LIVE UPDATES

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta ngrijë dialogun me Serbinë, synoni atë me BE-në (ZHVILLIMET)

➤Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar sot mbledhjen e dy Kuvendeve, atë të Shqipërisë dhe Kosovës. ➤ Në mbledhjen që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës, i pari që mbajti fjalën ishte kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, i cili u shpreh se kjo mbledhje është dëshmi se Shqipëria dhe Kosova janë të pandara. ➤ Pas tij, mbajti fjalën kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. ➤ Po ashtu, edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj në mbledhjen e përbashkët të qeverive tha se ky takim simbolizon lidhjen e thellë mes dy vendeve. ➤ Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama u shpreh se kërkon që Kosova të njihet nga vendet e Evropës që deri më tani kanë refuzuar t’i njohin pavarësinë, po ashtu edhe nga vetë Serbia. ➤ Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në mbledhjet e dy qeverive tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy vende që kanë marrëdhënie të mira, po ashtu edhe marrëveshje të forta tregtare. ➤ Por mes dy kryeministrave ndodhi edhe një episod i "sikletshëm". Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një ndërmjetësi, i ka dërguar një letër homologut të tij, Albin Kurti. Personi që i mori letrën Ramës ia dorëzoi Kurtit, por nga videoja duket se ky i fundit ka refuzuar që ta lexojë. ➤ Por më pas, të dy zhvilluan një takim. ➤ Ajo që ndodhi sot në Prishtinë u komentua edhe nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili "justifikoi" edhe mungesën e tij. ➤ Kjo është hera e dytë e kësaj lloj mbledhje që bën bashkë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, pas mbledhjes së parë që u zhvillua në Tiranë në Nëntor të 2022-it.

10 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

Bardhi nga Prishtina: Fjalimi i Ramës thikë shpine Kosovës, vëllait s'ia themi kurrë këshillën në publik

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Gazment Bardhi

PRISHTINË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha nga mbledhja e dy Kuvendeve në Prishtinë, se fjalimi i Ramës ishte si një thikë shpine për Kosovën. Bardhi u shpreh se vëllai ia thotë vëllait në shtëpi këshillën dhe jo në lagje, referuar fjalimit të Ramës ku bëri thirrje për dialog që të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë. Bardhi u shpreh se Partia Demokratike kundërshton saksionet ndaj Kosovës, pasi po e paralizojnë.

“Nuk kam ndërmend të thyej traditën e shqiptarit, të kthej këtë mbledhje të sotme të dy kuvendeve tona në një transformim të luftës sonë të brendshme në Shqipëri. Mund të flisja si janë marrëdhëniet mes dy vëllezërve, Kosovës dhe Shqipërisë po nuk e kthej në fushatë elektorale, apo të përdor Kosovën në fushatë elektorale. Nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk do e bëjmë kurrë. Ne shqiptarët kemi një traditë. Vëllait nuk ia themi kurrë këshillën në lagje, vëllait këshillën ia themi në shtëpi, me zë të ulët që të mos e dëgjojnë të tjerët. Një këshillë e thënë në publik e lëndon vëllanë, e dobëson pozitën e tij në arenën ndërkombëtarë është një thikë pas shpine për vëllanë tonë, Kosovën tonë të dashur.

Sot mblidhemi këtu si një moment për të reflektuar atë që kem i arritur. Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë një vizion ku të rinjtë tanë gjejnë mundësi brenda atdheut të tyre. Është detyra jonë e përbashkët. Për ta arritur këtë duhet të qëndrojmë bashkë. Qëndrojmë fuqishmit kundër masave dhe sanksioneve të Kosovës. Ato paralizojnë Kosovën për të qenë një shtet i barabartë”, u shpreh Bardhi. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Nuk mori pjesë në mbledhjen e dy Kuvendeve, Berisha tregon arsyen pse nuk shkoi në Prishtinë

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk mori pjesë në mbledhjen e dy Kuvendeve që u mbajt në Prishtinë, mes Kosovës dhe Shqipërisë. Berisha tha se nuk do të shkonte në këtë takim pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Kryedemokrati akuzoi kryeministrin Edi Rama si një pengesë pasi po bashkëpunon me Serbinë.

