Aksioni Shqipëri-Itali! SPAK me njoftim zyrtar: Baza në Tiranë, të përfshira 4 gra, çfarë nxorën hetimet
TIRANË-SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar së bashku me Antimafian e Barit për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për pastrim të parave.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 masa sigurimi personal, ndërsa 5 të tjera janë lëshuar nga autoritetet gjyqësore italiane. Këto masa janë vendosur ndaj 11 shtetasve shqiptarë, 4 italianë, (përfshirë 4 gra, të vendosura nën masën e arrestit në shtëpi dhe detyrim paraqitje). Masat u ekzekutuan në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar në Tiranë, Fier, Vlorë (Shqipëri), në Barletta, në burgun e Romës dhe Agnani, (Itali) si dhe në Madrid (Spanjë).
Të dyshuarit akuzohen për vrasje me paramendim me metoda mafioze, Trafik ndërkombëtar droge, Tentativë zhvatjeje, Mbajtje pa leje të armëve, Favorizim të autorëve të krimit, Shkelje të masave të sigurisë, Pastrim ndërkombëtar parash.
SPAK njofton se hetimet u përqëndruan në zbulimin e vrasjes së Francesco Diviesti-t, ngjarje e ndodhur më 25 Prill të vitit 2025, në Canosa di Puglia, në jug të Italisë dhe të një organizate kriminale shqiptare, me bazë në Tiranë, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave, nga Italia në Shqipëri. Lidhur me vrasjen në pranga është vendosur Igli Kamberi, së bashku dy italianë nga Barleta, të cilët ndihmuan në fshehjen e gjurmëve të krimit.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar:
4 kompani tregtare; 8 automjete; 10 llogari bankare; mbi 680 mijë euro cash të bllokuara në Muriqan në nëntor 2024; si dhe
mbi 412 mijë euro të tjera tek familjarë e Igli Kamberit.
NJOFTIMI I SPAK:
SPAK dhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit zhvillojnë një operacion të gjerë në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit (DDA) zhvilluan mëngjesin e sotëm një operacion të përbashkët dhe të gjerë në kuadër të hetimeve ndërkombëtare në Shqipëri dhe Itali, i realizuar nga Skuadra e Përbashkët hetimore, e ngritur më mbështetjen e Eurojust.
Hetimet u përqëndruan në zbulimin e vrasjes së Francesco Diviesti-t, ngjarje e ndodhur më 25 Prill të vitit 2025, në Canosa di Puglia, në jug të Italisë dhe të një organizate kriminale shqiptare, me bazë në Tiranë, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, nga Italia në Shqipëri.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 masa sigurimi personal, ndërsa 5 të tjera janë lëshuar nga autoritetet gjyqësore italiane. Këto masa janë vendosur ndaj 11 shtetasve shqiptarë, 4 italianë, (përfshirë 4 gra, të vendosura nën masën e arrestit në shtëpi dhe detyrim paraqitje). Masat u ekzekutuan në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar në Tiranë, Fier, Vlorë (Shqipëri), në Barletta, në burgun e Romës dhe Agnani, (Itali) si dhe në Madrid (Spanjë).
Veprat penale:
-Vrasje me paramendim, e kryer duke përdorur metoda mafioze të ekzekutimit
-Tentativë zhvatjeje;
-Posedim dhe mbajtje e paligjshme e armëve të zjarrit dhe municioneve;
-Favorizim personal;
-Shkelje të masave parandaluese personale;
Pastrim ndërkombëtar i produkteve të veprës penale nga Italia në Shqipëri
Në masën paraprake të lëshuar nga Gjykata e Barit është konfirmuar qëndrueshmëria e provave ndaj tre personave, të hetuar si ekzekutorë material krimit të kryer ndaj Francesco Diviestit; një shqiptar (autori) dhe dy italianë nga Barleta, një burrë dhe një grua, që ndihmuan në fshehjen e gjurmëve të krimit duke mos e raportuar atë tek autoritetet gjyqësore.
Ekzekutimi i Francesco Diviesti-t – 25 Prill 2025
Hetimet zbuluan se në mbrëmjen e datës 25 Prill 2025, Francesco Diviesti u përfshi në një konflikt, në një bar të Barletta-s dhe u dërgua brenda disa shpellave, pranë një zonë të izoluar në Murgia-n e sipërme, në Casosa di Puglia, ku është qëlluar 5 herë nga dy pistoleta dhe më pas, i është vënë flaka brenda disa gomave, me qëllim që kufoma të digjej, sipas një metode të përdorur në vitet ’90, në këtë zonë. Duke iu referuar kësaj mënyre të ekzekutimi, hetimi u mor përsipër nga Drejtoria Antimafia e Barit, duke lokalizuar kufomën brenda katër ditëve.
