazuar në eksperiencat e mëparshme të investitorëve, që kanë një portofol ndër më të spikaturit globalisht në fushën e turizmit, kompania beson se investimet dytësore që do të pasojnë do të rrisin ndjeshëm të gjithë zinxhirin e vlerës së ekonomisë vendore, nga vlera e pasurive të patundshme të krejt zonës së Vlorës deri tek diversifikimi i ofertës ekonomike dhe niveli i pagave për zonën.
Investitorët kanë një bilanc kuptimplotë të bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin në çdo investim të tyre, si edhe të përgjegjshmërisë sociale, gjëra që janë pjesë e planifikimit të punës dhe do të nisin bashkë me punën për projektin.
Ndërkohë nënvizojmë sa më poshtë disa të vërteta të mbuluara nga mjegulla e abuzimit mediatik:
Trualli në të cilin do të zhvillohet projekti është pronësi private metër për metër dhe kompania e ka blerë nga pronarët e ligjshëm, me certifikata pronësie të noterizuara. Të gjitha transfertat e blerjeve në lidhje me pronësinë janë kryer përmes sistemit bankar dhe janë lehtësisht të verifikueshme.
Të gjithë punonjësit që janë punësuar apo do të punësohen më tej në projekt janë dhe do të jenë subjekt i kontratave përkatëse sipas legjislacionit shqiptar.
Të gjithë hapat e ndjekur nga kompania janë bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në konformitet të plotë me autorizimet përkatëse në çdo hap.
Projekti i ndërtimit, ashtu si edhe ai mjedisor, po finalizohet nga disa studio ndër më të mirat në botë dhe sapo të përfundojë do të ndahet publikisht me të gjithë të interesuarit.
Kompania ka lidhur marrëveshje me disa prej brandeve më të njohur të ekselencës botërore në fushën e hotelerisë dhe shërbimeve të tjera, nga restorantet e baret deri tek aktivitetet sportive apo edukative.
Investitorët kanë një karrierë absolutisht të pakontestueshme dhe zotërojnë kompani të kuotuara në bursat ndërkombëtare, si edhe kapitale të pakontestueshme nga askush. Edhe kompania “Zvërnec South Adriatic Development” nuk do të bëjë asnjë përjashtim në zinxhirin e kompanive të tyre, të cilat janë krenare të mishërojnë ekselencën globale në çdo fushë të aktivitetit të tyre.
Duke dënuar me forcë çdo akt dhune ndaj pronës private si edhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje që synon disinformimin e publikut, kompania kërkon mirëkuptimin dhe durimin e publikut, duke i siguruar të gjithë ata që duan zhvillimin e qëndrueshëm dhe të suksesshëm të Shqipërisë, se nuk do të zhgënjehen kurrësesi nga cilësia absolute e projektit dhe produktit tonë.
“Zvërnec South Adriatic Development” është forca që do të zbatojë një investim ndërkombëtar, me bindjen dhe përkushtimin për ta shndërruar Vlorën në një nga pikat më të preferuara për turizmin botëror, ndërkohë që investitorët e këtij projekti janë miq të padiskutueshëm të Shqipërisë që frymëzohen nga tradita dhe mikpritja legjendare shqiptare.
Le të punojmë të gjithë së bashku, me besim dhe vërtetësi me njëri-tjetrin. Ndërsa me këdo që do të përpiqet të na pengojë apo shantazhojë, do të përballemi ligjërisht.
Nga Kuvendi Kombëtar i PD, Stresi ndan mesazhin për të rinjtë: Jemi më të fuqishëm se kurrë! (VIDEO)
TIRANË- Emri i Arkimend Lushaj, reperi i njohur si Stresi, renditen në mesin e e dhjetërave të tjerë për t'u zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Nga Pallati i Konkreseve ku zhvillohen punimet e Kuvendit Kombëtar, Stresi ndau një mesazh motivimi për rininë, ndërsa shtoi se prania tij është një vendim personal.
“Kemi ardhur këtu sot me një mesazh shumë të qartë për rininë, jam këtu, Kam marrë iniciativën vetë. Jemi më fuqishëm se kurrë”,- thotë Lushaj.
Më herët gjatë ditës është zbardhur lista e plotë e kandidatëve, e ndarë në tre grupe, ku janë caktuar kuota të veçanta për përfaqësimin e vajzave dhe zonjave, ndërsa një listë është me emrat e të rinjve që pritet t’i bashkohen Kuvendi Kombëtar të PD.
Arkimend Lushaj është emri që bie më sy krahas figurave të tjera të reja, si: djalit të Sokol Olldashit, Glauk Olldashi, vajzës së Bujar Nishanit, Fiona Nishanit dhe djalit të vogël të Azem Hajdarit, i cili ka emrin e babait, apo edhe ish-banori i Big Brother dhe këngëtari Armaldo Kllogjeri.
Një ditë më parë Stresi njoftoi angazhimin e tij politik, duke shpallur kandidaturën për një vend në Këshillin Kombëtar të Partia Demokratike e Shqipërisë. Ai u shpreh se angazhimi i tij në politikë vjen për të përfaqësuar të rinjtë dhe të rejat që, sipas tij, janë ndjerë të papërfaqësuar.
Reperi e ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Partinë Demokratike, duke qenë shpesh herë i pranishëm në protesta e lëvizje të opozitës. Në takimin përmbyllës të fushatës së opozitës, ai këndoi edhe këngën “Nishat”, që sipas tij ishte e dedikuar për çdo demokrat, pasi në fletën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme, Partia Demokratike mbante numrin 1 në listë./ZËRI
Kush janë personat e maskuar në protestën e Zvërnecit? Qëndresa Qytetare kërkon sqarim dhe reagim nga Policia (VIDEO)
TIRANË- Persona të maskuar dhe pa uniformë tërhoqën zvarrë banorët e Zvërnecit dhe Pishë Poros, të cilët protestonin për rikthimin e tokave dhe ndalimin e punimeve në zonë. Sikur të mos mjaftonte përplasja me efektivët, situata është tensionuar me ndërhyrjen e këyre personave të maskuar, siçduket edhe në pamjet e mëposhtme të siguruara nga ZËRI.