Berisha akuzoi gjithashtu se me urdhër të kryeministrit Edi Rama është ndaluar kënga “Mora Fjalë” e Shkurte Fejzës në stadiumin kombëtar.

“Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për bashkërendimin me Vuçicin që veriu i Kosovës të merrej në dorëzim nga NATO. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e vet, gjer te ndalimi i këngës, himnit të Adem Jasharit, akti më simbolik, më domethënës.

E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka. Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej. Kemi pasur një rast, Oso Kukën me nipin, kurse Adem Jashari kreu këtë akt më madhështorin në hierarkinë e heroizmave dhe Edi Rama i ndalon këngën pasi u lejua, pasi Shkurte Fejza këndoi në stadiumin e Tiranës. Pra janë këto akte. Të shkoja unë në Prishtinë me Pashiqin? Si mund ta bëja unë këtë? Kurrë. Unë nuk shkoja kurrë me Pashiqin në Kosovë. Çdo ndërhyrje të Shqipërisë në problemin e dialogut Prishtinë-Beograd e konsideroj antikombëtare. E konsideroj absolutisht bllokuese dhe jo nxitëse për zgjidhjet.

Të gjitha propozimet e Edi Ramës, qëndrimet e bashkërenduara me Aleksandër Vuçiçin si argat i tij, kanë sjellë vendnumëro në procesin e negociatave, madje edhe acarime serioze midis këtyre dy vendeve. Shqipëria nuk mund të jetë as ndërmjetës, as pjesëmarrës. Shqipëria qëndron në anën e Kosovës. Shprehet për dialogun, por çdo hap tjetër i Shqipërisë e dëmton dialogun. Nuk ka asnjë tagër qeveria e Tiranës të japë formula apo skema, aq më tepër një qeveri që shpallte Dnjepër veriun e Kosovës. Aq më tepër një qeveri, e cila i thoshte Kosovës nënshtrohu ose do shkosh në kohën e bronzit. Aq më tepër një njeri, që i vendosi i pari në Europë sanksione Kosovës. Aq më tepër një njeri, i cili u përzie në plane për ndarjen, copëtimin e Kosovës me Beogradin.

Një njeri që përkrahu Ballkanin e Hapur, një projekt të qartë ruso-serb. Por ka një zhvillim pozitiv këtu. Qeveria aktuale e Kosovës ka dëshmuar meritën për t’i shumëzuar me zero, për t’ia kthyer reston Pashiqit të Tiranës, njëlloj si Pashiqit të Beogradit”, tha Berisha. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Rama i çon letër Kurtit me ndërmjetës, kryeministri i Kosovës nuk e lexon

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Albin Kurti dhe Edi Rama

PRISHTINË- Një episod i "sikletshëm" ka ndodhur gjatë mbledhjes së dy Kuvendeve në Prishtinë. Gjatë mbledhjes së përbashkët, në një moment kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një ndërmjetësi, i ka dërguar një letër homologut të tij, Albin Kurti.

Siç duket nga pamjet, personi që i mori letrën Ramës ia dorëzoi Kurtit, por nga videoja duket se ky i fundit ka refuzuar që ta lexojë. Ose të paktën, kamerat nuk e kanë kapur momentin që Kurti hap dhe lexon atë që i kishte shkuar Rama./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Mbledhja e dy qeverive, Kurti: Kemi shumë punë për të bërë për qytetarët!

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Albin Kurti

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në mbledhjet e dy qeverive tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy vende që kanë marrëdhënie të mira, po ashtu edhe marrëveshje të forta tregtare. Kurti tha se Shqipëria dhe Kosova janë një komb i madh, ku e përshkroi kufirin si barkushet e zemrës. Më tej, Kurti u shpreh se synimi i Kosovës është të bëhet gjithashtu anëtare në NATO, po ashtu si edhe njohja nga 5 vendet e Bashkimit Evropian.

Fjalimi i Kurtit:

Sot në Prishtinë moti është i ftohtë, por besoj se nuk ndikon aspak në atmosferën e ngrohtë në këtë sallë. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, dy republikat tona janë parlamentare dhe ju deputetë përfaqësoni qytetarët e të dy shteteve dhe pjesëtarët e të njëjtit komb. Dy shtetet tona janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë shekullore të shqiptarëve për ruajtjen e identiteteve dhe bashkimin kombëtar.

