Zbardhet DRAFTI, për çfarë ranë dakort PS-PD: Kreu i SPAK s’raporton më në Kuvend. Jo seanca pas orës 22:00!
TIRANË-Sot në seancën plenare pritet të votohet drafti me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Drafti vjen si produkt i një dakordësie mes Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, pas muajsh debatesh politike. Marrëveshja përmban lëshime nga të dyja palët.
Palët kanë rënë dakord që institucionet të cilat duhet të bëjnë bilancin e tyre vjetor, në sallën e Kuvendit, të kufizohen, me vetëm ato për të cilat në Kushtetutë thuhet shprehimisht se duhet të raportojnë në seancë.
Me këtë ndryshim, në sallën e parlamentit do të duhet të japin llogari vetëm Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe jo institucione të tjera, siç është SPAK.
Institucionet e tjera, përfshirë SPAK, do të duhet të paraqiten vetëm në komisionet përgjegjëse parlamentare. Pra, statistikat për krimin e zakonshëm do të dëgjohen në sallën plenare, ndërsa raportimi për korrupsionin dhe krimin e organizuar zhvendoset tek komisionet.
Një pikë tjetër e cila ka ndryshuar propozimi i PD-së është që seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse. Po ashtu u pranua dhe kërkesa tjetër e opozitës që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Ndryshime pësoi dhe formula e propozimeve të kandidatëve për institucionet e pavarura, ku tani e tutje, një deputet ka të drejtë të mbështesë me firmë vetëm 1 emër.
Një tjetër pikë për të cilën kanë rënë dakord palët janë këshilltarët politikë ku PD kishte kërkuar që këshilltarët të jenë bazuar në numrin e komisioneve. Aktualisht PS ka 11 këshilltarë dhe PD vetëm 8, ndërsa tanimë të dy grupet më të mëdha do të kenë nga 11 këshilltarë.
Ndërkohë mazhoranca është tërhequr nga propozime si, kufizimi i kohës së debateve, mënyra e raportimit nga institucionet dhe procedura e përshpejtuar për projektligjet e BE-së.
"Në spitalin e Lushnjës të hanë minjtë"/ Korreshi shpërthen në Kuvend: S'ju vjen turp, harram lekët e shqiptarëve
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur sot nga foltorja e Kuvendit shqetësimet për gjendjen e rëndë të spitalit të Lushnjës. Ai kritikoi ashpër ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, duke theksuar mungesat dhe problemet që, sipas tij, po rrezikojnë jetën e pacientëve.
Mes problematikave në spita, Korreshi përmendi kushte të mjerueshme, që nga mungesa e frigoriferit për të mbajtur insulinën dhe ndërprerjen e punës së shërbimit të anestezisë.
“Nuk ju vjen turp ju. Edhe synetlliqet janë rralluar nuk merren përsipër. 6 muaj nuk punoi ajo e anestezisë. Prej 57 ditësh në Lushnje ke një pacient, nuk ka frigorifer për të mbajtur insulinën, sepse ka skaduar 20 herë. Shkon e blen vetë ai. Kujt ja tregoni revistat televizive nuk keni turp. Në Lushnje të hanë minjtë, është batërdi, ka rënë çdo mur. Si shikoheni në pasqyrë. Keni të bënë me jetë njerëzish…52 lushnjarë ikin jashtë Lushnjes për të marrë dializë, nuk keni turp…harram lekët e shqiptarëve, se nuk punon pajisja e ujit për të freskuar ujin. A paguajnë taksa këta, përse të shkojnë te privati? Kam pasur një humbje të madhe, për një eko vdiq. 38 vjeç, po të ishte konstatuar do kishte shpëtuar… kur mora 127 u përgjigj Tirana…Duhet të marr unë Tiranën, Lushnja mua…”, u shpreh Korreshi.
Nga ana tjetër, ministrja Evis Sala theksoi sipas saj se, qytetarët kanë nevojë për informacion të saktë dhe jo për alarm politik. Ajo njoftoi se spitali do të pajiset me aparat të ri mamografie dhe se investimet në strukturat shëndetësore do të shtrihen gradualisht në të gjithë vendin, për të garantuar shërbim dinjitoz për pacientët.
Nuk mund të jenë prezent në seancë, shtyhen 2 interpelancat me Ramën dhe 1 me Lamallarin
TIRANË- Kuvendi ka nisur sot seancën e radhës plenare, ku sipas rendit të ditës priten një seri interpelancash. Dy nga interpelancat, të kërkuara nga opozita me kryeministrin Edi Rama, janë shtyrë.
Megjithëse kryeministri ia kishte deleguar një anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, interpelanca nuk u zhvillua fare për shkak të mungesës së dy deputetëve opozitarë në sallë.
Po ashtu, edhe interpelanca me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, është shtyrë për një datë tjetër për shkak të angazhimeve shtetërore./ZËRI
PS-PD "pajtohen" për Rregulloren e Kuvendit, arrihet marrëveshja! Çfarë u tërhoq dhe u pranua nga të dyja palët
TIRANË- Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren nën drejtimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi, ka miratuar me konsensus ndryshimet e rregullores. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë finalizuar një marrëveshje për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa pritet të kalohet për votim në seancë.
Të dyja palët kanë përmbyllur draftin e përbashkët, i cili pritet të miratohet zyrtarisht nesër në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, në orën 09:00. Sipas burimeve pranë Kuvendit, marrëveshja përmban lëshime nga të dyja palët.
Sakaq, mësohet se mazhoranca ka tërhequr disa prej propozimeve të tyre. Bëhet fjalë për propozime si, kufizimi i kohës së debateve, mënyra e raportimit nga institucionet dhe procedura e përshpejtuar për projektligjet e BE-së. Ndërsa nga ana tjetër, opozita ka arritur të forcojë mekanizmat e kontrollit parlamentar.
Ndryshimet vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe janë dakordësuar me konsensus mes palëve.
1. Pikat ku u tërhoq PS
a) PS u tërhoq nga propozimi që çdo projektligj i kërkuar nga BE të shqyrtohej brenda një jave me procedurë të përshpejtuar.
b) PS u tërhoq nga përgjysmimi i kohës së diskutimit në seancë plenare.
c) PS u tërhoq nga propozimi që institucionet kushtetuese të mos raportonin në seancë plenare, duke pranuar qëndrimin e PD-së se raportimi në Kuvend duhet të bëhet nga çdo institucion që ka detyrim kushtetues për raportim.
d) PS u tërhoq edhe nga propozimi që të gjitha institucionet të raportonin vetëm në Komisionin Xhafaj, duke pranuar qendrimin e PD, që raportimet vjetore të bëhen në komisionet përgjegjëse sipas fushës.
2. Pikat që u pranuan nga PD:
a) U pranua propozimi i PD-së që forcon kontrollin parlamentar përmes ndërhyrjes së Kryetarit të Kuvendit në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të deputetëve për informacion. Sipas ndryshimit të pranuar:
– Kryetari i Kuvendit detyrohet t’i kërkojë institucionit përgjigje brenda 5 ditëve nga kalimi i afatit;
– në rast mosreagimi, i kërkohet titullarit të institucionit marrja e masave disiplinore deri në shkarkim.
b) U pranua propozimi i PD-së që kryetarët e komisioneve, kur kërkohet nga pakica parlamentare, të jenë të detyruar të thërrasin mbledhje komisioni ose seanca dëgjimore me titullarë institucionesh brenda dy ditëve nga paraqitja e kërkesës.
c) U pranua propozimi i PD-së që, me kërkesë të një kryetari grupi parlamentar, seanca plenare të ndërpritet në orën 22:00 dhe të rifillojë ditën pasardhëse.
d) U pranua propozimi që masat disiplinore të pezullohen automatikisht nëse ankimohen në Byronë e Kuvendit. Masat disiplinore nuk do llogariten më me ditë pune, por me ditë kalendarike. Sekretariati i Etikës me numër të barabartë anëtarësh.
Sot seancë plenare në Kuvend, 9 interpelanca me Ramën dhe ministrat! (RENDI I DITËS)
TIRANË- Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar një sërë interpelancash.
Një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kanë kërkuar interpelancë urgjente më kryeministrin Edi Rama. Gjithashtu edhe deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri kanë kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Megjithatë, nuk dihet nëse kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm në seancën e sotme, megjithëse opozita këmbëngul për praninë e tij në sallën e Kuvendit.
Një tjetër interpelancë urgjente do të mbahet me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e kërkuar nga deputetë të Partisë Demokratike.
Për ministren e Shëndetësisë Evis Sala janë 2 interpelanca të thirrura nga deputetët Sajmir Korreshi dhe Erisa Xhixho si dhe një pyetje-përgjigje nga deputeti Erald Kapri.
Gjithashtu, në rend dite janë përfshirë edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputeti Erion Braçe. Gjithashtu deputetja Ina Zhupa do të zhvillojë interpelancë më ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Më pas seanca do të vijojë me interpelancën me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
RENDI I DITËS
Në mbështetje të urdhrit nr. 33, datë 19.5.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 14.5.2026. (Neni 44, pika 2, të Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
4. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
5. Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
6. Interpelancë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Saimir Korreshi.
7. Interpelancë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
8. Seancë pyetje – përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
9. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
11. Interpelancë me Ministren e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputetja Ina Zhupa.
12. Interpelacë me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
13. Projektligj “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për punimet e infrastrukturës bashkiake për projektin “Porta e Alpeve””.
14. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
15. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar”.
16. Projektvendim “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 166, datë 16.12.2004, “Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.
17. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.