Analiza: Çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri në mesnatë?
KOSOVË- Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë vetëm edhe disa orë kohë për t’u mbledhur, të premten, në ditën e fundit të afatit 30 ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, për përfundimin e seancës konstituive të organit ligjvënës.
Eugen Cakolli dhe Naim Jakaj, njohës të çështjeve juridike, ndajnë mendimin se mosrespektimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por japin interpretime të ndryshme për hapat që duhet ose mund të pasojnë.
Cakolli: Nga nesër, nuk mund të thirret seanca konstituive
Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues do ta fuste Kosovën në një situatë të shkeljes së rëndë kushtetuese, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ai argumenton se afati i 7 gushtit është absolut, dhe se nuk mund të tejkalohet, pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon se cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të tij.
"Më shumë sesa zbrazëti kushtetuese, mungesa e këtij, le të themi, sanksioni, unë besoj që është fakti që nuk është supozuar kur është shkruar Kushtetuta që mund të arrijmë pikën ku Kuvendi nuk e konstituon as veten", thotë Cakolli.
Me arsyetimin se duhet kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 6 gusht kërkoi që seanca konstituive të shtyhej, dhe nuk dha emër për kryeparlamentar, duke e ndërprerë procesin e konstituimit të organit ligjvënës.
Por, nëse konstituimi nuk ndodh deri në mesnatë, Cakolli vlerëson se nuk do të ekzistojë më bazë kushtetuese që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj.
“Unë besoj që është e qartë që deputetët, pas mesnatës së sotme, nuk kanë të drejtë të mblidhen as me vetiniciativë, e lëre më që t'i thërrasë zoti Dehari, në këtë rast, si kryesues i seancës, për shkak të moshës së tij”, thotë Cakolli.
Për të, pasojat e ngërçit nuk kufizohen vetëm te Kuvendi.
Ai argumenton se, pas betimit si deputetë, ministrat dhe zëvendësministrat deri tani në detyrë nuk mund të vazhdojnë njëkohësisht ushtrimin e funksioneve ekzekutive.
Për këtë arsye, ai e konsideron Qeverinë në detyrë të Kosovës “pa legalitet dhe pa legjitimitet”, duke paralajmëruar se vendimet e saj mund të jenë objekt kontestimi në gjykata.
Sipas Cakollit, zgjidhja e parë juridike, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, do të ishte inicimi i një rasti në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ai beson se, në aspektin politik, epilogu është pothuajse i pashmangshëm.
"Zgjedhjet janë të pashmangshme, thjesht mbetet të gjendet rruga drejt tyre", thotë ai.
Ai shton se vendi tashmë ka humbur kohë me krizat institucionale, dhe se një proces i ri zgjedhor do të ishte skenari më i pafavorshëm, por nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet, ai nuk sheh një rrugë tjetër kushtetuese për dalje nga ngërçi.
Jakaj: Moskonstituimi e fut Kosovën në një situatë të paprovuar kushtetuese
Ndonëse pajtohet se mosrespektimi i afatit për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje kushtetuese, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka një interpretim tjetër për hapat që duhet të ndërmerren pas mesnatës së 7 gushtit.
Jakaj thotë se, meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati, është e mundshme edhe thirrja e seancës konstitutive edhe pas 7 gushit.
“Normalisht, që edhe nëse kalon afati i sotëm, ai [kryesuesi Dehari] duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Fatkeqësisht, nuk ka pasojë juridike. Sikur të kishte, do të vepronte në mënyrë të detyrueshme”.
Edhe mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ai e sheh me rezervë.
Sipas Jakajt, një rast i ri nuk do të zgjidhte domosdoshmërisht krizën politike, pasi Kushtetuesja nuk ka çfarë të thotë tjetër përveç asaj që “deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të obliguar që të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe që [Kuvendi] është dashur të konstituohet brenda 30 ditëve”.
Megjithatë, edhe Jakaj paralajmëron pasoja serioze nëse bllokada vazhdon.
Ai e lidh ngërçin aktual me afatin për zgjedhjen e presidentit, duke kujtuar se ushtrimi i detyrës së presidentit nuk mund të zgjasë më tepër së 6 muaj, përkatësisht deri në fillim të tetorit.
Kryetarja e legjislaturës së 10-të, Albulena Haxhiu, e betuar më 6 gusht si deputete e legjislaturës së 11-të, është ushtruese e detyrës së Presidentes që nga prilli 2026, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit të Kosovës.
"Ne do të hyjmë në një situatë të cilën nuk e kemi shkelur asnjëherë... kjo do të prodhojë pasoja të cilat ne nuk i kemi parë më herët, dhe të cilat në rendin demokratik lirisht mund të quhen rrënim i demokracisë", thotë Jakaj.
Sipas tij, nëse deri në përfundimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit nuk zgjidhen institucionet e reja, Kosova mund të mbetet pa autoritetin që do të mund të shpallte zgjedhjet ose t'ia besonte mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit për kryeministër.
Për këtë arsye, ai vlerëson se partitë politike duhet të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje që do t'i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që vendi të shmangte, siç e quan ai, një "anarki institucionale".
Përveç Cakollit dhe Jakajt, edhe pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë kanë bërë thirrje që konstituimi i Kuvendit të përmbyllet brenda afatit kushtetues.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një reagim publik, tha "se interesat partiake kanë tejkaluar interesin publik duke bllokuar funksionimin e institucioneve dhe duke dëmtuar besimin e qytetarëve".
"Sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme. Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional", tha GLPS në reagimin e tij./REL
Kuvendi i Kosovës vijon të shtunën seancën për konstituimin
KOSOVË- Vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të qershorit do të mbahet të shtunën paradite, ka vendosur kryesuesi i saj Avni Dehari, pavarësisht se një afat kushtetues për përfundimin e saj mbaron qysh sonte në mesnatë.
Seanca konstituive mbeti në gjysmë të enjten, kur Dehari vendosi ta shtyjë atë për kohë të papërcaktuar pas kërkesës së liderit të partisë në pushtet, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për një marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja dhe dhënien fund të krizës së gjatë politike.
Tani Dehari e ka thirrur atë për të shtunën në orën 11:00, me gjithë kritikat se seanca duhej të mbahej brenda afatit 30 ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, i cili mbaron sonte në mesnatë.
Seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, thuhet në njoftimin Kuvendit.
Njoftimi vjen pak orë pasi Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, mbajtën një tjetër takim të pafrytshëm në bisedimet e tyre për një marrëveshje politike.
Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte e shpejtë në kundërshtimin e vendimit të Deharit, duke e quajtur atë "jo vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor".
Megjithatë, PDK nuk tregoi nëse 22 deputetë e zgjedhur të saj do të marrin pjesë në seancën e nesërme.
Ekspertët kushtetues thonë për Radion Evropa e Lirë se shpërfillja e këtij afati përbën shkelje kushtetuese.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën përbën “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.
“Kryesuesi Avni Dehari ka pasur obligim ta thërriste vazhdimin sot, në një kohë që do të mundësonte edhe përfundimin e seancës deri në orën 23:59. Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues”, theksoi Cakolli.
Ai nënvizoi se menjëherë pas mesnatës, “së paku dhjetë deputetë” duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00
Ndërkohë, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se shpërfillja e afatit për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje kushtetuese.
Megjithatë, ai i tha Radios Evropa e Lirë më herët se vazhdimi i seancës do të mundë të caktohej pas afatit kushtetues meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati.
“Normalisht, që edhe nëse kalon afati i sotëm, ai [kryesuesi Dehari] duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Fatkeqësisht, nuk ka pasojë juridike. Sikur të kishte, do të vepronte në mënyrë të detyrueshme”, tha Jakaj.
Mungesa e marrëveshjes
I gjithë ky zhvillim rreth seancës konstituive vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja, një përpjekje për t’i dhënë fund krizës pothuajse dyvjecare politike e institucionale.
Më herët të premten, LVV-ja dhe LDK-ja dështuan të arrijnë marrëveshje edhe pas takimit të katërt mes liderëve të tyre.
Kurti dhe Abdixhiku thanë se dallimet në qëndrime dhe kërkesa mes tyre janë të thella, gjë që e bëjnë shumë të zorshme arritjen e një marrëveshjeje politike.
Mospajtimi kryesor mes tyre është posti i presidentit, të cilin e do me ngulm LDK-ja.
Kurti - partia e të cilit i fitoi bindshëm zgjedhjet duke marrë 53 mandate - tha se “nuk kemi ende marrëveshje politike”.
“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së", theksoi Kurti.
Duke folur për kërkesën e LDK-së, e cila siguroi 18 vende në Kuvend, për postin e presidentit, Kurti nënvizoi se "ne si LVV nuk mund të bëjmë marrëveshje që do ta zëvendësonte vullnetin e popullit dhe do ta deformonte rezultatin zgjedhor”.
Ndërkohë, Abdixhiku tha se në takimet e tyre LDK-ja ka kërkuar që ajo ta propozojë emrin e presidentit, por "në këtë pikë nuk kemi pasuar pajtueshmëri”.
Abdixhiku paralajmëroi se partia e tij nuk ka vullnet për vazhdimin e bisedimeve, nëse nuk i jepet mundësia ta propozojë kandidatin për president.
“Përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një përfaqësim nga LDK-ja, një emër që e bisedojmë bashkërisht me LVV... nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë me keqardhje them se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tepër për bisedime e takime”, shtoi ai.
Ai tha se oferta e deritanishme që LDK-ja ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, atë të zëvendëskryeministrit dhe disa Ministri, “nuk është e mjaftueshme për të dhënë zgjidhje”.
Por, Kurti nguli këmbë se ai është i interesuar të bashkëqeverisë me LDK-në dhe "ata t’i kenë postet e tyre, prej postit të zëvendëskryeministrit dhe disa ministrive".
Ndërkohë, dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike dhe Aleanca nuk kanë pranuar të hyjnë në bisedime me Kurtin, duke shprehur qëndrimin se duan të jenë në opozitë.
Kurti ka nevojë për një marrëveshje politike për t'i shmangur edhe një palë zgjedhjesh të parakohshme parlamentare - që do të ishin të katërtat brenda dy vjetëve të fundit.
Ai i ka votat për Kuvendin dhe Qeverinë, por jo edhe për presidentin, për votimin e të cilit nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.
Dështimi për ta arritur një marrëveshje për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit në dy muajt e ardhshëm do ta çonte vendin drejtpërdrejt në zgjedhje të parakohshme parlamentare./REL
“Oferta” e Kurtit për PDK-në: I ofron postin e kryetarit të Kuvendit, kërkon mbështetje për Presidentin (LETRA)
KOSOVË- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në prag të përfundimit të afatit të konstituimit të Kuvendit mesnatën e sotme.
Në letër, Kurti i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të mbështetjes për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.
Kurti shprehet se respekton qëndrimin e PDK-së për të qëndruar në opozitë, por thekson se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit janë procese që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike.
Përmes letrës, Kurti nënvizon se 'kontributi real' PDK-së mund të jetë pikërisht te zgjedhja e presidentit, në mënyrë që sipas tij, të shmangen zgjedhjet e panevojshme.
Letra:
I nderuar kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Bedri Hamza
Ju faleminderit për përgjigjen e sotme. Më duhet ta pranoj se nuk po e kuptoj pse të mos takohemi dhe t’i bisedojmë shumë gjëra shtruar për hir të institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve. Komunikimi ynë duhet të jetë politik e kolegjial nga afër dhe jo vetëm zyrtar e me letra nga larg. Sidoqoftë, unë po i përgjigjem qëndrimit që keni shprehur ju në letrën e sotme.
E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë siç e kërkon kushtetutshmëria tek e cila u betuam si deputetë të rinj dje. Ju letrën e përmbyllni duke thënë se “PDK do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Kontributi i juaj në këtë pikë është veçse propozimi i emrit për nënkryetar nga partia juaj i/e cili/a zgjidhet vetëm pasi të votojmë edhe ne për të. Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit.

Para skadimit të afatit/ PDK, LDK dhe AAK mblidhen në Kuvend, kërkojnë sonte seancën konstituive
KOSOVË- Pak orë para përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e legjislaturës së 11-të, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë mbledhur në Kuvend.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që të thërrasë sonte vazhdimin e seancës konstituive, në mënyrë që procesi të përmbyllet brenda afatit të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas LDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit rrezikon ta çojë Kosovën në një situatë të paqartë kushtetuese. Edhe AAK-ja ka akuzuar LVV-në për shkelje të rendit kushtetues.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon sonte në mesnatë./ZËRI
Afati skadon në mesantë, dështon sërish takimi Kurti-Abdixhiku: Larg marrëveshjes! Presidenti "nyja" që i ndan
KOSOVË- Një tjetër takim mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa marrëveshje.
Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku deklaroi se janë shumë larg marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje. Një nga çështjet kryesore ku palët nuk kanë gjetur dakordësi është ajo e presidentit. Abdixhiku ka kërkuar që kandidati për president të propozohet nga LDK-ja, ndërsa emri të diskutohet më pas me partnerët politikë.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshojë pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani.
Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjatë.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zv.kryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është dinjitoze as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar. Sapo të pajtohemi që propozimi për president të vijë nga LDK, atëherë bashkë me Kurtin e caktojmë atë emër. Nuk po flas ‘na jepni mbështetje dhe vijmë me dy emra’. Jo jo, flasim, sepse po flasim për presidentin”, është shprehur Abdixhiku,
Nga ana tjetër, edhe Albin Kurti konfirmoi se palët nuk kanë arritur ende marrëveshje politike.
"Marrëveshje politike nuk e kemi ende, pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LKD-së”, është shprehur Kurti.
Një ditë më parë u mbajt seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët bënë betimin. Megjithatë, procesi nuk u përmbyll, pasi nuk u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe Albin Kurti kërkoi më shumë kohë për bisedime me partitë e tjera, edhe për Presidentin.
Afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundon sot, më 7 gusht, në mesnatë.
Sipas Kushtetueses, nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje. Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë. Partitë parlamentare kanë rreth 2 muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje./ZËRI
Sot afati i fundit për konstituim të Kuvendit të Kosovës
KOSOVË-Sot përfundon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca konstituive e ndërprerë një ditë më parë. Në seancën e 6 gushtit deputetët bënë betimin e tyre, ndërsa kryeministri, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për bisedime.
Kurti ka qenë në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por deri tani nuk ka pasur dakordësi.Ai u shpreh nga Kuvendi se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), ndërsa ftoi në negociata edhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, si dhe drejtuesin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini.
Sipas Kurtit, nëse posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese dhe qeveria formohet nga shumica parlamentare, atëherë edhe zgjedhja e presidentit duhet të jetë një proces që kërkon bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e përbashkët të partive kryesore politike, përfshirë PDK-në dhe AAK-në.
Sipas Kushtetueses, nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje. Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë. Partitë parlamentare kanë rreth 2 muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje./ZËRI