LIVE UPDATES

DEBATI-Terapia Hormonale për të mitur për transgjinorët, Komunitetet fetare kundër (REAGIMET)

➤Një debat i gjerë publik është hapur lidhur me urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, ku parashikohet që terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç. ➤Të gjithë ata që duan të përshtatin trupin me identitetin e tyre gjinor, kanë të drejtë të marrin këtë trajtim në QSUT. ➤Ky vendim është kundërshtuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili thekson se të miturit nuk duhet të vendosen përballë ‘proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim.’ ➤Edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka kërkuar transparencë në lidhje me vendimin, ku shpreh rezerva ndaj ndërhyrjeve mjekësore për ndryshimin artificial të karakteristikave gjinore, pasi vlerëson se ato prekin konceptin natyror të personit dhe familjes. ➤Një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Dom Mark Pashkja zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri, i cili e cilëson si një "masakrim" për adoleshentët dhe familjet shqiptare. ➤Lidhur me vendimin zv. ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, ka sqaruar se udhëzuesi i bërë publik mbi trajtimin hormonal është një dokument orientues dhe jo një protokoll përfundimtar.

3 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Terapia hormonale në QSUT/ Këshilli Ndërfetar: Të bëhet publike baza shkencore, ligjore dhe etike

DEBATI-Terapia Hormonale për të mitur për transgjinorët,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar pas miratimit të Udhëzuesit të Praktikës Klinike “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë" në QSUT. Këshilli Ndërfetar shpreh shqetësim për mënyrën e miratimit të udhëzuesit dhe kërkon më shumë transparencë institucionale, konsultim profesional dhe debat publik për një çështje që, sipas tij, ka ndikim të gjerë shoqëror, etik dhe mjekësor.

DEKLARATË PUBLIKE:

Mbi Udhëzuesin e Praktikës Klinike “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje miratimin e Udhëzuesit të Praktikës Klinike “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, të miratuar me Urdhrin nr. 304, datë 28.04.2026, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Në respekt të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë,  dhe të kompetencave të institucioneve publike në fushën e shëndetësisë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë vlerëson se çështje të kësaj natyre, për shkak të ndikimit të tyre shoqëror, etik, mjekësor dhe antropologjik, kërkojnë transparencë të plotë institucionale, konsultim të gjerë profesional dhe debat publik të informuar.

Në funksion të mbrojtjes së interesit publik, Këshilli Ndërfetar konsideron se çdo protokoll apo ndërhyrje mjekësore me pasoja potencialisht afatgjata fizike, psikologjike dhe sociale duhet të mbështetet mbi standarde të qarta shkencore, bazë të qëndrueshme juridike dhe procedura transparente vendimmarrjeje, në përputhje me parimet kushtetuese të proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

Për këtë arsye, Këshilli Ndërfetar kërkon që institucionet përgjegjëse të bëjnë publike:

- Bazën shkencore dhe mjekësore mbi të cilën është hartuar ky udhëzues;

- Arsyetimin shkencor, mjekësor dhe etik që justifikon miratimin me procedurë të përshpejtuar të këtij urdhri;

- Bazën juridike dhe kompetencat ligjore mbi të cilat mbështetet miratimi i tij;

- Arsyetimin dhe kriteret mbi të cilat është përfshirë edhe kategoria e personave të mitur në këtë rregullim.

Këshilli Ndërfetar vlerëson gjithashtu se kërkon sqarim publik edhe baza juridike mbi të cilën personeli mjekësor autorizohet të aplikojë trajtime hormonale për personat transgjinorë, duke qenë se legjislacioni shqiptar aktual nuk parashikon një kuadër të posaçëm ligjor që rregullon në mënyrë të detajuar statusin juridik, kriteret klinike, procedurat mjekësore dhe standardet e trajtimit për këtë kategori personash.

Duke pasur parasysh natyrën komplekse dhe pasojat afatgjata mjekësore, psikologjike dhe sociale të trajtimeve hormonale, Këshilli Ndërfetar vlerëson se është i nevojshëm një debat i gjerë kombëtar dhe konsultim multidisiplinar me ekspertë të mjekësisë, bioetikës, psikologjisë, të drejtës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës, sigurisë juridike dhe besimit publik me përgjegjësi institucionale, gjuhë etike dhe respekt për dinjitetin e çdo personi.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë rithekson se, në përputhje me mësimet dhe traditat e Komuniteteve fetare që përfaqëson, identiteti njerëzor dhe dallimi ndërmjet burrit dhe gruas konsiderohen pjesë themelore e natyrës njerëzore të dhënë nga Zoti. Në këtë kuptim, shprehim rezervat dhe shqetësimin ndaj ndërhyrjeve mjekësore apo praktikave që synojnë ndryshimin artificial të karakteristikave gjinore biologjike, duke vlerësuar se procedura të tilla prekin konceptin natyror të personit njerëzor dhe të familjes, sipas traditës fetare dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë. Misioni ynë mbetet angazhimi për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, të familjes, të rendit moral dhe të interesit publik, duke bërë thirrje për përgjegjësi institucionale, transparencë dhe respekt ndaj vlerave themelore njerëzore e shoqërore.- Bordi i Presidencës KNFSH.

