Berisha pas rikonfirmimit në krye të PD: Mirënjohje demokratëve për votëbesimin masiv
TIRANË- Sali Berisha ka reaguar pas përfundimit të referendumit brenda PD-së, ku u rikonfirmua në krye të partisë me votat e anëtarësisë.
Në deklaratën e tij për mediat, Berisha shprehu mirënjohje për demokratët që morën pjesë në procesin e votimit dhe i dhanë mbështetje në këtë proces. Ai pati gjithashtu një mesazh edhe për ata që votuan kundër ose abstenuan, duke theksuar se mendimi i tyre do të merret në konsideratë. Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet një forcë politike e ndërtuar mbi diversitetin dhe standardet demokratike.
Sipas rezultateve zyrtare, Sali Berisha u rikonfirmua në krye të Partia Demokratike me 37,341 vota pro.
Fjala e Berishës para mediave:
"Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta.
Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike.
Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe.
I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan.
Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik.
Shumë mirënjohje për ata qindra e qindra komisionerë në të katër anët e vendit, të cilët organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipërisë.
Falënderim të përzemërt për kryetarët, udhëheqësit politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve në mbarë vendin, kryesitë dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces."/ZËRI
Vokshi publikon rezultatet e zgjedhjeve në PD, Berisha rikonfirmohet kryetar me 37 341 pro
TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes dhe rezultatit të referendumit për zgjedhjen e kreut të PD-së.
Në një deklaratë për mediat, Vokshi u shpreh se procesi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe transparente në të gjitha degët e partisë. Sipas rezultateve, Sali Berisha i vetmi kandidat në garë është rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike me 37 341 vota pro.
"Sot në 23 maj, demokratët në të gjithë vendin ishin të ftuar për të vendosur drejtimin e Partisë Demokratike. Përmes një procesi transparent, të rregullt, të qetë, të monitoruar gjerësisht nga media, pa asnjë pengesë për të, si dhe të karakterizuar nga një pjesëmarrje masive e anëtarëve të Partisë Demokratike. Nga përpunimi i të dhënave paraprake, pra kontaktet që kemi pasur me degët, 77 degët e Partisë Demokratike, ku votuan në 87 qendra votimi, nga rezultatet paraprake pra të procesit, kemi si më poshtë vijon.
Numri total i votave të numëruara pra, numri total i pjesëmarrësve është 39,441.
Nga këto, rezulton, vota të vlefshme 38,902.
Vota të pavlefshme 539.
Nga votat e vlefshme, vota pro kryetarit Sali Berisha 37,341.
Vota kundër 1,055.
Vota abstenim 506.
Suksese kryetarit Sali Berisha për rikonfirmimin e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike."- tha deputetja demokrate.
Procesi i votimit u zhvillua në 87 qendra votimi në të gjithë vendin./ZËRI
Përfundon votimi për kreun e PD-së, publikohen rezultatet e para nga degët në rrethe
TIRANË- Pas shtyrjes me një orë të procesit zyrtar të votimit për shkak të fluksit të pjesëmarrësve, disa degë të Partisë Demokratike kanë përmbyllur numërimin dhe kanë publikuar rezultatet paraprake për zgjedhjen e kryetarit të partisë.
Deri më tani, numërimi i votave ka përfunduar në Sarandë, Gjirokastër, Këlcyrë dhe Libohovë. Nga Saranda, Sali Berisha ka marrë 181 vota pro, 40 vota kundër dhe 3 abstenime. Nga 229 anëtarë që kanë ushtruar të drejtën e votës, 5 vota kanë rezultuar të pavlefshme.
Ndërsa në degën e Gjirokastrës, Berisha ka arritur të marrë 270 vota pro, 11 kundër dhe 5 anëtarë kanë zgjedhur të abstenojnë. Nga 291 votues, 5 persona e kanë bërë votën e tyre të pavlefshme.
Po ashtu, edhe dega e Këlcyrës ka publikuar rezultatet, ku Berisha ka marrë 205 vota pro nga 232 anëtarë që kanë ushtruar të drejtën e votës. Në Këlcyrë janë regjistruar gjithashtu 16 vota kundër, 10 abstenime dhe 1 votë e pavlefshme.
Ndërkohë, edhe dega e Libohovës ka përfunduar numërimin. Nga 188 anëtarë që morën pjesë në votim, Sali Berisha ka siguruar 160 vota pro, 8 vota kundër dhe 12 abstenime. Për votat e pavlefshme nuk është raportuar ende një shifër zyrtare.