Më 25 Qershor, shtetasi shqiptar i përfshirë në krim, i cili ishte larguar dy ditë pas ekzekutimit të Diviesti-t, u arrestua në qytetin Roshe të Hungarisë, jo për vrasje, por për posedim të 24 kilogramëve kokainë të pastër, në kuadër të procedimit të Prokurorisë së Tranit. Drejtoria Antimafia e Barit i kishte dërguar provat kësaj Prokurorie për të bërë të mundur arrestimin e tij për këtë krim. Në të njëjtën kohë, tek familjarë të tij u sekuestruan mbi 412.000 euro ‘cash’ si dhe u dokumentua përfshirja e tre shtetasve italianë në këtë çështje penale në hetim.
Rindërtimi i vrasjes së Diviesti-t dhe identifikimi i grupit kriminal të përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale u bë i mundur falë një hetimi më të gjerë ndaj shtetasve shqiptarë të vendosur në Puglia, të zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, nën drejtimin dhe koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Barit, në kuadër të trafiqeve ndërkombëtare të drogës nga Shqipëria në Puglia.
Lidhur më shtetasit e hetuar, GJKKO ka caktuar gjithashtu edhe sekuestron preventive për 4 shoqëri tregtare, 8 automjete, 10 llogari bankare dhe shumën prej 680.595 euro, të cilat u sekuestruan nga Policia e Shtetit në 14 Nëntor 2024 në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit, pas informacionit të marrë nga Qëndra Operative DIA, Bari.
Operacioni i sotëm është pjesë e një projekti hetimor shumëvjeçar mes SPAK dhe DDA-së të Barit kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuara nga organizata kriminale shqiptare dhe pason operacionet:
-Shefi
-Kulmi
-Shpirti
-Ura
Nga viti 2018 deri në 2025, këto operacione kanë çuar në vendosjen e 170 masave të sigurisë, sekuestrimin e pasurive në vlerën e miliona eurove dhe kapjen e mbi 7 tonëve drogë (kokainë, heroinë, kanabis). Në shkallë të ndryshme të gjykimit janë vendosur dënime deri në 20 vjet heqje lirie për secilin të pandehur.
SPAK i shpreh mirënjohjen Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurimit personal të kryera sot në Shqipëri. Theksojmë se procedimi ndodhet ende në fazën e hetimeve paraprake.
'Mafia shqiptare më e forta në BE', Prokurori italian: Në njeri merret, vritet dhe i digjet trupi! Mara: S’mund të flasim për kombësi
ITALI-Përfaqësues të Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion dhe Antimafies së Barit mbajtën një deklaratë të përbashkët për shtyp, duke ndarë detaje të operacionit të përbashkët ku u godit një grupi kriminal të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe pastrim parash. Gjatë fjalës së tij Prokurori italian i ka cilësuar grupet kriminale shqiptare, si organizatat me shtrirjen më të gjerë dhe më të fuqishmet më territore të Evropës.
Ai raportoi se grupi pastronte paratë e drogës, duke fuksionuar si organizzata tipike mafioze, duke përmendur vrasjen e parukjerit italian Francesco Diviesti, i cili u rrëmbye, u vra dhe pas iu dogj trupi. Prokurori italian u shpreh se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në BE.
Prokurori italian: Ky operacion na lejon të bëjmë një lloj analize për krimin e organizuar. Aktualisht mund të themi se organizatat kriminale shqiptare janë ndër më të shpërndarat dhe më të fortat në BE. Ndoshta për një kohë të gjatë janë nënvlerësuar, pasi konsideroheshin si grupe që merreshin vetëm me prostitucion apo emigracion të paligjshëm.Sot realiteti tregon një nivel shumë të lartë kriminaliteti të strukturave shqiptare, të cilat kanë rol kryesor në narkotrafikun ndërkombëtar. Këto grupe, përveç trafikut të drogës, sjellin edhe një kulturë kriminale me origjinë mafioze, e krijuar dhe e konsoliduar në Shqipëri. Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi. Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze. Në grup ndodhet edhe një person nën hetim në Itali, pjesë e një strukture që pastron paratë e drogës. Këto organizata zhvillojnë aktivitet kriminal edhe në Itali dhe e konfirmojnë nivelin e tyre kriminal përmes vrasjeve. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet.