Ndjenja e vëllazërisë dhe përgjegjësia para qytetarëve motivojnë mbledhje si këto. Si kryesues i qeverisë së Kosovës shpreh kënaqësi që të dy kuvendet bëjnë bilancin në marrëveshjet e nënshkruara që nga mbrojtja, infrastruktura, bujqësia, tregu i përbashkët energjitik, lëvizja ndërkufitare, njohja e kontributeve shkollore, tekstet shkollore. Rezultatet e deritanishme të marrëveshjeve janë të prekshme për qytetarët. Shqipëria është ndër 5 vendet e para me të cilin Kosova ka shkëmbimet më të mëdha tregtare. Jemi të vetëdijshëm se nuk na lejohet mburrja për arritjet, kemi shumë punë për të bërë si qeveri dhe kuvende për të lehtësuar bashkëpunimet midis qytetarëve të dy republikave tona sepse siç e ka thënë poeti Primo Shllaku, kufiri Shqipëri-Kosovë është si kufiri ndërmjet dy barkusheve të zemrës. Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe.

Në Maqedoni, Mali i Zi dhe në Luginën e Preshevës, pasi janë komunitetit më diskriminuar, prandaj për ta është dedikuar buxheti 4 milionë euro për republikën e Kosovës, shpresojmë të jetë dhe ky një shembull për Shqipërinë. Kosova dhe Shqipëria besojnë për të drejtat e njeriut. Sot më shumë se kurrë vendet besojnë se kanë më shumë nevojë si NATO dhe BE. Ne në Kosovë na gëzon fakti që Shqipëria është anëtarë e NATO-s dhe kandidate e BE. Ndërkaq, NATO është në Kosovë, po Kosova jo në NATO. Po bën hapa për dallim të vetit. Ne nuk duhet të anëtarësohemi në NATO se nuk jemi mjaftueshëm të fortë, por nga NATO duhet të përfitojmë.

Sulmet në Banjksë dhe “Ibër-Lepencit” në jug, e kanë bërë çështje emergjente anëtarësimin e Kosovës në NATO, pasi vijnë nga i njëjti drejtim që është Serbia. Sot në Kosovë që po flasim mund të ketë akte terroriste, po tani që e kanë humbur kontrollin, është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë fundi i tyre. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Mbledhja e dy qeverive, Rama: Serbia të njohë Kosovën!

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Edi Rama

PRISHTINË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në takimin e përbashkët të dy qeverive tha se Shqipëria do të eci krah për krah me Kosovën. Rama u shpreh se kërkon që Kosova të njihet nga vendet e Evropës që deri më tani kanë refuzuar t’i njohin pavarësinë, po ashtu edhe nga vetë Serbia. Kryeministri tha se pret që Kosova të ngrijë dialogun me Serbinë, teksa shtoi se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet përmes dialogut me Bashkimin Evropian. Po ashtu kryeministri shtoi se gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i parregullt, dhe Partia Socialiste do t’i bashkohej nismës së Kuvendit të Kosovës për të depozituar një rezolutë.

Fjalimi i Ramës:

I nderuar Kuvend i Shqipërisë dhe Kosovës kanë kaluar pak më shumë se 10 vjet qysh se pata nderin e madh t’i adresohem kësaj salle si kryeministër i sapozgjedhur. 10 vite janë shumë pak në jetën e një kombi por shumë në jetën e një individi. Kjo dekadë ka qenë vendimtare për ne në Shqipëri, me sakrifica e mundime të mëdha, ku nuk kanë munguar as dhimbjet e fatkeqësive natyrore.

Por kur përjetoj sot habinë e vizitorëve të mrekulluar nga transformimi i Shqipërisë them ia kanë vlejtur sakrificat në të përpjetën e ndryshimeve të gjithanshme, që po e bëjnë Shqipërinë vendin europian që s’u bë dot në shumë vite. Sa kur e mendon se cfarë malesh me kohë janë tretur nuk mund të mos zgjohesh herët cdo mëngjës për të përpjekur të shtosh ngjitjen drejt majës së majës ku gjendet shtëpia e Europës së bashkuar dhe ku fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës më pas nuk do merren më dot kurrë peng nga e kaluara jonë e përbashkët tragjike. Një event botëror që mbledh me mijëra njerëz. Përshtypjet e misionit ishin të jashtëzakonshme për ç’ka është ndërtuar në këto 10 vite. Presim që në Samitin e Hagës, Shqipëria të shpallet zyrtarisht vend europian në 2027. Pasi do të jetë një vit që do të mbyllim negociatat. Para 10 viteve, kjo ishte një majë që nuk shihej as me dylbi. Nuk jemi më figurantë në fotografitë familjare të bashkësisë ndërkombëtare, por kemi një rol të rëndësishëm e përcaktues për rajonin tonë, i cili sot më shumë se kurrë ka një domethënie të posaçme për Europën e nesërme.