Rezultatet nga degët:
Dega Sarandë
Votues në listë: 870
Kanë votuar: 229 (26%)
Pro: 181
Kundër: 40
Abstenim: 3
Të pavlefshme: 5
Dega Gjirokastër
Votues në listë: 1890
Kanë votuar: 291 (15%)
Pro: 270
Kundër: 11
Abstenim: 5
Të pavlefshme: 5
Dega Këlcyrë
Votues në listë: 450
Kanë votuar: 232 (51%)
Pro: 205
Kundër: 16
Abstenim: 10
Të pavlefshme: 1
Dega Libohovë
Votues në listë: 450
Kanë votuar: 188
Pro: 160
Kundër: 8
Abstenim: 12
Të pavlefshme: nuk raportohet
Pritet që gjatë orëve në vijim të publikohen edhe rezultatet nga degët e tjera të Partisë Demokratike në vend, pasi në total janë ngritur 87 qendra votimi në të gjitha degët e PD-së në mbarë vendin./ZËRI
Zgjedhjet për kreun e PD/ Mbyllen votimet, nis faza e numërimit për Sali Berishën
TIRANË- Është mbyllur pak minuta më parë procesi i zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Demokratike në të gjitha qendrat e votimit në vend. Tashmë kanë nisur edhe procedurat e numërimit të fletëve të votimit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të dalin pas përfundimit të numërimit në çdo qendër votimi. Demokratët kishin si alternativë vetëm një kandidat, Sali Berishën, për të cilin mund të votonin pro, kundër ose abstenim.
Procesi i votimit u hap në orën 08:00 në të gjitha qendrat dhe ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00. Megjithatë, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë PD-së njoftoi se procesi u shty në disa qendra deri në orën 19:00, për shkak të fluksit të madh të votuesve që ishin paraqitur në disa prej tyre.
/ ZËRI
Zgjedhjet për kreun e PD, shtyhet deri në orën 19:00 procesi i votimit në disa degë
TIRANË- Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në Partinë Demokratike ka njoftuar zgjatjen e orarit të votimit deri në orën 19:00 për disa degë të mëdha, ku është regjistruar fluks i lartë votuesish.
Sipas Ivi Kasos, vendimi është marrë pas kërkesave të ardhura nga disa degë, përfshirë edhe degën 2 në selinë qendrore, me qëllim që të gjithë anëtarëve t’u jepet mundësia të votojnë për zgjedhjen e kryetarit të opozitës.
Fillimisht, procesi ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00, por për degët me numër të madh votuesish dhe për qendrat e qarqeve kryesore të Tiranës dhe disa qarqeve të tjera, u vendos shtyrja e orarit të votimit.
"Jam këtu përpara jush për të ndarë një komunikim në emër të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale. Sikurse e dini, edhe me vendim të KOKOE-s është parashikuar ora 18:00 si orari i mbylljes së procesit të zgjedhjeve të ditës së sotme. Si pasojë e disa kërkesave që kanë ardhur pranë KOKOE-s nga disa degë të mëdha, sikurse është edhe dega 2 që voton këtu në seli, KOKOE ka marrë vendim që për këto degë të mëdha, të cilat, në të cilat ka fluks votimi dhe presin fluks që të vazhdojë edhe mbas orës 18:00, procesi të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t'u jepet mundësia të gjithë demokratëve që të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për procesin e rikonfirmimit të kryetarit të partisë.
Është proces i cili është drejt përfundimit në disa degë të vogla, të cilat e kanë ezauruar procesin për shkak të kohëzgjatjes së tyre. Por veçanërisht në degët qendër qarku si dhe në disa degët më të mëdha të Tiranës, të cilët kanë një numër të lartë votuesish, është parashikuar mbas komunikimit të tyre me KOKOE-n, është marrë vendim përkatësisht për çdo degë, që ky proces të mbyllet në orën 19:00. Përfitoj nga rasti t'u bëj thirrje të gjithë demokratëve të degëve të mëdha të Tiranës si dhe të degëve veçanërisht të qendrës së qarkut, të qarqeve më të mëdha të cilat kanë kërkuar që procesi të zgjatet deri në orën 19:00, që të dalin dhe të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën dhe detyrimin e tyre statutor për të votuar në procesin e sotëm. Faleminderit.", njofton Kaso./ZËRI
Zgjedhjet në PD, Shkëlzen Berisha voton në mbështetje të të atit
TIRANË- Pak minuta më parë, në një nga qendrat e votimit të ngritura nga Partia Demokratike e Shqipërisë, është paraqitur Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Si anëtar i partisë opozitare, ai ka ushtruar të drejtën e votës në procesin për zgjedhjen e kreut të Partisë Demokratike, duke mbështetur kandidaturën e të atit.
Në fletën e votimit figuron vetëm emri i Sali Berisha, ndërsa anëtarët kanë mundësi të votojnë “pro”, “kundër” ose “abstenim”. Vetë Berisha e ka cilësuar procesin e 23 majit si një “referendum” për drejtimin e partisë. Ndryshe nga vitet e fundit, votat këtë herë do të numërohen në degët lokale të partisë dhe jo në selinë qendrore të PD-së.
Ish-kryeministri Sali Berisha është kandidati i vetëm në këtë garë, e cila zhvillohet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Për procesin zgjedhor në PD u përjashtuan kandidatët Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj dhe Mereme Sela./ZËRI
E quajti përfaqësues të krimit, Salianji i përgjigjet Berishës: Frika nga gara të çoi në aleancë me Ramën
TIRANË- Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i është kundërpërgjigjur publikisht Sali Berisha, pasi ky i fundit deklaroi sot se Salianji është “përfaqësues i botës së krimit”.
Në reagimin e tij, Salianji komentoi edhe procesin zgjedhor që po zhvillohet sot në Partinë Demokratike për zgjedhjen e kreut të opozitës, duke pretenduar se pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e ulët. Sipas tij, në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1 mijë anëtarë, ndërsa paralajmëroi se do ta faktojë këtë me prova reale.
Po ashtu Salianji iu kundpërgjigj Berishës duke thënë se për shkak të frikës nga gara, çoi në një alenacë të hapur me Edi Ramën. Kjo alenacë sipas Salianjit forcon regjimin Rama-Berisha.
“Përgjigje për Sali kolltukun; për njeriun më e dhimbshme se humbja është poshtërimi, qesharakëzimi dhe përbuzja përmes talljes. Sot je kthyer në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik, vrasësin e shpresës së qytetarëve për ndryshim. Deri tani, në të gjithë Shqipërinë nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë. Do t’i faktoj me prova reale sa ka qenë pjesëmarrja dhe si po përgatitesh ta manipulosh atë me shifra false. Meqë e ke me qejf; je i pashpresë. Frika nga gara të çoi në uzurpimin e Partisë Demokratike dhe në aleancë të hapur me Ramën për të forcuar regjimin Rama-Berisha.
Demokratët nuk ta pranojnë më modelin e partisë private, ku votohet pa zgjedhje dhe përjashtohet kush mendon ndryshe. Bashkë me demokratët do ta çmontojmë regjimin Rama-Berisha dhe do të rrëzojmë praktikat puniste të votimit farsë, që poshtërojnë pluralizmin dhe mbajnë peng opozitën shqiptare. Falënderime pafund për qindra demokratë që më sjellin me foto fletët e votimit dhe mijëra të tjerë që e kanë përbuzur farsën duke e bojkotuar”, shkruan Salianji në Facebook.
Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm për kryetar të Partisë Demokratike. Procesi po zhvillohet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Në të gjitha degët e partisë janë ngritur qendra votimi, të cilat u hapën në orën 08:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 18:00. Në degët më të mëdha ka më shumë se një qendër votimi. Për garën në PD u përjashtuan kandidatët Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj dhe Mereme Sela./ZËRI
"Jam me kancer, po pres vetëm të vdes"/ Demokratja shpërthen në lot: S’mund të rrija pa votuar për Berishën (VIDEO)
TIRANË- Sot po zhvillohen zgjedhjet për kreun e Sali Berisha në Partia Demokratike e Shqipërisë, ku aktualisht ai është kandidati i vetëm. Procesi i votimit ka vijuar gjatë ditës, me pjesëmarrje të anëtarëve dhe simpatizantëve demokratë që i janë drejtuar qendrave të votimit.
Gjatë procesit, një qytetare e moshuar, deklaroi se vuan nga kanceri, e megjithatë, ka zgjedhur të marrë pjesë në votime. Në deklaratën e saj, ajo shprehu shqetësime për gjendjen sociale dhe ekonomike në vend, ndërsa bëri apel qytetarëve që të dalin në votime, në mbështetje të Berishës.
“Po do votojmë se duhet të përmbysim patjetër këta, se na u bënë fëmija drogmenë, pa punë, njëra-tjetrën dhe po vuajmë sa s’ka ku të vejë. Ja, jam operuar dhe nuk ma hiqnin dot tubin ngaqë nuk dinë si ta heqin e si ta vënë. Edhe pres që të vdes.
Jam me kancer në zorrë të trashë, edhe në mushkëri, edhe në mëlçi. Amanet!
O popull, o popull! Vini mend në kokë, o popull! Se Shqipëria po mbaron, po mbaron! Shikoni një nënë që qan! Shikoni një nënë që nuk kurohet dot! Shikoni një nënë që vjen me bastun edhe e bën këtë gjënë që s’e kam bërë asnjë çerek ore, vetëm e vetëm për ta përmbysur këtë qeveri. Ju lutem, ju lutem, ju lutem! Vini dorën në zemër! Dilni, o dilni! Dilni, mos kini frikë!
