'20 sekondat më të gjata të jetës' Deputeti italian dhe gazetari rrëfejnë torturën nga izraelitët: Na dhunuan si kriminelë
IZRAEL- Mes 426 humanitarëve ndërkombëtarë të cilët u arrestuan nga forcat izraelit në Gaza, përveç aktivistit shqiptar Baki Goxhaj, ndodheshin edhe deputeti italian i M5S, Dario Carotenuto, gazetari Alessandro Mantovani dhe aktivisti Ruggero Zeni. Ata u veçuan nga të tjerët që ndodheshin në portin e Ashdodit, por nuk i shpëtuan dhunës.
“Jemi të shqetësuar, ne morëm goditje, por të tjerë u rrahën brutalisht. Më goditën këtu dhe këtu (shpjegoi gazetari duke treguar fytyrën pak të ënjtur) më dhemb këmba, më goditën me shkelma aty, në shpinë, por mendoj se nuk është asgjë serioze. Të tjerë u rrahën shumë më rëndë se ne”, u shpreh gazetari.
Teksa fliste, byzylyku portokalli që në bordin e anijes shërbente si një numër identifikimi, 164, i lëkundej ende në dorë. Carotenuto kishte numrin 147.
“Ishte një kontejner i errët, sapo hyje aty gjeje tre burra të fuqishëm që fillonin të të rrihnin. Më goditën në sy, mendova se do të humbisja shikimin, më jepnin shkelma, kishin edhe taser. Na rrihnin dhe në të njëjtën kohë thoshin ‘Mirë se vini në Izrael’. Në një moment ishim me të gjithë të tjerët, na thirrën me numra, na thanë të bënim një hap përpara, të ngrinim duart dhe të ktheheshim me shpinë. Ishin 20 sekondat më të gjata të jetës sime, nuk e dija çfarë do ndodhte, mendova për djalin tim me frikën se nuk do ta shihja më. Qeveria duhet të bëjë gjithçka për t’i kthyer në shtëpi tani, mjaft me deklarata formale, duhen veprime konkrete”, deklaroi nga ana tjetër deputeti.
Turqia u përfshi në operacione speciale për rikthimin e aktivistëve humanitarë të flotës Sumudt, ku 3 avionë morën nga porti Ramon i Izraelit qindra aktivistë dhe po i dërgojnë drejt Stambollit. Izraeli ndaloi mbi 40 anije më 18 maj në ujërat ndërkombëtare pranë Qipros.
Përfundojnë procedurat e dëbimit nga Izraeli, Baki Goxhaj do të kthehet në Shqipëri
TIRANË- Aktivisti Baki Goxhaj do të kthehet në Shqipëri, ndërsa dëbimi i tij do të kryehet në rrugë ajrore. Burime nga organizata ligjore izraelite "Adalah" bëjnë me dije se policia kufitare izraelite ka përfunduar procedurat e dëbimit për shtetasin shqiptar Baki Goxhaj.
Sipas burimeve, Goxhaj pritet të largohet në orët në vijim nga territori i Izraelit. Mësohet se fillimisht, ai do të fluturojë për në Turqi, Stamboll, dhe më pas do të niset drejt Shqipërisë. Mësohet se shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga buxheti i policisë kufitare izraelite.
Turqia është angazhuar të transportojë aktivistët e ndaluar nga Izraeli përmes fluturimeve të posaçme. Ministri i Jashtëm i Turqisë bëri me dije se qeveria turke do të bëjë të mundur zhvendosjen e aktivistëve turq, por edhe të atyre nga vende të tjera.
Baki Goxhaj, u ndalua 2 ditë më parë nga forcat izraelite bashkë me aktivistë të tjerë nga vende të ndryshme, teksa po dërgonin ndihma në Gaza përmes flotës së anijeve ‘Sumud’./ZËRI
'Me duart e lidhura'-Momenti kur Ministri izraelit gjunjëzon humanitarët, mes tyre aktivisti shqiptar
IZRAEL- Policia izraelite është filmuar duke i detyruar aktivistët të gjunjëzohen në tokë me duart e lidhura pas shpine, ndërsa ministri i sigurisë kombëtare i vendit u thotë atyre se duhet të burgosen për një kohë të gjatë.
Ministri, Itamar Ben-Gvir publikoi videot e tij duke u tallur me humanistët që u ndaluan në një flotilje që u përpoq të anashkalonte bllokadën izraelite të Gazës dhe u ndaluan në ujëra ndërkombëtare. Mes të ndaluarve është edhe aktivisti Baki Goxhaj. Në pamjet filmike, ai shihet duke ecur midis 430 të ndaluarve pasi ata mbërritën në një port izraelit me anije të marinës.
'Mirë se vini në Izrael, ne jemi pronarët e tokës. Erdhën këtu plot krenari si heronj të mëdhenj. Shikojini tani. Shihni si duken tani, jo heronj, por asgjë.”', thotë ai ndërsa valëvit një flamur të madh izraelit.
SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Kanadaja ishin midis vendeve që shprehën zemërim ndaj aktit të Ministrit i Itamar Ben-Gvir. BBC shkruan se veprimet e tij tërhoqën gjithashtu kritika të rralla nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se ato “nuk ishin në përputhje me vlerat e Izraelit”.
Deri tani nuk ka një deklaratë të qartë zyrtare mbi gjendjen apo vendndodhjen e tyre, ndërsa familjarë dhe ndjekës të çështjes po kërkojnë transparencë dhe informacion urgjent. Flotilja e përbërë nga 54 anije dhe rreth 426 aktivistë ndërkombëtarë, u nis nga Turqia jugore javën e kaluar dhe po përpiqej të dërgonte ndihma në Gaza, pasi përpjekjet e mëparshme u ndaluan gjithashtu nga Izraeli./ZËRI