LIVE UPDATES

Sinodi i Shenjtë cakton pasuesin e Janullatos, kush është Kryepeshkopi i ri Joan Pelushi

➤Sinodi i Shenjtë zgjodhi sot pasardhësin e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos. ➤Pas mbledhjes, u caktua Kryepeshkopi i ri, Joan Pelushi. ➤Emri laik i kryepeshkopit Joan është Fatmir Pelushi. ➤Ai lindi në një familje bektashiane në Shqipëri, por u konvertua fshehurazi kur ishte në shkollë gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri. ➤Po ashtu, pas vdekjes së Janullatos, ai u përzgjodh përkohësisht në krye të Kishës. ➤Hirësia e tij, Joani u zgjodh nga vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos që ta pasonte pas vdekjes së tij. ➤Në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës Joani konsiderohej si "alter egoja" e kryepeshkopit të ndjerë të Shqipërisë, të cilin e shoqëronte apo edhe e zëvendësonte në krye të delegacioneve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë kur ishte e nevojshme.

5 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Kush e telefonoi i pari?! Mitropoliti Joan zgjidhet në krye të Kishës Ortodokse, MESAZHI për besimtarët

Sinodi i Shenjtë cakton pasuesin e Janullatos, kush është
Joani

TIRANË- Mitropoliti i Korçës, Joani, është zgjedhur pasardhësi i Anastas Janullatosit. Sinodi i Shenjtë u mblodh pas kremtimit të Liturgjisë Hyjnore, në Katedralen e Ngjalljes së Zotit në Tiranë. Anëtarët e Sinodit, Mitropolitët Nathanael i Amantias dhe Demetrios i Gjirokastrës, të dy shtetas grekë, u përjashtuan nga kandidatura, pasi nuk plotësojnë kriterin e shtetësisë shqiptare.

Ky ligj i shkruar në Statusin e Kishës së Shqipërisë, i miratuar në vitin 2006. Kështu postin e kryepeshkopit e mori personi që donte edhe vetë i ndjeri Janullatos. Me shpalljen e zgjedhjes së kryepeshkopit të ri, kambanat në të gjitha kishat e shenjta të Shqipërisë ranë të gëzuara.

Në mesazhin e tij të shkurtër drejtuar besimtarëve, ai e pranoi këtë shërbesë të lartë dhe premtoi ta kryente me përkushtim.

"Unë do të respektoj Traditën e Shenjtë dhe do të luftoj me të gjitha forcat për të mbrojtur të drejtat e Kishës. Jam i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit, Themeluesit të Kishës, të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi”.

Pas shpalljes, ai mori telefonatat e para nga ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, si dhe ministrja e re e Arsimit, Sofia Zacharaki.

Ceremonia zyrtare e kurorëzimit të tij do të zhvillohet më 29 mars./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Fortlumturia Joan u zgjodh Kryepeshkopi i ri, Bartholomeu: I uroj shërbim të gjatë

Sinodi i Shenjtë cakton pasuesin e Janullatos, kush është
Bartholomeu

TIRANË- Patriarku Ekumenik i Konstandinopojës, Fortlumturia e Tij Bartholomeu ka uruar Kryepeshkopin e ri të Kishës Ortodokse Shqiptare, Joan Pelushin. Në mesazhin e tij, Patriarku e uron Kryepeshkopin për përzgjedhjen e tij në Fronin Kryepiskopal dhe i uron një shërbim të gjatë dhe të ndritur.

“Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, z. Joan

Në Tiranë.

Fortlumturi vëlla i shenjtë,

Sapo morëm në Fanar lajmin e zgjedhjes Tuaj të denjë në Fronin Kryepiskopal të Shqipërisë, nxitojmë t’ju përgëzojmë nga zemra dhe në pritje të Letrave Tuaja të Nderuara Paqësore, qëndrojmë me shumë respekt dhe dashuri në Zotin, duke ju uruar një shërbim të gjatë dhe të shkëlqyer Kryepriftëror!

I denjë!

Vëllazërisht,

† Bartholomeu i Konstandinopojës

Fanar, 16 Mars 2025”, thuhet në mesazh.