Ndërsa, vitin e ardhshëm më 16 maj do të mbahet Samiti i Komunitetit Europian në Shqipëri, ku do të presim liderat tanë nga Londra në Ankara dhe deri në Baku. Kështu Shqipëria do të jetë përsëri epiqendra e momenteve historike europiane, ndërsa dikur konsiderohej delja e zezë. Tani më nuk jemi thjesht anëtarët e dikurshëm, por kemi peshë përcaktuese për rajonin tonë.

Dëshira ime e zjarrtë, e patregueshme me fjalë, është që mos të jemi, njëri të jetë në tryezën e negociatave me BE dhe tjetri në listën e sanksioneve të BE, që sot janë një absurditet absolut. Së bashku me presdidenten, në samitin me BE dy ditë më parë, kemi këmbëmgulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e BE, që janë penguar të lëvrohen, të mos digjen. Por duhet të jemi dorë për dorë, të bindim edhe skeptikët më të mëdhenj për njohejne Kosovës si shtet sovran. Barra duhet t’i bjerë vetëm Serbisë, asnjë gram Kosovës. Duam që Republika e Kosovës të njihet nga vendet evropiane që nuk e kanë pranuar, përfshirë nga vetë Serbia, që Kosova e ka mundur me luftë, 25 vjet më parë. 20 vjet më parë, në 2004, presidenti Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë janë integrimi në BE në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA”. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë progresi, populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës e botës dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane. Këto fjalë kaq të thjeshta janë gjithçka. Që në fakt na duhet dhe na mjafton për të mos e humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit përfundimtar të familjen evropiane të të dy shteteve tona dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans historik shqiptarët mund ta shfrytëzojnë me sukses vetëm si trimi i mirë me shokë shumë. Por ndërkohë që Shqipëria ecën me hapa të shpejtë, të pandalshëm në udhëtimin e saj për tu bashkuar me Evropën, parafytyrojeni sesa më krenar do t’i bënit gjithë shqiptarët, se çfarë vlere më të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë kudo që jetojnë sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur edhe Kosova të shkëlqente njësoj ndërkombëtarisht duke hedhur vallen e kësaj kohe rreth shqiptarëve në një ritëm me pagëzuesit e lirisë dhe bekuesit e pavarësisë së saj, sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit si shëmbëlltyrë dinamike dhe mishërim i vlerave evropiane në këtë rajon ku jemi i vetmi komb që flet një gjuhë por aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit.

Duam ta ndihmojmë me sa kem në dorë Kosovën por mundësitë tona, mos harroni as që krahasohen me mundësitë e miqve. Pezmatimi i tyre me Kosovën nga pengon të bëjmë sa do donim në një kohë kur të gjitha yjet e europes janë rreshtuar krah shqiptarëve. Më ndjeni ta përsëris porosinë e mikut më të madh të Kosovës, Bill Clinton që më kërkoi t’ju them miqve në kosovë se koha nuk e sjell shancin për gjithmonë por e sjell që të mos e humasin dhe ta kthejmë në arritje historike. Nuk kam dyshim se forca e këtij shteti të rim und ta shndërrojnë hartën e verdhë në yll të ri në BE, me të njëjtën gjë që ne po bëjmë me Shqipërinë. Lejomëni të ndaj këtu sot opinionin tim, tanimë të konsoliduar ku nuk kam parë dhe shumë kam mësuar nga marrëdhëniet me miqtë dhe aletatët e me jo dashamirësit tanë, se në këtë faze kaq vendimtare për të Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut me BE, duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE. Thënë ndryshe Kosova mund ti japë familjes europaine në një kohë të shkurtër provën e vullntetit dhe të përkatësisë së vet duke përmbushut kushtet e noramlizimit me Serbinë jo për hir Serbisë, por për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet, dhe për hir të të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve me kryeqytet Bruksel.

