'Zvërneci' dhe Integrimi/ Costa : Shqipëria duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e BE
TIRANË- Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, shprehu vlerësimin e tij për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Costa konfirmoi se Shqipëria ka hapur tashmë 35 kapitujt e negociatave dhe po ecën përpara me hapa të sigurt.
“Mund të presim ne për Ukrainën. Unë jam më optimist, por në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor si Mali i Zi dhe Shqipëria unë mendoj se ne jemi në rrugën e duhur. 35 kapituj janë hapur për Shqipërinë. Po ecet përpara dhe këtu duhet që të fokusohemi. Shqipëria ka një qëllim shumë ambicioz, kemi edhe një vit e gjysmë përpara dhe ne duhet të vazhdojmë që të punojmë për këtë çështje”, u shpreh Costa.
Në konferencë, shefi i KiE-së u pyet edhe për projektin e Zvërnecit. Ai theksoi se në procesin e anëtarësimit Shqipëria pritet të jetë në përputhje me legjislacionin e BE-së, përfshirë edhe çështjet mjedisore.
“Nuk është se unë mund të flas për ndonjë projekt të veçantë ose specifik, por Komisioni Europian është në kontakt me autoritetet shqiptare, po dëgjon shoqërinë civile dhe nëse do të ketë pyetje, do t’i bëjë”, tha Costa./ZËRI
SPAK bllokon transaksionin e investitorit të huaj në Zvërnec/Rama: Investimi s'ndalon sa kohë unë jam këtu!
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Gjatë konferencës, Rama vendosi t'i përgjigjej edhe pyetjeve rreth Zvërnecit, lidhur me protestat dhe mundësisë për të hequr dorë nga projekti. Ai u ndal gjithashtu te investitorët e përfshirë, të cilët, sipas tij, janë njerëz me reputacion të padiskutueshëm.
Kreu i qeverisë gjithashtu komentoi edhe hetimin e SPAK, duke e cilësuar si një pjesë pozitive pasi gjurmon origjinën e pronës.
“Kjo e SPAK-ut ka dy pjesë; pjesën pozitive që i takon SPAK-ut dhe pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK-ut. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me apo pa të drejtë dhe i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone, është e mirëseardhur dhe e nxis këtë hetim. Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetofruar që ndajnë gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha pasi investitorët që sot janë zotëruesit e pronës sipas legjislacionit shqiptar, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare për të përcjellë pagesën janë investiguar imtësisht nga Agjencia e Pastrimit të Parave dhe kanë rezultuar totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global. Kjo çështje, siç është me dy pamje, duhet ndarë në dy pjesë. Investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën e asaj prone, mund të marrin ato para dhe të gjitha janë të lumtura përveç palës që ka mashtruar. Do t’u bëja thirrje zëdhënësve të vetofruar që të mendohen disa herë për të shkruar disa të vërteta sepse cenojnë Shqipërinë. Dihet kush janë investitorët sepse janë njerëz me reputacion. S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu. Unë jam absolutisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet. Nëse janë për pronën, ka rrugën e vet dhe mund të çojë në zgjidhje ideale”, tha Rama./ZËRI
Turi në Ballkan/ Antonio Costa mbërrin në Tiranë, pritet nga kryeministri Edi Rama (VIDEO)
TIRANË- Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, ka mbërritur në Tiranë në kuadër të turit të tij në Ballkanin Perëndimor. Costa u prit më ambientet e Këshillit të Ministrave nga kryeministri Edi Rama me të cilin do të zhvillojë një takim.
Sipas agjendës, është parashikuar edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 12:15.
Vizita e tij në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i planifikuar më 5 qershor në Tivar të Malit të Zi.
Vizita e presidentit të KiE-së ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi vjen në jë kohë kur Brukseli po kërkon rezultate konkrete nga vendet kandidate, ndërsa Tirana synon të mbyllë negociatat dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Njoftimi:
Kryeministri Rama do të mikpresë Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije se Kryeministri Rama do të mikpresë të martën më 2 qershor 2026, Presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, i cili viziton Tiranën, në kuadër të vizitave diplomatike, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.
Samiti po mbahet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke riafirmuar forcimin e marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Pas takimit të përbashkët mes dy delegacioneve, Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
11.15 – 12.00 Takim bilateral mes dy delegacioneve
12.15 – 12.45 Konferencë e përbashkët për shtyp