Pasardhësi i Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos u përzgjodh sot. Sinodi i Shenjtë zgjodhi Joan Pelushin në Fronin Kryepiskopal. Emri laik i kryepeshkopit Joan është Fatmir Pelushi. Ai lindi në një familje bektashiane në Shqipëri, por u konvertua fshehurazi kur ishte në shkollë gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri. Po ashtu, pas vdekjes së Janullatos, ai u përzgjodh përkohësisht në krye të Kishës. Hirësia e tij, Joani u zgjodh nga vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos që ta pasonte pas vdekjes së tij. Në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës Joani konsiderohej si "alter egoja" e kryepeshkopit të ndjerë të Shqipërisë, të cilin e shoqëronte apo edhe e zëvendësonte në krye të delegacioneve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë kur ishte e nevojshme./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

PROFIL- U zgjodh në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, kush është Kryepeshkopi i ri Joan Pelushi

Sinodi i Shenjtë cakton pasuesin e Janullatos, kush është
Kryepeshkopi i ri Joani

TIRANË- Sinodi i Shenjtë zgjodhi sot pasardhësin e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos. Pas mbledhjes, u caktua Kryepeshkopi i ri, Joan Pelushi. Zgjedhja e tij si kryepeshkopi i ri, ishte amanati i Janullatos, pasi konsiderohej edhe si “alter egoja” e tij.

Kush është Kryepeshkopi i ri?

Emri laik i kryepeshkopit Joan është Fatmir Pelushi. Ai lindi në një familje bektashiane në Shqipëri, por u konvertua fshehurazi kur ishte në shkollë gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri. U konvertua edhe duke rrezikuar burgun, torturën, internimin apo dhe vrasjen. Ishte koha kur regjimi diktatorial i Enver Hoxhës po zbatonte persekutimin e ashpër ndaj fesë dhe lirisë së besimit. Mitropoliti Joan i Korçës flet rrjedhshëm greqisht, pasi ka studiuar në një shkollë ortodokse greke në SHBA. Ai ishte peshkopi i parë i shuguruar nga kryepeshkopi Anastas dhe u bë dora e djathtë e tij.

Në Shqipëri, Mitropoliti i Korçës Joani konsiderohej si "alter egoja" e kryepeshkopit të ndjerë të Shqipërisë, të cilin e shoqëronte apo edhe e zëvendësonte në krye të delegacioneve të Kishës Ortodokse të Shqipërisë kur ishte e nevojshme. Prandaj nuk është për t'u habitur që pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas, u zgjodh në krye të Kishës Ortodokse.

Si “fëmijë” i Anastasit, në Mitropolin e Korçës, At Joani ka demonstruar punë me shumë vlera në shkrimin dhe përkthimin e librave, gazetave e revistave. Ai jeton si astek – për shembull, nuk ka as televizor në shtëpinë e tij, sepse e konsideron atë si “sfidë” dhe në përgjithësi është një person me shumë profil të ulët duke shmangur daljet publike. Por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka guximin që të shprehë mendimin e tij. Për shembull, shtatorin e kaluar në Paris, para presidentit francez Emmanuel Macron, si përfaqësues i Kishës Shqiptare, ai mbajti një fjalim të zjarrtë për luftën dhe varfërinë, duke thënë se “paqja është një kombinim i drejtësisë dhe solidaritetit. Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi dhe nuk mund të ketë drejtësi pa solidaritet”.

Mitropoliti Joani nuk ka kultivuar marrëdhënie të ngrohta kishtare me ortodoksinë greqishtfolëse – pavarësisht se ka studiuar në Seminarin Teologjik Ortodoks Grek të Kryqit të Shenjtë në Bruklinm Nju York dhe flet rrjedhshëm greqisht dhe anglisht, përveç gjuhës amtare, shqipes. Duke pasur një karrierë të pasur intelektuale dhe shkrimtare, duke përkthyer të paktën 9 libra në gjuhën shqipe (i pari ishte "Për Shpirtin e Shenjtë", botuar në vitin 1996), ai shkruan shpesh artikuj për gazetën shqiptare "Rilindja".

Por ai nuk e konsideron shkrimin si diçka të rëndësishme.

"Zoti nuk do të më përgëzojë nëse shkruaj një libër të përsosur mbi teologjinë. Por do të më pyesë se çfarë ndodhi me plakën e varfër që e injorova,"-tha ai. Por edhe më interesante se shkrimet e tij dhe karriera e tij kishtare është jeta e tij.

I lindur në ditën e parë të vitit 1956 në Tiranë, mitropoliti shqiptar ka një mjekër të zezë të errët dhe tipare që nuk ia tregojnë as moshën e tij dhe as jetën që ka bërë. Babai i tij u burgos në vitin 1944 si "armik i shtetit", madje ai vetë u arrestua shumë herë dhe deri më sot është vënë në shënjestër të nacionalistëve shqiptarë si "armik i shqiptarëve", madje të tjerë e konsiderojnë "agjent grek" apo dhe "agjent i CIA-s".

Pavarësisht se vinte nga një familje dervishësh myslimanë, ai thotë se ishte mëse e pritshme që ai të bëhej një kriptokristian në një kohë kur persekutimi fetar në Shqipëri ishte shumë i ashpër.

"Unë vij nga një familje bektashiane,"- ka rrëfyer vetë Mitropoliti John në librin e Jim Forrest "Rilindja e Kishës në Shqipëri - Zërat e të krishterëve ortodoksë", ndërsa shton: Kjo është një formë e islamit shiit, në realitet një lloj kriptokristianizmi, një formë e Islamit që nuk është shumë larg krishterimit të hapur. Bektashinjtë kanë një lloj pagëzimi, një lloj kungimi, madje edhe tre nivele klerikësh, ashtu si ne. Ata adhurojnë shenjtorët, përdorin ikona, pinë verë. Është e qartë se disa nga rrënjët e tyre janë të krishtera.

Si fëmijë që i pëlqente gjithmonë të lexonte, Gjoni - emri i parë laik i të cilit ishte Fatmir, ra në kontakt për herë të parë me krishterimin kur një mik i dha atij Dhiatën e Re në frëngjisht. Pas Dhiatës së Re, ai lexoi shumë libra të autorëve ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe hebrenj, të cilët i huazoi fshehurazi nga Biblioteka e Tiranës, pasi atje njihte bibliotekaren.

“Çdo person që besonte në Zot ishte aleati im,"-tha ai. Ai shpejt u bë anëtar i një grupi të fshehtë të kishës.

E dinte se si ai dhe familja e tij mund ta paguanin shtrenjtë, por nuk i interesonte. Ishte koha e Hoxhës, ku u arrestua kryepeshkopi Kristofor dhe vdiq në paraburgim në Tiranë, por edhe shumë të tjerë u vranë, torturuan dhe internuan për shkak të besimit të tyre. Ai u pagëzua zyrtarisht si i krishterë, duke marrë emrin Gjon Teologu në vitin 1979 nga At Kozmai.

“Ishte një kohë e rrezikshme për të bërë diçka të tillë”.

Kishte priftërinj shqiptarë që u ekzekutuan pikërisht për këtë veprim.

Sapo përfundoi studimet për Psikologji në Universitetin e Tiranës, Fatmiri u punësua në një klinikë psikiatrike në kryeqytetin shqiptar.

"Çfarë mbulesë e përsosur për mua! Çfarë pune më të mirë mund të gjesh për një ndjekës të Krishtit sesa kujdesi për të sëmurët? Në fakt, "të çmendurit" shpesh nuk ishin të çmendur. Ndonjëherë denoncoheshin nga ndonjë anëtar i familjes vetë që të mos arrestoheshin dhe dënoheshin. Kjo ishte manovra e tyre për t'ju shmangur sistemit,"- thotë ai në rrëfimin e tij në librin "Rilindja e Kishës në Shqipëri ".

Por qëndrimi i tij atje nuk ishte saktësisht pa ngjarje. Ai u vu në shënjestër të Shërbimit Sekret shumë herë, duke arritur kulmin ditën kur ata bastisën zyrën e tij pasi dikush e spiunoi se ai mbante një Bibël në një sirtar. E vërteta është se do të ishte arrestuar nëse drejtori i klinikës dhe nipi i komandantit të Policisë Sekrete nuk do t'i pengonte oficerët që të hynin në zyrë vetëm se i pëlqente Joani - apo Fatmiri siç e njihte.

Pas rënies së komunizimit, ai fitoi një bursë studimi nga Komuniteti Shqiptar i SHBA-së, hyri në Seminarin Teologjik Ortodoks Grek të Kryqit të Shenjtë në Bruklin. Por kthimin në vendlindje e kishte gjithmonë në mendje. Kështu, kur mori detyrën si Kryepeshkop Anastasi, At Joani arriti të komunikonte me të. Hierarku grek e frymëzoi me vendosmërinë e tij për të ringjallur Kishën Shqiptare. Edhe sot e kësaj dite, ai e sheh atë si mishërim të idealeve të tij.