Nuk rri dot pa e thënë cudinë time, se në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjë një  nismë për t’iu kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vend financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varur nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim i përhapur mund të mos qëndrojë, mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është gjemë e madhe. Jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, as për Republikën e Kosovës, por për vetë integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo Republikë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën. Prandaj nuk mund të lihet në heshtje shurdhuese që ushqehet prehja gjithfarë motivesh nga më fisniket deri te më politiket, që ajo gjëmë nëse është gjëmë ta bëjë dëmin e vet deri në fund.

Unë, dua ta dini të gjithë ju këtu dhe ata që na dëgjojnë se nëse Kuvendi i Kosovës, kurdoqoftë do të ndërmerrte nismën, për t’iu drejtuar të gjitha shteteve sponsorizuese të Gjykatës Speciale, dhe për të ndarë me to, dyshimin e arsyeshëm, për cënimin e standardeve demokratike në procesin ligjor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit  dhe nëse  do na kërkohej që një nisme të tillë t’i bashkohej edhe Kuvendi i Shqipërisë, nuk flas dot për të tjerët, por për forcën time politike. Partia Socialiste do të angazhohej që të njëjtën rezolutë, të votuar nga Kuvendi i Kosovës, ta depozitonte në Kuvendin e Shqipërisë. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Mbledhja e dy Kuvendeve, Osmani: Shqipëria dhe Kosova, vizion i përbashkët për të ardhmen

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Vjosa Osmani

PRISHTINË- Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj në mbledhjen e përbashkët të qeverive tha se ky takim simbolizon lidhjen e thellë mes dy vendeve. Osmani, tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një vizion të përbashkët dhe janë të pandashme si një komb i madh.

“Nder tju drejtohem në këtë sesion të përbashkët të parlamenteve, takim që pasqyron trashëgiminë e përbashkët por edhe vendoshmërinë e palëkundur për një të ardhme të denjë, të mbështetur nga vizioni dhe synimet e popullit tonë. Kjo seancë e përbashkët duhet të shërbejë si thirrje për veprim, kujtesë se qëllimi i përbashkët kërkon ambicie më të mëdha. Po jetojmë në një kohë të trazuar që kërkon bashkëpunim. Një Shqipëri më e fortë, do të thotë një Kosovë më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lart Shqipërinë. Liderëve institucionet dhe gjithsecilit qytetar secili prej nesh duhet të luajë rolin e në avancimin e roleve të shteteve. Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipëri është e rrënjosur në histori dhe vizion të përbashkët. Kjo lidhje është themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh dhe koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e pandashme të një kombi të madh”, tha Osmani. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Mbledhja e dy qeverive, Spiropali: Duhet të presim për superbashkimin!

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Elisa Spiropali

PRISHTINË- Mbledhja mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës nisi sot në orën 11:00 në Prishtinë. I pari që mbajti fjalën ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfca, ndërsa pas tij kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Elisa Spiropali. Gjatë fjalës së saj, Spiropali tha se Kosova është prioriteti kombëtar i Shqipërisë.

“Jam me origjinë nga bregu i Labërisë, por me shtëpi zemre jam nga Prishtina dhe Prizreni, po kështu secili nga ne është nga Durrësi e Gjakova, jemi një gjak e një gjuhë, emocion i thellë dhe kënaqësi nga kjo mbledhje e përbashkët. Ne që po takohemi jemi pak, duhet të takohemi të gjithë aq sa jemi, aq sa shqiptarë sa ka bota. Duhet me prit për superbashkimin, kur s’ke pulën do hash shpend tjetër thotë populli. Jo rrallë Ballkani ka qenë truall i ankesës, popujt e Ballkanit e kanë traditë të kaherëshme. Ne shqiptarët nuk bëjmë dallim, por askush se mohon se shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur. Në këtë moment historik si kurrë më parë shqiptarët kanë treguar vendosmëri në zhvillimin e shoqërisë. Vetëm 1 çerek shekulli ka mjaftuar të tregojmë c çfarë energjie sjell liria. Sot po ngremë në një nivel tjetër atë që etërit tanë e bënë me shumë mund e sakrifica. Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe e anasjelltas. Suksesi i njërës, kusht për tjetrën. Ritmi i njërës kushtëzon edhe tjetrën”, tha Spiropali. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Nis mbledhja e dy Kuvendeve, Konjufca: Dëshmi se Shqipëria dhe Kosova janë të pandara