E vlerësoj, e vlerësoj, se po mos jetë Berisha, ky popull mbaron. Ai është idhull për mua. Unë jam demokrate e ‘90-ës edhe nuk kam hequr dorë. Gjithmonë nëpër komisione kam qenë, po vetëm këtë radhë të fundit nuk isha, se isha në gjendje shumë të rëndë. Edhe kështu, o Zot!”, tha ajo.
Në fletë vetëm emri i tij, hedh votën Sali Berisha: Proces shembullor! Salianji? S'ka vend për 'përfaqësues të krimit'
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike sapo ka votuar në zgjedhjet për kreun e PD, ku emri i tij është i vetmi në listë. Ai u shoqërua në qendrën e votimit në selinë blu nga bashkëshortja e tij, Lirie Berisha.
Pas votimit, ai përshëndeti të gjithë demokratët që kanë marrë pjesë në proces, duke e cilësuar atë si një “proces shembullor”, ndërsa ftoi të gjithë ata që ende nuk kanë votuar.
“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë, në një proces shembullor, në një proces në të cilin në mënyrën më demokratike, referendare shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo edhe kundër tij. Ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar, të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor!”, ishte mesazhi i tij.
Më tej, u dha një përgjigje akuzave të hedhura nga demokrati Ervin Salianji. Sipas Berishës, në parti nuk ka vend për 'përfaqësues të botës së krimit'.
“Nuk mund ta përlyejnë këtë proces! Përfaqësues të botës së krimit nuk kanë dhe nuk do kenë kurrë vend në këtë parti. Ndarja jonë është për jetë e vdekje, zgjedhje përfundimtare e jona! Askush nuk mund të mendojë apo të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqi të krimit. Jo, zero!”, u shpreh Berisha./ZËRI
I vetëm në garë! Rikomfirmohet kryetar i PD-së me 37 341 pro, reagon Berisha: Mirënjohje demokratëve për votëbesimin masiv
Sot, votimi për kreun e PD-së, në FLETËN e votimit vetëm emri i Berishës (FOTO)
TIRANË- Këtë të shtunë, demokratët votojnë për kreun e Partisë Demokratike, ku në fletën e votimit do të figurojë vetëm emri i Sali Berishës. Vetë Berisha ka cilësuar procesin e 23 majit si një “referendum” për drejtimin e partisë.
Procesi i votimit ka nisur që prej orës 08:00 në qytete si Lezhë, Shkodër, Lushnje, Fier e Vlorë, ndërsa në degën e PD-së në Gjirokastër votimi filloi pak më vonë.
Votimi sipas degëve:
Shkodër: 6,800 anëtarë me të drejtë vote.
Fier: 1,750 anëtarë, me pjesëmarrje të pritshme rreth 70%.
Mallakastër: 600 anëtarë, pjesëmarrje mbi 60%.
Patos: 620 anëtarë, pjesëmarrje rreth 60%.
Rroskovec: 710 anëtarë, pjesëmarrje mbi 60%.
Lushnje: 2,500 anëtarë, pjesëmarrje e pritshme mbi 55%.
Divjakë: 600 anëtarë.
Vlorë: 1, 600 anëtarë me të drejtë vote.
Himara: 320 anëtarë.
Selenica: 500 anëtarë.
Korçë: rreth 5,000 anëtarë në listë, pritet të votojnë 1,200–1,500 anëtarë.
Pogradec: 1,200 anëtarë, mbi 700 anëtarë aktivë në strukturat e partisë.
Bulqizë: 1,300 anëtarë me të drejtë vote.
Mat: 1,420 anëtarë me të drejtë vote.
Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, nis procesi i votimit, në garë vetëm Sali Berisha
TIRANË- Sot, demokratët do t'u drejtohen kutive të votimit për të marrë pjesë në referendumin që do të vendosë mbi konfirmimin e Sali Berishës si kryetar i Partisë Demokratike.
Procesi i votimit ka nisur që nga ora 08:00 në të gjithë rrethet e vendit, ku demokratët do të kenë mundësinë të japin votën e tyre deri në orën 18:00. Procesi do të jetë në 87 qendra votimi për 77 degët e Partisë Demokratike ku do të votohet këtë të shtunë.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, këtë vit në garë është vetëm Sali Berisha, pasi Komisioni i Zgjedhjeve i PD-së ka përjashtuar të gjithë kandidatët e tjerë që kërkuan të sfidonin liderin e opozitës.
Ndryshe nga vitet e fundit, votat këtë herë do të numërohen në degë, dhe jo në selinë qendrore të PD-së.
Ish-kryeministri Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm për kryetar. Procesi do të zhvillohet sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”. Në të gjitha degët e partisë do të ngrihen qendra votimi, të cilat do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 18:00, ndërsa në degët më të mëdha do të ketë më shumë se një qendër votimi. Për garën e PD, u përjashtuan kandidatët Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj e Mereme Sela. /ZËRI