"Nëpërmjet tij munda të shoh një shembull të palëkundur se si të kombinojmë përkushtimin tonë ndaj Zotit dhe njeriut."

Kështu, në vitin 1993, duke refuzuar ofertat për të qëndruar në SHBA dhe për të punuar si prift, ai u kthye në vendlindje. Më 27 shkurt të vitit pasardhës ai u bë peshkopi i parë shqiptar që u shugurua nga Anastasi. Ndërsa sot, ai u zgjodh pasuesi i Janullatos, si kryepeshkopi i ri në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Sinodi i Shenjtë merr vendimin, Joani zgjidhet Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Shqiptare

Sinodi i Shenjtë cakton pasuesin e Janullatos, kush është
Foto ilustruese

TIRANË- Mbledhja e Sidonit të Shenjtë për të vendosur pasuesin e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos ka përfunduar. Pas përfundimit të mbledhjes kambanat e Kishës kanë rënë në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit. Sinodi i Shenjtë caktoi mitropolitin e Korçës, Joanin, si Kryepeshkopin e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.

“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim,” u shpreh Imzot Joani.

Po ashtu, pas vdekjes së Janullatos, ai u përzgjodh përkohësisht në krye të Kishës. Hirësia e tij, Joani u zgjodh nga vetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos që ta pasonte pas vdekjes së tij. Këtë detaj e ka zbuluar media greke "Protothema". Sipas të njëjtit burim, Joani është zgjedhur nga Janullatos për shkak se është shqipfolës.

Mitropolit Joan (emri i lindjes është Fatmir Pelushi) shërbente si mitropolit i Korçës. Ai ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara. Ai është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën "Master of Divinity". Ka studiuar në SHBA falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Peshkop Fan Nolit.

Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare. Me t'u diplomuar në "Kryqin e Shenjtë" me Master në studimet Teologjike, u rikthye në Shqipëri, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e caktoi që të japë mësim në Seminar, si edhe të shërbejë ne vende të tjera brenda Kishës. Në 18 korrik 1998, u zgjodh si Mitropoliti i Korçës edhe u fronëzua dy ditë më pas./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Sot zgjidhet Kryepeshkopi i ri, kush do ta pasojë Janullatos

Sinodi i Shenjtë cakton pasuesin e Janullatos, kush është
Anastas Janullatos

TIRANË- Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të zgjedhë sot kryepeshkopin e ri. Sindodi i Shenjtë do të mblidhet sot pas Liturgjisë Hyjnore për të zgjedhur Kryepeshkopin e ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, i cili do të pasojë Kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos. Pasi të zgjidhet nga Sinodi, Kryepeshkopi i ri do të hyjnë në Katedrale, ku do të japë edhe një mesazh për besimtarët. Sapo të zgjidhet Kryepeshkopi, do të bien kambanat në të gjitha katedralet dhe kishat në vend. Ishte amaneti i Kryepeshkopit të ndjerë, Anastas Janullatos që në krye të Kishës të jetë një klerik shqiptar.

5 nga 7 anëtarët e Sinodit të Shenjtë janë shqiptarë. Në Mitropolinë e Korçës, Hirësia e tij Joani, në Mitropolinë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e tij Asti, në Mitropolinë e Apolonisë dhe Fierit, Hirësia e tij Nikolla, në Mitropolinë e Elbasanit, Hirësia e tij Andoni dhe episkopi i Krujës, Hirësia e tij Anastasi.

Anëtarët e tjerë të Sinodit janë mitropolitët e Amantias dhe Gjirokastrës, Nathanaili dhe Dhimitri, që janë grekë, por nuk mund të jenë në krye të Kishës për shkak se nuk plotësojnë kriterin e kombësisë shqiptare sipas Statutit të miratuar në vitin 2006.

7 anëtarët e Sinodit do të votojnë të dielën për njërin prej mitropolitëve shqiptarë, ku emri më i përfolur është ai i kryepeshkopit më të vjetër, Hirësi Joanit të Korçës. Po ashtu, pas vdekjes së Janullatos, ai u përzgjodh përkohësisht në krye të Kishës.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25  janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991./ZËRI

Poll

MOS HUMB