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Glauk Konjufca

PRISHTINË- Mbledhja mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës ka filluar. I pari që mbajti fjalën në këtë takim është kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca. Konjufca tha se kjo mbledhje është dëshmi se Shqipëria dhe Kosova janë të pandara. Kryeparlamentari i Kosovës foli për sulmin në Lepencë dhe atë në Banjskë ku tha se ato janë sulme nga Serbia që synojnë destabilitetin në vend.

“Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët në fund të këtij viti, për të dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike dhe gjeopolitike, të sigurisë që kanë shoqëruar rajonin tonë. Bëhen 3 vjet nga agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës, ne si rajon dhe Kosovë, e kemi ndier ndikimet e tërthorta dhe të drejtpërdrejta të këtij agresioni. Kosova po e mbyll këtë vit e sulmuar nga elementë të mbështetur nga Serbia, që po synojnë destabilitetin e Kosovës. Sulmi ndaj kanalit të ujësjelllësit në Lepencë nuk mund të quhet veçse sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si vend sovran. Ky sulm ndaj infrastrukturës tonë kritike të furnizimit me ujë dhe energji, vjen 1 vit pas sulmit të rëndë në Banjksë. Organizator është Radojiçiç. mbështetur nga presidenti Vuçiç. Ky përbashkim i yni sot, i dy kuvendeve tona, duhet parë si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën. Nuk mund të përfaqësojmë veçse interesin kombëtar, që është i përbashkët. Përfaqësojmë edhe idealin e përbashkët të integrimit evropian. Shqipëria ka ecur përpara në rrugën e integrimit”, tha Konjufca. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Rama mbërrin në Kuvendin e Kosovës, pritet nisja e seancës së përbashkët

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Edi Rama

PRISHTINË- Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të nis së shpejti seanca e përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës. Rama para fillimit të seancës parlamentare u takua me homologun e tij Albin Kurti. Të pranishëm në këtë takim ishin dhe dy kryetarët e kuvendeve, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Parlamenti i Shqipërisë dhe i Kosovës do të mbajnë sot një seancë të përbashkët që do të nisë në orën 11:00 në Prishtinë. Kjo është mbledhja e dytë që realizohet mes dy qeverive. /ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Shqipëria dhe Kosova mbledhin sot dy Kuvendet në Prishtinë, çfarë pritet të ndodhë

Kuvend i përbashkët Kosovë-Shqipëri/ Rama: Kosova duhet ta
Foto ilustruese

PRISHTINË- Shqipëria dhe Kosova do të mbajnë sot për herë të dytë një mbledhje të përbashkët të të dy Kuvendeve. Mbledhja mes deputetëve do të zhvillohet në Prishtinë. Në këtë mbledhje, do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Albin Kurti. Zyrtarët e lartë të Kuvendit të Shqipërisë u nisën nga Shqipëria me autobuz në orën 06:00, ku priten të mbërrijnë në Kosovë në orën 10:30.

Pasi ata të mbërrijnë në sallën e Kuvendit të Prishtinës, do të mbahet Himni i Shqipërisë dhe Kosovës. Takimi mes dy qeverive pritet të fillojë në orën 11:00, ku do të mbajë fjalën i pari kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca, më pas kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali. Ndërsa, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Albin Kurti do të jenë të fundit që do të flasin.

Agjenda dhe pjesëmarrësit:

Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Mesila Doda, Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Kuvendi i Shqipërisë

Besnik Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës

Fatmir Mediu Anetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Kuvendi i Shqipërisë

Enis Kervan, Kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, Kuvendi i Kosovës

Arben Gashi, Kryetar i i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës

Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë

Abelard Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës

Niko Peleshi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kuvendi i Shqipërisë

Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës

Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Parlamenti i Shqipërisë dhe Kosovës u mblodh për herë të fundit në vitin 2022, edhe pse ishte planifikuar të zhvillohej një mbledhje e dytë në qershor të vitit 2023, kjo nuk ndodhi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB