TIRANE- Operacioni më i fundit i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili goditi emra të njohur të botës së krimit dhe biznesit në kryeqytet, ka nxjerrë në dritë një tjetër skemë të dyshuar për përfitimin e fondeve publike përmes procedurave të shpronësimit.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për një truall të ndodhur në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, pranë stadiumit “Air Albania”, i cili aktualisht shërben si “Shkolla e Biçikletave”.
Nga hetimet rezulton se prona ishte regjistruar në bashkëpronësi dhe pjesë të saj ishin përfituar përmes kontratave të dhurimit nga persona nën hetim, mes tyre Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari, Artur Shehu dhe Elton Memeti. Dizdari u godit asokohe nga SPAK si 'koka' e kartelit 'Bello', karteli i parë shqiptar i drogës.
SPAK bën me dije se me vendimin nr. 29, datë 7 nëntor 2021, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi sekuestro preventive mbi pasurinë e llojit “truall”, me numër pasurie 6/438, me sipërfaqe 5,269 metra katrorë, në zonën kadastrale 8160, në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë.
Sekuestroja përfshinte pjesën takuese prej 2163/30000 të Denis Matoshit, si dhe të drejtën e tij për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm i Shpronësimeve, në cilësinë e bashkëpronarit të pasurisë.
Sipas dosjes, vlera paraprake e shpronësimit për pjesën takuese të Matoshit ishte rreth 8.1 milionë lekë. Aktualisht, kjo pasuri është konfiskuar.
Megjithatë, pavarësisht se një pjesë e pronës ishte nën sekuestro, trualli u shpronësua më vonë nga shteti shqiptar me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, me argumentin e realizimit të një projekti me interes publik.
Bëhet fjalë për projektin e “Shkollës së Biçikletave”, i cili u miratua me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 510, datë 27 korrik 2022.
Për këtë pronë, shteti akordoi një fond prej 352.859.661 lekësh, me një vlerë prej 66.969 lekësh për metër katror, shumë e cila iu shpërnda bashkëpronarëve të truallit.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar se, përpara shpronësimit, mbi këtë pasuri janë kryer një sërë transaksionesh të dyshimta. Sipas dokumentacionit të administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nga viti 2017 deri në vitin 2022 janë realizuar dhjetëra kontrata dhurimi mes bashkëpronarëve fillestarë, personave nën hetim dhe personave të tretë.
Prokuroria dyshon se këto lëvizje të pronësisë janë kryer në mënyrë të koordinuar dhe kanë pasur si qëllim përfitimin e kompensimeve financiare nga procesi i mëvonshëm i shpronësimit.
Në dosje përmendet gjithashtu se një pjesë e bashkëpronarëve kishin lidhur kontrata sipërmarrjeje me shoqërinë “A@AMIV” sh.p.k., e regjistruar në vitin 2020 dhe me ortak shtetasin Joanis Liaçis, i njohur edhe si Klodian Liçaj.
Sipas SPAK, kompania nuk dispononte licencat dhe kapitalin e nevojshëm për të zhvilluar projektin për të cilin kërkohej leje zhvillimi.
Fotoja e siguruar nga ZËRI tregon qartë vendndodhjen e truallit, i cili ndodhet ngjitur me stadiumin “Air Albania”, në një zonë me vlerë të lartë zhvillimi dhe interes të madh ekonomik.
Shpronësimi i kësaj pasurie dhe përfitimet financiare të personave nën hetim janë tashmë pjesë e verifikimeve të SPAK, i cili po heton nëse procedurat janë përdorur për të kanalizuar fonde publike drejt individëve të lidhur me krimin e organizuar. /ZËRI