Prokurori i SPAK, Vladimir Mara tha se nuk bëhet më fjalë për grupe kriminale më kombësi, por grupe të strukturuara kriminale. Mara u shpreh se grupet kriminale shqiptare, kanë gjetur mbështetje në Itali ku dhe janë fuqizuar e modernizuar.
Prokurori i SPAK Vladimir Mara: Kemi dokumentuar episode të trafikut të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Falë këtij hetimi është zbuluar edhe vrasja e një shtetasi në Itali. Elemente të krimit të organizuar shqiptar kanë gjetur mbështetje në Itali, duke krijuar modele bashkëpunimi, duke avancuar dhe modernizuar mënyrat e kryerjes së veprave kriminale. Nuk mund të flasim për një kombësi të krimit të organizuar, por për fenomenin e krimit të organizuar, ndaj bashkëpunimi ynë është i domosdoshëm.
Automjete, llogari bankare e kompani! Pasuritë e sekuestruar, Ergys Kastrati dhe Igli Kamberi i “fshehën” përmes familjarëve
TIRANË-Në kuadër të operacionit të përbashkët të SPAK me Antimafien e Barit për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për pastrim të parave, janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme të familjarëve e bashkëpunëtorëve të Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, të dy të arrestuar.
Në total janë sekuestruar për 8 automjete, 10 llogari bankare dhe 4 shoqëri tregtare dhe 1 milionë euro cash. Pasuritë i përkasin Nevila Kamberit (gruaja e Igli Kamberit) prindërve të saj Dituri dhe Fatos Buzi, gruas së Ergys Kastratit e të tjerë bashkëpunëtorëve, Bardhok Gjergji, Saimir Pirra, Sokol Fusha e Edi Brahaj.
LISTA:
Pasuri në pronësi të Igli Kamberit; Subjekti ‘Igli Kamberi’ me veprimtari ‘Menzë-katering, restorante dhe shërbim ushqimor i lëvizshëm”, me seli në Kashar.
Në pronësi të gruas së Kamberit, Nevila Kamberi dhe të mamasë së saj Dituri Buzi, janë sekuestruar 2 llogari bankare ndërsa babait të saj, Fatoz Buzit, i është sekuestruar biznesi ‘Fermer Fatos Buzi’ me veprimtari ‘Bujqësi-Prodhim Fruta-perime’.
Një prej personave të arrestuar nga operacioni sot është dhe Ergys Kastrati e bashkëshortja e tij Desmira Cecos. Kësaj të fundit i janë sekuestruar 2 llogari bankare.
Pasuri të shumta i janë sekuestruar Bardhok Gjergji. Ende është e paqartë lidhja e tij me grupin. Gjergjit i është bllokuar veprimtaria e biznesit ‘AUTO REND & SELL-ALBANIA sh.p.k., për dhënie me qira automjetesh, shit-blerje, import e eksport. 5 automjete luksoze e 1 llogari bankare.
Po ashtu janë vënë në sekuestro dhe pasuritë (llogari bankare dhe automjete) e 3 personave të tjerë, Saimir Pirra, Sokol Fusha dhe Edi Brahaj, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit.
Operacioni SPAK-Antimafia e Barit, Klodian Braho: U sekuestruan 1 milionë euro cash, bllokuam pasuri
ITALI-Kreu i SPAK, Klodian Braho ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia në Bari të Italisë, ku u godit një grup i strukturuar kriminal i trafikut të drogës. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Braho tha se në total janë lëshuar 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave nga SPAK. Një element i rëndësishëm, sipas Brahos është edhe goditja e pasurive të rrjedhura nga aktiviteti i trafikut të lëndëve narkotike.
Klodian Braho: Ky është një rezultat i përbashkët. Në lidhje me këtë çështje janë ekzekutuar 15 masa, 10 janë ekzekutuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Është një element i rëndësishëm i këtij rasti, jo vetëm goditja e këtij aktiviteti të krimit të organizuar të drogës, por dhe produkti i krijuar nga ky aktivitet i paligjshëm. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar rreth 1 milion euro para në gjendje cash. Po kështu nga GJKKO në Tiranë, janë sekuestruar pasuri të tjera, llogari bankare, shoqëri, që dyshohet se janë krijuar nga veprimtari kriminale.
