Zjarret në Lurë dhe Dajt vijojnë aktive, dhjetëra efektivë dhe mjete në terren
TIRANË- Vatrat e zjarrit në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit vijojnë të jenë aktive, ndërsa forcat e angazhuara në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Në Lurë janë angazhuar rreth 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë dhe një automjet zjarrfikës. Sipas të dhënave të fundit, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk raportohet rrezik për banesat përreth.
Ndërkohë, edhe në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja për shuarjen e vatrave të zjarrit. Në këtë zonë janë angazhuar rreth 50 efektivë të tjerë të FA-së, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
Nufi shton se vatra në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe po monitorohet, ndërsa në fund shpreh mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura për angazhimin e tyre në terren.
"Forcat e Armatosura në vijën e parë të përballimit të zjarreve! Në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit, Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara në terren për përballimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e komuniteteve.Lurë, Dibër: 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA, vijojnë operacionin. Aktualisht, banesat nuk rrezikohen. Mali i Dajtit, Tiranë: 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për shuarjen e zjarrit. Zonat e banuara nuk rrezikohen, ndërsa vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura që ndodhet në terren, për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e treguar në këto ditë të vështira", shkruan Nufi në rrjete sociale./ZËRI
Zjarr në Vukatan/ Dyshohet se zjarri ishte i qëllimshëm, shoqërohet autori
SHKODËR- Në fshatin Vukatan të Shkodrës është regjistruar në vatër zjarri i cili dyshohet të jetë i qëllimshëm. Flakët janë konstatuar gjatë ditës së sotme dhe falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës, zjarri u izolua përpara se të përhapej në drejtim të banesave.
Ndërkohë, policia ka nisur verifikimin për rrethanat e ngjarjes, ku ka shoqëruar në komisariat personin që dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.
View this post on Instagram
Gjatë 24 orëve të fundit, sipas informacioneve zyrtare, shërbimet zjarrfikëse në qarkun e Shkodrës kanë ndërhyrë për shuarjen e pesë vatrave. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për shkak të temperaturave të larta./ZËRI
Zjarri vijon të djegë pyjet e Tërbunit në Pukë, era favorizon flakët ((VIDEO)
PUKË- Masivi pyjor i Tërbunit në Pukë vijon të jetë nën pushtetin e flakëve, të cilat po zgjerojnë perimetrin të ndihmuara nga era. Situata është veçanërisht e vështirë për ekipet në terren, pasi në disa prej vatrave nuk mund të ndërhyhet me mjete zjarrfikëse.
View this post on Instagram
Raportohet se deri tani janë djegur dhjetëra hektarë me shkurre, ndërsa sot flakët kanë arritur edhe në pyjet e larta me pisha, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e zjarrit në sipërfaqe të tjera pyjore.
Autoritet bëjnë me dije se në zonë nuk ka banesa të rrezikuara./ZËRI
Lura 'digjet' prej ditësh, kryeprokurori i Dibrës 'zbarkon' në terren! Priten shoqërime për zjarrvënie të qëllimshme
LURË- Situta në Lurë vijon të jetë problematike, teksa zjarret kanë përfshirë prej disa ditësh masivin pyjor të Parkut Kombëtar.
Forca të shumta nga të gjitha strukturat e shtetit, ndodhen të terren dhe po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa në zonë ka mbërritur edhe kryeprokurori i Dibrës, Abaz Muça, i cili po ndjek nga afër situatën dhe zhvillimet e hetimit.
Dyshohet se disa prej vatrave mund të jenë shkaktuar qëllimisht, ndërsa priten edhe shoqërime të personave që dyshohen për zjarrvënie të qëllimshme.
Ndërkohë, prokuroria pritet të përcaktojë shkaqet e zjarrit dhe përgjegjësit për përfshirjen e masivit pyjor të Lurës nga flakët./ZËRI
Bilanci i zjarreve, "Mbrojtja": 43 vatra në 24 orë, 10 aktive, s’ka rrezik për zonat e banuara
TIRANË- Situata me zjarret në vend mbetet shqetësuar, teksa gjatë 24 orëve të fundit raportohen 43 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zonat më problematike mbeten Gurë-Lurë në Dibër, Mali i Dajtit dhe Vakumone në Shëngjergj, ndërsa vatra aktive raportohen edhe në Qafë Helmes, Abaze në Krujë, Lufaj e Thari në Mirditë, si dhe në Fushë-Lajë e Rrjoll në Shkodër.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet për shuarjen e flakëve po vijojnë si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Në terren janë angazhuar forca dhe automjete zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me helikopterë dhe avionë.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren po operojnë 120 efektivë të FA, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
* Mali i Dajtit, Tiranë – Vijon puna për shuarjen e zjarrit. Operacioni është mbështetur nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
* Vakumone, Shëngjergj – Vatra mbetet aktive. Në ndërhyrje janë përfshirë MZSH, vullnetarë dhe strukturat e Njësisë Administrative Shëngjergj. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të mëdha. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë – Në operacion janë angazhuar 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për banesat.
* Abaze, Krujë – Zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.
* Lufaj dhe Thari, Mirditë – Në Lufaj vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse. Në Thari është evidentuar një vatër e re, ku janë nisur ekipet e MZSH dhe është dërguar në mbështetje 1 helikopter.
* Fushë-Lajë dhe Rrjoll, Shkodër – Në Fushë-Lajë vijon puna në terren të thyer, ndërsa në Rrjoll, për shkak të terrenit të paarritshëm, situata po monitorohet nga afër dhe është përdorur edhe dron për evidentimin e shtrirjes së vatrës.
* Dardhë, Librazhd – MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vijojnë punën për shuarjen e vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.