LIVE UPDATES

Përsëritet SKANDALI-Helmohen 60 studentë të Akademisë së Sigurisë! "Sori-Al": Hanë ushqime nga jashtë

♦Për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër studentët e Akademisë së Sigurisë në Sauk janë helmuar nga ushqimi. ♦60 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital mbrëmjen e djeshme pas vaktit të darkës. ♦Ushqimi në ambientet e institucionit shërbehet nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al. ♦Autoritetet shëndetësore dhe AKU kanë sekuestruar mostrat e ushqimit dhe po presin rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e incidentit. ♦Rasti është i përsëritur, ku herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’. ♦Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

4 artikuj për këtë temë.
1 ORE ME PARE

60 studentë në spital, “Sori-Al” distancohet: Në Akademi futen ushqime nga jashtë, mungon higjena

Përsëritet SKANDALI-Helmohen 60 studentë të Akademisë
Alma Tafani

TIRANË-Kompania 'Sori-Al' e cila siguron kateringun e ushqimit për studentët e Akademisë së Sigurisë, të cilët u helmuan për herë të dytë ka reaguar lidhur merastin e fundit ku 60 kursantë përfunduan në QSUT pas konsumimit të vaktit të darkës. Në deklaratën zyrtare 'Sori-Al' distancohet nga përgjegjësia, duke deklaruar se sipas monitorimit të tyre në Akademinë e Sigurisë konsumohen nga studentët produkte ushqimore të porositura nga jashtë. 

Kompania në administrimin e Alma Tafanit denoncon gjithashtu edhe mungesën e higjenës në ambjentet e ushqimit në Akademi. Në reagim thuhet se nga monitorimet e kryera gjatë ofrimit të shërbimit është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve.

Ky është rasti i dytë i helmimit të studentëve që ndodh brenda pak muajsh, ndërsa policia dhe AMP kanë nisur hetimet. Herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

Deklarata e plotë: 

Në vijim të deklaratave tona të mëparshme dhe duke mbetur plotësisht të angazhuar për transparencë dhe bashkëpunim me institucionet, Shoqëria “SORI-AL” Sh.p.k. ndjen detyrimin të reagojë lidhur me publikimet në portale të bëra gjatë ditës së sotme për një ngjarje të re të raportuar pranë Akademisë së Sigurisë. Që nga momenti i marrjes dijeni për shqetësimet shëndetësore të raportuara, përfaqësuesit e shoqërisë kanë ndjekur nga afër situatën, duke qëndruar në kontakt me autoritetet përgjegjëse dhe duke u interesuar vazhdimisht për gjendjen shëndetësore të studentëve, të cilët, sipas informacionit të marr, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë rikthyer të gjithë në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Kjo është hera e dytë që raportohet një episod i tillë në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Pikërisht për këtë arsye, edhe pas ngjarjes së muajit maj, Shoqëria “SORI-AL” Sh.p.k mori masa të shtuara kontrolli dhe monitorimi të proçesit të prodhimit, transportit, shpërndarjes dhe konsumimit të ushqimit, duke forcuar autokontrollin dhe mbikëqyrjen në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor.

Në kuadër të këtij monitorimi janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar. Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet. Shoqëria “SORI-AL” përgatit dhe shpërndan çdo ditë mbi 1.000 racione ushqimore, duke operuar prej më shumë se 23 vitesh në sektorin e kateringut për entet publike. Gjatë gjithë kësaj periudhe aktiviteti, kompania ka ndërtuar reputacionin e saj mbi respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe nuk është përballur më parë me episode të ngjashme të përsëritura në një interval kaq të shkurtër kohor. Ky fakt e bën edhe më të domosdoshme që çdo rrethanë të analizohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe pa paragjykime.

Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të Akademisë së Sigurisë që, krahas hetimit të kësaj ngjarjeje, të forcojnë monitorimin e respektimit të rregullave për konsumimin e ushqimit brenda institucionit, duke garantuar që të mos futen dhe konsumohen produkte ushqimore nga burime të pakontrolluara. Po ashtu, nga monitorimet dhe verifikimet e kryera nga stafi ynë gjatë ofrimit të shërbimit është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve. Gjithashtu, është vërejtur se në shumë raste studentët paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjes. Këto rrethana nuk paraqiten për të shmangur apo transferuar përgjegjësi, por për të evidentuar se siguria ushqimore është rezultat i funksionimit të të gjithë zinxhirit të sigurisë, duke përfshirë jo vetëm prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit, por edhe mënyrën dhe kushtet në të cilat ai ruhet dhe konsumohet. Për këtë arsye, vlerësojmë se edhe këta faktorë duhet të jenë pjesë e hetimit dhe analizës objektive të institucioneve kompetente.

Shoqëria “SORI-AL” mbetet e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente dhe kërkon që edhe kjo ngjarje të hetohet mbi bazën e provave shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pa nxjerrë përfundime të parakohshme dhe pa dëmtuar padrejtësisht reputacionin e një kompanie që prej më shumë se dy dekadash operon në këtë sektor. Shoqëria “SORI-AL” mbetet në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të kampioneve të marra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe të analizave të kryera, me iniciativën e saj dhe në mënyrë të pavarur, pranë një laboratori tjetër të akredituar, në kuadër të sistemit të autokontrollit. Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k

3 ORE ME PARE

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, Policia: 60 kursantë përfunduan në spital! AKU merr mostrat

Përsëritet SKANDALI-Helmohen 60 studentë të Akademisë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me rastin e e helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë. Blutë njoftojnë se 60 kursantë kanë marrë ndihmën mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së. Raportohet se 31 kursantë të Akademisë së Sigurisë, mbrëmjen e djeshme kanë pasur simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, për të cilat kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.

Ndërsa mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë që janë dërguar për ndihmë mjekësore te 'Infektivi' i QSUT-së. Lidhur me rastin Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Ushqimi në ambientet e institucionit shërbehet nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al.

Njoftimi i policisë:

Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, me simptoma si temperaturë dhe diarre, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse.

Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.

Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

4 ORE ME PARE

Makarona, fasule...zbardhet menuja e Sori-Al! Ja çfarë konsumuan studentët që u helmuan në Akademinë e Sigurisë

Përsëritet SKANDALI-Helmohen 60 studentë të Akademisë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-60 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital mbrëmjen e djeshme pasi dyshohet se u helmuan nga vakti i darkës i shërbyer në ambientet e institucionit nga kompania private e kontraktuar, Sori-Al.

Darka e studentëve të Akademisë së Sigurisë ka përfshirë ushqime të ndryshme si pilaf, makarona, fasule, sallam, salsiçe, kos, qumësht dhe bukë, të cilat aktualisht janë nën verifikim për sigurinë ushqimore. Autoritetet shëndetësore dhe AKU kanë sekuestruar mostrat e ushqimit dhe po presin rezultatet e analizave për të përcaktuar shkakun e incidentit. Studentët, rreth orës 8 të mbrëmjes së 24 qershorit kanë filluar të kenë probleme e më pas janë paraqitur në QSUT. 

Ky është rasti i dytë që ndodh brenda pak muajsh, ndërsa policia dhe AMP kanë nisur hetimet. Herën e parë më 7 maj, u helmuan 52 studentë që kishin konsumuar ushqimin e ardhur nga kateringu i së njëjtës kompani 'SORI-AL’. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

6 ORE ME PARE

SKANDALI-Helmohen sërish nga ushqimi i 'Sori.Al' 30 studentë të Akademisë së Sigurisë

Përsëritet SKANDALI-Helmohen 60 studentë të Akademisë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Skandali me ushqimet në Akademinë e Sigurës vijon të jetë alarmat! Rreth 30 studentë të Akademisë së Sigurisë, raportohet të jenë helmuar sërish mbrëmjen e djeshme, ku vetëm rreth dy muaj 56 kursantë përfunduan në spital. Mësohet se studentët kanë pasur simptoma të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, ku të ndarë në grupe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Akademia i siguron studentëve, të treja vaktet, me katering, nga kompania SORI-Al. 

52 studentë të Akademisë së Sigurisë përfunduan në spital me shenja helmimi me 7 Maj 2026. Të gjithë sapo kishin konsumuar vaktin e drekës në ambientet e akademisë. Policia asokohe arrestoi kuzhinierin dhe Kristjana Plakën teknologe e ushqimit në kompaninë që sillte ushqimin në Akademinë e Sigurisë, ndërsa në gjendje të lirë u vu një tjetër teknologe ushqimi në SORI-Al”. Nga mostrat e marra për analizë, rezultoi se makaronat ishin të kontaminuara me bakteret Escherichia coli dhe stafilokok.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) blloki aktivitetin e kompanisë së kateringut “SORI-Al” të administruar nga Alma Tafani dhe u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare. Po kompania pak ditë më vonë filloi sërish aktivitetin, pasi analizat e mostrave për higjenën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjenës./ZËRI

Poll

MOS HUMB