Rrethanat e ndërhyrjen së tyre, po aq sa identiteti, mbeten të dyshimta dhe ende nuk ka një njoftim zyrtar.
Lidhur me këtë, Qëndresa Qytetare i ka bërë thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, dhe Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, të dalin urgjentisht në një deklaratë publike për të sqaruar ngjarjet e ndodhura gjatë protestës së fundit.
Ata kërkojnë reagim urgjent dhe transparencë sa i përket identitetit të këtyre personave, të cilët dhunuan banorët e zonës. Përballë kësaj situate, Qëndresa Qytetare kërkon të dijë se çfarë ka konstatuar Policia e Shtetit mbi këto incidente dhe ngre pyejten nëse këta persona janë identifikuar dhe arrestuar nga policia, apo nëse rastet e dhunës janë referuar në Prokruroi. /ZËRI
Dhuna gjatë protestës në Zvërnec, banorë e efektivë përfundojnë në spital
VLORË-Dhjetëra banorë kanë përfunduar në spital pas protestës së zhvilluar sot në Zvërnec kundër punimeve në zonë. Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se pas përshkallëzimit të situatës me hedhje guri e spraj djegës, disa persona mes tyre efektivë janë lënduar.
Ambulanca ka mbërritur në zonë dhe të lënduarit me dëmtime në kokë e trup si pasojë e gurëve të hedhur nga të dyja palët, ato pas gardhit rrethues e banorëve, janë shoqëruar në spital. Disa prej protestuesëve kanë pësuar dhe lëndime në sy. ZËRI ndau pamje nga protesta e zhvilluar ku në një prej imazheve të rënda, banorët u morën zvarrë nga persona të maskuar.
"Kush je ti, është shtëpia ime"! Tensione mes banorëve dhe Policisë në Zvërnec: Hapni rrugën
VLORË-Protesta e banorëve në Zvërnec është shoqëruar me përplasje e tensione me efektivët të cilët janë vendosur para gardhit rrethues. Banorët u kanë kërkuar policëve të hapin rrugën, pasi këta të fundit po i pengonin që të protestojnë.
Punimet po zhvillohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka përfituar dy leje zhvillimi për ndërtimin e një resorti turistik masiv gjatë vitit 2025, por këto leje nuk janë bërë ende publike. Projekti lidhet me një investim të prezantuar më herët në media ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e mijëra njësive akomoduese në një zonë që ndan lagunën e Nartës nga deti Adriatik.
Tensione në Zvërnec! Banorët tentojnë të 'shkulin' gardhin dhe hedhin gura, efektivët u përgjigjen me spraj
VLORË-Protesta e banorëve në Zvërnec ka vijuar mes tensioneve dhe përplasjeve me efektivët. Banorët kanë tentuar të shkatërrojnë rrethimin me tela dhe kanë hedhur gurë drejt efektivëve të cilët janë vendosur gardh para tyre. Policët janë përgjigjur me spraj.
Protestuesit e konsiderojnë situatën si një shpronësim faktik pa zgjidhje përfundimtare ligjore. Ata pretendojnë se toka është pronë e tyre e trashëguar. Në zonën e Zvërnecit dhe Pishë Poros parashikohet ndërtimi i një resorti turistik nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.
SKANDAL në Zvërnec, persona të maskuar tërheqin zvarrë banorët gjatë protestës
VLORË-Banorët e Zvërnecit dhe Pishë Poros kanë dalë sërish në protestë në Portonovë, duke kërkuar rikthimin e tokave dhe ndalimin e punimeve në zonë. Me pankarta në duar 'Prona jonë, e drejta jonë!', pretendojnë se toka është e trashëguar dhe se prej vitesh ndodhen në procese gjyqësore për pronësinë. Protesta është shoqëruar edhe me përplasje mes banorëve dhe efektivëve të cilët janë vendosur para gardhit rrethues.
Situata është përshkallëzuar, ku persona të maskuar dhe pa uniformë kanë tërhequr zvarrë qytetarët, ndërsa qindra policë ndodheshin përreth. Lidhur me sitauatën ende nuk ka një njoftim zyrtar që sqaron plotësisht rrethanat apo identitetin e personave të përfshirë.
Punimet paraprake dhe rrethimi i territorit kanë shkaktuar reagime të forta nga banorët dhe aktivistët mjedisorë. Punimet po zhvillohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka përfituar dy leje zhvillimi për ndërtimin e një resorti turistik masiv gjatë vitit 2025, por këto leje nuk janë bërë ende publike. Projekti lidhet me një investim të prezantuar më herët në media ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e mijëra njësive akomoduese në një zonë që ndan lagunën e Nartës nga deti Adriatik.
Lidhur me zhvillimet e fundit në zonë, një reagim erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Albanian Digital Solution Sh.A. Rama sqaroi se shteti nuk ka falur asgjë, pasi ajo tokë nuk i përket shtetit, por ka qenë historikisht pronë private. Kreu i qeverisë theksoi se investitorët që po hyjnë në këtë biznes janë seriozë dhe marrëveshjet i kanë bërë drejtpërdrejt me pronarët privatë.
Në terren situata vijon të jetën e tensionuar me ndërtimet që vijojnë dhe protestat para tyre, deri në një sqarim të situatës nga institucionet përkatëse./ZËRI