Samiti i radhës në Tiranë! Rama konfirmon deklaratën e Rutte: Po si thanë...ka ikur ajo kohë kur bënin çfarë të donin!
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, duke përforcuar deklaratën e bërë më herët nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Gjatë një deklarate për mediat, Rutte bëri të ditur vendimin, ndërsa theksoi se mbetet për t'u përcaktuar data e zhvillimit të takimit.
"Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri. Ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën se kur", u shpreh Rutte.
Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi edhe kryeministri Rama, i cili përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, krah delegacionit shqiptar në Turqi, konfirmoi se Tirana do të jetë mikpritëse e samitit.
"Po si thanë, nuk do të bëhet samiti në Shqipëri? Epo ka ikur ajo kohë kur bëhej çfarë të donin të tjerët në Shqipëri. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë", deklaroi Rama.
Deklarata e Rutte erdhi pasi dokumenti përfundimtar i Samitit të Ankarasë nuk përfshiu asnjë refencë për vendin apo datën e samitit të ardhshëm./ZËRI
NATO nga Ankaraja, DEKLARATA e përbashkët: Sulm ndaj një aleati është ndaj të gjithëve!
ANKARA- Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s kanë miratuar në Ankara një deklaratë të përbashkët.
Udhëheqësit e NATO-s riafirmuan të mërkurën "angazhimin e tyre të palëkundur" për mbrojtjen kolektive dhe unitetin e aleancës, duke deklaruar se "një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve" në një deklaratë të samitit të miratuar në kryeqytetin turk, Ankara.
Sipas deklaratës, aleatët mbeten të përkushtuar ndaj Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, lidhjes transatlantike dhe një qasje 360 gradë ndaj parandalimit dhe mbrojtjes, duke përshkruar "unitetin, solidaritetin dhe forcën kolektive si themelin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit" për një miliard qytetarët e aleancës.
Udhëheqësit njoftuan më shumë se 50 miliardë dollarë në prokurime të reja në mbrojtje dhe u zotuan për zgjerimin e kapacitetit të prodhimit kolektiv, përshpejtimin e inovacionit me industrinë dhe heqjen e barrierave tregtare të mbrojtjes midis aleatëve.
Aleatët përsëritën se Irani "nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore" dhe i bënë thirrje Teheranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit përpara se të falënderonin Turqinë për organizimin e samitit historik.
Deklarata e plotë:
Ne, krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, jemi mbledhur në Ankara për të rikonfirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj mbrojtjes sonë kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe ndaj lidhjes transatlantike. Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe mirëqenies për një miliard qytetarët e Aleancës sonë të kombeve të lira dhe demokratike. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qasjes sonë 360-gradëshe për parandalimin dhe mbrojtjen.
Për t’iu kundërvënë kërcënimit afatgjatë që Rusia paraqet për sigurinë dhe stabilitetin euro-atlantik, si edhe kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, aleatët po zbatojnë angazhimin për mbrojtjen e miratuar në Hagë. Gjatë vitit 2025, aleatët evropianë dhe Kanadaja rritën investimet e tyre në nevojat themelore të mbrojtjes me më shumë se 139 miliardë dollarë. Investimet tona po sigurojnë kapacitetet që na nevojiten, duke forcuar njëkohësisht bazën tonë industriale dhe qëndrueshmërinë. Sot, në Ankara, ne shpallim më shumë se 50 miliardë dollarë prokurime të reja dhe angazhohemi të zgjerojmë kapacitetin e përbashkët prodhues, si edhe të punojmë me industrinë për të përshpejtuar inovacionin. Ne do të vazhdojmë punën për të eliminuar pengesat në tregtinë e pajisjeve të mbrojtjes mes aleatëve dhe për të shfrytëzuar partneritetet e NATO-s në mënyrë që të maksimizojmë kapacitetin industrial të mbrojtjes dhe bashkëpunimin.
Ne po ndërtojmë të ardhmen: një Evropë më të fortë në një NATO më të fortë – një Aleancë të modernizuar. Aleatët evropianë dhe Kanadaja, duke punuar së bashku me Shtetet e Bashkuara, po marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e Aleancës. Parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s mbështeten në një kombinim të përshtatshëm të kapaciteteve bërthamore, konvencionale dhe të mbrojtjes nga raketat, të plotësuara nga asetet hapësinore dhe kibernetike. Ne jemi të përkushtuar të ruajmë epërsinë tonë ushtarake. Po investojmë në aftësinë për të dislokuar, mbështetur dhe mirëmbajtur forcat tona të armatosura, si edhe për të përmbushur objektivat tona të kapaciteteve në të gjitha fushat, përfshirë goditjet precize në thellësi, mbrojtjen e integruar ajrore dhe nga raketat, sistemet pa ekuipazh, teknologjitë më të avancuara dhe kapacitetet e zbulimit. Po zhvillojmë një platformë transatlantike të ndërveprueshme për operacionet ushtarake dhe po adoptojmë modele të avancuara të inteligjencës artificiale.
Ukraina kontribuon në sigurinë transatlantike dhe aleatët qëndrojnë të bashkuar në mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Aleatët evropianë dhe Kanadaja financojnë tashmë pjesën dërrmuese të ndihmës për sigurinë e Ukrainës përmes mekanizmave dypalësh dhe shumëpalësh. Aleatët theksojnë se kjo mbështetje duhet të jetë e drejtë, e parashikueshme dhe e qëndrueshme në afat të gjatë. Për vitin 2026, aleatët zotohen të ofrojnë 70 miliardë euro në pajisje ushtarake, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën dhe konfirmojnë angazhimet e tyre sovrane për të ruajtur të paktën të njëjtin nivel mbështetjeje edhe në vitin 2027. Për këtë qëllim, ne mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për t’i ofruar Ukrainës financim shumëvjeçar përmes Kredisë për Mbështetjen e Ukrainës.
Aleanca vazhdon të reagojë dhe të përshtatet ndaj konkurrencës strategjike, paqëndrueshmërisë së përhapur, kërcënimeve hibride dhe goditjeve të përsëritura që karakterizojnë mjedisin tonë të gjerë të sigurisë. Aleatët ritheksojnë se Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore dhe i bëjnë thirrje Iranit të respektojë plotësisht lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Ne shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare të ofruar nga Turqia. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm.
Samiti i NATO-s/ Erdogan, me qëndrime për Ukrainën e Iranin! Trump 'shënjestron' Groenlandën dhe Spanjën
TURQI-Në Ankara ka filluar punimet samiti i NATO-s, me pjesëmarrjen e liderëve më të rëndësishëm në botë. Liderët e 32 vendeve u pritën nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kreu i NATO-s Mark Rutte, ku ndër të parët ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Takim u hap me fjalën e presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili foli në lidhje me luftën në Iran dhe Ukrainë, si dhe prioritete që duhet të ketë Aleanca.
Rexhep Tajip Erdogan: I kemi kërkuar aleatëve europianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit dhe duhet të largohemi nga vendimmarrje që dobësojnë aleancën. Përfitimet maksimale në fushën e sigurisë mund të jenë të mundshme vetëm duke u frenuar nga vendime të gabuara, përjashtimi i aleatëve, duke krijuar ndarje artificiale, nuk i shërben mbrojtjes trans atlantike. Sa i përket luftës në Ukrainë ndaj të njëjtin opinion si Trump për paqen dhe këmbëngul në bërjen prioritet mbështetjen e Ukrainës. Nga kjo përfitojmë nga kanalet e komunikimit me Rusinë. Vlerësojmë shumë rezolutat e presidentit Trump për t’u siguruar që kriza në Iran të zgjidhet, jemi të gatshëm të ofrojmë kontribut për të pastruar Gjirin e Hormuzit nga minat.
Diskutimet mbeten të tensionuara me presidentin Donald Trump, i cili deklaroi para samitit se marrëveshja e armëpushimit mes SHBA-ve dhe Iranit nuk është më në fuqi pas rifillimit të sulmeve. Një çështje e nxehtë të jetë ajo e Groenlandës, ku Trump tha se ka ende probleme me Aleancën për rastin dhe paralajmëroi se kjo temë do të diskutohet me liderët e NATO-s. Ndërkohë një paralajmërim i papritur ishte ai për Spanjën. Trump tha se SHBA-të mund të ndërpresin plotësisht tregtinë me Spanjën, duke e cilësuar Madridin si një “kauzë të humbur”.
Dita 2 e Samitit të NATO-s në Ankara! Ukraina në fokus, Groenlanda 'ndez' diskutimet, Trump: Të zhgënjyer nga ju
TURQI-Samiti i NATO-s në Ankara shën sot ditën e dytë, ndërsa konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit u përshkallëzua. Presidenti Donald Trump shprehu pakënaqësitë e tij ndaj anëtarëve të aleancës, duke deklaruar se nuk po paguanin mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre ose nuk po bënin mjaftueshëm për të mbështetur luftën e tij në Lindjen e Mesme.
Trump rihapi sërish çështjen mbi Groenlandën duke këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara duhet ta kontrollojnë ishullin gjysmëautonom. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se Groenlanda “nuk është në shitje” dhe se Danimarka ishte gati ta mbronte territorin.
Dita e parë e samitit u fokusua te investimet dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes ushtarake për vendet. Ndër temat kryesore pritet të jetë situata në Ukrainë dhe paketa e ndihmës prej 70 miliardë eurosh që aleatët evropianë pritet ta formalizojnë në Ankara për të siguruar mbështetje për Kievin për dy vitet e ardhshme. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vlerësuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët evropianë dhe kanadezë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u shpreh se pret një vendim pozitiv për avionët luftarakë F-35 Lightning II, ndërsa homologu i tij amerikan, Donald Trump, premtoi heqjen e sanksioneve CAATSA ndaj Turqisë.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleatët duhet të sigurohen që Rusia dhe Kina të mos fitojnë akses më të madh në Arktik, duke e përshkruar rajonin si një teatër strategjik gjithnjë e më të rëndësishëm. Duke iu drejtuar pyetjeve mbi Groenlandën, Rutte tha se NATO ka "një proces të mirë" në vend në lidhje me ishullin. Duke diskutuar sigurinë në Lindjen e Mesme dhe lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, ai tha se priste që aleatët të riafirmonin se Irani "nuk duhet të marrë kurrë në dorë një kapacitet bërthamor".
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pritet të zhvillojë sot disa takime me krerë shtetesh, mes tyre dhe me kryeministrin Edi Rama. Dita e parë e takimeve në kuadër të Samitit në Ankara u përmbyll me një darkë shtetërore të Presidentit turk, që priti mbi 32 liderët e Natos.