Aksioni i SPAK/ 700 mijë € në Muriqan! 'Bishja' arrestohet në vilën pranë TEG, bashkë me gruan pastronin paratë
TIRANË-Një aksion i ndërmarrë nga SPAK dhe Antimafia e Distriktit të Barit ka goditur një grup kriminal me në krye Igli Kamberin, të përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe pastrim parash. Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, nga të cilat 10 'arrest me burg' prej të cilave 6 të ekzekutuara në Itali dhe 4 në Shqipëri, 1 'arrest shtëpie' dhe 3 'detyrim paraqitje'.
Grupit kriminal në vitin 2024 iu sekuestruan në Muriqan rreth 700 mijë euro, që thuhet se ishin para të pista, ndërsa hetimi iu la Prokurorisë së Shkodrës. Më pas dosja iu transferua SPAK-ut, pasi dyshohej se paratë kishin lidhje me aktivitetin e grupit kriminal. Paratë u gjetën të fshehta në dyert e modifikuara të një furgoni, mjet i cili drejtohej nga Lefter Nela.
Sipas hetimeve Ergys Kastrati, i njohur si Bishja së bashku me gruan e tij Desmira Ceco dhe 2 shoferë bënin transportin e parave të pista. Ai u arrestua në një vilë pranë TEG-ut.
Sipas hetimeve, aktiviteti i dyshuar kriminal është dokumentuar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe me mbështetjen e strukturave të specializuara të sigurisë në Tiranë. Operacioni vijon dhe priten detaje të tjera nga autoritetet ligjzbatuese në të dy vendet./ZËRI
Vrau dhe dogji parukierin! Kush është kreu i grupit të goditur nga SPAK, si tentoi të vriste politikanin italian për 30 mijë €
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i SPAK për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që pastronte paratë e drogës. Përveç pastrimit të parave, pista e dytë e hetimive ka të bëjë me vrasjen e Francesco Diviesti, i ndodhur në Canosa di Puglia më 25 prill 2025, raportojnë mediat fqinje. Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar në Itali kreu i grupit Igli Kamberi.
Igli Kamberi krahas trafikut të drogës, akuzohet nga autoritetet se bashkë me 4 persona të tjerë kanë vrarë Francesco Diviesti, parukierin 26-vjeçar nga Barletta. Ai u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vrarë dhe gjysmë i djegur 4 ditë më vonë.
Emri i tij u përpmend më 8 gusht të vitit 2015, ku u arrestua bashkë me një tjetër shtetas shqiptar, Artan Belliu. Ata u akuzuan si pjesë e një grupi që kishin planifikuar të vrisnin kryekëshilltarin e Partisë Demokratike të komunës së Barletës, Pasquale Ventura. Ngjarja tronditëse ndodhi më 20 janar të 2015-ës.
Vrasja e politikanit ishte porositur ngs ish-bashkëshortja e tij, Conceta Dimatteo di Barleta 40 vjeç. Asokohe mediat italiane raportuan se ndaj kryekëshilltarit të grupit të Partisë Demokratike në komunën e Barletës, Pasquale Ventura u qëllua disa herë me pistoletë me qëllim eliminimin e tij. Pas hetimeve rezultoi se gruaja e tij, Concetta Dimatteo di Barletta kishte paguar 20-30 mijë euro ndërmjetësin shqiptar Artan Belliu 53 vjeç për eliminimin e ish-bashkëshortit të saj nga i cili ishte ndarë pak kohë më parë me konflikte të forta ekonomike e sentimentale.
Operacioni, i kryer në Itali dhe Shqipëri, u krye bashkërisht nga Drejtoria Anti-Mafia e Distriktit të Barit dhe Zyra e Prokurorit të Posaçëm të Tiranës për Anti-Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si pjesë e një ekipi të përbashkët hetimor të formuar me mbështetjen dhe koordinimin e Eurojust. Hetimet u kryen nga Drejtoria Hetimore Anti-Mafia e Barit dhe Skuadra Fluturuese e Shtabit të Policisë së Andrias.
Hetimet janë ende në zhvillim./ZËRI
SPAK godet grupin kriminal të pastrimit të parave, 4 të arrestuar (EMRAT)
TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një operacion kundër një grupi kriminal të dyshuar për pastrim parash dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Në kuadër të aksionit raportohet se janë lëshuar 10 masa sigurie, 6 prej të cilëve ndodhen jashtë territorit shqiptar.
Deri tani janë arrestuar 4 persona, mes tyre Ergys Kastrati (Bishja), i cili prej 2 vitesh është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe Igli Kamberi, i cili dyshohet të jetë kreu i grupit. Emra të tjerë pritet të zbulohen në vijim, ndërsa lidhur me aksionin ende nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet.