Favorizoi ndërtimet pa leje, shefi i Komisariatit Sarandë: Isha i zënë me vrasjen, s’kisha kohë…
SARANDË- Është zbardhur dëshmia e shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, i cili u arrestua sot pas aksionit të AMP-së për ndërtimet pa leje. Sipas burimeve, Bashllari është shprehur para hetuesve se gjatë javës ka qenë i angazhuar me hetimin e vrasjes në Sarandë, duke lënë në plan të dytë çështjen e ndërtimeve pa leje.
Bashllari, së bashku me nënkomisarin e Krimeve në Sarandë, Andi Duro, nënkomisarin Ajdin Ismailaj dhe inspektorin Robert Çullaj, u arrestuan në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil.
Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi sipas hetimeve dyshohet se kanë toleruar ose kanë pasur rol në lejimin e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare. Gjithashtu, mbi ta rëndojnë edhe akuzat për “kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra të kryera në bashkëpunim.
Lëvizja e AMP-së vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë. Disa ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë, u sekuestrua kati i gjashtë i Hotel Oasis, pas dyshimeve se ishte ndërtuar pa leje. Aksioni nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të Sarandës. Pas ndërhyrjes së policisë, u arrestuan 8 punëtorë dhe u njoftuan shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat ndërhynë për prishjen e objekteve pa leje./ZËRI
Ryshfeti “shkriu” Policinë e Sarandës/ Prona e Isuf Jaçajt u mor me forcë, në 2025-ën u ekzekutua
SARANDË-Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ndërtimin pa leje që u zbulua nga Policia një ditë më parë (15 maj) në Sarandë. Operacioni çoi në arrestimin e 8 personave dhe ndalimin e 4 punonjësve të policisë, përfshirë shefin e Komisariatit të Sarandës, pas zbulimit të një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi, pas të cilit dyshohet se fshihet një grup kriminal me bazë në Kamëz.
Prona në fjalë ka qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili u ekzekutua me tritol në makinën e tij në tetor të 2025. Ka dyshime se grupi kriminal mund të ketë kryer shpërthimin me tritol dhe të jenë autorë edhe të ngjarjeve të tjera në qytetin e Sarandës. Ballkan web shkruan se prona e tij dyshohet të jetë marrë me dhunë nga grupi kriminal, ku po ndërtohej një beach bar, i cili do vihej në funksion për sezonin veror. Biznesi dyshohet të jetë vendosur në emër të Arjola Dhrami Bajo prej 2022-shit, e cila është e shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.
Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve të policisë. Për këtë çështje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe tre vartës të tij, Gëzim Bashllari, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën korruptive që lejoi vijimin e punimeve.
Aksioni nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit, për ndërtimin pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numër 1 në Sarandë, që çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.
Tre muaj para vrasjes së Isuf Jaçajt (tetor 2025), djalit të tij, Klaus Jaçaj iu hodh në erë automjeti. Djali i viktimës ndodhet në burg i akuzuar për plagosjen e 17 korrikut 2025 në Sarandë, ku u qëlluan me armë zjarri Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lame. Dy të rinjtë nga Kamza, u plagosën me armë zjarri nga Ramadan Zoto allias Canaj, pas një konflikti për një tokë në bregdet./ZËRI
Ekipi drejtues i Sarandës në pranga, Lamallari: Në Policinë e Shtetit s'ka vend për ata që bëhen palë me krimin
TIRANË-Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të zhvilluar në Sarandë, ku u arrestuan drejtues dhe punonjës policie të dyshuar për bashkëpunim me elementë kriminalë dhe shpërdorim detyre. Lamallari theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit apo që tradhton besimin e qytetarëve.
Postimi i Besfort Lamallarit:
Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë.
E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit.
Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit.
Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë. Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa!
Lidhur me aksionin e zhvilluar një ditë më parë (15 maj) AMP bëri ndalimin e shefit të Komisariatit dhe 3 inspektorëve, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”. Konkretisht shefi i komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari dhe 3 inspektorë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj u ndaluan nga blutë./ZËRI
Aksioni në jug! Favorizuan ndërtimet pa leje-Arrestohet Shefi i Komisariatit dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Policisë Sarandë
SARANDË-Shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, nënkomisari i Krimeve të Sarandës, Andi Duro, nënkomisari Ajdin Ismailaj dhe inspektor Robert Çullaj, janë prangosur në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil.
Hetimet janë fokusuar te dyshimet se punonjës policie, duke shpërdoruar detyrën, kanë pasur rol ose kanë toleruar ndërtimet pa leje në vijën bregdetare. Ndaj tyre rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast.
Lëvizja e AMP vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë. re ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë u sekuestrua kati i gjashtë i Hotel Oasis në Sarandë, pas dyshimeve se ishte ndërtuar pa leje. Ndërkohë ditën e djeshme u arrestuan tetë persona që po kryenin ndërtime të paligjshme në bregdetin e Sarandës, ndërsa në kërkim u shpall edhe pronarja e tokës ku po kryheshin punimet.
Gjithashtu është pezulluar nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit/Vijojnë denoncimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për paligjshmëritë e konstatuara në terren.
Pas informacionit të ardhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, Sarandë, ku në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre në ujë) kryheshin punime ndërtimi të paligjshme, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë arrestoi në flagrancë 8 shtetas që punonin në këtë objekt, si dhe shpalli në kërkim një shtetase që posedonte hapësirën e plazhit, për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet pa leje.
Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, vijuan veprimet e thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë, të cilët nuk kishin kryer detyrën për moslejimin e këtij ndërtimi. Pas veprimeve të thelluara të kryera në bashkëpunim me AMP-në, u bë ndalimi i punonjësve të policisë: Komisar Gëzim Bashllari, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë; Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve; Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist për rendin; Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.
Ndaj këtyre punonjësve rëndojnë dyshime të forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim, jo vetëm për këtë rast. Pas ndalimit të këtyre punonjësve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra katër punonjësit e policisë dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit, për shkeljet e konstatuara, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në drejtim të zbatimit të ligjit, mbrojtjes së territorit dhe dëmtimit të imazhit të Policisë së Shtetit.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra dhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Policia e Shtetit falënderon, inkurajon dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën nga ana e punonjësve të policisë, si dhe çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional.
Gjithashtu, Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj cilindo që shpërdoron detyrën, besimin e qytetarëve dhe ligjin