Ministria e Shëndetësisë miratoi më 28 prill udhëzimin, i cili përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale, e cila do të ofrohet në QSUT dhe do të mbulohet nga fondet publike. Trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve. Në udhëzues thuhet se trajtimi hormonal nuk rekomandohet para pubertetit, por në raste të caktuara mund të merret në konsideratë edhe përpara moshës 16-vjeçare. Dokumenti përmend se në literaturën ndërkombëtare ekzistojnë raste të publikuara edhe për grupmoshat 13.5 deri në 14 vjeç./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Dom Mark Pashkja kundër terapisë hormonale për transgjinorët: Mund të nisesh djalë në shkollë dhe të kthehet vajzë

DEBATI-Terapia Hormonale për të mitur për transgjinorët,
Papa Leone dhe Dom Mark Pashkjas

TIRANË-Vendimi i marrë nga Ministria e Shëndetësisë, duke siguruar për herë të parë qasje të personave transgjinorë në terapi hormonale brenda shërbimit publik shëndetësor ka hapir një debat të gjerë publik, ku një reagim ka ardhur edhe nga Dom Mark Pashkjas, zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Sipas Pashkjas, ligji për barazinë gjinore, i cili fillimisht u promovua nga mbështetësit dhe komuniteti LGBTQ+ si një hap drejt barazisë, po korr tashmë frytet e tij të vërteta, të cilat ai i cilëson si një "masakrim" për adoleshentët dhe familjet shqiptare. Ai shprehet se ky urdhër i ri i detyron strukturat përkatëse që t'u "rrinë gati" në mënyrë imediate të rinjve që kërkojnë trajtime të tilla, pa marrë parasysh nëse ata janë të vetëdijshëm për pasojat afatgjata të këtij hapi. Në reagimin e tij ai thekson se të rinjtë rrezikojnë të përdoren si instrumente për qëllime agjendash, duke sjellë profesione dhe pasoja të pakthyeshme për jetën e tyre. 

Deklarata e plotë nga Dom Mark Pashkja:

Mund të nisesh djalë në shkollë dhe të kthehet vajzë.

Frytet e ligjit për barazinë gjinore më në fund po korren”, ai që nga përkrahësit (jo rastësisht të gjithë pranë komunitetit LGBTQ+) promovohej si ligji që “perfeksiononte” barazinë gjinore, doli ashtu në fakt siç edhe kishim parashikuar, një masakrim i adoleshentëve dhe familjeve shqiptare.

E gjitha kjo me paratë publike. Me pak fjalë, së fundmi ministria ka urdhëruar që adoleshentëve tanë dhe jo vetëm, do të duhet t’u “rrihet gati”, në mënyrë imediate, kurdo që ata të kërkojnë një trajtim hormonal për të ndryshuar gjininë, pa marrë parasysh nëse janë të vetëdijshëm për hapin që po ndërmarrin ose jo. De facto kemi të bëjmë me një mobilizim tashmë edhe strukturor të nismave që në vetvete janë fatale për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Në një shoqëri si kjo e jona, ku plagët dhe sfidat janë të shumta, një urdhër i tillë në rastin më të mirë është i panevojshëm e në rastin konkret është shkatërrimtar. Shumë të rinj (siç ka pasur edhe raste) do të trajtohen si instrumente për qëllime agjendash, duke përfunduar me pasoja fatale për të ardhmen dhe jetën e tyre.

Është tragjikomike të mendosh se do të përballemi me fenomene ku shumë familje do të dërgojnë djalin në shkollë paradite e pasdite do t’u kthehet vajzë.

Ministria e Shëndetësisë miratoi më 28 prill udhëzimin, i cili përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale, e cila do të ofrohet në QSUT dhe do të mbulohet nga fondet publike. Trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve. Në udhëzues thuhet se trajtimi hormonal nuk rekomandohet para pubertetit, por në raste të caktuara mund të merret në konsideratë edhe përpara moshës 16-vjeçare. Dokumenti përmend se në literaturën ndërkombëtare ekzistojnë raste të publikuara edhe për grupmoshat 13.5 deri në 14 vjeç./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Terapi hormonale për transgjinorët/ Komuniteti Mysliman: Cënon familjen, pasoja të thella për jetën e të miturve

DEBATI-Terapia Hormonale për të mitur për transgjinorët,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar lidhur me udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale, duke shprehur shqetësim të thellë për përmbajtjen, veçanërisht pjesën ku parashikohet që terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç.

KMSH shpreh kundërshtimin ndaj çdo qasjeje që, sipas saj, hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të hershme, duke theksuar se të miturit nuk duhet të përballen me procese që sjellin pasoja afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur identiteti dhe personaliteti janë ende në formim. Sipas Komunitetit Mysliman, udhëzime të tilla përbëjnë një çështje tepër delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve.

REAGIMI:

Qëndrim publik mbi udhëzimin për terapinë hormonale te të miturit

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë debatin publik të krijuar pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë në tërësi, dhe në veçanti pjesën, ku ndër të tjera thuhet: “Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.”

Ashtu sikurse kemi qëndruar publikisht kundër ligjit të ashtuquajtur për barazinë gjinore, i mbetemi koherent qëndrimit kundër edhe derivateve të tjera të tij, siç është rasti konkret. Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtimin e tij ndaj çdo qasjeje që hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të tilla. Ne besojmë se të miturit nuk duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim.

Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm. Shoqëria jonë nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.

KMSH i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare. Ne qëndrojmë pranë shqetësimit të shumë prindërve dhe besimtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e vlerave familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë sonë.

Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë miratoi më 28 prill udhëzimin, i cili përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale, e cila do të ofrohet në QSUT dhe do të mbulohet nga fondet publike. Trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve. Në udhëzues thuhet se trajtimi hormonal nuk rekomandohet para pubertetit, por në raste të caktuara mund të merret në konsideratë edhe përpara moshës 16-vjeçare. Dokumenti përmend se në literaturën ndërkombëtare ekzistojnë raste të publikuara edhe për grupmoshat 13.5 deri në 14 vjeç./ZËRI

Poll

MOS HUMB